Albspirit

Media/News/Publishing

Senad Guraziu: Sot e 100 vjet askush s’e zuri Kryezonjën e Shkencës!


(- ars poetica, m 24 – pak humor, diç si koment shakalogjik, humoreske : )

…një foto ashtu-kështu e bukur e shkencëtares Marie Curie, e fotografuar në laboratorin e vet rreth v. 1910, e ngjyrosur tashmë nga “Retrograde Colour” dhe dmth. bërë akoma më e bukur si foto e kolorizuar, sikur më “frymëzoi” të komentoj, pakashumë ngjashëm siç dhe dje, fotoja e Presidentit Klinton – Curie ishte fizikante dhe kimiste polake, më pastaj qe natyralizuar si franceze, e cila qe marrë me pionierizmin e kërkimeve shkencore rreth radioaktivitetit…

…e madhja Curie ishte diç si vetë mrekullia e modestisë (dhe vetëm për këtë fakt e meritonte një Nobel tjetër “special”), do ishte gruaja e parë, femra e parë që fitoi Nobel, edhe sot e kësaj dite, pas një shekulli është e vetmja femër që e fitoi Nobelin dy herë, dhe ç’është më e rëndësishjmja e madhështisë (mashështi e cila sikur gjithë burrat e shkencës i mbulon me hije : ) Curie ishte dhe ngeli i vetmi person që e fitoi Nobelin në dy fusha të ndryshme, në dy fushat më të “rënda” shkencore – të gjithë burrat e shkencës, dhe vetë 800 Nobelat e historisë sikur ia “heqin kapelën”…

…shkencëtarët e gjithë botës thonë (dhe janë mjaft sistematikë në thëniet e tyre, ngulin këmbë) kurrë nuk duhet harruar roli i femrave për shkencën, roli i tyre brenda shkencës, por dhe rreth-e-rrotull shkencës, harresa e femrave nuk falet kurrë për asnjë kurrnjëherë, prore duhet kujtuar (për t’mos harruar : ) se nevojiten përpjekje të mëtejshme për ta siguruar barazinë gjinore në shkencë, sidomos në fushat e “STEM”, shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë, jo nga të gjithë… por konsiderohen këto diç si “fushat” me të rëndësishme të intelektit njerëzor (nese t’i tregonim Niçes bie fjala, atij mustakologut të filozofisë, do qeshte e do shkoklohej me këtë konsiderate qesharake të shkencetarëve)…

…e bukur kjo që thonë, sepse nëse krahasohen statistikat e nobelave të meshkujve me ato të femrave, do pikëllohemi skajshmerisht, s’janë aspak statistika të lavdërueshme, 7-8 Nobela meshkujt i mbajnë për vete, vetëm 1 Nobel ua lënë femrave, krijohet përshtypja se do ngelin përgjithmonë statistika “egostatike” – e pata cekur këtë dhe në të kaluarën, gjoja si shaka : )

…e megjithatë, saherë e kujtoj apo saherë “takohem” me shkencëtaren Curie (si psh. rasti sot me foton e saj të kolorizuar) them “bravooo”, Curie e mori Nobelin për Fizikën në v. 1903, dhe po ashtu Nobelin për Kimi në v. 1911, sakaq sikur më ngjallet buzëqeshja që askush nga burrat në historinë e shkencave kurrë s’iu afrua as nuk e zuri, dhe vetë ai Ajnshtajni i madh ia kishte “zili” (s’e ka pranuar kurrë – është fakt që historia s’di gjë, si spekulim i imi tani, ndoshta në Solvay (në konferencat ku bëheshin bashkë kokat e mëdha të shkencës) Ajnshtajni i pikëlluar, i ngrysur sa s’ka më (gjoja rreth mosmarrëveshjeve me Niels Bohr, në fakt e vërteta mund t’ketë qenë ndryshe), nga keqardhja Curie donte t’ia falte gjysmën e njërit prej Nobelave, sepse i dhimbsej…

…mirëpo Ajnshtajni si duket qe “këndellur”, më në fund si burrat e pati ndezur llullën, i pati tymosur ca mendime… dhe nga krenaria nuk e pati pranuar propozimin e saj – s’kam aspak frikë nëse t’më “akuzojë” historia për spekulime, e vërtetë që s’kam fakte por disa gjëra mund dhe të ndjehen, s’është nevoja që gjithçka e shkencave të ushqehet me fakte, thuase shkencëtarët na paskan “fakte” per gjithçka, për energjinë e “errët”… për materien e “errët”, për gjithçka që u shkrep mendja, për 1 milion e 1 teori 🙂

…e bukur që flasin për barazinë e femrave të shkencës, pavarësisht “dallimit” me statistikat e Nobelave, është i bukur “gjesti” që shkencëtarët e shprehin simpatinë, që solidarizohen me femrat e shkencës – psh. aktualisht në CERN vetëm 21.9% e personelit të punësuar janë femra, dmth. afro 80% janë meshkuj, dhe siç e cekëm më lart, siç e dimë “statistikat” e Nobelave janë akoma më keq – gjithsesi, objektivi aspirativ me “25% femra shkencëtare” synohet që t’përmbushet deri në fund të vitit aktual (dmth. të këtij viti, v. 2025) – aspiratë kjo aq e bukur, apo jo, patjetër se u lumtë aspiratave të CERN, në fund të 2025-ës dhe do ta dimë të vërtetën…

…i ka 1 shekull puna e 2 Nobelave të Curie, askush as tek thembra… nga burrat e shkencës, por gjithashtu dihet se çfarë është CERN, s’është nevoja as për çudi as për koment, është vetë marramendja e shkencës moderne, marramendja e gjithë planetit shkencor, e gjithë globit rrotullues, aty qe zbuluar dhe ajo “grimca e Zotit”, ai bozoni i Higgs… dihet se CERN është Laboratori Evropian i Fizikës Thërmijore kur rrinë mbledhur, apo mblidhen gjithë shkencëtarët e botës, dihet që është “shtëpia” e Hadron-aparatit të Madh (LHC), e aparatit më të avancuar shkencor që ka ndërtuar njeriu ndonjëherë, jo vetëm gjatë 400 viteve të shkencave por gjatë gjithë historisë zhvillimore…

…njerëzimi kurrë s’ka patur ndonjë aparat më të avancuar shkencor sesa CERN – andaj është fort e rëndësishme nëse nga 20% në fund të 2025 (kanë ngelur dhe ca muaj, dhe nja gjysmë viti) sëpaku t’arrihet 40% shkencëtare-femra të punësuara aty, s’po themi 50%=50%… jo fifty=fifty, le t’jenë burrat nja 10% sipër, le t’kënaqen dhe ca kohë tutje me ego-statikat e tyre, le t’i marrin dhe ca Nobela më tepër, le t’ngushëllohen sadopak me veset e tyre, ashtu-kështu sot e 100 vjet askush s’e zuri Kryezonjën e Shkencës, të madhen Marie Curie, i vinte inat madje dhe Ajnshtajnit por s’kishte ç’bënte, thjesht shkonte në Solvay dhe e tymoste lullën nga inati : )

Please follow and like us: