Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Moska e Stalinit, Roma e Tretë dhe Porti i Pesë Deteve!


(ars poetica, shkurt 2025)

[ Roma (e romakëve) dhe veset e qyteteve “7-kodrinore” ]

Duke kërkuar diç rreth “Fontanës së Miqësisë së Popujve” të Moskës (anise në kohë lufte “miqësia” e Rusisë ndaj popujve tingëllon pothuaj si ironi, mirëpo në kuptimin artistik më duhej fontana, është diç si monument i Sovjet-Rusisë, si vepër artistike, fjala është për një grup rrethor skulpturash të florinjta, thuase hedhin valle rreth fontanës), në kërkim e sipër rastësisht e gjeta një grafikë të vjetër, të v. 2000 (shih ngjitur) ku paraqitej hidrografia e Moskës dhe e rrethinës që e lidh me 5 detet, dhe kështu grafika ma kujtoi frazën, apo nofkën ‘Moska, Porti i Pesë Deteve’.

Dihet që Moska ka shumë emra simbolikë, njihet me lloj-lloj emrash, thuase gjatë historisë rusët e kanë ‘përkëdhelur’ qytetin e tyre madhështor duke e pagëzuar me lloj-lloj nofkash të ndryshme. Si psh. ‘Moska, Qytet në Shtatë Kodra’ (po, ekzakt-njësoj sikur dhe Roma e romakëve), pastaj emri tjetër ‘Moska, Roma e Tretë’ (sepse Moska, sipas rusëve është vazhdimësi i madhështisë së Romës romake), ose nofka tjetër ‘Moska, me Kupolat e Arta’, ose tjetra ‘Moska, Qyteti Gurbardhë’, dhe ndoshta njëra nga nofkat më të çuditshme ‘Moska, Porti i Pesë Deteve’.

Kësaj “Moskës së Pesë Deteve” do i rrekemi sadopak më gjerësisht – sapo ta “rrahim pakëz nofkën 7-kodrinore” të qyteteve.

Kur thuhet “Qyteti i Shtatë Kodrave” zakonisht kjo frazë i referohet Romës, thuhet se Roma qe ndërtuar në shtatë kodra. Legjenda thotë se Remi dhe Romuli themelet e para të qytetit i nisën në kodrën Palatina në v. 753 pes. Dhe se kodrat e mëpastajme si zgjerim fillimisht nënkuptonin vendbanime të vogla, diç si vendbanime ende jo të “grupuara” (në një qytet). Disa shekuj më vonë, në fillim të shekullit IV pes., thuhet se u ndërtuan dhe muret për t’i mbrojtur shtatë kodrat (i bie pakashumë ‘shtatë lagje-bregoret’ e Romës fillestare).

Shtatë kodrat e Romës origjinale atëbotë ndodheshin në lindje të lumit Tiber (ku ndodhen dhe sot e kësaj dite, kuptohet, kodrat s’kanë lëvizur, ende janë aty ku ishin, në lindje të Tiber, por qyteti do rritej – do i mbulonte dhe 3-4 kodra tjera : ) Shtatë kodrat origjinale më vonë do përfshiheshin dhe brenda mureve (të Romës fillestare, do bëhej dmth. qytet i fortifikuar). Shtatë kodrat e Romës ishin Aventina (lat. Aventinus), Kalia (Caelius), Kapitolina (Capitolinus), Eskilina (Esquilinus), Palatina (Palatinus), Kirinalia (Quirinalis), Viminalia (Viminalis).

Edhe ‘Shtatë Kodrat e Moskës’ mëton t’jetë diç si një emër historik i disa pjesëve kodrinore, mbi të cilat qe ndërtuar Moska. Legjenda e Shtatë Kodrave të Moskës (si analogji me Kodrat e Romës romake) është e njohur që nga shek. XVI. E megjithatë s’është vetëm Roma, as jo vetëm Moska… që janë preokupuar me legjendat “7-kodrinore”. Bota i ka dhe shumë qytete të tjera që vazhdojnë me t’njëjtin pretendim “7-kodrinor” (të paktën dhe afër 100 qytete të tjera).

Psh. idenë e “7 kodrave”, njësoj me shembullin e Romës, e ndjek dhe Kievi (i Ukrainës), Lisbona (e Portugalisë), Stambolli (i Turqisë), Uashingtoni (i ShBA), Mumbai (i Indisë), Jerusalemi (i Izraelit), Amani (i Jordanisë), Meka (e Arabisë), Teherani (i Iranit), Madridi, Barcelona (të Spanjës), ​​Bergamoja (e Italisë), Bristoli, Liverpuli, Edinburgu (të Britanisë), Athina (e Greqisë), Bergeni (i Norvegjisë), Brukseli (i Belgjikës), Bukureshti (i Rumanisë), Plovdivi (i Bullgarisë), Praga (e Rep. Çeke)… etj. ne i radhitëm nja ~20 qytete “kodrinore”, por listës duhet shtuar sëpaku + nja 80 qytete “7-kodrinore” të botës : )

Sa për nofkën ‘Moska, Roma e Tretë’ thuhet se është koncept teologjik dhe politik, koncept që e sheh Moskën si pasuese të Romës së lashtë, dhe kështu bota ruse (në idealizimet e rusëve) shihej si vazhdimësi e madhështisë së Perandorisë Romake. Termi “Roma e tretë” ka t’bëjë dmth. me çështjen e qytetit pasardhës të “Romës së Parë” (Roma, e Perandorisë Romake të Perëndimit) dhe “Romës së Dytë” (Kostandinopojes, si Romë e Perandorisë Romake të Lindjes).

[ Moska, “Porti i Pesë Deteve” – Nofka e Stalinit për Moskën ]

Ndoshta njëra nga nofkat më të çuditshme të Moskës, “Porti i Pesë Deteve”. Dhe mjaft interesante, qëkur Moska s’ka asnjë det afër, përkundrazi, ndodhet të paktën disa qindra kilometra nga deti më i afërt. E megjithatë Moska nga rusët “përkëdhelet” me konsideratën e të qënit port detar, madje “port i pesë deteve”. Si është e mundur nëse me qindra km larg detit, dhe pse kjo nofkë? Madje (sipas prof. Alexey Skopin) kjo “nofkë” s’ka pse i takon vetëm Moskës, sepse çdo qytet që ka lidhje ujore me Moskën mund të konsiderohet njësoj, “Port i Pesë Deteve”, psh. qyteti Kazan, Volgograd etj.

Dmth. as gjeografia dhe as hidrografia e rrethinës së Moskës nuk ndihmojnë gjë rreth shpjegimit të “nofkës”. S’ka det afër, ekziston vetëm lumi i Moskës, disa rezervuarë dhe liqene. Dalja më e afërt në det do ishte nëse ndiqet ruta kah Deti Baltik (ku ndodhet dhe Shën Petersburgu). Por kjo “ide” prapë i bie se është rreth 600 km larg Moskës.
Në përgjithësi, ideja për ta bërë Moskën “port me pesë dete” është krykëput staliniste. Ishte vetë Stalini ideatori, ai që e pati “shpikur” nofkën, ose frazën.

“Porti i Pesë Deteve” është dëshmi e ambicjeve strategjike të Rusisë sa i përket tregtisë detare dhe logjistikës, fraza qe adaptuar për shkak të Kanalit të Moskës, i cili siguron lidhje me pesë dete, Detin Baltik, Detin e Bardhë, Detin Kaspik, Detin Azov dhe Detin e Zi. Kanali prej 128 kilometrash është një arterie e lundrueshme që e lidh lumin Moska me lumin e madh Vollga. Qe ndërtuar nga të burgosurit e Gulagut, sëpaku 200.000 të burgosur, nën drejtimin e policisë sekrete sovjetike, nga v. 1932 deri 1937. Fillimisht do quhej “Kanali Moskë-Vollgë”, por në v. 1947 qe riemërtuar “Kanali i Moskës”.

Kanali lidhet me lumin Moska në Tushino (zonë në veri-perëndim të Moskës), nga ku lidhet pastaj me lumin Vollga në qytetin Dubna. Gjatësia e kanalit është 128.1 km, thellësia minimale është 5.5 metra. Diç si kuriozitet i Dubna është se aty ndodhet njëra nga statujat më të larta në botë e Leninit (25 metra e lartë), e ndërtuar në v. 1937, pikërisht ku bashkohen Vollga dhe Kanali i Moskës. Si “detaj” i kuriozitetit është se dhe Stalini e kishte aty statujën e lartë, njësoj si komrad Lenini, por më vonë statuja e tij qe çmontuar, qe hequr, nuk e donin më, pati qenë diç si “destalinizim” i sovjetëve : )

Më vonë, në vitet 1950, në Volgograd do ndërtohej dhe një kanal tjetër i madh, 101 km i gjatë, mes lumenjve Vollga dhe Don. Ky kanal mundësonte hyrjen nga Vollga në Detin Azov, dhe më pas në Detin e Zi.

Nëpërmjet “Kanalit të Moskës”, Moska lidhet me Hidro-Sistemin e Unifikuar të Rusisë (Evropiane), një sistem i madh kanalesh dhe lumenjsh , i cili krijon akses në pesë dete; siç e cekëm Detin e Bardhë, Baltik, Kaspik, Azov dhe Detin e Zi. Përveç transportit, kanali siguron dhe rreth gjysmën e ujit për konsum të Kryeqytetit, si dhe brigjet e liqeneve të shumtë përdoren si zona rekreacioni. Madje dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanali do e kishte një rol jashttë rëndësishëm në mbrojtjen e Moskës.

Ambicjet e Stalinit kishin t’bënin me industrializimin sa më t’shpejtë të vendit. Në mbarë Bashkimin Sovjetik do nisnin ndërtime të shumta, qenë ndërmarrë projekte të mëdha. Ndërmarrjet më ambicioze të ndërtimtarisë komuniste ishin kanalet. Këto do ishin dhe projektet më famëkeqe, meqë do ndërtoheshin nga të burgosurit, do u merrnin jetën mijëra të burgosurve.

Njëkohësisht, përveç kanaleve dhe mega-projekteve të tjerë, Stalini do e startonte dhe planin e madh për rindërtimin e Moskës. Qyteti duhej të modernizohej për t’qenë një kryeqytet i përshtatshëm, Moska duhej t’ishte mbresëlënëse për kombin e ri ambicioz, për kombin e madh dhe përparimtar sovjetik. Në fund të viteve 1920 Kryeqyteti megjithatë ende dukej mjaft ‘provincial’. Dihej dhe shkaku pse Moska pati ngelur mbrapa, ishte mjaft e prapangelur sa i përket zhvillimit. Sepse gjatë epokës perandorake Moska thuase qe ‘harruar’, pjesa dërrmuese e zhvillim-përparimit do përqendrohej në kryeqytetin e Carit, në Shën Petersburg.

Stalini e filloi ndërtimin e sistemit të metrosë për Moskën, ia filloi me ndërtimin e rrugëve të reja, madje dhe do i zgjeronte rrugët ekzistente. Lidhur me zgjerimet rrugore, në disa raste do i zhvendoste dhe ndërtesat, insistonte të hiqej qafe çdo gjë që mund t’ia zinte “udhën” ndonjë rruge a perspektive të re.

Për ta furnizuar Moskën ambicioze me sasi të mjaftueshme uji të pijshëm dhe industrial, si dhe për t’i dhënë qasje Moskës në transportin detar, Stalini urdhëroi ndërtimin e kanalit në mënyrë që t’lidheshin lumi Moska me lumin Vollga. Anise kjo s’pati qenë ide e re, që në shek. XVIII për herë të parë si ide ambicioze i pati shkrepur Pjetrit të Madh, por që dmth. s’do ketë mundur ta realizonte, sepse projekt gjigant.

Pas përfundimit të mega-projekteve prej kanaleve, për moskovitët dhe për mjaft zona tjera sovjetike qe bërë e mundur arritja në pesë detet pa zbritur kurrë nga anija. Pa patur fare det Moska tashmë lidhej me Detin e Bardhë, Baltik, Kaspik, me Detin e Zi, me Detin Azov. Siç e përmendëm më lart, fraza “Moska, Porti i Pesë Deteve” qe krijuar nga vetë Stalini – u shqiptua nga vetë ai me rastin e ceremonisë së inaugurimit të Kanalit të Moskës, në v. 1937. Moska do zhvillohej nga Stalini, do bëhej diç si “nuse metropolistike” sovjetike e buzëqeshur, Stalini do ndërtonte, rindërtonte, do i zgjeronte me rrugë, me parqe e me sheshe, do ta bënte Moskën Kryeqytet madhështor… por ja që sovjetët megjithatë do ia hiqnin skulpturën në Dubna.
Vallë a nuk është e çuditshme, gjithë ato bëma e kontribute për Moskën, gjithë ato ndërtime, askush si ai s’i pati “shtrydhur” të burgosurit e ngratë, askush s’e pati përbuzur më shumë se ai jetën e varfanjakëve, humanizmin, të drejtat bazike të njeriut, e pati pushtuar Berlinin, e mori gjysmën e Gjermanisë, e shkeli si deshi gjysmën e Evropës me çizmet e kuqe, e ndërtoi 2-3 vite pas Amerikës bombën atomike, gjithë ato arritje për Sovjet-Rusinë… e megjithatë nuk e “donin”, skulptura e tij s’e meritonte të rrinte aty përkrah asaj të Leninit në Dubna : )

(ngjitur: skulptura më e lartë në botë e Leninit, ne Dubna, dhe hidrografia e Moskës si “port i 5 deteve”)

Referencat:
1. Infoservices International, Inc., 2000
2. Donald Ostrowski – “‘Moscow the Third Rome’ as Historical Ghost”, 2006
3. Alar Laats – “The concept of the Third Rome and its political implications”
4. Alexandra Guzeva – “Gateway to Russia”, 2022
5. The Exhibition of Achievements of National Economy (VDNH), Moscow

Please follow and like us: