Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Sherifi: Dy-tri fjalë për ty, o e bukura Margarita!

E dashur Margarita, kaq ishte filmi yt i mrekullueshëm tokësor! Vendose për të kaluar pa zhurmë në botën tjetër, në misterin e heshtjes dhe të përjetësisë eventuale. Mes ëndrrës dhe realitetit, si në një film të David Lynch-it (Blue Velvet dhe Mulholland Drive). Ndoshta do e takosh atje në sferat kozmike nënën time dervishe, Xhevahire Sadrinë, e cila të ka pas thënë dikur në Tiranë: «mos u mërzit, se do shihem edhe andej, përtej kufirit të së dukshmes, e di unë, m’i kanë dërguar shenjat dhe provat, por nuk mund t’ua tregoj… se janë sekretet e zotit».

Kam pikëpyetjet e mia natyrisht, por tek e fundit, pse jo, më mirë le ta besojmë atë hipotezë të këndshme, plot me shpresa pozitive! Energjitë kalojnë, shkëmbehen, përzihen, qarkullojnë, metamorfozohen… Ndoshta do i takosh andej, rreth një gote me vere divine, mjaltë xheneti, dhe do ua përcjellësh të falat e mia, me një përqafim special të një anarshisti malësor universal, disa prej kolegeve të tua sikurse: Ana Magnani, Lucia Bose, Silvana Mangano, Gina Lollobrigjida, Sofia Loren, Alida Valli, Ava Gardner, Marylin Monroe, Laureen Bacall, Audrey Hepburn, Nathalie Wood, Simone Signoret, Michèle Morgan, Maria Casarès, Sarah Bernard dhe falënderoj shumë për të gjitha ato kujtesa dhe emocione të cilat na i kanë dhuruar gjatë karrierës së tyre mbi këtë tokë.

Erdhi tani edhe për ty, para pak ditësh fjala «The End» çka është më se normale për të gjithë gjallesat, aq më tepër pas një jetë aq interesante dhe të pasur shpirtërisht, e cila ka zgjatur 93 vite. E futa duke menduar për ty këngën e Jim Morrisonit, po me atë titull dhe i thashë vetes – mund të jetë fundi i botës dhe apokalipsi për dikënd, i përkshkruam me një fuqi poetike unike… por jo për ty Margarita, besoj që është fillimi i diçkaje të ré dhe akoma të panjohur! Po i shpalosi disa rroba të lara në Ballkonin e Zhulietës, me disa kujtime fragmentare, si t’isha duke shfletuar një album fotografik, me ca foto të vjetëruara në bardh e zi, nga periudha e zotit Marubit, Robert Doisneau, Cartier-Bresson dhe Jacques Lartigues.

Me kanë pas pëlqyer jashtë mase ata sy të tu të ëmbël, të veshur me nostalgji, romantizëm, lirizëm, poezi dhe bukuri, por jo çfarëdo bukurie krejt formale, e ftohtë apo e zbrazet, jo, jo, ke pasur atë bukuri të jashtme fisnike dhe dinjitoze, do kisha thënë burrërrore, mbi një karakter të vendosur, siç e kishte aktorja greko-arvanito-shqiptare Irena Papas, me disa elemente klasik, të pastërta dhe evidente, diçka që të imponohet pa shumë komente… dhe natyrisht e miksuar komplet në një harmoni të mbrendshme me botën tënde shpirtërore autentike dhe të pasur, 100 përqind njerëzore, sepse ti ke pasur edukatë të fortë familjare Margarita, me norma, kritere, principe, dhe e ke ditur se çka do me thënë vlera apo anti-vlera, ke pasur përmbajtje, vijë drejtuese precize dhe një bosht kurrizor… prandaj, janë takuar tek ti, ajo bukuria e jashtme me atë të mbrendshmen. Të imagjinoj mirë duke ju thënë sharlatanëve të kryeqytetit, të cilët shiten për çka nuk janë: «jo me mua, zonja dhe zotëri, se nuk i përpij ato përralla groteske… më kanë formuar një shekull takime dhe eksperienca jetësore… merreni një akullore dhe zhdukuni dhe mos t’iu shoh».

Më kujtohet që jemi njohur në vitet ‘90 në Tiranë. E di që më ke vlerësuar shumë shpjet dhe me një siguri të plotë, si njeri dhe si poet, dhe po ashtu, unë ty, çka ishte më se evidente. Në vitin 1996, erdhe tek Hotel Rogneri, ku isha duke e promovuar një vepër timen me titullin: «Ora e Meteorëve» me Edmond Tupjen, Jusuf Vrionin, Ramadam Musliun dhe mi interpretove gjatë një leximi artistik disa tekste. Ma ka ofruar po të njëjtën nder dhe privilegj në disa raste të tjera, tek Muzeumi Kombëtar, tek Piramida, dhe tek Black Boksi, salla e Akademisë së Arteve. E di që veprat e mia, të kanë frymëzuar dhe i ke lexuar dhe rilexuar ca herë, sikurse shoqja e Piro Milkanit, e cila flen me librin tim ‘LOVE’ në komodën  e shtratit, çka na konfirmoi vetë miku im, regjisori i famshëm shqiptar, publikisht tek salla e kinemasë ‘Agimi’ me 10 tetor 2024, nëse nuk gaboj në data.

Kemi ardhur me të takuar disa herë me kushëririn tim Isa dhe nënën time Xhevahire tek ajo kafja ku shkoje ti zakonisht afër banesës tënde. Çuditërisht ka kaluar perfekt energjia jonë në një simfoni shpirtërore të harmonizuar dhe të ka pas befasuar personaliteti i nënës sime më shumë ekstratokësore dhe qiellore sesa tokësore. Në një takim tjetër, bile ia ke pas propozuar ti vetë, sepse ishte kënaqësia e jote personale dhe rasti për të kaluar më shumë kohë me të, një rol kinematografik të një «nëne tradicionale malësore» në një film të cilin e kishe në plan program dhe insistove duke i thënë që do flas me regjisorin. Ha, ha, ha….

Tentova kot për ta enkurajuar nënën Xhevahire duke i thënë: «shko, pranoje dhe mos heziton fare, pasi po ta propozon ndershmërisht dhe miqësisht Margarita, sepse atë rol e ke të lehtë, ngaqë, veçse e interpreton jetën tënde, në realitet, siç e ke praktikuar çdoherë dhe pos asaj, do kesh shansin me kaluar pak kohë me mikeshën tënde! Ja vlen, provoje se është një eksperiencë e ré për ty”! Porse, e refuzoi me politesë, duke thënë: «që unë jam e lidhur me Zotin, jam mistike dhe nuk jam për atë zanat… nuk është rruga e ime. Por ta dinë Margarita, të cilën e dua si motrën time, që me emrin e Zotit, nëse nuk shihem më mbi këtë tokë, do shihemi patjetër atje lartë në qiell… mbajeni mend prej meje! Sepse shpirtërat e mirë dhe të filtruar takohen në hapësirat kozmike të pafundme».

Një ditë tjetër vjeshte, më kujtohet që erdhëm po në atë kafe afër teje dhe pos bisedave të frytshme, ti ofroj nëna Xhevahire një palë çorape të leshi të qëndisura nga vjehrra ime me porosi për ty… dhe të tha: «Margarita, i kam porositur këto çorape speciale për ty, janë punim shpirtëror artizanal, mbaj mirë dhe veshi në dimër, se nuk do të narthin këmbët”!

E pava që u çudite nga ai gjest mjaft intim, gati familjar… se kush e mendon atë punë, në një marrëdhënie miqësore të rëndomtë. Duhet për ta pasur një afërsi pak më unike me atë person, për me të shkuar mendja pikërisht aty !

Dikur me kohën, me moshën, me lodhjen fizike, nuk ke ardhur më në promovimet e mia, Margarita, por të kemi kujtuar dhe dashur gjithmonë, duke të konsideruar në aspektin energjetik, si një anëtare e familjes tonë njerëzore dhe poetike. Po, ishe një femër e bukur dhe e plotësuar me të gjitha parametrat, po ashtu një aktore dhe një nënë… Sinqerisht, për sa i përket territorit tonë shqiptar, nuk ke pasur ndonjë arsye të madhe për t’u ankuar. Ndoshta për anën materiale, jo aq normale me statusin që kishe ti, në botën e artit tonë.

Por ky ishte fati Margarita në Shqipërinë delirante, perverse, paranoiake dhe psikopatike të Enver Hoxhës, kushëri i Stalinit dhe mik i botës sllave anti-shqiptare, ndoshta një dadaist dhe surrealist politik, avanguardist i shkencave politike? Ha, ha, ha, ha… Duket komike, porse ishte në realitet tragjike për Kombin tonë të anatemuar dhe të leçitur nga gjithë bota normale, e cila e konsideronte si një anomali, si një kopsht zoologjik, ku po zhvillohen disa eksperimente atipike mbi njeriun e ri socialist, post Nieçean. Kur se unë, së paku, i provoja në fushën time artistike, në poezi, bashkë me bitnikun amerikan të Kalifornisë, zotin Allan Ginsberg, porse ishin të padëmshme. Por çfarë lloj arti madhor mund të ketë, o miq dhe mikesha, në një botë propagandistike komplet të censuruar, ku çdokush e spiunonte çdokënd, gjer në familjen intime… virus i tmerrshëm, nga i cili akoma nuk kemi dalur të pastruar siç duhet, dhe do na duhen edhe minimumi 20 apo 30 vite?… Në një kontekst shoqëror marksist stalinian, ku pos me pallur disa slogane dhe maksimumi 200 fjalë leksiku të mësuara përmendsh si papagalli, aq sa i zotëron një Gorrillë apo Shimpanzé i stërvitur në laboratoret studimore amerikane. «Rroftë Partia, rroftë Enveri, rroftë ky dhe ai… dhe Poshtë tjetri dhe hamami” nuk ke sesi ta përfitosh një copëz liri individuale. Për fat kanë ndodhur në gjithë atë shoqëri të çoroditur dhe patetike, disa ekspecione në filma, ngaqë sado që mbretëronte censura, fliste nganjëherë talenti real i një regjisori Iks apo Ypsilon, siç ka ndodhur edhe me Kadarenë në fushen e letërsisë, ekspecioni i cili e konfirmon rregullin global. Natyrisht, që këtu nuk ishim fare në një poezi të Bodlerit apo të Rembosë, apo në një film të Antonionit, Kubrikut apo Pasolinit, në një krijim plastik të Salvador Dalit, Pollockut, Hartungut, Basquiat ose Bansky-t… por në pleniumet ideologjike dhe pavlloviane të mendimit. Një farë përsëritje mekanike e Andy Warholit, si bota e Mac Donaldit, ajo e hamburgerit dhe e coca-colës. Provoje këtë opium, pastaj këtë tjetrin dhe ja pashë hajrin!

E di mirë, o Margarita, me gjithë atë talent që ke pasur, me pas qenë e lindur italiane, apo franceze, apo amerikane, do e kishe një karrierë internacionale, një famë dhe një status krejt tjetër, ashtu siç e kishe merituar plotësisht. Mirëpo, kapaciteti ynë si shqiptar ishte ky dhe jo më tepër. Po ta rikujtoj vetëm rastin e kolegut tënd, të cilin e kam njohur edhe unë personalisht në Prishtinë si në vitet 1976 – 80, si pas viteve 2000 – 2012, po flas për Bekim Fehmiun. Sa herë mu ka pas ankuar gjatë bisedave tona nëpër kafe, për propozimet dhe kushtet që ia ofronin shqiptarët, të cilat i dukshin qesharake dhe gati fyese. Po ashtu, kam pas shkuar si mik në apartamentin privat të Nexhmije Pagarushës dhe e kam gjetur me cigare, whisky në tavolinë dhe me 40 euro pension mujor, duke e ndihmuar familja e saj në emigracion. Çka kemi për të shtuar? Është diçka në limit anti-njerëzor!

Mirëpo, ti e ke mbyllur këtë rrugëtim shqiptar për bukuri e dashur Margarita dhe për neve do jesh gjithmonë një model, një shembull unik frymëzues dhe një ikonë e teatrit dhe e kinematografisë kombëtare. Në gjithë këtë vullgaritet e banalitet anti-kulturor, në këtë rikthim në primitivizëm, ku askush nuk vlerëson asgjë, por vetëm kalon si një personazh i një filmi të vizatuar dhe nuk mban në mend asgjë, ngaqë ka fituar spektakli i kotësisë së përditshme dhe amnezia globale, pastrimi i trurit të thellë, i mendimit dhe i analizës kritike, i dyshimit kartezian dhe i pikëpyetjes… pikërisht në këtë atmosferë mbytëse kemi nevojë për disa mite dhe legjenda, e dashur Margarita! Po ja rikujtoj lexuesit, pasi që ta pinë një birrë belge ‘Leffe’, shoqëruar me 5 qofte dhe një byrek me gjizë, disa nga rolet dhe filmat e tu referencialë…. të cilët do i harron pas 10 sekonda, por do e çojmë në një kurë dezintoksimi… ha, ha, ha, ha…

A të bëra me qeshur në Parajsën ku je, e nderuar shoqe dhe nënë e artit skenik?

Mund ta citoj: Hamletin – Mbretin Lear –  Romeo e Zhulietën – Rikardi 3 – Dhelpra dhe Rrushi – Mixha Vania –  Louiza Miller – Vdekja e një Komisari – Inspektori – Qeni i kopshtarit – Elektra – Kush e solli Doruntinën –  etj… pastaj në disa filma sikurse: Vitet e para – Gjurmët – Dimri i fundit – Toka e përgjakur – Një djalë dhe një vajzë – I pasionuari – Gjeneral Gramafoni –  Koncerti në vitin 36 – Rrethi i Memories –  Vitet e pritjes – Dora e nxehtë – Gurët e shtëpisë sime – Pranvera nuk erdhi vetëm –  E diella e fundit –  Ne dhe Lenini –  Lutjet e Dashurisë – I dashur armik –  Mirupafshim – Bolero në vilën e Pleqve…

Kemi të gjithë nevojë për modele të bukura frymëzimi, shembuj autenticiteti, të cilët na shtojnë besimin në vetveten dhe na bëjnë për të shpresuar që mundesh për t’ia kushtuar jetën tënde, pasionit tënd jetësor, asaj fushe që të intereson ty thellësisht në realitet, e jo vetëm për të vrapuar pas lekut me çdo kusht duke ja shitur shpirtin tënd Faustit. Arti në realitet dhe në esencën e tij, na zbukuron, na përmirëson, na sensibilizon, na emocionon, na thellon dhe na mundëson një dialog me vetveten, duke ia dhënë jetës tonë dhe jetës njerëzore në përgjithësi, një sens, një interpretim, një mendim, një pikëpyetje, një hulumtim, një parfum, një ngjyrë, një tingull intim, origjinal dhe atipik… dhe na përcjell me ato kujtesa, me ato gjurma të shënjuara në shpirt.

Prandaj, të falënderoj edhe një herë, e dashur Margarita, për atë miqësi besnike që ke pasur me mua dhe me nënën time, atë dialog që kemi zhvilluar së bashku dhe ato kujtime që ja kemi ofruar njëri-tjetrit gjatë këtij rrugëtimi tokësorë tepër të shkurtër.

Si regjisor i dështuar, të imagjinon në filmin «Opening Night» të John Cassavettes, në vend të Gena Rowlands, nën kameren time… por e mora pendën si konpensim.

Nuk e di se ku gjendesh tani? Vetëm shpresoj që shpirti yt aq i bukur të ketë shkuar aty ku e ke imagjinuar apo ëndrruar ti vetë, Margarita.

Natyrisht, do jam përjetësisht me ty, se na lidh ajo miqësi dhe dashuri e pafundme mes nesh, këtu, atje dhe përtej … do i përshtatemi edhe né pafundësisë kozmike.

RESPEKT TOTAL DHE PËRQAFIME, MY GREAT FRIEND MARGARITA XHEPA!

Një UFO i quajtur në regjistin komunal, Skender SHERIFI, i cili pas 35 vitesh në Shqipëri, njihet formalisht apo mediatikish nga shumë kush, porse nuk njihet thellësisht dhe autentikisht nga askush, ose pak kush! Çojeni të gjithë një gotë për shpirtin e Margarita Xhepës!

Me datën 5 Prill 2025, Bruksel.

Please follow and like us: