Fatmir Ceci: Rasti, si përvojë jetësore dhe si instrument letrar
(Letërsi e krahasuar)
Në një ditë pushimi, fare papritur përzgjodha për të lexuar nga biblioteka ime tre libra të shkrimtarëve Stefan Cvajg, Saul Bellow dhe Pandi Papando. Ishte befasi për mua kur zbulova se në epiqendër të naracionit apo intrigës filozofike të tyre ishte fenomeni i rastësisë. Në fabulat e tyre tregohet se si nga një rast i vetëm, vendimtar apo përcaktues, ndodhur kryesisht brenda një dite apo 24 orëve, është e lidhur e gjithë perspektiva e jetës së mëtejshme. Kësisoj, gjithkush ndërgjegjësohet për rëndësinë që ka rasti i vetëm në përcaktimin e fatit njerëzor, veçanërisht kur ai përfaqëson një gabim fatal apo veprim impulsiv. Në rrjedhën intensive të ngjarjeve të tre krijimeve, koinçidençat e një serie rastësish të çuditshme pasojnë njëra-tjetrën në formë befasish sikur “bien nga qielli”. Shpesh, këto rastësi shfaqen si surpriza që luhatin radiogramën emocionale të lexuesit, me ulje-ngritje të papritura gjatë ecurisë ritmike të ngjarjeve. Në të tre librat, ngjarjet zhvillohen në harkun kohor të një dite apo 24 orëve dhe rastësitë përdoren si shkaqe determinante, apo pika kthese që lenë gjurmë të thella për jetën e mëtejshme. Çdo rast i fiksuar në këto vepra përshkruan një përvojë personale me shumë sfida të forcave vepruese të dukshme dhe të padukshme të jetës. Çdo përvojë zhvillohet në një atmosferë shoqërore konkuruese dhe diversive, ndaj ndjenjave e mendimeve subjektive të çdo individi. Ishte befasuese për mua të zbuloja se, ndonëse këta autorë vijnë nga vende dhe kontekste historiko-kulturore krejtësisht të ndryshme, i bashkon një temë qendrore: fenomeni i rastësisë si fenomen jetësor, letrar, filozofik dhe mistik,
Romani “Kape çastin” i Saul Bellow
Tek “Kape çastin”, Saul Bellow paraqet jetën e protagonistit Uilhelm në një ditë të vetme në qytetin e Nju Jorkut. Uilhelmi, i brishtë emocionalisht dhe i pasigurt në jetë, bie pre e mashtrimit të doktor Tamkinit dhe investon në mënyrë të dëshpëruar në bursë. Gjithçka ndodh si rrjedhojë e një çasti të vetëm vendimtar, i nxitur nga dëshira për përfitime të menjëhershme. Bellow fokusohet thellë në analizën psikologjike të personazheve dhe thekson rëndësinë e kuptimit të vetes dhe të rrënjëve morale për të mbijetuar në shoqërinë moderne. “Njeriu duhet të pajtohet me çastin aktual, me të tashmen, me lavdinë apo fatalitetin e saj… Ai duhet të lodhet duke egzaminuar veten dhe duke u përpjekur ta ndreqë atë”
Novela “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje” e Stefan Cvajgut
Stefan Cvajg sjell në vëmendje një histori dashurie të zonjës K., rreth 45 vjec, që e transformon jetën e saj brenda një dite. Jo dashuria, por më shumë dhimbsuria për jetën e re të atij djaloshi bukurosh por i sëmurë nga vesi vrastar i kumarit brenda 24 orëve e kthen përmbys jetën e saj fisnike në një aventure e përvojë tronditëse emocionale dhe morale. Cvajg përshkruan mjeshtërisht çast pas çasti gjestet dhe emocionet e personazheve, duke nxjerrë në pah se karakteri zbulohet nëpërmjet veprimeve të dukshme sipërfaqsore dhe konvencionale. ”Duart e tij të mrekullushme dridheshin, dihatnin, regëtinin e me një gjuhë kaq rrëngjethëse e shprehnin qartë tronditjen“. Në fytyrën e tij reflektonin paprerazi baticat dhe zbaticat e pasionit e këmbeheshin me rrëmbim ngjyrimet dhe ndijimet e të gjitha nuancave.
Romani “Dy jetë” i P. Papandos
Në romanin “Dy jetë” të autorit korçar P. Papando, vëmendjen e tërheq erudicioni i tij kulturor. Në qendër të subjektit është një romancë që nis me një njohje rastësore në trenin Verona-Firence, midis studentit shqiptar Gjergji dhe turistes amerikane Dajana. Ky takim i rastësishëm evolon me një shpejtësi të pabesueshme dhe përfundon në një flirt seksual që më vonë shkakton një dramë të thellë familjare, që ndër të tjera përfshin dhe analizat e ADN-së dhe shumë pasoja të mëtejshme në jetët e tyre paralele në Amerikë dhe Shqipëri. Rastësia këtu merr trajtën e një shoku psikologjik që ndikon në vetëdijen etiko-morale të personazheve dhe i çon ata në përballje me një realitet absurd. Trilli i dashurisë një ditore këtu i tejkalon kufijtë e një incidenti të çastit.
Sentenca krahasuese
Në të tre veprat, ngjarjet zhvillohen brenda 24 orëve dhe kanë si pikënisje një rastësi që ndikon gjithë jetën e personazheve. Bellow thekson rëndësinë e rrënjëve të thella, të trashëgimise morale dhe introspektivës për të gjetur kuptimin e jetës dhe për të kapercyer çdo sfidë të saj. Ndërsa Cvajg i jep rëndësi detajeve të dukshme, sipërfaqsore për të zbuluar thelbin e personalietit dhe karakterit. Papando qëndron më neutral në këtë analizë,i ndikuar më shumë nga soc-realiteti absurd ai përpiqet të gjejë një shpjegim në racionalitetin e teorisë së probabilitetit.
Në përfundim…
Krahasimi i këtyre tre autorëve—Zweigut, Bellow-it dhe Papandos—nxjerr në pah një element të përbashkët: se rastësia mund të shërbejë si katalizator për zbulimin e së vërtetës njerëzore. Pavarësisht kohës, vendit apo kontekstit kulturor, fenomeni i rastit shfaqet si një element narrativ me potencial të jashtëzakonshëm filozofik, etik dhe estetik. Ai përfaqëson kapërcyellin mes fatit dhe zgjedhjes, mes ndjesisë dhe ndërgjegjes dhe shpesh shërben si pasqyrë e tensioneve të brendshme të individit modern e postmodern. Në këtë mënyrë, rastësia në këtë lloj letërsie nuk është kurrë vetëm aksidentale. Ajo është botkuptimore, denigruese ose ndriçuese dhe pikërisht për këtë arsye mbetet si një nga mjetet më të sukseshme e më të fuqishme të narrativës moderne. Rastesia shërben dhe si fenomen letrar për ngjarjet,dhe si pikënisje për prespektivën,por dhe si mekanizëm filozofik për të eksploruar jetën dhe karakterin njerëzor. Ndaj tek ne është e njohur shprehja se “rasti është mbreti i botës”. Kjo ndër të tjera dëshmon se rasti, si përvojë jetësore dhe si instrument letrar, mund të shërbejë si gjenerator i fuqishëm i emocioneve, reflektimeve dhe zhvillimeve narrative suprizuese.