Albspirit

Media/News/Publishing

Promovohet në Tiranë poema e Luan Ramës “Ode për tempujt që nuk u harruan”

Vepra një himn për bashkëjetesën dhe faljen, e cila duhet të ngrihet mbi tragjeditë

Poema “Ode për tempujt që nuk u harruan”, shkruar nga Luan Rama, pas suksesit të filmit me të njëjtin titull, është në duart e lexuesit në variantin e printuar. Filmi “Ode për tempujt që nuk u harruan” do të jetë pjesë e Albanian Film Festival, i cili organizohet në Boston, MA në datë 19-22 qershor.

Luan Rama është zë një vend të veçantë në letërsinë dhe artin tonë bashkëkohor, si poet, publicist, kineast, filozof, shkrimtar, eseist, kritik arti, mendimtar. Ai është prurësi në kulturën shqiptare i dhjetëra librave letrarë, publicistikë, shkencorë dhe albanologjikë. Nëpër arkivat e Francës, të Gjermanisë e Greqisë, ai ka rendur në gjurmët e kërkimit të historisë shqiptare. Ka publikuar botime për shqiptarët dhe arvanitasit, në të gjitha trojet ku ata jetojnë, duke u përpjekur të nxjerrë nga arkivat një histori të fshirë dhe të manipuluar nga qarqet shoviniste.

Vepra “Ode për tempujt që nuk u harruan”, e sapobotuar nga Shtëpia Botuese “Albas”, nën kujdesin e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini, është një poemë narrative elegjiake, një rrëfim me zë të brendshëm. Është historia tragjike e popullsisë çame, kalvari i vuajtjeve dhe tmerri i genocidit. Poetin e drithëron dhe e mundon kjo tragjedi, si dëshmi autentike e një realiteti makabër, e brujtur me dhimbje të skajshme, por edhe me krenari e shpresë. Në këtë vepër është dhimbja dhe dashuria.

Në takimin promovues që u organizua, në ambientet e “Tirana Internacional” në Tiranë, mbrëmjen e 7 majit 20025, morën pjesë gazetarë, studiues, artistë, kineastë dhe veprimtarë të shumtë kombëtarë.

Prof. Bashkim Kuçuku, duke bërë një analizë profesionale të kësaj vepre, tha se kjo është një poemë ku janë tre lloj shkrimesh të alternuar. Poema është futur në një lloj skenari, që është realizuar edhe si film, nën interpretimin e aktorit Alfred Trebicka. Poema ka shumë zëra. Për të mbështetur këtë poemë autori ka sjellë edhe shumë fakte të gazetave dhe kronikave të kohës për gjenocidin. Në këto 34 vjet janë shkruar shumë poezi dhe poema për Camërinë, por kjo vepër është nga më të mirat. Në vitet 60-70 shquheshin krijimet e Bilal Xhaferit (më e spikatura “Baladë çame”). Në vitte e para pas vitit 1990 spikat libri i Ali Podrimjes “Te gurët e Prevezës”, e pasuar tani nga “Ode për tempujt që nuk u harruan”. Ky titull më duket shumë i gjetur, pasi në të janë ngjeshur disa domethënie. Odet në lashtësi ishin këngë që u këndoheshin betejave heroike dhe shoqëroheshin me muzikë. Këtu kemi të bëjmë me një tragjedi, që poezinë e ka kthyer në muzikë. Tempujt ishin përmendore që u kushtoheshin perëndive. Tempujt në këtë poemë janë shtëpitë, aq të shenjta në kujtesën e çamëve. Janë tempuj të shkatërruar, por nuk janë tempuj të harruar. Kujtesa është vetëdije, qëllim. Dhe çamët do ta harrojnë Çamërinë vetëm kur të vritet kujtesa. Kjo është pikërisht një poemë që të mban gjallë kujtesën, poemë e shpresës dhe e kujtesës. E brujtur me humanizëm e shpresë.

Arkivat ishin të mbyllura për 50 vjet, por nëpër arkiva ishte arkivuar kujtesa e çamëve, të cilat u hapën në vitin 1991, me fitoren e fjalës së lirë, kur doli edhe Gazeta Çamëria dhe filluan botimet për Çamërinë. Nga arkivat doli një pjesë e historisë, u informuam se çfarë kish ndodhur realisht në Çamëri. Kontribut dhanë edhe albanologë dhe historianë të huaj. Gjatë këtyre 34 viteve është hedhur në letër kujtesa e çamëve. Luan Rama i takon brezit të tretë që shkruan për kujtesën. Historitë i ka trashëguar nga gjyshja, nga nëna filaqote. Ka bërë tre libra për Çamërinë: I pari “Jani nga Moreja”, që i kushtohet poetit arvanitas të shekullit të 19-të, me origjinë çame i spikatur në letërsinë frënge. Libri i dytë “Dino shtegtar i portës sublime” i kushtohet piktorit të madh Abedin Dino, i cili krijoi një art të shkallës së lartë, artin e frymëmmarrjes dhe të ëndërrës njerëzore.

Shkrimtari Enver Kushi, si skenarist i disa filmave për Çamërinë dhe figurat e Çamërisë, ka shumë kujtime me Luan Ramën. Sidomos kur në Paris u xhirua “Saga e Dinejve”, që i kushtohet dinastisë së dinove të Prevezës. Gjatë leximit të kësaj vepre të shoqëron imazhi dhe fjala e shkrimtarit, ndien dicka shpirtërore dhe përtej shpirtërores. Kështu më ndodhi kur lexova këtë libër që nuk ka më shumë se 90 faqe. Fjala ODE ka forcë emocionale dhe me peshë. Ka diçka danteske në përshkrimet e autorit: harqe guri, porta, dritare të shqyera, magje të braktisura, qiell i vetmuar, i ngrënë, varre, trarë të përmbysur, lugë të ndryshkura, popull i handakosur, rrënoja, muzg, zgavra, hije njerëzore, botë hijesh, grehina në hije etj. Fryma tragjike në poemë është konkrete, tokësore. Po ta lexosh me vëmendje poema të kujton “Mëhallat e botës” të Jani Ricosit, një nga poetët më të mëdhenj të Greqisë, por edhe të botës.

Popujt e Ballkanit, veçmas shqiptarët dhe grekët, kanë patur kodet e tyre të mirëkuptimit dhe miqësisë. Këto kode kanë sfiduar dhe sfidojnë politikat përçarëse, apo erërat që sjellin ngrica e kërkojnë përçarjen mes popujve tanë. Lum ata politikanë, që jo vetëm i kuptojnë, por i vënë në jetë këto kode miqësie.

Luan Rama ka një lidhje shpirtërore të veçantë me Çamërinë si hapësirë, gjeografike, kulturore, si hapësirë e njerëzve fisnikë, si hapësirë e një prej tragjedive më të mëdha të shekullit që lamë pas. Ky është libër i amaneteve, jo vetëm i nënëns së tij, por edhe i mijëra nënëve që i mbuloi dheu i Shqipërisë, pa parë për të fundit herë vendlindjen. Në këtë Ode do të dëgjohen zërat e kujtesës, por edhe heshtja vrastare e fqinjit, duke fshehur krimet. Ne çamët, kudo që vemi, si mantel veshim Çamërinë si dhimbje, por edhe si shpresë.

Luan Rama, përmes kësaj Odeje, na sjell zërin e shpirtrave të shpresës, që na thërrasin përtej varreve masive të Çamërisë, tha poeti dhe studiuesi Ahmet Mehmeti. Libri të befason me larminë strukturore, ku harmonizohen në mënyrën më të këndëshme zhanre nga më të ndryshmet, si poezia liriko-epike, proza e skurtër fiksionale, e seistika, zërate kujtesës, siç i quan autori denoncimet e dëshmiratëve okularë, lajme të gazetave greke nga terreni, raporte e debate të oficerëve madhorë dhe deputetëve britanikë në gazeta amerikane e britanike. Mjeshtëria e lartë artistike e autorit konsiston në tematikën e njëjtë, që i bashkon në diversitetin e tyre, stilin me larmi dhe dendësi të lartë figurative, faktet dhe gjetjet artistike, nga më përfaqësueset për ndjeshmëri, personazhe dhe ngjarje tipike. I konceptuar sipas kësaj mënyre, ky libër shumë i rrallë në llojin e vet është gjedhe/model i një vepre shumë të sukseshme të postmodernizmit, ku çdo përbërës funksionon në harmoni me të tjerët. Padyshim kjo është arritur pas një përvoje shumë të gjatë e të sukseshme, pasi Rama është një shkrimtar me rreth 50 vepra në poezi, prozë, publicistikë, kinematografi, diplomaci etj.

Shkrimtari Ilirian Dahri e vlerësoi Luan Ramën si një figurë poliedrike të kulturës shqiptare dhe asaj europiane dhe ky është një fakt i njohur nga të gjithë, si brenda dhe jashtë vendit, për një krijues i cili ka shkruar dhe botuar mbi 60 libra. Por, edhe sikur diplomati, publicisti, shkrimtari Luan Rama mos të kishte shkruar asnjë tjetër vepër letrare, jam i bindur se do t’i mjaftonte pikërisht kjo Ode, e cila sipas mendimit tim, do të jetë një gur miliar i letërsisë moderne shqipe, tha Dahri. Një këngë solemne, që pasi e lexon dhe e rilexon të përçon një ndjenjë dashurie, një ndjenjë nderimi sublim për popullsinë çame të masakruar «nga hanxhari i “megalo-ideas”» siç shkruan vetë autori në librin e tij «Ode për tempujt që nuk u harruan», të masakruar pra, në dheun e tyre shekullor në Thesproti.

Autori Luan Rama si një arkeolog i vërtetë i fjalës, luan me të, dhe nuk e sheh vetëm si një instrument për të përcjellë një mesazh apo një ide tek lexuesi, por e sheh si një katalizator të përçimit të ndjenjave, të emocioneve, për të na shoqëruar në një histori të dhimbshme dhe rrëqethëse. Na shoqëron pra, në një udhëtim ku mbizotëron lemeria dhe terrori, në mënyrë që edhe një lexues që s‘e njeh atë plojë dhe ato barbari që u kryen në «Luginën e Vdekjes» siç e quan autori Luan Rama, të ketë mundësi që t‘i përjetojë përmes imagjinatës.

Luan Rama është një udhëtar i palodhur dhe përherë i shqetësuar i poezisë. Një poet autentik, që hyn në brendësi të dramës shqiptare, me prirjen për të filozofuar. Dashuria e tij për Çamërinë është e thellë, deri në dhimbje, tha poeti dhe gazetari Arben Iliazi.

Në këtë vepër shpalosen imazhet e tmerrshme të tragjedisë, pamjet makabre të krimeve të bandave zerviste, tragjedi që është transmetuar nga brezi në brez me një vërtetësi të habitshme.

Vepra zbërthen qartë idenë se gjenocidet burojnë nga irracionaliteti i errët, ndaj çlirimi nga kompleksi i inferioritetit është një dlirësim, është afirmim dhe triumf.

Poemën e përshkon shpirti tragjik i dhimbjes së përjetshme, që ngrihet madhështor në ngazëllim e në torturë.

Poema është një rikthim heroik në pafundësi, ku kënga është vdekje dhe vdekja është këngë e përzishme, mbytëse.Poema është nga më tragjiket e shkruara në historinë e letërsisë shqipe. Kjo poemë është shkruar me një origjinalitet, thuajse të mahnitshëm, dhe lexohet me një frymë.

Vepra e Luan Ramës “Ode për tempujt që nuk u harruan” është një himn për bashkëjetesën dhe faljen, e cila duhet të ngrihet mbi tragjeditë.

Në mbyllje të takimit shkrimtari,poetidhe ish-diplomati Luan Rama falenderoi të pranishmit dhe folësit, duke e cilësuar këtë takim promovues si veprimtari me mesazhe të fuqishme ku i flitet të ardhmes, shpresës. Shtëpitë, shpirtrat, vallet, këngët, shpresat, historia nuk harrohen, tha Luan Rama. Une e dua Greqinë, dua Sofokliun, Homerit, gjith poetët e mëdhenj grekë. Kam njëlloj tërheqje ndaj kulturës greke. Por gjith kjo frikë që ka poltika greke që të pranojë vfarë ka ndodghur, është e pashpjegueshme, është një frikë e madhe. Ende mbahen të izolur kufijtë dhe camët nuk lejohen të vizitojnë shtëpitë e tyre. Nëna ime lindi në Çamëri, në Filat, por nuk arriti të shkonte dot. Forcat intelektuale në Shqipëri duhet të bashkëpunojnë me ato greke. Historianët e dy vendeve duhet të nxjerrin në pah të vërtetën.Misioni im letrar do të vazhdojë, bashkëpunimi im me Fondacionin Çamëria dhe drejtuesin e saj Alket Veliu, është mjaft aktiv.

Please follow and like us: