Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: “Skrap-hekurishtja më e bukur e Evropës’

Skrap-hekurishtja më e bukur e Evropës (Forcat Ajrore të Shqipërisë)
Senad Guraziu, Janar 2019

(pak fjalë për diç si mini-dokumentar derivativ nga 2 albume fotografike, afro 150 foto, rreth ish-Aviacionit Shqiptar, të fotografëve Rob Schleiffert, 2007 dhe Erwin Alexander, 2016)

Në Nëntor 2018, NATO e miratoi vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor. Kjo nënkuptonte që Baza Ajrore e Kuçovës të shndërrohet në bazën e parë ajrore të NATO-aleancës në B. Perëndimor. Një lajm ky i madh dhe i gëzueshëm.

Një titull i fotografit Rob Schleiffert, mbase pakëz “ironik” por njëkohësisht dhe fort i qëlluar, “Skrap-hekurishtja më e bukur e Evropës”, dhe i cili aludonte në bukurinë e ndryshkur të ish-Aviacionit Luftarak Shqiptar (fotot e veta Schleiffert i përshkruante të jenë diç si “vintage beauty” prej mbeturinash), sikur padashtas ma pati zgjuar një “shije të hidhur”… pasi që (ndoshta pakëz duke qenë dhe vetë ish-kadet ose nxënës i dikurshëm i një shkolle teknike të aviacionit) gjithmonë kam patur dhimbjen që Shqipëria s’e kishte hëpërhë fuqinë ekonomike për blerjen e avionëve modernë, për vazhdimin e hapave me kohën dhe dmth. të investonte në përtëritjen e eskadrilave të vjetruara, të kthyera në hekurishte. Pothuaj sikur “muzeumet fushore” të Kuçovës, të Rinasit, Laprakës, Farkës, të bazës ajrore në Gjadër etj. e pamundur t’mos e “luhasnin” shpirtin e cilitdokujt, madje dhe të turistëve si fotografë të rastit, padyshim dhe ata do ta ndjenin një lloj keqardhjeje.

Thuhet se kah fundi i v. 1990, Forcat Ajrore Shqiptare i kishin rreth 200 avionë të ndryshëm, dhe rreth 40 helikopterë. Dy dekada më vonë, në v. 2009 Shqipëria bëhet anëtare e NATO-s, dhe “forcat ajrore” të saj përbëhen nga 13 helikopterë italianë AB205, AB206, A109, 3 helikopterë gjermanë EC145, dhe 4 helikopterë të prodhimit francez, Cougar. Pra kryesisht “forcë helikopterike” prej rreth 20 fluturakesh me elisa.

Në vitet ’70 (dmth. të shek. XX) Aviacioni Luftarak i Shqipërisë i kishte pakashumë në gjendje aktive mbi 70 fluturake MIG-19 dhe 12 sosh MIG-21, pastaj një skuadër MiG-17 dhe mjaft avionë të trajnimit MIG-15. Pas v. 1962, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Aviacioni Shqiptar qe pajisur kryesisht me versionet kineze Shenyang të MiG, F6 (MiG-19 kinez) dhe F7 (MiG-21 kinez). Gjithsesi, 2-3 vite më herët, në v. 1959 qe blerë një eskadrilë, 12 avionë MiG-19 nga Bashkimi Sovjetik.

Në trazirat e 1997-ës, 7 avionë MiG qenë “prishur”, shkapër-shprishur, demontuar… dhe pjesët e tyre qenë vjedhur. Askush asnjë llogari (ose sëpaku unë s’kam “dëgjuar” të ketë dhënë kush llogari – jo se na qenkam aq i “dëgjueshëm” por s’kam dëgjuar gjë : ) Të ta vjedhin pothuaj një eskadrilë MiG-ash, dhe what… asgjë! Okidoki!

Në v. 2016, Ministresha e Mbrojtjes, Mimi Kodheli (për shtypin perëndimor) e pati shprehur habinë rreth “interesimit” të disa shteteve për t’i blerë avionët e ndryshkur të Shqipërisë (me qëllim t’i ekspozonin nëpër muzeumet e tyre). Me çmimin tashmë për “hekurat e ndryshkur” prej 9.000-15.000 dollarë, Shqipëria i ofronte për shitje disa ndryshkurina, si psh. Yak-18, MiG-15, MiG-17, MiG-19, MiG-21, e po ashtu dhe ca helikopterë. As Kodheli, as zyrtarët e lartë të Forcave… e as qeveria s’patën pritur se do shiteshin pothuaj si hallvaja.

MiG-at ashtu-kështu janë aq të shtrenjtë për t’i blerë, s’janë të “lirë” as për t’i mbajtur e ushqyer. Sipas ekspertëve shqiptarë, për 1 minutë MiG-19 i paskësh “hëngër” afro 60 litra mjaltë. S’është nevoja të llogaritet sa “mjaltë” duhet për 160 pilotët e diplomuar nga Akademia e Vlorës dhe për 80-orëshin minimalistik, si orar vjetor i fluturimit të tyre. Kot, s’ia vlen as llogaria as nostalgjia. Pa le nëse MiG-at janë të 50-ave, 60-ave, e të 70-ave, hanë si të babëzitur. Qëkur (pas 1962 me BRSS) në v. 1977 edhe me Kinën qe prishur “miqësia” diplomatike, “miqësia” ekonomike, ushtarake, ideologjike… gjithçka. Dhe dihet, vjetërsirat e ndryshkura sjellin aksidente tragjike, jo vetëm në Rinas.
Nga 1980-ta e deri tek tani ka kaluar pothuaj gjysmë shekulli. Andaj “lamtumira” zyrtare e Shqipërisë nga aviacioni i vjetruar ishte kushtëzuar nga vetë arsyeja të ndodhte në v. 2005, kur qe kryer dhe fluturimi i fundit me njërën nga fluturaket.

[ pak histori ]

Në Dhjetor të 1912, një javë ose 6 ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë në historinë shekullore u krijua Ushtria Kombëtare (më parë Shqipëria ashtu-kështu nuk “ekzistonte” si shtet, si ngrehinë e pavarur shtetërore), për herë të parë u krijua dhe Ministria e Mbrojtjes Kombëtare (Ministria e Luftës).
Në Tetor 1913, me vendim të konferencës së ambasadorëve në Londër, një grup ushtarakësh holandezë (oficerët De Weer dhe Thomson, si dhe 15 oficerë të tjerë) ndihmuan në ristrukturimin dhe përgatitjen e xhandarmërisë.

Sidoqoftë, me agresionin fashist të Italisë, në Prill 1939, gjithçka që shteti shqiptar dhe Forcat e Armatosura kishin arritur deri në fillimin e Luftës së 2-të Botërore do të zhbëhej, thua se s’kishte ekzistuar kurrë. Shteti u “shua” e rrjedhimisht dhe Forcat e Armatosura.
Në ato rrethana të okupimit lindën faksione politike e forcash të reja të armatosura (që u përkisnin grupimeve të ndryshme politike të kohës). Forca më e madhe dhe që kishte një skemë organizative, formacione të disiplinuara, një Shtab a Komandë, ishte Ushtria Antifashiste Vullnetare Nacional-Çlirimtare.

Thuhet se kjo ushtri i pati 24 brigada, 8 divizione dhe 3 korparmata, me rreth 45.000 luftëtarë. Pas çlirimit të vendit, natyrisht UAVNÇ iu nënshtrua procesit të riorganizimit e të modernizimit. Struktura organizative përbëhej nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm, Forcat Tokësore, F. Detare, F. Ajrore, F. Rezervë dhe ato Territoriale.
Nga v. 1950 deri 1968 Shqipëria ishte anëtare e Traktatit të Varshavës. Atëbotë, ushtria shqiptare qe pajisur me armatim dhe teknikë nga Bashkimi Sovjetik.

Qeveria shqiptare që në v. 1914 pati dashur t’i blente 3 fluturake nga Austria për Korpusin Ajror Shqiptar, gjithsesi s’mund të flitet për aviacion shqiptar serioz deri në v. 1951, kur u krijua për herë të parë Aviacioni i mirëfilltë Luftarak. Forcat atëbotë i kishin ca avionë të tipit JAK-18 dhe PO-2. Instalimi i parë i aviacionit “jet” u krijua në Kuçovë në v. 1955 dhe përbëhej nga aeroplanë MIG-15. Në v. 1962 u krijua Regjimenti i Aviacionit në Rinas, i cili përbëhej nga një skuadron i avionëve MIG-19 dhe një skuadron MIG-17. Të njëjtin vit qe krijuar dhe Shkolla e Aviacionit Shqiptar, në Vlorë.

Në v. 1967 u krijua Regjimenti i Helikopterëve, përfshinte dhe rreth 30 helikopterë MI-4. Në v. 1974 u themelua Regjimenti i Gjadrit, i cili përveç disa fluturakeve të trajnimit MIG-17 dhe MIG-15, ishte i pajisur dhe me avionë MIG-21 dhe MIG-19.

Në vitin 1992 Shqipëria e shpalli publikisht dëshirën për t’u bërë anëtare e NATO, dëshirë e cila u pasua me nisma konkrete në këtë drejtim. Në v. 1994 firmoset dokumenti në kuadrin e PFP, një vit më vonë, 1995, Shqipëria është tashmë zyrtarisht pjesë e nismës së PFP, në v. 1999 u përgatit Plani i Veprimit për Anëtarësim (MAP). Proceset integruese të nisura në v. 1992 u ridimensionuan pas v. 1997 në përputhje me realitetet e krijuara dhe arritën pikën kulmore me ftesën për anëtarsim në NATO, që Shqipëria e mori në v. 2008.

Please follow and like us: