Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: Alem Shehu, dëshmori që u shua në Borshin historik
Me rastin e 105 vjetorin e lindjes dhe 81 vjetorin e rënies në fushën e nderit të dëshmorit Alem Zano Shehu (5.6.1920 -15.4.1944), si dhe 80 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin, ndërkohë që eshtrat e dëshmorit Alem Shehu prehen në varrezat e dëshmorëve në Gjirokastër dhe është i shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr. 65 datë 2. 10. 1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Gjirokastër si dhe është njohur sipas paramentrave e standardeve zyrtare shtetërorë…
Alem Shehu u lind në Fushëbardhë të Gjirokastrës më 5 qershor të vitit 1920. Në moshën e vegjëlisë pa mbushur gjashtë vjeç (1926), nëna i thotë, “u rrite o bir, ec pas manareve, sepse jetën në malet tona e mban gjallë bagëtia”. Prindërit i mësonin fëmijët që të punonin dhe t’i bëheshin krah familjes që në vogëli. Nuk ishte e rastit maksima proverbiale popullore labe, “gjë e gjallë të mban gjallë”. Shtatin Alemit ia mbulonte llabania. Kur u rrit e hodhi dorën tek parmënda, punonte në ara si bujk, por nuk ua përtonte punëve si bujk dhe si blektor. Kjo ishte edhe tradita e të parëve. Të moshuarit e çmonin dhe e vlerësonin shumë si djalë të urtë e punëtor, që i thoshnin “djalë në qemal”. Kështu ai ndihej më i rritur dhe i burrëruar, që merrte përsipër edhe punë që nuk i shkonin moshës së tij. Arsimimin fillor e mori në vendlindje në Fushëbardhë, por sikurse gjithë bashkëmoshatarët përjetoi kohët e egra të pushtimit, por dhe të mobilizimit ushtarak, si “detyrë ndaj shtetit”, që pjesërisht e kreu në qytetin e Ulqinit.
*
Nëpër rrënjët e fisit fushëbardhas “Shehu/ Xhuvani/ Poçi”
Për të folur për një figurë të ndritur të antifashizmit shqiptar le të shkojmë në thellësi disi shekullore. Alem Shehu ishte biri i Zano Shehut dhe Bedries. Zanua kishte tre djem dhe dy vajza. Gjyshi i Alem Shehut ishte Sali Shehu, i cili ishte klerik i njohur i Fushëbardhës ose sikurse njihej “Sheh Sali Shehu”, një titull nderi i dekretuar ose i trashëguar përmes rrugës shpirtërore në shërbim të njerëzve. Në themelet e Sheh Saliut ka qenë deviza “Atdheu dhe feja”, udhëheqësia morale, fetare dhe atdhetare. Sali Shehu ka qenë dikur Shehu klerik i Fushëbardhës, që i përket rreth viteve 1800. Ai ka qenë i shkolluar në shkollat fetare të kohës, por edhe kishte mbaruar shkollën në vendet arabe për edukim fetar/medrese/Ruzhdie si dhe njihte 4 gjuhë të huaja. Kjo ka qenë edhe periudha kur Sheh Saliu e ktheu mbiemrin nga Xhuvani në Shehu, një llagap 220 vjeçar. Shtëpia-teqe ka qenë dy katshe në qendër të fshatit vetëm pak metra larg rrapit shekullor të Fushëbardhës. Nga të dhënat historike, gojëdhënat e oxhakut familjar të Shehe, (nga të treguarat e Zano Shehut dhe Bedries), kur bëhet fjalë përpara më shumë se dy shekuj gjyshi i Alemit, Sheh Saliu kishte veç të tjerash një bibliotekë shumë të madhe me libra teologjikë, historikë dhe shkencorë. Në Fushëbardhë dhe fshatrat përreth kanë mbetur në kujtesën kolektivë ditët e hashures dhe festave fetare, që shndroheshin si ditë dasmash e bollëku, ku komunitetin e përbashkonte mençuria, urtësia, dijet e thella të një njeriu të ditur që ushqeu dituri e dritë në komunitetin njerëzor të Fushëbardhës. Por në vitet 1913-1914 erdhën ditë të zeza për Fushëbardhën dhe mbarë jugun e Shqipërisë. Pas rënies së Skërficës, portës së parë të Labërisë në jug, jo vetëm shtëpitë, por gjithçka, librat, gjë e gjallë nuk i shpëtuan djegjes së barbarive greke të vitit 1914, që bënë shkrumb e hi gjithë fshatin, përfshi objektet e kultit. Andartët grekë nxorrën nga dheu e budrumet e teqesë, edhe qypat me libra, gërmuan muret, dyshemenë e tavanet e zbukuruara. Gjithçkaje i vunë flakën, librave, pikturave, librave fetarë, zbukurimeve, gdhendjeve interesante me përmbajtje kombëtare atdhetare e fetare. Ata synonin të digjnin historinë tonë. Nga Turqia kishte sjellë Shehu edhe disa variatete rrushi si dhe disa hardhi rrushi që quhet “lerushk” dhe që është mjaft e përshtatshme për terrene kodrinore malore, pra “që e do vendi”. Sheh Saliu ka pasur dy fëmijë Zanon dhe Lelinë. Vajza e tij Lelia ka qenë martuar në fisin e njohur Bello të Fushëbardhës, ndërsa Zanua martuar me Bedriun nga fisi Shalari, një fis i madh i Fushëbardhës që ndahej në tre fise më vonë Shalari, Shkurti dhe Kazo. Zanua dhe Bedria kanë pasur pesë fëmijë fëmijë tre djem dhe dy vajza dhe më konkretisht djemtë ishin Dervish Shehu, Xhevair Shehu dhe Alem Shehu, ndërsa vajzat Hasimeja martuar në fisin Çepe të Kalasës dhe Sabiheja martuar me fisin Muho, e cila ka ndërruar jetë në Lëmëth pranë Bregut të Erëzës nga kushtet e vështura të motit, pasi e mbuloi bora e madhe. Alem Zano Shehu erdhi në jetë në fillim të verës të vitit 1920, ndërkohë që Shqipëria kishte realizuar Kongresin e saj në Lushnjë, si dhe sapo kishte nisur Luftën e Vlorës, që u kurorëzua me sukses më 3. 9. 1920, edhe me kontributin e Fushëbardhës, ku Zano Shehu ishte luftëtar i një prej 89 çetave. Jehona e luftrave përcillej brezave, në brezat ku këndohej, tregohej e shkruhej mençuria, trimëria, heroizmi, lufta për mbrojtjen e truallit, të jetës dhe të familjeve me çeta fshatçe dhe më gjerë. Kënga në Fushëbardhën e Alem Shehut shprehte lashtësinë “jemi këtu në vendin tënë,/ që pa lerë diell e hënë..”. Këtë e kanë vërtetuar më së miri pjesëmarrja në të gjitha betejat e historisë dhe gjaku i derdhur në mbrojtje të truallit arbëror. Në traditën luftarake të të parëve eci edhe Zano Shehu, si pjesëmarrës edhe në Luftën e Vlorës me çetën e Fushëbardhës, ku kënga thotë: “merri Vlorë bijtë tanë,/shtatëdhjetë e tetë jataganë”, dhe më tej edhe gjatë LANÇ-it, ku i biri Zanos, Alem Shehu ngeli i përjetësuar në altarin e kombit, në valët e flamurit si dhe i çimentuar me lirinë me titullin e lartë “Dëshmor”.
*
Nga radhët e Ushtrisë në frontin e madh antifashist të çlirimtarëve
Kur mbushi moshën 20 vjeçare Alem Shehut në fshat erdhi fletëthirrja për ushtar dhe dërgohet më 1941 në një repart ushtarak në tokat e pushtuara shqiptare në Ulqin, ku u njoh me jetën e ulqinasve, me shpirtin e tyre atdhetar, me trimëritë e tyre në tokë por edhe në det, me bëmat që shkruheshin por më shumë tregoheshin nga gojëdhënat e legjendat e trimërisë brez pas brezi. Alemi ishte vërsnik (që ka të njëjtën moshë) me kushëririn e tij Tahir Xhuvanin. Xhuvanajt, Shehajt dhe Poçajt kishin dalë nga e njëjti oxhak, ose vatër dhe bëheshin si vëllezëri. Jeta në Ulqin për Alemin do të ishte e shkurtër por mbresëlënëse. Ka qenë një këngë që ishte jo vetëm fisnore në formë të bashkëbisedimit fisnor, por shkonte përtej oxhakut familjar, pasi ishte përhapur në gjithë Fushëbardhën: Tahir Xhuvani pyeste kushëririn dhe vëllamin e tij Alem Shehun: “Ku i ke armët Alem trimi?/ I kam varur në degë të ullirit, /Dritë t’i bëjnë gjithë Ulqinit..”. Jeta ushtarake në Ulqin ishte si një shkollë brenda territoreve shqipfolëse, sepse Alemi dhe Tahiri me një grup të madh ushtarakësh shqiptarë të dislokuar në garnizonin e qytetit të Ulqinit, të revoltuar ndaj pushtuesve italianë armët ja kthyen atyre, italianëve. Zëri i brendshëm i ndërgjegjes kombëtare i thirri për t’ia kthyer armët fashizmit, për t’u bërë shpresë për mëmëdheun që ishte pushtuar më 7 prill të vitit 1939. Një pjesë e këtyre ushtarëve u bashkua me formacionet partizane dhe njësitet guerrile të Shkodrës, kurse Alem Shehu me disa të tjerë kaloi me mjeshtëri pritat e postoblloqet e pushtuesve dhe vijoi shtegëtimin në jug të vendit, në drejtim të vendlindjes, të Fushëbardhës së tij të dashur. Në një prej pritave u plagos në shpatull, për këtë plagë edhe u dergj disa kohë derisa mori plotësisht veten, edhe pse idealet e tij në këtë periudhë lidheshin me lirinë. Menjëherë pas përmirësimit erdhi në Cepo dhe luftoi krahas bashkëfashatarëve dhe bashkëkrahinorëve të krahinës së Kardhiqit në radhët e batalionit territorial që komandohej nga trimi dhe bashkëfshatari i tij Karafil Bello. Alem Shehu ishte rritur e burrëruar dhe idealet e tij tashmë ishin të qarta dhe të kthjellta. Lufta kundër fashizmit ishte kthyer në imediate të kohës. Prandaj edhe do të bëjej një ndër partizanët e parë pjesë e formacioneve luftarake të çetës “Çerçiz Topulli”, të batalionit partizan “Asim Zeneli” etj. Kështu më 7 gusht 1943 tek rrepet e Kardhiqit u formua batalioni partizan “Asim Zeneli”, ku nga Fushëbardha në këtë batalion bënin pjesë Alem Shehu, Tahir Xhuvani, Siri Çarçani, Baxhul Nora, Bexhet Shalari, Cirok Cama, Elmaz Zervoi, Emro Kondi, Hariz Shalari, Islam Poçi, Kutbi Gjeçi, Latife Nora, Lulo Nora, Muho Duka, Mevlut Veliu, Nishat Kondi, Beqir Kondi, Nimet Veliu, Qazim Baho, Sami Golemi, Xhezo Proda, Ziadin Çarçani dhe Fidai Veliu i cili pas disa muajsh kaloi me forcat e tjera, si rrjedhojë e një situate komplekse luftarake në Borsh dhe Fterrë. Ndërkohë që me rritjen e fuqizimin e luftës dhe pas krijimit të formacioneve të më të mëdha partizane, Alem Shehu u bë pjesë e luftëtarëve të batalionit të dytë të BrVIS. Edhe në këtë formacion luftarak në batalionin e dytë partisan Alemi Shehu ishte bashkë me Tahir Xhuvanin si dhe disa bashkëfshatarë të tjerë. Betejat luftarake me urdhër të SHP të UNÇSH, BrVIS e çuan për të luftuar në rajonin e bregdetit.
Kështu në kalanë e Borshit ishin vendosur gjermanët. Përballë në bregoret e fshatit Fterrë, ishte vendosur komanda e batalionit të dytë, ndërsa në pozicion luftimi një kompani partizane që kishte disa djem partizanë nga Fushëbardha. Ishin ditë prilli të vitit 1944, ku fashistët dilnin nga kështjella dhe ndërrmerrnin sulme në drejtimin Borsh dhe drejt fshatit Fterrë. Aty në pozicion luftimi qëndronin në krah të njeri-tjetrit dy kushërinj të parë Alem Shehu dhe Tahir Xhuvani. Fakt është se nga qëndresa partizane nazistët gjermanë u zbrapsën disa herë. Në çastin e fundit kur partizanët i kishin vënë përpara me sulm pushtuesit një predhë mortaje zbriste me një tingull rrënqethës, dhe që shpërtheu ndërmjet dy luftëtarëve, që u rrëmbeu jetën të dy kushërinjve nga i njëjti fshat. Ata jetuan vetëm disa orë pasi plagët i kishin mjaft të rënda. Në historikun e Brigadës së gjashtë sulmuese, Tiranë, 1989 në faqen 125 shkruhet: “..forcat gjermane të ndodhura nën kërcënimin e rrethimit të plotë, pas një qëndrese të dëshpëruar dhe pasi dogjën materialet, që nuk mund të merreshin, u detyruan të tërhiqen në Sarandë. Gjatë këtyre luftimeve armiku la 13 të vrarë dhe shumë të plagosur. Në luftimet e brigadës u vranë partizanët Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu nga Fushëbardha. Batalioni pa u ndalur spastroi të gjitha fshatrat e bregdetit nga forcat armike dhe i detyroi ato të përqëndroheshin në Spile dhe në Dukat”. Edhe pse të dy kushërinjtë e parë ranë në Borshin historik në bregdet, idealin e lirisë e vijuan shokët e tyre, partizanët e Brigadës së gjashtë sulmuese. Një fakt që nuk duhet harruar është se Krahina e Kardhiqit ku bën pjesë edhe Fushëbardha krijoi një batalion luftarak territorial, ku në mënyrë të njëzëshme zgjodhi për komandant batalioni trimin nga Fushëbardha Karafil Bello dhe zv/komandant Nexhip/Xhipe Kozaku, batalion që u krijua më 13.4.1943 në Cepo të fshatit Plesatit. Në këtë battalion nga Fushëbardha ishin 72 luftëtarë: Karafil Bello, Zano Shehu, Sami Golemi, Rushit Golemi, Ali Proda, Axhem Muho, Avni Bello, Asllan Nora, Zenel Bello, Bastri Bello, Tafil Lagji, Kasëm Golemi, Mehmet Lagji, Baxhul Nora, Lesko Nora, Çete Nora, Destan Nora, Boro Zani, Brahim Miho, Boço Muho, Hodo Basho, Çobo Miho, Çaush Kondi, Idriz Stefani, Nishat Çarçani, Hazis Çarçani, Xhelo Çarçani, Jonuz Çarçani, Kanan Muho, Kajtaz Onjea, Kudret Veliu, Birçe Basho, Laze Caca, Merko Zani, Mehmet Kondi, Maliq Cama, Mato Mato, Musa Muho, Manxhar Muho, Mitat Baho, Musto Zani, Namik Veliu, Nimet Veliu, Qek Cama, Razi Veliu, Dino Meçani, Ferik Shalari, Ferjat Zani, Ferdi Veliu, Gusho Muho, Gjolek Shalari, Hariz Nora, Harrem Gjeçi, Hair Shalari, Hasko Kazo, Hajrulla Çarçani, Habip Xhuvani, Ramiz Cama, Sedat Veliu, Sadedin Bineri, Sejdo Shkurti, Sadik Cama, Serjan Muho, Sulçe Kondi, Sali Basho, Skëndo Xhuvani, Shuko Xhuvani, Shuquri Këndeci, Veli Nora, Veiz Onjea, Xhevdet Baho, Zubo Proda, Zeko Basho. Ky batalion ku luftonte dhe babai i Alemit, Zano Shehu ishte batalioni territorial me aktivitet të gjerë luftarak në Krahinën e Kardhiqit dhe në Rëzomë të Delvinës. Djemtë e Labërisë ishin tashmë të burrëruar para kohe në zjarrin e luftës për liri, djem që shkruan epope lavdie që nuk mund ta shuajnë dekada e shekuj. Në këtë batalion luftonte ajka e djalërisë së Fushëbardhës, me sytë nga liria, ndërkoha që pjesa tjetër më të rinj dhe më vitalë luftonin në formacione partizane solide, pjesë e asaj që quhej Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare.
*
BrVIS brigade e lavdisë partizane e Alem Shehut dhe Tahir Xhuvanit
Brigada e gjashtë është edhe brigade e partizanëve dhe dëshmorëve të Fushëbardhës. Është një copëz e historisë së luftës çlirimntare të shqiptarëve, është rrugëtimi historik i përgjakjes me fashistët, e partizanëve dhe dëshmorëve të paepur. Në këngën e shkruar nga Zini Sako, “Marrshi i Brigadës së Gjashtë Sulmuese” thuhet: “..Shpresë e madhe kjo brigadë,/ Për çlirimin e Shqipërisë,/Ylli i ndritur dhe i zjarrtë,/Për dërrmimin e skllavërisë..”. Brigada e VI-të Sulmuese ishte ndër brigadat e Frontit Nacionalçlirimtar gjatë LIIB në Shqipëri, e cila u themelua nga batalioni “Asim Zeneli” i krijuar në rrepet e Kardhiqit e Prongjisë më 7.8.1943, batalioni “Baba Abaz” krijuar në Kalivaç të Tepelenës më 10.8.1943, batalioni “Naim Frashëri” në Garzema të Përmetit më 21.9.1943, batalioni “Abaz Shehu” i krijuar më 12.12.1943 në Fushbardhë, pas ndarjes së batalionit “Asim Zeneli”, si dhe batalioni i pestë ishte batalioni partizan “Zaho Koka”. Partizanët e këtyre batalioneve kishin me përvojë të gjatë luftarake pasi kishin marrë pjesë në luftimet në Cepo, Ura e Kardhiqit, Libohovë, Shkallë të Zezë, Tepelenë, Mezhgoran, Kiçok, Rrëzomë, Kurvelesh, Mesaplik etj. Brigada e VI Sulmuese “Heroinë e Popullit”, numëronte 912 partizanë, 120 vajza e gra, 60 ponierë lufte, me efektiv që shkoi deri në 1700 luftëtarë. Drejtuesit e brigadës e shkruan biografinë e tyre me luftime të përgjakshme, të sukseshme. Në kohën e krijimit BrVIS kishte: komandant Tahir Kadareja, nënkomandant Jaho Gjoliku, komisar Mustafa Matohiti, zv/komisar Haki Toska; Rruga luftarake e Br6S ishte e lavdishme dhe heroike, pasi përshkroi 3500 km, i shkaktoi armikut qindra të vrarë, robër e të plagosur; kapi mijëra pushkë e automatikë, qindra mitraloza, topa e mortaja dhe me shumicë municione, veshmbathje etj. Brenda vendit shkoi në 10 prefektura, 32 krahina, çliroi 8 qytete e i dha atdheut 220 dëshmorë, nga të cilët 10 janë dëshmore. 53 dëshmorë ranë jashtë kufijve administrativë shqiptarë. Veprimtaria luftarake e BrVIS ishte plotësisht e suksesshme, madhore në interes të kombit, atdheut, shteteve fqinje dhe koalicionit, ndaj u nderua me dekoratën më të lartë “Hero Populli”. Brigadës partizane ju ngritën himne, këngë, vjersha, poema etj. Është e vetmja brigadë partizane për të cilën është ngritur epope me titull: “Vij nga Vjosa,/ më pret Buna”: Brigada që tundi dhenë,/ në popull ngriti folenë,/ atje jataku dhe shpirti,/ ndaj lavdinë lart e ngriti… Për kombin, tokën e lashtë,/ Grusht çelik Brigada e gjashtë,/në beteja, fushë dhe mal,/ ngriti flamurin shqiptar…Dil nëno dhe shiko jashtë,/ si lufton Brigada e gjashtë…Trimat tanë të Shqipërisë,/sollën dritën e lirisë,/ në këtë tokë plumb të rëndë,/ me mençuri, pushkë dhe këngë… Brigada e gjashtë është vlerësuar si brigada epope lavdie e LANÇ-it, që luftoi 308 ditë lufte në Shqipëri dhe 371 ditë të tjera lufte në ish-Jugosllavi. Luftëtarët e brigadës së gjashtë mbajtën lart flamurin e idealeve të lirisë dhe çlirimit dhe plotësuan më së miri idealin e të gjithë të rënëve në fushëbetejat e luftës, përfshi edhe idealin e partizanit fushëbardhas Alem Shehu. Alem Zano Shehu që ishte lindur ditën që filloi lufta e Vlorës më 5 qershorin e vitit 1920 në Fushëbardhë, u rreshtua në çeta, batalione dhe kur u krijua BrVIS në 26 janar 1944, atë ditë që “u gdhi me këngë dhe u ngris me luftë”, Alemi e Tahiri ishin caktuar në batalionin e dytë të brigadës. Thonë se kur u plagosën rëndë djemtë e Fushëbardhës rënkuan dhe malet, por përtej folklorizmave dhe ideologjizmave lufta çlirimtare antifashiste ishte bindje e brendshme e shqiptarizmës, prandaj idealet e lirisë dhe çlirimit janë të përputhshme me ndërgjegjen kombëtare. Fakt është se Alem Shehu u plagos rëndë në Fterrë më 15 prill 1944 dhe vdiq disa orë më vonë rrugës për spitalin partizan të Kuçit e më tej drejt Fushëbardhës. Alem Shehu është i shpallur dëshmor i atdheut me Vendim nr.65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Gjirokastër dhe prehet në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës.
Burime studimi: Historiku i BrVIS, Tiramë, 1989, faqe 125;374, 375, nr 62, i dëshmorëve të BrVIS të Batalionit II.; Dosja historike e BrVIS të përgatitur nga Departamenti i Historisë i AFA-së, Dokumente të ndryshe të MHK, të Muzeut të luftës në Gjirokastër, të ish-Muzeut të luftës të fshatit Fushëbardhë; të muzeut të Forcave të Armatosura në Bërzhitë, Tiranë; Grushtçelik Brigad’ e Gjashtë, Tiranë, 1973,.; Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm, Vëllimi II, Tiranë, 1976, faqe 130.; Resul Bedo, Yje të Pashuar, seria e vëllimeve, Tiranë, 1999, (Alem Shehu); Grusht çelik Brigadë e gjashtë, Tiranë, 1979; Sevo Tarifa, 912 shqiponja partizane formuan BrVIS, Gazeta telegraf.al. publikuar më 24.1.2014.; Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015.; Gojëdhëna për luftën e luftëtarëve të BrVIS janë marrë nga ish-bashkëluftëtarët e dëshmorit; AIU, dugj, T. 314/664, datë 11.9.1944.; AQSH, Fondi dokumentar i Brigadës së Gjashtë Sulmuese, viti 1944, dosja nr.6. ; AQSH, Fondi i BrVIS, kutia nr.1. dosja 6 viti 1944; Hysni Kapo vepra të zgjedhura vëllimi 1, Tiranë, 1980, Herman Frank, “Bandenkampfe in Albanien”, Heidelberg, 1957, faqe 91.; Të dhëna të marra nga bashkëluftëtarë ish partizanë të Brigadës së Gjashtë Sulmuese, që janë shkruar në gati gjysëm shekulli si Mit’hat Baho, Sevo Tarifa, Resul Bedo; Xhule Çiraku, Esat Golemi, Janul Dango, Jaup Dabulla, Xhemil Frashëri, Kapo Kapaj, Maliq Hashorva, Lame Çekani, Avni Gjoni, Zagoll Skëndaj, Petrit Mamaj, Arif Bizhga, Refik Kucaj, Xhelal Gjeçovi, Islam Poçi, Iljaz Peçi; Prof.As. Zaho Golemi, Dëshmorët e Fushëbardhës nder dhe krenari shqiptare, shkrime për dëshmorët e Fushëbardhës në Telegraf, Labëria, Ushtria, Mbrojtja, Revista Pavdekësia, Dielli në SHBA, në shumë portale si në Balkanëeb, Albspirit, dhe shumë të tjerë brenda dhe jashtë vendit.; Një histori e zgjeruar e BrVIS viti 1961; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Libri zyrtar në Republikën e Shqipërisë “Dëshmorët e Atdheut”, publikuar në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Tiranë, 2012, faqe 89; Seria e librave “Yje të Pashuar”, Tiranë, 1971,; gazeta “Flaka”, organ politiko-ushtarak i BrVIS; libri “Për popullin me popullin”, Tiranë, 1968; Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015; Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, 2004-2014; Të dhëna nga përpjekja e parë për shkrimin e historikut të brigadës së gjashtë u bë që në vitin 1945; Periodiku i gazetës “Për Mëmëdhenë”, organ i Shoqatës Atdhetare për të Rënët e Kombit Shqiptar; Broshura: “BrVIS, 40 vjet 26 janar 1944-1985, përgatitur nga drejtoria kulturore (Muzeu Historik) i Përmetit”; Periodikë revistash e gazetash të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.