ZIADIN ÇARÇANI, KORRIERI PARTIZAN I TRUPËZUAR ME LIRINË
(Me rastin e 103 vjetorit të lindjes dhe 81 vjetorit të rënies në afërsi të fshatit Zhej të Zagorisë, të dëshmorit të LANÇ-it, birit të Fushëbardhës Ziadin Çarçani (e mërkurë 28.2.1923 – e hënë 5.6.1944), dhe 80 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin; eshtrat e dëshmorit Ziadin Çarçani prehen në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës. Ziadin Çarçani është i shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Gjirokastër si dhe është njohur sipas legjislacionit zyrtar pranë Komisionit Qendror të statusit “Dëshmor i Atdheut” pranë Ministrisë së Mbrojtjes);
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Të përbashkuar rreth idealeve antifashiste
Ziadin Shemo Çarçani ishte lindur në Fushëbardhë të Gjirokastrës më 28 shkurt të vitit 1923. Fisi Çarçanaj ku erdhi në jetë ishte një fis i njohur dhe i shquar në Fushëbardhë, edhe pse ishte i ardhur nga bregdeti (thoshte gojëdhëna). Babai i Ziadinit, Shemshua ose Shemo sikurse e thërriste fshati dhe nëna e tij Iblua ishin njerëz plot halle, që përveç halleve familjare ishin shtuar dhe hallet e pushtimeve që nuk ju ndanë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Edhe pse babanë e kishte fizikisht të pamundur, Ziadini që fëmijë ju bë krahë familjes, mësoi historitë e fisit të vet dhe nderimi dhe respekti i fshatit ishte i dukshëm për fisin e tij. Megjithë fukarallëkun ai ndoqi katër pesë klasë fillore dhe ju përvesh punëve që fëmijë, punëve bujqësore dhe sidomos me blektori në mal, në dimër, shi, borë e breshër. Fshati e njihte si “djali me bërruc/shark” dhe llabane. Të rriturit e mëhallës e shihnin me sy të mirë dhe tek hidhte shtat mes halleve. Ziadini njerën dorë e kishte tek parmënda, si bujk, dhe hapin e ndalte në mal si blektor, natyrshëm në punët e fshatit. Kjo ja rriti vlerën, ja poqi mendimin dhe veprimin, veçanërisht pas pushtimit të 7 prillit 1939, bëri një një grup djemsh të fshatit të shpreheshin të revoltuar dhe të mbushur me urrejtje për fashistët që na kishin shkelur vendin. Në këtë periudhë edhe pse 15-16 vjeçare ishte bindshëm më i rritur dhe i burrëruar. Kohët e egra të pushtimit e bënë të lidhej me grupet e ilegalëve të fshatit dhe të krahinës dhe të kryente detyra në ilegalitet për lëvizjen çlirimtare që sapo kishte nisur. Ziadini gëzonte vetitë më të mira të luftëtarit por dhe të korrierit ndërmjet formacioneve të mëdha luftarake të UNÇSH: “i fortë, i shpejtë, i guximshëm, tepër i zgjuar për t’i dredhuar armikut”.
*
Nëpër rrënjët e fisit “Çarçani” në Fushëbardhë
Si në çdo vatër labe, djemtë e vajzat mëkoheshin dhe e mësonin historinë e tyre në vatrat e zjarrit, ku bashkë me prushin trazohej e shkuara ku shqiptarët mbijetuan përmes betejash të panumërta të përgjakshme me gjithëfarë pushtuesish. Atje në fatin e tyre në çarçanajt e Fushëbardhës mësoi dhe Ziadini historitë dhe legjendat labe. Në Fushëbardhë gjen legjenda e histori të shumta edhe përtej historisë së Shpellës së Zhulit, ku prijësi Papa Zhuli, ka vendosur ligjet e para në Labëri dhe ka nënshkruar dhe marrëveshjen e parë më 22.6.1081. Nga ana tjetër për shekuj me radhë Fushëbardha, Piksi, Honi, Gropa Zhulit, Bidërgjoni, Zhulati, fshatrat përreth, mbarë Labëria e shkuan historinë me jatagan, pushkë e penë, duke i dhënë dritë epokave, nga “Legjendari Idriz Sulli/Proda;/Kapedan i prerë; Kanunet i vuri;/Shkrojti në defterë;/Me vulë e me besë…”. Kështu Ziadini u rrit me heroizmat e të parëve, trimëritë, betejat, këngët, memorien e fshatit në vargje: “…Dhimqurk e Llagaturë,/ kërcet briri gur mbi gur,/ për mbi gur e breg më breg,/ zini shtigjet e tepetë,/”. Luftrat ne shqiptarët nuk i deshëm por ato na u imponuan.Kështu luftrat antitanzimat, katër luftrat për Vilajetin e Janinës, betejat e Mecovës, në Artë, Pesë Puset, Bezhan, Grebene, Qafë Gjashtë, Sarandë, Bradhomë, Palavli, Delvinë, luftës antiandarte në Skërficë, luftrat për Pavarësi, Lufta e madhe e Vlorës dhe kudo ku zëri i Atdheut i kërkoi, ishin bërë për banorët e Fushëbardhës sikurse edhe për Çarçanajt deviza për jetën, për të rrojtur të lirë, “në hisenë e diellit që u takonte”. Fshati dhe krahina më së shumti Ziadinin dhe djemurinë të përbashkuar në idealet antifashiste i mban në memorie si djalin 20 vjeçar, kur çdo vatër e fshatit dhe e krahinave të Kardhiqit e Rrëzomës e kishin si birin e tyre. Ziadinin e donin si djalë i mbarë dhe i hedhur që edhe ai i donte njerëzit me zemër dhe shpirtërisht pasi ishte i thjeshtë, i dashur, njerëzor dhe gojëfolë. Ziadinin e poqën hallet para kohe dhe bindshëm ju përbashkua lëvizjes nacionalçlirimtare që në fillimet e veta. Ai kreu detyra në çetë, në battalion dhe në brigadë, por më shumë se kudo shkëlqeu në detyrën mjaft të rëndësishme si korier në rigadën e tetë sulmuese dhe sidomos më tej si korrier i Shtabit të Zonës së Parë Operative e deri në korrier të njësive të mëdha që vepronin në Jug të Shqipërisë me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH. Oxhaku fisnik e aristokrat i Çarçane në Fushëbardhë solli në jetë edhe Ziadinin. Ziadin Çarçani ishte lindur në një derë të fisme të fshatit Fushëbardhë në ditën e fundit të shkurtit 1923. Fisi i tij e kishte origjinën nga fshati i kapedanëve, nga Qeparoi që dikur thirreshin me mbiemrin “Gjika”. Por emigracioni në Korfuz dhe gjetkë dhe më tej me vështrim sërish nga vendlindja pas 400 vjetësh erdhën si vëllezëri një pjesë në fshatin e mirënjohur Senicë, që mbetën me të njëjtin mbiemër dhe një pjesë u bënë “Çarçan”. Më shumë shkruhet tek Papa Gjika, Nik Gjika, por dhe tek libri i Ing. Parim Çarçani (me banim në SHBA). Fushëbardha në djepin e historisë labe është e tejmbushur me histori, legjenda, trimëri, lavdi, ka lindur trima e njerëz të pushkës dhe të penës. Fushëbardha ka bërë emër në të gjitha epokat e sidomos në luftrat për liri e pavarësi që trimat e këtij fshati kanë derdhur gjakun në mbrojtje të truallit arbëror, të njohura dhe të dokumentuara nga luftrat antitanzimat e deri në luftën e madhe antifashiste ku Fushëbardha fali jetën e 15 bijëve e bijave të saj që janë sot dëshmorë të Atdheut. Ndërjet tyre edhe trimi dhe korrieri i formacioneve të mëdha partizane Ziadin Shemsho Çarçani.
*
Djali fushëbardhas në “Yje të pashuar”, vepër monumentale për dëshmorët e Shqipërisë
Në serinë e 20 librave “Yje të pashuar”, të shkrimtarit fushëbardhas Resul Bedo ka zënë vend edhe dëshmori Ziadin Çarçani, një skicë për Zajdin Shemsho Çarçani, Yje të pashuar, Vëll. IV, Tiranë, 1978, f. 181-183: “Ishim të vegjël kur u njohëm me Ziadinin. Mësonim në shkollë. Ne ishim në vitin e parë të fi-llores, ndërsa Ziadini në vitin e katërt. Ishte një nga nxënësit më të mirë të shkollës, por mundësitë që të vazhdonte mësimet nuk i kishte. Ishte i varfër. Babai i Ziadinit, sakat nga sytë dhe këmbët, dergjej gjatë dimrit në shtëpi pranë zjarrit dhe në verë nën hijen e rrapit të Fushëbardhës. Ende ishte i vogël Ziadini kur mori përpara tufën e deleve të të tjerëve për të fituar bukën e gojës dhe një palë opinga llastiku. Në dimër, në shi e në breshër ishte Ziadini. Njerëzve u vinte keq që varfëria e kishte goditur tmerrësisht familjen e tij. Endej djaloshi në mal me një kalë të dobët që i numëroheshin brinjët nga larg, çonte në shtëpi ndonjë barrë dru, çonte në mulli ndonjë thes me misër. Gëzimi i Ziadinit ishte vetëm nëna e tij, nënë Iblua. E donin të gjithë këtë nënë, Ziadinit i vinte mirë që njerëzit flisnin mirë për nënën e tij. Edhe kur sëmurej, Ziadini mbetej jashtë e nën brucin e tij të vjetër pa flokë ruante delet. Ishin kohë që me vështirësi mund të jetohej. “Jetë qeni, kjo jeta ime”, na thoshte Ziadini. E donim Ziadinin. Ishte njeri i çiltër, buzëgaz dhe neve të vegjëlve na dilte gjithmonë krah. Kur doli partizan, nëna i qepi Ziadinit një gjerdan për fishekët. E pashë kur e puthi me mall. Ziadinit i flakëronte balli, i shndrisnin sytë. Iku…Të pres- më tha, të pres në çetë. Dhe u nis. Nga ajo ditë nuk u takova më me të. Shokët e tij më thanë se në pranverën e vitit 1944 u ngarkua me detyrën e korrierit. Do të shërbente pranë BrVIIIS dhe Shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë- Mallakastër-Gjirokastër. Që në bisedat e para me shokët e Shtabit, e kuptoi rëndësinë e detyrës së vet. Prandaj e kreu atë më së miri, në çdo rast, pa përfillur rreziqet e sakrificat. Atij i takonte të udhëtonte ditë dhe natë, në dëborë e në llohë, nëpër malet e Kurveleshit e të Zagorisë. Asnjëherë s’e hoqi nga mendja se korrieri duhet të jetë i shpejtë, i guximshëm, t’i dredhojë me zgjuarsi armikut. Në fillim sikur e ndiente veten larg nga sakrificat e shokëve që ndesheshin ballë për ballë e ditë për ditë me armikun. Ndërsa ai kur haste me armiqtë duhej të dredhonte, të mos u binte në sy, edhe sikur të ishte i sigurt se nuk do ta gjente gjë. Por me kohë e kuptoi se detyra që i kishin ngarkuar nuk qe më pak e rëndësishme. Pas ca kohësh, Ziadini u caktua korrier në Shtabin e Përgjithshëm..”.
*
Nga luftëtar çete, batalioni e brigade në korrier shtabi
Në luftë nuk ka detyrë të lehtë, në front apo në prapavijë, por detyra e korrierit në kushte lufte ishte sa specifike aq edhe e rrezikshme. Fillimisht Ziadin Çarçani e zgjodhi vet të linte kërrabën dhe të rrëmbente pushkën për liri që kur ishte në moshën 19 vjeçare në 12 dhjetorin e vitit 1942 kur në Fushëbardhë u krijua çeta e parë partizane e krahinës së Kardhiqit që mori emrin “Çerçiz Topulli”. Kjo është çeta që i kaliti partizanët e saj në beteja. Më 7.8.1943, krijohet batalioni “Asim Zeneli” tek rrepet e Kardhiqit e Prongjisë.
Ndërkohë që Lëvizja Antifashiste Nacional-Çlirimtare në pranverën e vitit 1944 ishte shtrirë dhe fuqizuar në të gjithë vendin, krijohet Brigada e Tetë Sulmuese më 25 Prill 1944, në Sheper të Zagorisë, ku nisi edhe udhëtimi luftarak kjo njësi e re, me 915 luftëtarë, ku 46 ishin të moshës fare të re, prandaj edhe thirreshin “Partizanë-pionierë”. Ata vinin nga repartet egzistuese, përkatësisht nga batalionet “Çamëria”, “Perlat Rexhepi”, “Koto Hoxhi”, “Misto Mame”, “Thanas Ziko”, “Dëshnica”; nga Grupi i Parë i Kurveleshit, Grupi i Tretë, por dhe nga zona e Mallakastrës. Efektivi do të drejtohej nga 93 kuadro të niveleve të ndryshme, midis të cilëve veçojmë: Qazim Kondi, i kompletuar më së miri si njeri, fajlëëmbël e zemërzjarrtë; Asaf Dragoti, me kulturë të plotë ushtarak dhe me dhunti për të drejtuar e komanduar; Pano Xhixho, i shtruar dhe me pjekuri të veçantë; Theodhori Mastora, “Hero i Popullit”, që parapëlqente sulmin mbi armikun dhe jo tërheqjen; Feti Smokthina e Rasim Bazo, që drejtuan njësinë në veprimet luftarake përtej kufirit, e dhjetra të tjerë me jo më pak kontribute. Flamurin Luftarak në emër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë e dorëzoi, Qazim Kondi, i cili përpos të tjerash shprehu besimin e palëkundur se këtë simbol nderi e burrërie, partizanët e kësaj brigade do ta mbanin lart me nder e lavdi dhe do ta shpjenë fitimtar nga beteja në betejë. Në rreshtat e Brigade e 8 Sulmuese ishin edhe disa partizanë nga Fushëbardha si Dilaver Habil Poçi kuadër brigade, Republika A. Çarçani, Kano N. Çarçani, Heqerem H. Çarçani, Ferhat Neki Golemi (korrier në kompaninë e shtabit) dhe Zijadin Shemsho Çarçani që më tej mori detyrën e rëndësishme të korrierit midis Brigadës dhe njësive të tjera të mëdha bashkërenduese luftimesh e deri me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH-së. Për cilësitë luftarake dhe morale që shpalosi efektivi i Brigadës VIII Sulmuese, nga armiqtë është etitetuar “Brigada e Parë e Re”, për nga forca, vrulli dhe aftësia luftarake tepër e lartë si dhe për manovrueshmëri në terren fushor, kodrinor e malor. Brigada e tetë Sulmuese pati 148 partizanë e partizane, që dhanë jetën për lirinë dhe sot janë dëshmorë të Atdheut, ku një ndër ta është edhe korrieri partizan nga Fushëbardha Ziadin Çarçani. Por nga ana tjetër biri i Fushëbardhës Ziadin Çarçani i përket si dëshmor gjithë strukturave të mëdha ndërluftuese sepse në operacionin e qershorit të vitit 1944 kryente rolin e rëndësishëm të korrierit midis brigadave, Zonës së Parë operative dhe Shtabit të Përgjithshëm. Fare pak muaj pas krijimit të kësaj brigade më 4 gusht 1943 në Kuç të Kurveleshit u krijua Zona e parë Operative (Z1Op), e vetmja në llojin e vet, që u shtri në rreth 6000 km² në Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, prandaj edhe funksioni i korrierëve sikurse ishte Ziadini merrte rënësi të posaçme në koordinimet dhe bashkërendimet luftarake të njësive të mëdha. Korrierëve si Ziadin Çarçani dhe shokët e tij do ti duhej të lëvizte në gjithë znonën e shtrirjes së Z1Op në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelënë, Përmet, Vlorë, Mallakastër dhe pjesërisht edhe në Fier. Ata kalonin male, lumenj, gryka, lufina e fusha. Ata dinin në çdo kohë rrugëfurnizimet e armikut, manovrimet, tërheqjen dhe komunikimin e garnizoneve në Shqipërinë Jugore. Detyrat i merrni nga Islam Radovicka si komandant i Z1Op dhe komisari Bedri Spahiu. Korrieri fushëbardhas dinte të orientohej dhe zbatonte urdhërat në çdo kohë në çdo orë të ditës dhe të natës pasi kishte intuitën, mençurinë, njihte mirë rëndësinë e urdhërit luftarak, parrullat dhe kundërparrullat partizane, urdhërat dhe udhëzimet e instruksionet që dilnin nga Shtabi i Z1Op, por dhe sidomos ato që vinin nga Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë çlirimtare. Në letrat dhe direktivat që çonte korrieri Ziadin Çarçani flitej qartë në mënyrë të koduar për “formacionet partizane të Z1Op që ju vendosej detyra kokrete për ngritjen e Brigadave Sulmuese që stadi i luftës i kërkonte që të ngriheshin për rritjen e vrullit të luftës ulmuese që stadi i luftës i kërkonte që të ngriheshin për rritjen e vrullit të luftës çlirimtare”. Kështu në këtë zonë luftarake që ishte prushi i ndezur i luftës kundër pushtuesve u ngritën BrVS ku planifikimi ishte më 27-28 nëntor 1943, por për arsye të ndeshjes me luftime brigade u krijua më 20 janar 1944 në Bramyshje të Tërbaçit, përbri fushës së Horës (Vranishtit); BrVI S më 26.1.1944 në Përmet, BrVII s më 20 prill 1944 në Sheper të Zagorisë; BrXIIS më 20.5.1944 në Sukë të Përmetit, BrXIVS më 17 gusht 1944 në fushën e Sheperit, BrXIXS më 30 gusht 1944 në Theollogo të Sarandës dhe BrXI S më 1 nëntor 1944 në qytetin e Fierit. Këto ishin njësitë e mëdha që u krijuan me urdhër të komandantit e komisarit të SHP të UNÇSH-së, që misionin e ngarkuar e kryen me sukses të plotë përpara historisë, edhe pse Shqipëria u bë e lirë, në krahun e duhur të historisë dhe me të drejta të plota e legjitime falë gjakut të derdhur nga dëshmorët tanë në të gjithë truallin shqiptar, edhe jashtë kufijve administrativë shqiptarë për çlirimin e trojeve shqiptare në Kosovë dhe në Mal të Zi e deri në Bosnjën jugore. Partizanët shqiptarë e çliruan vetë vendin pa ndihmën e forcave të huaja dhe me gjakun e bijëve dhe bijave të saj më të mirë.
*
Poeti fushëbardhas që e përjetësoi në vargje: “Korrier vrapimtar,/ Për vrap kishe lindur,/ Korrier Ziadini,/ Maleve i rritur…”
Dhe një ditë qershori të vitit 1944, kur ende s’i kishte mbushur 20 vjeç, djaloshi nga Fushëbardha e Gjirokastrës, në Operacionin e dytë gjerman, ra në fushën e nderit, por mbeti në përjetësi si korrieri i trupëzuar me lirinë. Ndërkohë që një poezi e gdhendur shpirtërisht e trupëzoi korrierin partizan nga Fushëbardha si lajmëtarin e lirisë. Ja vargjet-këngë: Hapi mbi dëborë,/Majave me erë,/ Pishat tundin flokët,/ Malet kokën ngrënë./ Hej, shpejtoje vrapin,/ Se dikush të pret,/ Ja, atje te kthesa,/ Ja, atje në shteg!/ Plumbi ku të gjeti,/ Korrier vrapimtar,/ Hapin seç ta treti,/ Mbi borën e bardhë./ Hej, korrier, vrapo,/ Pishat kokën ulin,/ Sikur lot lëshojnë,/ Sikur të përkundin./ Vallë, ç’ke në gji,/ Ç’letër të ka mbetur?,/ Letrën që atëhere,/ Në gjoks e ke ngjeshur…/ Dhe pse re diku,/ Në një qafë mali,/ Vrapi kurrë s’t’u sos,/ Vrapin kush s’ta ndali!/ Se vrapi qe yti,/ Për vrap kishe lindur,/ Korrier Ziadini,/ Maleve i rritur…”, vargje plot ndjenjë të poetit Zeqir Cama, që ja kushtonte korierit të forcave partizane dëshmorit të Atdheut Ziadin Çarçani. Ziadin Çarçani është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”. Për këtë ai ka skedën e dëshmorit në departamentin e dëshmorëve pranë Ministrisë së Mbrojtjes por edhe në Organizatën e Dëshmorëve të LANÇ-it dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut, në qendër si dhe në Degën e dëshmorëve të Bashkisë së Gjirokastrës: “Ziadin Shemsho Çarçani, lindur më 28.2.1923 në Fushëbardhë dhe rënë më 5.6.1944 në fshatin Zhej Zagori në moshën 21 vjeçare. Ka qenë partizan i batalionit territorial dhe Korier i SHP. Shpallur “dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër. Eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Gjirokastrës”. Historia shqiptare e luftrave të popullit tonë flet qartë për mençurinë, trimërinë dhe lavdinë e burrërisë shqiptare shekujve, pasi trualli tonë ka nxjerrë nëpër shekuj heronj e dëshmorë që nuk u dhimbsej jeta e as gjaku përpara shënjtërisë së Atdheut e kombit, përpara idealit të shqiptarizmës. Këta djem e burra luftëtarë sakrifikuan rininë në emër të lirisë dhe përjetësia do t’i shoqërojë përjetësisht në altarin e komit me refrenin e njohur të këngës: “..ju kish rritur nëna,/ për një botë të re,/ lule more trima,/ që ratë për atdhe”. Dëshmori Ziadin Çarçani me veprën e tij heroike shkroi historinë e fitimtarëve, prandaj edhe ngeli në histori. Nuk është e rastit që Uinston Çurçill, “britaniku më i madh në histori”, ka lënë mjaft definicione mbi luftën dhe të rënët, mbi fitimtarët dhe humbësit, por ajo çka la gjurmë të thella në realizmin e pasluftrave ishte ajo që, “historia shkruhet nga fitimtarët”, pasi trimëria me të drejtë është vlerësuar si cilësia e parë njerëzore”, sepse cilësia është garante e të gjithë të tjerave me objektivitetin e përcaktuar sipas kohës. Koha kërkonte heronj dhe dëshmorë dhe trualli shqiptar nuk i kurseu ata, prandaj janë dëshmorët në rrënjët e kombit shqiptar që shkruan pavdekësinë dhe mbijetesën e kombit shqiptar.
*
Burime studimi: Dosja historike e BrVIIIS të përgatitur nga Departamenti i Historisë i AFA-së, Dokumente të ndryshe të MHK, të Muzeut të luftës në Gjirokastër, të ish-Muzeut të luftës të fshatit Fushëbardhë; të muzeut të Forcave të Armatosura në Bërzhitë, Tiranë; Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm, Vëllimi II, Tiranë, 1976, faqe 130.; Resul Bedo, Yje të Pashuar, seria e vëllimeve, Tiranë, 1999, (Zijadin Çarçani vëllimi i katërt); Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015.; Gojëdhëna për luftën e luftëtarëve të BrVIIIS janë marrë nga ish-bashkëluftëtarët e dëshmorit; AQSH, Fondi dokumentar i Brigadës së Tetë Sulmuese, viti 1944,; AQSH, Fondi i BrVIIIS, viti 1944; Të dhëna nga bashkëluftëtarë ish-partizanë të Brigadës së Tetë Sulmuese, që janë shkruar në gati gjysëm shekulli si Dilaver Poçi, por edhe Resul Bedo (bashkëmoshatar dhe bashkëluftëtar), Refik Kucaj, Xhelal Gjeçovi, Islam Poçi, Prof.As. Bernard Zotaj, Kujtim Boriçi, Prof.As. Zaho Golemi, Dëshmorët e Fushëbardhës nder dhe krenari shqiptare, shkrime për dëshmorët e Fushëbardhës në Telegraf, Labëria, Ushtria, Mbrojtja, Revista Pavdekësia, Dielli në SHBA, në shumë portale si në Balkanëeb, Albspirit, dhe shumë të tjerë brenda dhe jashtë vendit.; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Libri zyrtar në Republikën e Shqipërisë “Dëshmorët e Atdheut”, publikuar në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Tiranë, 2012, faqe 89; libri “Për popullin me popullin”, Tiranë, 1968; Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, 2004-2014; Periodiku i gazetës “Për Mëmëdhenë”, organ i Shoqatës Atdhetare për të Rënët e Kombit Shqiptar;; Periodikë revistash e gazetash të Bibliotekës Kombëtare.
-&-