Albspirit

Media/News/Publishing

Letra e Petër Priftit nga SHBA për mbesën e tij, Julika

E dielë, 26 Qershor, 1988 

E dashur mbesa ime, Julika!

Ky muaj pothuajse kaloi, e megjithatë nga ty ala nuk kam marrë letër. Po shpresoj të gjej diçka nga ty në kutinë postare gjatë katër ditëve që i kanë mbetur këtij muaji.

Besoj se deri tash e ke marre letren time me të pranshme, ku kisha bashkëmbyllur edhe përkthimin tim ne anglisht të shkrimit të shoqes sate Afërdita Asllani. Nuk di ç’mejtoi ajo për përkthimin. Po dëshiroj të them këtu se idea e saj mua me pëlqeu. Është një punim i denjë e mjaft i bukur, si edhe me vlerë nga ana ideore. Mendoj se ajo e ka profesion të shkruarit, apo jo?

Përsa i përket veprimtarisë sime unë kohët e fundit botova një letër, në formë proteste, që i drejtova Kryetarit të Federatës Jugosllave, në lidhje me keqtrajtimin e kosovarëve. Letra u botua në një revistë tre-mujore në Londër që quhet “The South Slav Journal.”

Doli nga shtypi gjithashtu një shkrim tjetër i imi, ky më i gjatë e më “serioz” nga i mësipërmi. Ka formën e një kapitulli dhe gjendet në një botim në tre vëllime, i titulluar, “The immigrant Labor Press In North America.” Kapitulli im trajton periodikun shqip, ose me konkretish gazetat shqipe në Amerikë që nga viti 1906 deri ne vitin 1976. Do t’i dërgoj babit një kopje së shpejti.

Me që e kemi fjalën te botimet, të bëj të ditur se këtë javë lexova në “Zërin e Popullit” një reçension mbi librin e shokut Llambi Blido, libër kritik ky mbi pikturën, skulpturën, etj, si edhe mbi artistë me famë botërore. U gëzova shumë kur pashë këtë vleresim tepër positiv për punën e Llambit. Reçensioni vërteton përshtypjet e mira që mora personalisht, përsa u përket aftësive artistike e mendore të Llambit, gjatë atyre takimeve të këndshme që pata me të në shtëpinë tuaj.

Shtoj ketu se tani shpejt mora edhe një letër fisnike nga Ismail Kadareja. Më falenderonte për nja 2-3 reçensione që i dërgova pak kohë të shkuar, që bëjnë fjalë për veprën e tij “Kronikë në Gur,” e cila u botua këtu në anglisht vitin e kaluar. Të gjithë reçensionet folën mirë për veprën e tij.

Këtë letër e  mbusha me shënime për shkrime e botime dhe del më tepër si një raport pune se sa një komunikim personal qe zbulon boten time e tenden . Po shpresoj se nuk do të mërzitesh. Ndofta faqja anglisht (“Maxine”) që shoqëron letrën do të ndreqë punë, kështu që ti ta mbarosh leximin e kësaj letre me buzëqeshje e kënaqësi. 

Të puth me mall e dashuri xhaxhi Pando. 

Please follow and like us: