Dr. Iris Halili: Kur shkruajnë femrat!
Kur shkruajnë autoret femra thyejnë barriera, lexohen edhe më shumë nga femrat dhe ne një kohë rekord arrijnë të përmbysin pushtetin e letërsisë që për më shumë se 20 shekuj është sjellë nga autorët meshkuj!
Në çastet që flasim 60 % e letërsisë fiction dhe të kujtimit është e shkruar nga autore femra!
Letërsia e femrës shqiptare, ndonëse pa trashëgimi, ka ecur pothuaj në të njëjtin hap me zhvillimin e letërsisë së femrës në botë!
Fjala e mbajtur në takimin “Pena e Gruas”, organizuar nga Lidhja e Shkrimtarve Shqiptarë në SHBA:
Në vitin 1996, sapo kisha ardhur nga disa muaj studimesh në Londër. Prej andej studimet mbi letërsisë feministe më kishin bërë për vete. Me entuziazëm, i solla ato tek studentët e mi në auditorin e Universitetit të Tiranës. Ndërsa studentët u befasuan me një letërsi NDRYSHE, disa nga kolegët konservatorë debatuan se ky drejtim nuk ka asnjë logjikë, pasi letërsia nuk dallohet nga gjinia seksuale e atij apo asaj që e shkruan. Në fakt, ndonëse letërsia e femrës në vitet e fundit të shekullit të 20-të kishte filluar të formësohej gjithnjë e më shumë, për mjedisin akademik shqiptar ajo mbetej ende një tabu.
Nga studimet e atëhershme kisha kuptuar se vërtet letërsia e femrës ishte krejt ndryshe nga ajo e meshkujve, pasi ajo sillte personazhe dhe karaktere femra, tashmë të ndërtuara, veshura apo krijuara nga autore po femra.
Deri në atë shekull, letërsia ishte dominuar nga letërsia e shkruar nga meshkujt dhe ishin këta të fundit që shkruanin mbi femrën, dmth shkruanin si e kuptonin ata natyrën e saj. Tashmë në letërsinë e shkruar nga femrat, lexueset-femra po e gjenin veten të përshkrura nën këndvështrimin e një femre tjetër, apo seksit të njëjtë me to dhe kjo i tëhiqte më shumë të lexonin këtë lloj letërsie. Po kështu kritika letrare e letërsisë femërore po zhvillohej gjithmonë dhe më shumë nga vetë femrat. Tipari tjetër ishte ai që e karakterizon edhe sot letërsinë e femrës – përqëndrimi tek shpirti i saj. Po krijohej kështu një si e ashtuquajtur aleancë mes letërsisë, lexueseve dhe kritikës me autore po femra sipas formulës femrat që lexojnë femrat.
Në ato vite, shkrimtaret femra ndonëse po shtoheshin në numër sërish ishin në minorancë me ata meshkuj, ndërsa sot, pas 30 vjetësh, 60 % e botimeve botërore në gjininë fiction dhe atë të librave me kujtime vjen nga autore femra.
Ky revolucion në letërsi padyshim tregon edhe emancipimin e vetë femrës në shoqëri.
Edhe takimi “Pena e Gruas”, organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë në SHBA, është një dëshmi e qartë e kohës kur jetojmë. Ky takim vjen natyrshëm, ashtu siç krijimtaria e femrës shqiptare ka ardhur dhe evoluar, sidomos në këto 3 dekadat e fundit. Ne tashmë kemi shkrimtare, poete dhe studiuese femra që botohen nga shtëpitë më të mira botuese, lexohen dhe kërkohen nga lexuesi dhe, mbi të gjitha, kemi një autenticitet (veçanti) të shkrimeve që i kalon nivelet kombëtare.
Ndonëse letërsia shqiptare fatkeqësisht nuk trashëgoi nga shekujt e kaluar autore të spikatura, sikurse letërsia angleze, franceze apo amerikane, sërish shkrimtaret shqiptare shkëlqyen në letërsi, pak a shumë në të njëtjën kohë kur edhe letërsia botërore e femrës po prezantohej si fenomen i mëvetësishëm. Si rezultat letërsia e femrës në Shqipëri i takon në zhvillim të njëjtës fazë kohore sikur letërsia femërore në pjesën tjetër të botës.
Edhe aktiviteti i sotëm është një dëshmi për këtë. Antologjia “Pena e Gruas”, që po promovojmë sot, është një përmbledhje e 50 autoreve shqiptare që jetojnë në kontinentin amerikan dhe padyshim është një iniciativë e jashtëzakoshme që vlen të krijohet si model pune edhe për vitet në vazhdim. Përzgjedhja e këtyre autoreve është një hap më shumë drejt evidentimit të shkrimtareve femra, por është njëkohësisht një vlerësim i duhur për këto autore që ndonëse të gjitha të talentuara në botën e shkrimit, emigrimi nuk ia ka dhënë luksin ta zgjedhin atë si profesion.
E megjithatë ato sërisht shkruajnë, botojnë dhe nuk e braktisin pasionin e tyre. Ato zgjedhin gjuhën e nënës dhe botojnë në po atë gjuhë dhe kjo është një arësye më shumë për tu vlerësuar , pasi edhe falë këtyre autoreve gjuha shqipe jeton e pastër mes komunitetit shqiptaro-amerikan në emigrim.
Jam e bindur që me punë të tilla promovimi i vlerave letrare të penës së gruas do të arrijë nivele edhe më të larta dhe mbi të gjitha do të arrijë njohje edhe më të gjëra, pasi problemi më i madh i letërsisë shqipe nuk është mungesa e shkrimtarëve të mirë, por mungesa e mediatorëve që do të mund t’i promovonin vlerat tona letrare duke i krahasur me ato bashkëkohore.