Çerçiz Loloçi: Alfons Zeneli, një zë i spikatur në letrat shqipe
Nuk mund ta them saktësisht se kur e kam njohur Alfons Zenelin, por diku në vitet tetëdhjetë, kur letërsia shqipe, duke dalë nga izolimi dhe nga realizmi socialist, bënte përpjekje për t’u ballafaquar me krijimin tjetër që ndodhte në Ballkan, Europë, SHBA e më gjerë. Qysh atëhere e deri më sot që ai nuk i është ndarë poezisë, mua nuk ma ka hequr kureshtjen për ta lexuar dhe rilexuar.
Pa rendur për t’u cilësuar poet apo shkrimtar, pa u ngutur për të koleksionuar pafundësisht përmbledhje poetike (te ne ka autorë edhe me mbi 30 libra poetikë, por nuk gjen qoftë edhe një poezi të realizuar), vargjet te Zeneli vijnë natyrshëm duke më rikujtur se paku dhjetë-pesëmbëdhjetë krijues, që lënë gjurmë dhe janë të pangjashëm me njeri-tjetrin.
Alfons Zeneli preferon edhe poezinë e angazhuar që ka të ngjizur motivin kombëtar, duke shkruar disa poezi të tilla, më e fundit ajo për Çamërinë, që i shpëtojnë deklaratizmit dhe bejtëzimit. Por, sipas meje, ai shfaq mjeshtërinë në tema fare të zakonshme ku kërkon fjalën dhe vargun e figurshëm.
Në regjimin që sapo lamë pas partia në pushtet kujdesej dhe lartësonte shkrimtarët që i shërbenin asaj devotshmërisht, të cilët u fshinë përfundimisht bashkë më të; në sistemin e sotëm ka sërish shkrimtarë të partive, por ata pak ndikim kanë në një kohë kur krijuesit janë të lirë, botuesit janë gjithashtu të lirë, mundësitë e komunikimit e të ballafaqimit me universin botëror janë më të shumëfishta.
Pikërisht sot ka disa shkrimtarë e poetë që janë përkthyer dhe mirëpritur në angisht, frëngjisht, gjermanisht, në gjuhë të tjera të huaja, duke krijuar një dimension tjetër që Shqipëria e ka pasur ndoshta në kohën e latinishtes europiane ku autorë shqiptarë ishin të njëkohshëm me homologët e tjerë të kontinentit.
Kujdo i ka rastisur që ka marrë një libër, ndoshta edhe të çmimuar dhe e ka lënë mënjanë për ta shfletuar më pas dhe nga ana tjetër rilexon një botim shkruar 100, 200, 300 vjet më parë dhe ka marrë kënaqësi estetike; për mua kjo ka ngjarë edhe me një pjesë të madhe të poezive të Alfons Zenelit.
Me këtë rast kam kënaqësi të pohoj se mjaft nga krijimet e Alfons Zenelit janë të pranishme në portalin që editohet prej meje, jo thjesht e vetëm për njohjen e kahershme, por për veçantësinë që ai sjell në poezinë shqipe.