Albatros Rexhaj shkruan për të ndërtuar ura zemrash
Në prozën e tij, dashuria është akt rebelimi, një mënyrë për të qëndruar njerëzor në një botë që shpesh na bën të ndihemi bosh.
Fjalën, e ka si përqafim që të shëron një e nga një, plagët që nuk e ke ditur se i ke.
Në një kohë kur letërsia ndjek ritmin e shpejtë të konsumit, shkrimtari premton të qëndrojë oazi ku njeriu ndalet, frymon, dhe na rikujton përse ndjenja ka ende fuqi.
Letërsia e tij është dëshmi që arti i vërtetë rishfaqet herë pas here në zëra të tillë, që nuk shkruajnë për të jetuar, por jetojnë për të shkruar.
Prej kohësh nuk kemi të reja nga autori, në rrjetet e tij sociale, në faqet e reja të librave, në zërin që jemi mësuar ta dëgjojmë si mik të përhershëm të mendimeve tona, e megjithatë, kjo mungesë nuk është braktisje për ne lexuesit e tij. Është largim i përkohshëm i një mjeku që po përgatit recetën e radhëss për shërimin tonë.
Sot, kur gjithçka kërkohet me urgjencë, ai guxon të mungojë. Dhe kjo mungesë është vetë forma më e thellë e prezencës, sepse mungesa e tij ndihet, lexohet, kërkohet. Dhe kjo është prova më e bukur që autori është në mendjet tona, në raftet e bibliotekave tona, në qelizat e ndjeshmërisë sonë.
Sepse Albatros Rexhaj nuk shkruan për modën e ditës, as për zhurmën e të përditshmes tonë. Ai shkruan për ata që presin. Për zemrat që nuk janë lodhur së dashuruari.
Dhe ne e presim. Jo vetëm për atë që do të thotë, por për atë që do të na bëjë të ndjejmë. E dimë që kur të rikthehet, do të jetë sërish i njëjti. Do të rikthehet me një tjetër copë zemër të vetën.
Sepse Albatros Rexhaj shkruan për të ndërtuar ura zemrash. Dhe ne jemi në anën tjetër të urës, me duar të hapura dhe zemra që nuk harrojnë.