ELITA INTELEKTUALE NUK MUND TË ÇLIROHET NGA PËRGJEGJËSIA PËR GJENDJEN E SËMURË NË SHOQËRI

(Foto e shkrepur nga shoki ynë Dragan Banjac, gjatë kafesë dhe muhabetit të drekës. në vendtakimin tonë “Kafe Galerija” në qendër të Beogradit).
Në kujtim të mikut tim të shtrenjtë, Filip David, ikjes së shkëmbit moral, i cili ndërroi jetë më 14 prill e u varros më 17 prill 2025, po e postoj intervistën e zhvilluar në shkurt të vitit 2000, për gazetën “Zëri” të Prishtinë dhe të përfshirë në librin tim të intervistave me figura të njohura politike, kulturore, intelektuale shqiptare e serbe, me titull “KOSOVA NYJE E (PA) ZGJIDHUR” (2024, Prizren).
xxxxx
*Poetja shqiptare, Flora Brovina, nuk është viktimë e vetme e represionit politikë, por rasti i saj është më drastik. – Ardhmërinë po e pres me frikë sepse nuk jemi çliruar nga lajthitjet dhe paragjykimet që sollën tragjedi të mëdha. – Elita intelektuale serbe është dëshpëruar me rezultatet e politikës së Millosheviqit, por jo edhe me objektivat e saj. – Janë bërë shumë krime mbi popullatën shqiptare, burgjet serbe janë plotë shqiptarë, por kjo nuk mund të jetë arsyetim për pozitën e rëndë të serbëve të mbetur në Kosovë. – Assesi nuk e pranoj fajësinë kolektive, pro duhet të kërkohet dënimi i krimeve veç e veç. – Modeli mbisundues kulturor serbë personifikohet në “filozofinë e provincës” ku dominon fryma e barbarogjenisë dhe ksenofobisë e cila mbështetet në lajthitjet kulturore, historike dhe politike
………….
Beograd, 10 shkurt 2000
/ Fahri MUSLIU/
Filip David (1940), me prejardhje hebre, profesor i Universitetit, shkrimtar, publicist, eseist, skenarist, aktivist, themelues i shoqatës së pavarur të Shkrimtarëve të ish Jugosllavisë (1989), aktivist antinacionalist, luftëtarë i pa-kompromis për të drejtat dhe liritë e njeriut. Njëri ndër intelektualët më të mëdhenjtë jo vetëm të Serbisë por dhe të Evropës: horizontalja dhe vertikalja e intekltualizmit në Serbi. Me qëndrimet e veta politike e veçmas antiluftarake dhe antinacionaliste është shquar jo vetëm në hapësirën e ish Jugosllavisë, por edhe në atë evropiane e më gjerë, si SHKËMB MORAL . Në fund të vitit të kaluar, bashkë me disa shkrimtarë të tjerë të cilët nuk janë pajtuar me qëndrimet nacionaliste të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë nga “Francuska 7” në Beograd – ka formuar asociacionin e pavarur të shkrimtarëve me emërtimin “Forumi i shkrimtarëve”, kurse një herë në muaj në gazetën “Danas” e botojnë nënfletën “Peçat” me materiale të përgatitura nga anëtarët dhe simpatizantët e tyre.
Shkas i kësaj bisede për “Zërin” ishte pra formimi i shoqatës në fjalë por edhe vendimi i saj që si anëtare të nderit ta pranojë poeten kosovare Flora Brovina, të dënuar me 12 vjet heqje lirie nga gjykata e Nishit (1999), por edhe qëndrimet e zotit David lidhur me gjendjen aktuale politike në Serbi, perspektivat e shoqërisë serbe kuptohet edhe për Kosovën.
“Zëri”: Zoti Filip, na thoni fillimisht se cilët kanë qenë shkaqet e formimit të një shoqate paralele të shkrimtarëve në Serbi dhe çfarë janë objektivat e saj?
-Filip David: Shkaqet mund të përmblidhen në një fjali: moskënaqësia shumëvjeçare me mënyrën e organizimit, me punën dhe idetë politike të Shoqatës zyrtare të Shkrimtarëve të Serbisë, nga Francuska 7. Në këtë çast situata në letërsinë serbe, tek e fundit, si edhe në politikë dhe ekonomi, mund të quhet katastrofike: shkrimtarët që e përbejnë kripën dhe kriposjën e asaj letërsie e kanë zgjedhur emigrimin dhe apatritizmin si mënyrë të jetesës. Të përmendi vetëm disa emëra: Bora Qosiq, Mirko Kovaç, Vidosav Stevanoviq, David Albahari, Vladimir Arsenijeviq, Dragan Velikiq, Bogdan Bogdanoviq… lista është e gjatë dhe në të duhet rradhur edhe shumë shkrimtarë tjerë të ri. Njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm serbë, Radomir Konstatinoviqi tani më një kohë të gjatë po jeton në izolim të plotë. Kriteret janë humbur, institucionet janë komprometuar. Shkrimtarët e tubuar në “Forumin e shkrimtarëve” theksojnë se pozita e tyre është “ pozita e individit që i kundërvihet demagogjisë politike, populizmit, shtetit partiak, manipulimeve mediale, militarizimit të shoqërisë, ekskluziviteteve nacionaliste e tjera”, dhe se “angazhohen për vendosjen e lidhjeve kulturore me mjediset tjera, për këmbimin e hapur të veprave, të mendimeve dhe të ideve”.
“Zëri”: “Forumi” juaj në fillim të veprimit ka vendosur që për anëtar të vet të nderit ta pranoj poeten shqiptare nga Kosova, Flora Brovinën, e cila është dënuar me 12 vjet heqje lirie nga gjykata e Nishit, kurse në nënfletën “Peçat” keni botuar disa vjersha të saja të përkthyera në serbisht. Njëkohësish, “derisa Shoqata zyrtare shkrimtare e Serbisë po hesht, “Forumi” Juaj e ka ngritur zërin kundër gjykimeve politike në vend. Cilët janë motivet e një aktiviteti të tillë?
-Filip David: Në dokumentin tonë të themelimit gjithashtu e kemi shkruar: “Të drejtat e njeriut dhe liritë artistike janë nocione të cilat plotësohen. Nuk ka liri artistike pa respektimin e të drejtave të njeriut, as që është i mundëshem respektimi i të drejtave të njeriut atje ku nuk ka liri artistike”. Rasti i Flora Brivinës, sipas fakteve që posedojmë, është rast tipik i gjykimit politik, e kjo do të thot edhe shkelje e të drejtave themelore të njeriut. Nuk është poetja shqiptare e vetmja që është viktimë e represionit politikë, por rasti i saj është më drastik.
“Zëri”: Zoti David, në librin tuaj “Fragmente nga kohët e errëta”të botuar më 1994, në një vend keni shtruar këtë pyetje: Çka të bëhet? Si të jetohet në shoqërinë e sëmurë, ku – siç thotë miku Juaj Mirko Kovaç – “çmendjet janë bërë mënyrë e sundimit”? Çfarë është sot shoqëria serbe pas gjithë asaj që na ndodhi të gjithëve; si do ta përfundojë ajo rrugën katastrofike dhe çka e pret atë në fund të asaj rruge?
Filip David: Ajo që shqetëson më shumë, që bënë që ardhmërinë ta presim me frikë është fakti se nuk jemi çliruar nga lajthitjet dhe paragjykimet e shumta që sollën deri tek tragjeditë e mëdha. Në rastin tonë politika është shfrytëzuar për ruajtjen e pushtetit personal me anë të keqpërdorimit të ndjenjave nacionale e patriotike, me keqpërdorimin e ideologjisë, keqpërdorimin e historisë, dhe e gjithë kjo është bërë me ndihmën e kontrollit të plotë të mediave. Kundërshtimi i këtyre formave të ndryshme të keqpërdorimeve nuk është më vetëm çështje politike, por para se gjithash çështje etike, morale dhe kusht i ekzistencës. Dhe këtu nuk ka kurrfarë zgjidhjesh tjetër përpos ballafaqimit me të vërtetën. Me realitetin e egër të zhveshur se në emrin tonë janë bërë shumë krime, janë bërë disa gjëra të tmerrshme për shkak të të cilave do të turpërohen edhe gjeneratat e ardhshme.
“Zëri”: Sipas jush kush është, pra, fajtor për një katastrofë të tillë politike, ushtarake, ekonomike, shpirtërore e morale. Çfarë ka qenë roli i intelektualëve në gjithë këtë dhe si po sillen ata sot?
-Filip David: Nuk mundem ta marrë rolin e gjykatësit i cili drejtë dhe pa anime do t’i maste fajet. Atë, herët a vonë, duhet ta bëjnë ata të cilët janë të obliguar për këtë në çdo vend: institucionet juridike. Por ekziston fajësia e padyshimtë e atyre që kanë marrë vendime politike dhe e atyre të cilët e kanë “përgatitur terrenin” për vendime të atilla. Në tërësi, inteligjencia jonë ka rënë në provim, sepse dashurinë ndaj popullit të vet e ka zëvendësuar me urrejtjen ndaj popujve të tjerë, vlerësimet reale të situatës – me iluzione mitomane, kurse interesat themelore të popullit ia nënshtroi interesave personale. Kundrimi objektiv i realitetit është zëvendësuar me krijimin e paragjykimeve dhe të stereotipeve të rrezikshme që janë vënë mbi vetë jetën. Ashtu ishte para dhjetë vjetësh, ashtu ishte para pesë vjetësh, e kam frikë se ashtu është edhe sot. Nuk ka ndodhur ndërgjegjësimi. Mbisundojnë, në shikim të parë, dy ndjenja të kundërta: mania e madhësisë dhe mania e ndjekjes në të njëjtën kohë. Në tërësi, elita jonë intelektuale është dëshpëruar me rezultatet e politikës së Millosheviqit, por jo edhe me objektivat e saj. Si “shpëtim” të vetmin shumica, pra jo të gjithë, po e dëshirojnë përtëritjen e “luftës së ftohtë”, botën bipolare, po vajtojnë për rrënimin e Murit të Berlinit, po vajtojnë përse dikur nuk kemi punuar në krijimin e bombës atomike. Koalicioni në pushtet po vendos kontakte me vendet “e parisë së botës” të urrejtura nga bashkësia botërore për shkak të mosrespektimin e të drejtave të njeriut, me regjimet dhe individët ideologjitë e të cilëve janë raciste ose totalitare. Në shkallë të shtetit ata sot janë aleatë të vetëm. Me idetë e tilla, me programet e tilla, është e qartë se çfarë e ardhme na pret.
“Zëri”: Si e vlerësoni luftën e vjeme në Kosovë, golgotën e shqiptarëve dhe ardhjen e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare dhe me këtë, sipasa mendimit tuaj, a ka përfunduar lufta në hapsirën e ish Jugosllavisë dhe të Ballkanit? A keni qenë të njohur dhe si i keni përjetuar vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë, dhe si e vlerësoni situatën e tashme?
-Filip David: Ato kanë qenë pamje të tmerrshme, pamje të fatkeqësive dhe vuajtjeve të mëdha. Mediat shtetërore serbe janë sjell thua se nuk po ndodh asgjë e pazakonshme, për ato ajo golgotë nuk ka ekzistuar. Por secili që ka dashur të din ka mundur ta bej këtë. Këtu nuk ka justifikim për injorim. Sikur që nuk ka arsyetim për ata që kanë qenë të shurdhur, të nemitur dhe të verbër për Sarajevën, Srebrenicën dhe për të gjitha ato vende të shumta të cilat janë bërë synonim i krimit të një garniture politike.
Sa i përket përfundimit të luftës nuk jam i sigurt se fatkeqësia jonë po i afrohet fundit. Para nesh gjenden edhe shumë sprova; marrëdhëniet e malit të Zi me Serbinë janë ashpërsuar bukur shumë, tendosjet politike në Serbi gjithashtu kanosen me luftë qytetare, kurse Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia janë vende të kundërthënieve të thella të brendshme. Për këtë rajon tonin, për hapësirën e ish Jugosllavisë, duhet gjetur zgjidhja globale e cila do të pranohej dhe do të vlente për të gjithë. Por kjo nënkupton që edhe në politikën ndërkombëtare të ekzistojnë politikanë të njëmendët, me vizion të qartë dhe autoritet të vërtetë. Nuk di nëse ka sot të tillë. Pa këtë zgjidhje gjithëpërfshirëse zjarri i dhunës, i konflikteve ndëretnike dhe ideologjike do të shtrihet edhe më tutje, do të zhvendoset nga vendi në vend duke iu kanosur mbarë Evropës e ndoshta edhe Botës me një katastrofë të re të madhe. Dhuna është bërë pjesë e jetës tonë të përditshme: dhuna e terrori. Fatkeqësi jona e përgjithshme e madhe është që në asnjë rast deri më tash, shumica nuk ka qenë e gatshme për ta mbrojtur pakicën. Kurse fitimtar i vërtetë, jo vetëm moral, në të gjitha këto luftëra do të jetë ai i cili, përkundër të gjithave, do t’i mbrojë pakicat e veta qofshin ato etnike, religjioze apo politike. Kjo deri më tash nuk ka ndodhur askund, prandaj duhet të konkludohet me keqardhje se, as në këtë situatë të ndryshuar, nuk po ndodh as në Kosovë. Janë bërë krime të mëdha mbi popullatën shqiptare të Kosovës, kurse burgjet në Nish, Pozharevc, Leskovc, Mitrovicë të Sremit… janë përplot shqiptarë të cilët janë bërë peng të politikës së Millosheviqit. Por e gjithë kjo nuk mund të jetë arsyetim për pozitën e rendë të serbëve të mbetur në Kosovë. Kurrsesi nuk e pranoi fajësinë kolektive të popullit. Me të drejtë duhet të kërkohet që çdo krim individual të dënohet, por të insistohet fajësia kolektive e popullit do të thotë të zhvillosh luftë deri në shfarosje, të shtrish zinxhirin e urrejtjes në pakufi.
“Zëri”: Njëherë më patet thënë se në shoqërinë serbe duhet të ndryshohet modeli kulturor: çka nënkuptoni me këtë dhe a është një ndryshim i tillë i domosdoshëm edhe tek popujt tjerë në hapësirën e ish Jugosllavisë, pra edhe tek shqiptarët?
-Filip David: “Modelin kulturor”, sipas Daniel Goldhagenit, në një shoqëri e bejn“ bindjet dhe paraqitjet të cilat nuk kontestohen”, në bazë të të cilave formohet kuptimi i botës së secilit individ. Kjo është ajo që pranohet si “e vërtetë e qartë”. Në qoftë se modelet kulturore konsistojnë në bindjet për superioritetin vetjak dhe inferioritetin e tjetrit, në intolerancë, në një varg paragjykimesh negative, në leximin dhe prezantimin e gabueshëm të historisë, atëherë shkaktojnë ato lloje të emocioneve për të cilat nuk vlejnë kurrfarë argumentesh, kurrfarë faktesh. Kurse me emocionet manipulohet më lehtë. Këto janë gjendje të rrezikshme të “etheve”, të “sëmurjeve” të cilat fitojnë përmasa të epidemisë. Duhet shmangur nga modelet e tilla kulturore; duhet të zbulohet dhe të vihet në dukje fataliteti i tyre, sepse kjo është rrugë drejtë destruktivitetit dhe vetëdestruktivitetit.
Modeli mbisundues kulturorë serbë është i personifikuar në atë që Radomir Konstantinoviqi dikur e ka quajtur “filozofi e provincës”, ku dominojnë fryma e barbarogjenizmit dhe e ksenofobisë të mbështetur në lajthitjet kulturore, historike dhe politike. Modelet kulturore i krijojnë elitat intelektuale. Elitat intelektuale nuk mund të çlirohen nga përgjegjësia për gjendjen e sëmurë të shoqërisë, nëse mbisundon revanshizmi, nacionalizmi, intoleranca. Kjo vlen njëlloj për inteligjencinë serbe si edhe për atë kroate, boshnjake, shqiptare.
“Zëri”: Në librin tuaj “Fragmente nga kohët e errëta”, në një vend flitni edhe për shtimin e antisemitizmit në Serbi për të cilin thoni se “është shenjë e ksenofobisë”. A ka sot antisemitizëm në këto hapësira dhe si manifestohet ai?
-Filip David: E dini, nëse vite të tëra flitni pareshtur për ekzistimin e njëfarë komploti ndërkombëtarë, atëherë nuk ekziston askush që gjendet prapa një komploti të tillë përpos floskulës së zakonshme se këta janë hebrenjtë e botës. Kurse si provë kryesore merret ai dokumenti falsifikat helmues “Protokolli i mendimtarëve të sionit”. Hebrenjtë janë armiq rezervë kur harxhohen të gjithë armiqtë tjerë. Mirëpo, në këtë situatë tonën nuk duhet zmadhuar rolin e antisemitizmit. Ai vetëm është produkt kalimthi dhe i detyrueshëm i gjendjës së përgjithshme të paranojës.
.