Albspirit

Media/News/Publishing

Safoja – Legjenda dhe simbolizmi i “dashurisë së dështuar”!


Senad Guraziu

[ ngjitur, kolazh: L. Alma-Tadema (1836-1912) – Safoja dhe Alkeusi, 1881 / Rafaeli – “Parnasi (detaj i afreskut), 1511) / Ernst Stueckelberg (1831-1903) – Safoja, 1897 ]

Në pikturën e Alma-Tadema, djathtas ulur e shohim Alkeusin, poetin nga Mitilena, qytet kryesor i ishullit Lesbos (që pati jetuar rreth v. ~625 – ~580 pes). Dmth. ishte një poet nga ishulli grek Lesbos, njësoj sikur dhe Safoja. Alkeusit i atribuohet shpikja e “strofës alkaike” (ose alkeike). Ndërsa majtas e shohim poeteshën Safo, duke e dëgjuar me vëmendje. Alkeusi ishte bashkëkohës i Safos – nuk dihet pothuaj asgjë… por mendohet se me Safon ai dhe mund t’ketë shkëmbyer poezi. Në rastin tonë piktural, të piktorit holandez-britanik, Alma-Tadema, ata paraqiten gjatë një seance të tillë poetike.

Sidoqoftë, derisa në pikturën e Alma-Tadema, Safoja na paraqitet më “afër” temës poetike, më afër “qetësisë”, më afër kuptimit dhe të jetës, më afër “lumturisë”, nëpër shumë piktura të artistëve poetja e famshme shpesh paraqitet pak çaste para se t’kërcente dhe t’i jepte fund jetës së vet.
Safoja do kërcente sepse (sepse… s’e ka kush idenë përse – por le t’hamendësojmë, s’është mëkat) nganjëherë pikëllimi, dëshpërimi sikur s’kanë kufij. Ndoshta jeta e saj tutje s’ishte “lajtmotiv”, ndoshta tutje s’kishte as kuptim as motiv; me gjasë Safoja ia pati falur zemrën dikujt, o falur o zemra dhe mund t’i jetë ‘vjedhur’, s’kemi si ta dimë, por sidoqoftë e donte dikend tepër shumë, ndërsa për fat të keq, dashuria e saj qe refuzuar, nuk i qe “kthyer”!

Nëpër pikturat e artistëve të ndryshëm Safoja gjithmonë përshfaqet e bukur, sepse dhe padyshim do ketë qenë e bukur. Pothuaj gjithmonë paraqitet me lirën në duart (qoftë dhe vetëm si “simbol” – ashtu si dhe Orfeu dikur, poeti i pafat i lashtësisë, të cilit ia kemi borxh jo vetëm “poezinë” por madje dhe 1 milion specie-lulet e “zbutura” me aromat e tyre, Orfeut ia kemi borxh shumçka, mirëpo dhe atë e pati goditur pafatësia, e pati pushtuar dhimbja dhe pikëllimi pas humbjes së dashurisë së vet, pas humbjes së gruas tepër të dashur, sapo kurorëzuar si dashuri e madhe, të bukuroshes Euridika).

Pra paraqitja e Safosë me lirën, e përhumbur nga dhimbja, artistikisht është “paraqitje identike” me rastin pararendës të Orfeut. E bukur dhe një poete e mrekullueshme, gjithandej ndër pikturat kurmi piktural i Safosë bën dritë. Mirëpo kuptohet ajo do ketë qenë e thyer shpirtërisht, arti piktural nuk na e mundëson ta shohim “brendësinë… shpirtëroren” ashtu siç do duhej. Shpirtin, të “brendshmen” e qenies do mund ta pikasnim më bukur, bie fjala me artin poetik, me “brushat” e fjalëve. Temat e pikturave të tilla rreth Safos na flasin se dhe pak… dhe tragjedia e pashmangshme, Safoja e ngratë do afrohet buzë shkëmbit për t’u hedhur andej në amshim, për t’i dhënë fund jetës, për t’u ‘çliruar’ nga dhimbja.

Pothuaj përherë brushat e piktorëve temën e “rrahin” denjësisht, psh. rrallëkush ose dhe askush nga piktorët s’e harron kurorën me dafina. Ashtu nderoheshin poetët e lashtësisë, kurora qe bërë traditë pas refuzimit “nga Dafina të dashurisë… së Apollonit”. Pra, edhe ky detaj përputhet me pafatësinë e Safosë.

Sa i përket dhimbje-dështimit rreth dashurisë rasti mjaft i ngjashëm, anise kuptohet ka dhe “dallim”, meqë shikuar nga një tjetër aspekt Apolloni sëpaku e pati “zënë” Dafinën. Ajo do ta refuzonte me këmbëngulje dhe qe drurëzuar, qe vetësakrifikuar, më parë s’do ekzistonte sesa t’ia falte virgjërinë Apollonit, e megjithatë simbolikisht do bëhej kurorë dafineske në flokun e tij.

Edhe “dafinizimi” do ishte totalisht pa vullnetin e saj (Apolloni qe bërë shkaktari, ai i kishte të gjitha fajet). Mirëpo s’kishte ç’bënte e ngrata, pas drurëzimit s’kishte si rezistonte më. Fisnikëria e saj ndoshta e pati mahnitur dhe vetë Apollonin (besnikëria, respekti, devotshmëria ndaj perëndeshës Artemisa – motrës së Apollonit – për ta ruajtur virgjërinë me çdo kusht).
Sipas “kanonit” mitologjik, ta refuzosh një hyjnor s’ishte pak, ajo vetë ishte një nimfë por Apolloni s’ishte një askushi – përkundrazi, ishte një hyjnor i rëndësishëm dhe i bukur si vetë Dielli. Gjithsesi, me dëgët e saj (tashmë e drurëzuar) Apolloni do e thurte një kurorë “dafinash”, kujtimin për të do ta bënte të pavdekshëm. Sipas Apollonit, për fat të keq Dafina s’do bëhej nusja e tij, më parë do vdiste sesa t’bëhej e tij, por pas metamorfozës, pas drurëzimit do bëhej nga ai diç si “laurus nobilis” e përjetësisë.

“Laurus” do ishte dashuria e tij e përjetshme, dashuria e pakushtëzuar hyjnore, që ia pati dhuruar asaj. Apolloni i “frymëzonte” të gjitha muzat, edhe muzën e poezisë lirike, Erata, edhe muzën e poezisë epike Kaliopa, të gjitha. Andaj dhe simbolika e kurorës për poetët aq e rëndësishme.

Siç dihet, edhe Rafaeli (1483-1520) në afreskun “Parnasi” (Pallati Apostolik, Vatikan) e pati paraqitur poeteshën Safo, si poete e madhe, së bashku me muzat dhe me poetët e mëdhenj. As Rafaeli s’pati “harruar” kurorën e dafinave. Safoja në “Parnasi” do ishte si poetja e vetme, e vetmja femër-poeteshë : ) e identifikuar qartë dhe me emrin, vetëm për të e pati shkruar emrin e saj “SAPPHO”, që të dallohej, në mënyrë që t’mos ngatërrohej me ndonjërën nga muzat (thuhet se figura e Safosë qe shtuar më vonë në afresk).

Afresket e Rafaelit mëtonin t’jenë alegori artistike… t’i përfaqësojnë tri kategoritë më të rëndësishme të shpirtit njerëzor: Vërtetësinë, Drejtësinë (Mirësinë) dhe Bukurinë – “Parnasi” e përfaqëson Poezinë, e cila i kapërthen të gjitha; edhe të bukurën, edhe të vërtetën, edhe të drejtën… gjithçka.
Piktorët nuk e “harrojnë” kurorën me dafina për Safonë, dhe detaj fort i bukur ky, u lumtë të gjithë piktorëve të kësaj bote, sepse Safoja dhe safizmi na mahnit madje dhe sot e kësaj dite, pa le dikur ata të lashtësisë, no comment – siç ia thuhet.

Gjithsesi, rreth Safos është spekuluar mjaft, si me brusha si me fjalë. Ndoshta dhe është tepruar, sidomos materia qe ngjeshur gjatë shek. XIX. Realisht s’është se dihet shumë për jetën dhe për veprën e saj. Edhe fjalët edhe brushat i ndiqnin mitet e legjendat, nga ata që shkruanin gjërat shpesh interpretoheshin sipas hamendësisë e kureshtisë. Thuase për t’i “pasqyruar” ashtusoj preferencat e tyre, pëlqimet e tyre rreth figurës, rreth personalitetit të saj.

Sipas legjendës Safoja qe vetëvrarë, e dëshpëruar nga dashuria (e pakthyer) për Faonin, ose më mirë e thënë “e lënduar skajshmërisht nga refuzimi i tij”, do vetëvritej duke u hedhur nga shkëmbinjtë diku në ishullin Lefkada (siç ishulli quhet tani në Greqinë e sotme). Besohet që poetja t’ketë vdekur rreth v. 570 pes., sidoqoftë se Safoja i ka marrë jetën vetes duke u hedhur nga shkëmbinjtë… ngelet në suazat e legjendes. Asgjë nuk është gjetur, qoftë dhe diç indirekte a shenjë e flashkët, për ta “mbështetur” sadopak legjendën.

Sikur që dhe, për fat të keq, shumë pak nga shkrimet e saj kanë mbijetuar të plota. Në fakt në tërësi ka mbijetuar vetëm 1 poezi, 1 poezi… e vetme – krijimi prej 28 vargjeve që njihet si “Himn për Afërditën” (dmth. për perëndeshën e dashurisë dhe të bukurisë, Afërdita).

Please follow and like us: