Modeli i grave të dhunshme nuk është forcë, por krizë e thellë e normave dhe shpërbërje e identitetit femëror
Armela Xhaho
Në një kohë kur gratë përpiqen ende të çlirohen nga prangat historike të shtypjes dhe diskriminimit, shfaqjet e dhunës së hapur nga vetë gratë nuk janë shenjë emancipimi, por simptomë e thellë e degradimit moral dhe social. Ajo që media dhe rrjetet sociale e shesin si “forcë”, është në fakt një krizë e dhimbshme identiteti. Gratë që rrahin e ulërasin nëpër ekrane, nuk përfaqësojnë fuqizimin – por një dështim të trefishtë: të kulturës, të edukimit dhe të vetë medias që i promovon.
Skenat e dhunshme që qarkullojnë në TikTok, Instagram e portale sensacionaliste, nuk janë më përjashtim – janë bërë normë. Në vend që të ndalojnë përhapjen e dhunës, këto platforma e ushqejnë me klikime, e stimulojnë me lavdërime dhe e shpërblejnë me vëmendje. Kështu, dhuna e grave kthehet në spektakël, në një reality show të pashpallur ku nuk ka më kufij midis të lejuarës dhe të papranueshmes.
Këto gra “të forta” dhe “garipe” na rikthejnë një epokën e barbarizmit kur dhuna ishte mjeti i vetëm i të pamundurve për të dëshmuar ekzistencën e tyre. Më akuzojnë shpesh që mbroj shumë gratë, se jam “feministe e flaktë”, madje se i privilegjoj ato në mënyrë të pabarabartë. Por në thelb, unë mbroj një vlerë bazë: të drejtën për të qenë njeri, me dinjitet, pa frikë dhe pa dhunë – as nga burrat, as nga gratë etj…
Kur shoh gra ‘garipe” që përdorin dhunën si formë vetëpohimi, nuk shoh fuqi, shoh barbarizëm, instikte primitive, përçmim. Shoh zbrazëti, mungesë vetëpërmbajtje, dhe një identitet femëror të copëzuar që zëvendësohet me agresion të pakontrolluar primitiv.
Nuk është vetëm veshja që i objektifikon – edhe ajo shndërrohet në një produkt për konsum masiv në ekran, ku trupi i gruas nuk përfaqëson më as individualitet as dinjitet, por thjesht një “klikim” më shumë, një objekt për të shuar epshe. Ajo që të lë më tepër pa fjalë është gjuha: primitive, instinktive, brutale. Është sikur gratë nuk komunikojnë më me fjalë, por me ulërima dhe goditje, të frymëzuara nga një instinkt për dominim kafshëror, jo për emancipim.
Pa dashur të ofendoj askënd, nuk e kuptoj se si mund të dëshirohen gratë “garipe” nga meshkujt. Mgjth në ndonjë temë tjetër duhet trajtuar dhe kriza e identitetit mashkullor dhe modelet fluide të burrnisë. Në vend që të ndërtojmë një shoqëri të bazuar në arsyetim, vetëpërmbajtje dhe dialog, po rrëshqasim drejt një realiteti ku edhe gratë – dikur ato që përçonin vlerat e ndjeshmërisë dhe empatisë – po përqafojnë modelin e burrërimit të dhunshëm si shenjë “suksesi” apo “fuqie”.
Po çfarë mesazhi po japim te brezi i ri kur shohim gra që sillen si banditë në rrugë dhe pastaj kthehen në “influencuese” me mijëra ndjekës? Po humbasim busullën morale. Po edukojmë një shoqëri që nuk e dallon më turpin nga lavdia, dhunën nga suksesin, cirkun nga realiteti. Media sociale nuk është më një dritare e lirë për mendimin – është bërë pasqyrë e shformuar e instinkteve më të ulëta të njerëzimit.
Feminiliteti nuk ka të bëjë me dobësinë. Ka të bëjë me mençurinë për të ndërtuar, me fuqinë për të shëruar, dhe me kurajën për të qëndruar njerëzore në një botë që po egërsohet. Kur gratë vetë bëhen përhapëse të dhunës, kemi kaluar përtej një incidenti individual. Kemi hyrë në një fazë alarmi për vetë themelin e shoqërisë. Ketë model të dhunës e pashë të reflektuar dhe te klasa e fëmijës tim, ende në shkollë 9-vjeçare, ku thjesht pse është vajzë mund të qëlloj një djalë dhe të justifikohet se e bëri padashje, se i shkau dora, se gjasme gocat kanë instikte që djemtë mund t’i tolerojnë për vetë faktin që një djalë nuk merret me një vajzë. Në fakt, situata degradoi pasi reagimi nga ana tjetër ishte po aq instiktiv, vetëmbrojtje dhe një formë për tu mbrojtur nga bullizmi i klasës.
Diku e kam parë këtë model në emisionet e dhunshme dhe prap shfaqet tani si për tu rikujtuar fëmijëve që “ kur s’dim të argumentojmë si njerëz, mund të degjenerojmë në kafshë”. Jemi bërë një shoqëri që nuk e refuzon më dhunën – e konsumon, e kërkon, e shpërndan. Jemi kthyer në përdorues të përditshëm të dhunës si formë argëtimi. Jemi kthyer në një shoqëri që ushtrojmë dhunë, përjetojmë dhunë, duam dhunë si ushqim i përditshëm. Dhe kjo është një tragjedi e heshtur që po na shpërbën nga brenda.
Nëse duam një grua të fuqishme, ta kërkojmë atë në zgjuarsinë e saj, në vetëpërmbajtjen e saj, në rolin e saj si ndërmjetëse e paqes – jo në versionin vulgar dhe brutal që rrjetet sociale po e promovojnë si “normale”. Sepse ajo që po shohim sot, nuk është emancipim. Është dështimi ynë kolektiv për të mbrojtur humanizmin në kohën e klikimeve.