Dr. Vlora Obertinca: Pasioni është gjuha e shpirtit…
“Pasioni është gjuha e shpirtit, që flet vetëm në një gjuhë që nuk flitet, por vetëm ndihet, gjuhë që përkthehet në ndërdije në 7000 gjuhë të ndryshme për 8 miliardë njerëz në tokë”. (Dr.sc. Vlora Obertinca).
Kur Jul Cezari ishte i sëmurë rëndë nga astma, pothuajse në prag të vdekjes, Kleopatra kishte shëtitur anekënd kontinentin e Afrikës, për të gjetur ilaçin për të dashurin e saj. E magjepsur nga dashuria, mençuria dhe karizma e tij prej perandorit më të fuqishëm në botë asokohe, e bëri Kleopatrën të kërkonte gjithandej erëza të kombinuara, me të cilat do ta shëronte perandorin romak dhe njeriun e zemrës se saj. Pak njerëz e dinë se Kleopatra, ndër shumë studime që kishte mbaruar, përfshihej edhe mjekësia.
Kleopatra e ka ndjekur pasionin e saj dhe kjo e bëri atë të jetë ndër perandoret më të suksesshme të kohës së saj. Sot, jemi në shekullin XXI dhe sëmundja e astmës është ende sëmundje kronike dhe e pashërueshme, ndërsa Kleopatra, që sundonte në vitin 45 para erës sonë (para Krishtit), e kishte gjetur shërimin e sëmundjes së astmës nëpërmjet erëzave, sepse, mbi të gjitha, ajo ishte edhe një shkencëtare e denjë. Sigurisht ky kombinim i erëzave duhet të ketë qenë i shënuar në librat e bibliotekës së Aleksandrisë, sikurse edhe ilaçet e shumta të tjera për shërimin e sëmundjeve të panumërta, por që fatkeqësisht xhelozia e rivalëve të saj ndaj aftësive dhe shkathtësive prej një perandoreje dhe intelektualeje të paparë deri atëherë, ishte fatale për të. Kleopatra kishte studiuar: gjeografi, histori, astronomi, diplomaci ndërkombëtare, matematikë, alkimi, mjekësi, zoologji, ekonomi dhe të tjera. Kleopatra ishte poliglote e shkëlqyer, që zotëronte edhe gjuhën e Egjiptit të vjetër dhe kishte mësuar të lexonte hieroglifët, një gjë unike për dinastinë e saj. Përveç kësaj, ajo fliste edhe gjuhën greke, arabe, siriane, hebreje, trogodiatë, medese, gjuhë këto antike të kohës së saj. Ajo madje kalonte shumë kohë edhe në laboratorët mjekësorë, pasi e kishte pasion të madh zbulimin e ilaçeve nga kombinimi i erëzave të ndryshme. Është e vështirë sot të gjejmë një paralele të një femre në një pozitë udhëheqëse shtetërore, qoftë mbretëreshë apo kryetare, që mund t’i përafrohet aftësive të Kleopatrës, që jetoi me mijëra e mijëra shekuj para nesh.
Fragment nga libri “Vera e shpirtit” të Vlora Obertincës.