Cikël poetik nga Valbona Kolaveri
Rrugë më rrugë
Rrugë më rrugë i shkela mendimet
E çmendur zemra në arrati
Aty m’u thyen të gjitha pasqyrat e shpirtit
Mijra shembëlltyra njëra-tjetrën derdhën
*
Rrugë më rrugë i gjeta kalimet
Pres veten të shoh në ndonjë fytyrë
Fjalët një nga një m’u dogjën heshtjesh
Hiri tyre mbeti buzëve që u shkretën
*
Rrugë më rrugë më kot kërkova
Tek vetja të të gjej aty
Kur vetes unë i thyej veten
Vetja ime më nuk është tek ti
*
Rrugë më rrugë po rigjej veten
Të ngjis me turr copat e shpirtit
Shtigjesh mos të mbetem peng
U fshij ngadalë pluhurin e mallit
*
Rrugë më rrugë e mora veten
E mbajta rëndë përmbi shpinë
Vetja pret tē mos e lodhë veten
Me veten pres të shplodh vetminë
Për atë Zot
Për atë zot grua
Mos urre më duaj
Je grua dreqi ta hajë
Jam dhe unë si ty
një grua
*
Për atë zot grua
A s’te deshën mbrëmjeve
Që mëngjeset pret të derdhësh zemëratë
Vër kurorē mbretërie zgjidh për perla gra
*
Për atë zot grua
Parfumin mos harro të hedhësh
Që të ndihesh një liqen lulesh
Vish dorashka dashurie, mos u ngrat
Vër varësen me gurin e çmuar zemër e bardhë
*
Për atë zot grua
Vishe fjalën ngrohtë
Duaje veten grua, vetëm dashuro
Qe burrat tëtë duan çmendurisht
Krihu me krehërin e artë diell
*
Për atë zot grua
Vish pallton elegancë e me të veç bëj paradë
E fto në të veç gra
Grua, zhvish kostumin xhelozi
Prije fustanin të kuq, më të bukurin, Dashuri
Bota u çmend
Bota u çmend
Mëngjeset po thinjen para se të zbardhen
E presin të plakura mesditët që vetëm hanë
Njerëzit ecin e mpihen
e zhyten ndër turma
E ndalen ndër ta përgjumshëm aty zënë e flenë
*
Bota u çmend
Kështu,
somnambul nga mëngjesi gjer në darkë,
Rrugët buçasin frikshëm,
këmbëshkelës brutalë
Që mbarsen çdo sekondë si farë e hidhrës
Të pafe që zotat i lusin përtej kufijve të frikës
*
Bot u çmend
Dhe fëmijë po ka më pak
Pleqtë po rrudhen skutash
Me arkivole të pronotuar në smart
Të rinj po grisin rrugët të mjerët endacakë
*
Bota u çmend
Ku gratë s’janë më gra
E burrat aq më pak janë burra
Ka kohë që rolet kanë ndërruar
Dashuritë dot s’i këmbyen se u humbën udhëve
*
Bota u çmend
Dhe unë po çmendem bashkë me të
Tek flas nën zë unë nuk jam e çmendur
Bota më çmend e më thotë
ti je e marrë
Me çmendurinë e saj
kjo botë më ka trembur
*
Bota u çmend
Ka zgurdulluar sytë
Se orët i kanë ngecur
Botës budallaqe po rrekem ti ik
Me të jam gjithkund e njëherësh askund
*
Bota u çmend
U çmend përnjimend.
Unë
Unë s’jam më e njëjta
As dje s’është më si më parē
Me kohën kohët i rrëshqas
Endem kohësh, po kohë më nuk ka mbetur
Rrekem të shkel kohën
Por koha më ka shkelur
*
Unë s’jam më e njëjta
Kohësh akrepat kohë lëviza si sahat
Vite dritë më bëhet se kam ecur
Kohët janë pa kohë, po kohë më nuk ka
Vërtitem nëpër to diçka nga unë t’ketë mbetur
*
Unë s’jam më e njëjta
Me kohët bisedoj më kot
E djeshmja iku s’kthehet më
Kur kohët t’i kthej pas në kohë
S’di në cilën kohë unë veten ta gjej.
………………
Unë s’jam më e njëjta
Kohësh udhëtova, por kohë udhës nuk u gjet.
Harrimi i vetes
E harrova kohësh veten prej vetes
Këmbëkryq u ula udhëve të zemrës
Mijëra nisje mora veç brengës s’mora tjetër
Imja u la djerrë në honet e harresës
*
Veten ndjek nga pas ikjeve pa kthim
Botën ta përplas borxhin t’ia marr
Kohët që kërcasin zotat me nxitim
Vetes t’i kthej veten
peng të zënë në vaj
*
Veç vetja do më dojë më shumë pas kësaj
Shpirtin t’ia kthej, bota le të rend si e marrë.