Koço Broka: 80 vjet nga Konferenca e Jaltës- Krimesë
Nga data 4 deri më 11 shkurt 1944, në Jaltë të Krimesë u mbajt takimi i tre kryetarëve të fuqive aleate, Winston Churchill-Kryeministër i Britanisë së Madhe, Franklin D. Roosvelt, -President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe J. V. Stalin- Kryetar i Këshillit të Komisarëve të Popullit të Bashkimit të Republikave Sovjetike e Socialiste dhe ndihmësave të tyre, e njohur si Konferenca historike e Jaltës, ose Konferenca e Krimesë.
Vendimet e Konferencës së Krimesë, të mbajtura 14 muaj pas asaj të Teheranit, janë emërtuar si historike. Kjo për faktin se gjatë kësaj periudhe midis dy konferencave të Kryetareve të tre Aleatëve të Mëdhenj të luftës së dytë botërore, kur ajo nuk kishte mbaruar ende, popujt liridashës te Europës, por dhe botës kishin interesa jetike krijuan bindjen mbi rolin vendimtar të vëllazërimit e kordinimit të veprimeve jo vetëm ushtarake, por edhe politike të tyre, për shpartallimin e shpejtë të murtajës hitleriane. Vendimet e saj janë vlerësuar historike se miratuan grushtet e reja ushtarake, që i duheshin dhënë, qëndresës së dëshpëruar hitleriane duke shpejtuar mbarimin e luftës së dytë botërore. Popujt e botës do të kujtojnë më 9 Maj 2025, 80 vjetorin e fitores mbi nazi- fashizmin.
Rëndësia e konferencës konsistone në hartimin e kushteve që do ta bënin dhe e bënë të pamundur përsëritjen e sulmeve të reja të militarizmit gjerman kundër popujve paqedashës dhe demilitarizimin e Gjermanisë, krejt ndryshe si ndodhi me përfunimet e luftës së parë botërore. Tre nga vendimet kryesore të kësaj Konference janë:
1) Mundja e Gjermanisë
2) Pushtimi dhe kontrolli i Gjermanisë
3) Dëmshpërblimi nga Gjermania.
Me këto vendime lufta shkoi me shpejtësi drejt mbarimit, drejt vendosjes së paqes.
Problemet e paqes dhe sigurimit të saj, morën një rëndësi akoma më të madhe në punimet e saj. Kështu që vendimet e Konferencës së Krimesë patën dhe kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e njerëzimit. Për këtë flet vendimi tjetër i kësaj konference, ai për mbajtjen e një konference tjetër akoma më të gjërë.
4) Konferenca e Kombeve të Bashkuara.
Synimi ishte i qartë, të krijohet një Organizatë Ndërkombëtare, që të ndryshonte nga ish Lidhja e Kombeve, e aftë për sigurimin e paqes. Mjafton të shohësh krimet e kryera ndaj popullit e fëmijve palestinezë vitin e kaluar, zërin e drejtuesve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për parandalimin e tyre, dhe nuk mund të mos vësh re se sa aktual mbetet mesazhi i kësaj Konference, ku evidentohej se vetëm bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe mirëkuptimi reciprok midis tre vendeve aleate, midis gjithë popujve liridashës do të lejojnë realizimin e dëshirës më të lartë të njerëzimit , një paqe e fortë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme kudo në botë.
Konferenca e Krimesë adaptoi një vendim tjetër të rëndësishëm ai për Europën e Çliruar. Përmbajtja e tij është si më poshtë:
“5) Deklaratë mbi Europën e Çliruar.
-Ne hartuam dhe nënshkruam një deklaratë mbi Evropën e çliruar. Kjo deklaratë siguron pajtimin e politikës së Tre Fuqive dhe veprimin e tyre të përbashkët për t’i bërë ballë problemeve politike dhe ekonomike të Europës së çliruar në bazë të parimeve demokratike.
Teksi i kësaj deklarate është ky:
“Kryeministri i Bashkim Sovjetik të Republikave Sovjetike Socialiste, Kryeministri i Britanisë së Madhe dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u këshilluan me njëri tjetrin në interesin e përbashkët të popujve të vendeve të tyre dhe të atyre të Europës së çliruar. Ata deklarojnë njëkohësisht marrëveshjen e përbashkët që kanë arritur për pajtimin e politikës së Tri Qeverive të veta, të periudhës së përkohshme në Europën e çliruar, nga sundimi i Gjermanisë naziste dhe i popujve të Europës që ishin satelitë të Boshtit, që t’i zgjidhnin me mënyra demokratike problemet e tyre urgjente, politike dhe ekonomike.
Vendosja e rregullit në Europë dhe rindërtimi i jetës së Ekonomisë Kombëtare duhet të arrihen me mënyra, që do t’i bëjnë popujt e çliruar të zotët për të çkatërruar edhe të mbeturat e fundit të nazismit të fashizmit dhe të krijojnë insitucione demokratike si të duan vetë.
Ky është një parim i Kartës së Atllantikut.
–E drejta e gjithë popujve që ta zgjedhin vetë formën e qeverimit në të cilën duan të jetojnë.
-Rikthim i të drejtave sovrane dhe i vetqeverimit atyre popujve që i humbën këto me forcën e kombeve agresorë. Për krijimin e konditave në të cilat popujt e çliruar do t’i ushtrojnë këto të drejta, të tri Qeveritë do të ndihmojnë së bashku në çdo shtet të çliruar të Europës ose në çdo shtet ish satelit i Boshtit në Europë, ku sipas mendimit të tyre gjëndja kërkon që:
- a) Të vendosen konditat e paqes së brendshme;
- b) Të merren masa të nevojshme për t’u ardhur në ndihmë popujve të mjeruar;
- c) Të formojnë autoritete qeveritare të përkohshme që do të përfaqësojnë gjerësisht elementët demokratikë të popullit dhe që premtojnë sigurimin sa më të drejtë të gjendjes normale , me anë të të zgjedhurve të Qeverive që u përgjigjen vullnetit të popullit.
- d) Të lehtësojnë po të jetë e nevojshme bërjen e ketyre zgjedhjeve.
Tri Qeveritë do të konsultojnë pjesëtarët të Kombeve të Bashkuar dhe autoritetet e përkohshme, ose Qeveritë e tjera në Europë, kur të jenë duke studjuar çështjet që u interesojnë atyre drejt për drejt. Kur, pas opinionit të tre Qeverive në çdo shtet të çliruar të Europës , ose në çdo shtet ish satelit të Boshtit në Europë, konditat e brendshme e bëjnë të nevojshme një gjë të tillë. Tri Qeveritë do të konsultohen tek. menjëherë mbi masat e nevojshme që duhen marrë për zbatimin e përgjegjësive që u ngarkon kjo deklaratë…”
Ky moment i Konferencës së Krimesë, pati ndikime të drejtpërdrejta në zhvillimet e vendit tone, që sapo ishte çliruar më 29 Nëntor 1944. Të paktën zhvillimet e vendit tonë gjatë gjithë vitit 1945, ishte nën ndikimin e drejtpërdrejtë të frymës dhe gërmës të këtij vendimi.
Krahas vendimeve të tjera u ndërmorën dhe vendimet e mëposhtme për:
6) Polonia
7) Jugosllavia
8) Mbledhjet e Ministrave të Jashtëm
9) Bashkimi në paqë sikundër për luftë.
Po me mbarimin e luftës së dytë botërore më 2 Shtator, në mbledhjet e Ministrave të Jashtëm, filluan të dalin në sipërfaqe kontradiktat. Ndërsa duke filluar nga marsi 1946, filloi të flitej për Perden e Hekurt në Europë, dhe vendin e bashkëpunimit e zuri Lufta e Ftohtë. Ja pse asnjëherë nuk është e tepërt të hidhen sytë se çfarë ka ndodhur 80 vjet më parë.
https://telegraf.al/dosier/koco-broka-80-vjet-nga-konferenca-e-jaltes-krimese/