Çapajev Gjokutaj: Brashnjat e Van Gogh
Tek po shihja këtë pikturë të njohur të Van Gogh, m’u kujtua fjala e motshme ‘brashnja’, që përdorej dikur për këpucë të vjetra e të roitura. Dhe pyeta veten: pse mjeshtri i penelit nuk zgjodhi të pikturonte një palë këpucë të reja, të bukura e në modë po përjetësoi këto vjetërsira?
Arsyeja e parë është se ato iu ndodhën. I pat blerë në një treg sendesh të përdorura në Paris po nuk i përdori ngaqë e vrisnin. Një ditë prej ditësh vendosi t’i pikturonte dhe kështu brashnjat që s’i hynin kujt në punë dhe që dukej se e kishin mbyllur historinë e jetës së tyre, u bënë nga këpucët më interesante të botës, këpucë që do emocionin miliona dhe do shtinin në të thella koka të mëdha si Hajdeger, Derrida etj.
Po veç arsyes banale ‘i pikturoi se ato iu ndodhën, se i kishte paguar e s’ia kish qejfi t’i flakte pa u parë ndonjë dobi’, ka një varg arsyesh serioze, madje edhe të thella që e shtynë Van Goghun t’i pikturonte.
Që këpucët e roitura janë ku e ku më domethënëse se ato të rejat, e kanë ditur përralltarët e të gjitha kohëve që, kur heronjtë e tyre kapërcenin vështirësitë e rehatoheshin, i jepnin fund rrëfimit, e mbyllnin me shprehje të tipit ‘dhe u plakën e u trashëguan’. Lumturia nuk preston për art, shumë shumë mund të pjellë ndonjë këngë tralala apo ndonjë operetë sentimentale.
Mjeshtër i penelit, Van Gogh ka përdorur një varg teknikash për ta përqëndruar vemendjen e shikuesit tek këpucët dhe tek fakti që janë stërpërdorur. Sfondi i kursyer, aplikimi i trashë i bojës, linjat ekspresive, ngjyrat e tokës, të gjitha këto dhe të tjera shërbejnë për ta përqëndruar vemendjen tek këpucët dhe statusi i tyre duke sugjeruar se nuk kemi të bëjmë me objekte të rëndomta po me bartëse historish, fati e përvojash.
Në rrafsh simbolik këpucët lidhen me udhën e udha me jetën. Ashtu të lëna thjesht mbi tokë përcjellin një ndjesi vetmie e izolimi, karakteristike sa për periudhën e fundit të jetës së njeriut, aq edhe për kohën kur Van Gogh i pikturoi. Ishte periudha kur artisti po përballej me shqetësime të shëndetit mendor dhe pikturimi i sendeve të zakonshme i shërbente, me sa duket, edhe si një lloj terapie për t’i krijuar vetes, qoftë edhe për pak çaste, ndjesinë e të thjeshtës e të qendrueshmes.
Gjithnjë në rrafsh simbolik brashnjat e Van Gogh të shtyjnë të meditosh për rropatje e varfëri dhe bashkë me këtë të vjen në mend se artisti, tablot e të cilit sot shiten me miliona, nuk shiti veçse 2 – 3 vepra sa ishte gjallë dhe ato jo me ndonjë çmim kushedi se çë. Arti i tij krejt i veçantë, që shpërfillte norma e kanune akademike, donte kohë të kuptohej e të shijohej se njerëzit si dhe sot bredhin pas gjërave të lehta të tipit tralala zura një galë. Kështu që artisti gjenial vdiq i varfër, i pavlerësuar e gati gati i roitur fizikisht e mendërisht si dhe brashnjat e kësaj tabloje.