Albspirit

Media/News/Publishing

FISNIKËRIA E POETES DHE ETNOGRAFES NGA VLORA, ZAMIRA AGALLIU E KANINËS

Albert HABAZAJ

Vizatimi shkrimor për të mirën Zamirë

E kam parasysh orë e çast sentencën e Emanuel Kantit: “Mosmirënjohja është kuitensenca e poshtërisë”, madje e kam të vendosur në kornizë në Bibliotekën vetiake në shtëpi, prandaj them që Mirënjohja është virtyt njerëzor.

Nëpërmjet këtij vizatimi shkrimor të thjeshtë, por të dëlirë për poeten lirike dhe humanisten e kulturës në Vlorë Zamira Agalliu dua të shpreh mirënjohje për nënën Vlorë, që lind e rrit bija të tilla kaq të denja si Zamira. (Në fakt, bëhen 3-4 vjet, që kam hedhur disa shënime kujtese në fletorkën dixhitale të kompjuterit tim për këtë poete). E vërteta është se me Zamirën jam njohur nëpërmjet vjershërimit të saj, librave që kemi shkëmbyer me njeri-tjetrin, si miq të letrave dhe jemi takuar e kemi biseduar me dashamirësi në veprimtari të ndryshme letraro – artistike të shoqërisë sonë në qytet. Fakti që unë kam nisur një punim për letërsinë femërore në Vlorë para ca vjetësh, ku patjetër dhe Zamira ka ndihmesën e saj në këtë detashment me dritë shkrimore na ka bërë që të jemi miqësisht më pranë njëri-tjetrit, si shërbestarë të misionit fisnik nëpërmjet letërsisë për edukimin letrar në rrafshin artistik dhe estetik, në funksion të edukimit qytetar e kulturor të brezave që rrisim dhe edukojmë.

Në shënimet e para për Zamirën kam shkruar disa mendime për librat e saj që më ka dhuruar. Janë 4 vëllime poetike që ajo ka botuar: 1. “Zemëruar me apostujt”, 2013; 2. “Mall i arratisur”, 2017; 3. “Zjarri i erës;111 grimca poetike”, 2018; 5. librin humoristik për fëmijë “Eni Çamaroku”, 2021. Natyra e saj është e tillë, që nuk nxiton, por shënon. Por pak më tej do të shprehem për këtë ndihmesë letrare të poetes sonë, sepse ajo guxon të udhëtojë edhe në fushën e prozës me tregime, pa hequr dorë nga ëndrrat romanore.

Tri lartësi njerëzore

 Vërej 3 piketa të vlerave humane të kësaj zonje, që dua t’i pëcjell nëpërmjet jush.

Lartësia e parë. Vitin e kaluar (2024), u botua përmbledhja poetike “Frymëzim mbi dallgë” (antologji) me vargje nga poetët e Vlorës në kuadër të 80- vjetorit të çlirimit të Atdheut, e cila u mirëprit, se qe një punë e mirë, sa e lavdërueshme, aq e mundimshme. Ndër përgatitësit e antologjisë isha dhe unë. Sigurisht që, ndër të tjerët e mundshëm, kisha nisur edhe 3 poezi të Zamirës, përkatësisht ato me titull: “Sot në Vlorë”, “Vlorë” dhe “Atdheu”, të cilat autorja m’i kishte dërguar në kohën e duhur. Kur shfletoj librin, poezitë e Zamirës nuk ishin. Nuk e keni idenë, si u ndjeva. Aq keq, sa që më duket se jam unë fajtori edhe sot e kësaj dite. Kush e kishte fajin?! Ec ta gjeje. Faji ngelej dje jetim, jo sot. E kërkova dhe, kur u takova me Zamirën, më erdhi rëndë dhe i fola pak, më tepër si reflektim sesa për shfajsim, se sa parà vlente sqarimi i hollësishëm. Ajo më pa me vëmendje, me një buzëqeshje të pastër e vezulluese si trëndelinë Kanine dhe si një zonjë fisnike më tha: “S’ka gjë Berti. Ja që ndodhi”… Dy fjalë tha e mua më lehtësoi shumë, fitoi mirënjohjen time të gjithmonshme, por më dha një mësim të madh për ta kërkuar e kontrolluar dërgesën e saktë në vendmbërritje. Ka forma sa të duash. Veç vëmendje dhe jo besim i tepruar. Pa mëdyshje mund të them se ishte në të drejtën e saj morale të turfullonte, por ajo vuri në plan të parë anën njerëzore dhe gjykoi me gjakftohtësi e mençuri.

Rasti i dytë. Gjatë muajit mars kisha nevojë për një vend xhirim të duhur e përfaqësues me grupin tim të zemrës “10 Shqiponjat e Tërbaçit” për realizimin e një filmi dokumentar mbi traditat lirike burimore të trevës së Vlorës dhe Labërisë. Pikërisht në këtë muaj unë u sëmura dhe nuk kisha mundësi për të kërkuar e parë folezën e ngrohtë folklorike. Strehëz m’u bënë dr. Skënder Spahiu (drejtor i Muzeut Etnografik Vlorë) me specialisten e këtij muzeu, poeten dhe muzeologen Zamira Agalliu. Shqiponjat e Tërbaçit u mirëpritën me bujari e si s’ka më mirë në mjediset e Muzeut Etnografik Vlorë, të dielën e 30 Marsit 2025 (gjatë xhirimeve për dokumentarin folklorik dhe etnografik – nga kuarteti i studiuesve të rinj e të pasionuar, idealistë të përkushtuar dhe të devotshëm: holandezi Juri dhe 3 shqiptaro – holandezet Anisa, Enxhi dhe Eva). Shqiponjat gjetën mbështetjen humane të stafit, sidomos të Mirësisë humane me emrin Zamira për realizimin e misionit të tyre fisnik e qytetar me prurjen në kohë dhe të pasuruar brenda truallit e tabanit të traditave më të mira të nënave, gjysheve dhe stërgjysheve tona, patjetër dhe të tyren, se janë të dhjeta gjyshe. Mirënjohje për Skënderin dhe Zamirën nga unë dhe simotrat e saj “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, sepse ajo u bë natyrshëm edhe pjesë e grupit. Për gjithçka realizoi dhe kurorëzoi si një zonjë fisnike e Kaninës, duke u bërë pjesë e Grupit, pikërisht kur ne kishim nevojë. Zamira është edhe një këngëtare polifonike cilësore, që di t’ja marrë këngës, di t’ja hedhë, t’ia kthejë dhe ta mbushë këngën, të bëjë iso. E ka në gjenezë këngën labe të Kaninës, vendlindjes së saj. Babai i saj Vendigjar Hysenaj ka qenë themeltar i grupit të Kaninës në vitet 1960 me Meleq Kapllanin e pak të tjerë. Së bashku me meteorin e këngës labe, të paharruarin Piro Bregaj, vëllai i saj, Fatjon Hysenaj ka qenë dhe sot është marrësi karakteristik i këngës së shtruar dhe të ëmbël kaninjote, një nga kolonat e grupit “Ismail Qemali” të Kaninës.

Lartësia e tretë në katror. Më datën 4 prill 2025, Zamira boton shkrimin “Ninulla polifonike, Shqiponjat e Tërbaçit dhe Albert Habazaj” në gazetën “Telegraf”, të cilin e publikoi dhe në portalet shqiptare brenda vendit si “Albspirit” e “Gazeta Destinacioni” dhe në ato me emër në botë, si “Fjala e lirë”, “VOAL”, “Dielli”, “Zemra shqiptare”, “Dituria”, “Galaktika poetike “ATUNIS” etj. Është një shkrim shumë i bukur për grupin tonë dhe Ninullën e Djalit, aq të veçantë me prurjen polifonike si jehonë e atij gëzimi në familjen tradicionale, një vështrim objektiv shkruar me vërtetësi e dëlirësi nga muzeologia, etnografja, Zamira Agalliu specialiste e Muzeut Etnografik Vlorë dhe poete lirike, që zbukuron letërsinë femërore të Vlorës dhe të vendit tonë. Është një shkrim impresionues, emancipues dhe motivues për mua dhe grupin folklorik të zemrës sime “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, sidomos për vështrimin e thukët për Ninullën polifonike për Djalin që i nanurit e këndon gjyshja dhe gëzimtaret e familjes i japin jehonë këtij sihariqin të madh tradicional.

Ndërsa më datën 22 prill publikon një shkrim tjetër më të plotësuar deri në imtësitë e nevojshme me titullin “Shqiponjat e Tërbaçit” tek “Fjala e Lirë” në Londër. U ndjeva aq mirë, saqë m’u duk se po shërohesha më shpejt. Ç’befasi e mrekullueshme në portalin e madh shqiptaro-londinez “Fjala e Lirë”! Zamira shfaqet ashtu siç është: një zonjë e nderuar, qytetare, poete, studiuese, muzeologe, etnografe, që misionin e saj krijues dhe profesional e realizon me shumë dashuri humane. Edhe njëherë e falënderoj këtë autore me diell në sy, në shpirt, në fjalë e veprim, me dashamirësinë më të dëlirë në emrin tim dhe të Shqiponjave të Tërbaçit për gatishmërinë, devotshmërinë dhe artin e shpirtit të bukur.

Se e kam parasysh orë e çast sentencën e Emanuel Kantit: “Mosmirënjohja është kuitensenca e poshtërisë”, them që Mirënjohja është virtyt njerëzor. Me shpirt e dashamirësi përsëri them: Mirënjohje mikpritëse, Zonjë e Rëndë e Shtëpisë së Madhe për Miq të Mirë! (Se…, kur je mirë të kanë të gjithë mik, kur je në “hall” rrallohen deri në mosdukje).

Jetëshkrimi letrar dhe poezia e Zamirës. E lindur më 29 dhjetor 1969, cicërimat e para të vargëzimit të Zamirës janë dëgjuar qysh kur ishte nxënëse e shkollës “Rrapo Hasimi” Kaninë, në vendlindjen e saj. Vjershat e para ka filluar t’i shkruaj qysh në moshën 12 vjeçare. Vargu i Zamirës buron nga kënga. E kush është ai poet që piu ujë të kulluar në gurrën popullore dhe nuk pati jetëgjatësi në kujtesën e lexuesve dhe artdashësve?! Edhe poezia e Zamirës ka rrënjë të shëndetshme në gurrën popullore të trevës së saj, të të parëve të saj nga Hysenajt e Kaninës përmbi Vlorë, familjarë korrektë e atdhetarë, dashamirës të kulturës dhe arsimit. Zamira Hysenaj Agalliu është një poete lirike e motivuar, e cila njihet jo vetëm nga bota letrare e Shqipërisë, por ajo njihet edhe nga bota letrare e simotrës Kosovë. Profili i saj plotësohet edhe me shkrime të mira në publicistikë dhe eseistikë. Shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në Kaninë. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, Fakulteti i Shkencave Humane, Master për mësuesi, licensuar me vlerësim të lartë nga Ministria e Arsimit. Zamira punon dhe jeton në Vlorë. Kontributin letrar e vazhdon hijshëm, pa bujë, me dinjitet letrar, me kërkesa serioze ndaj shkrimit.Poezia është ditari i jetës së saj.

Është vlerësuar me çmime në konkurse si dhe poezitë e saj janë bërë pjesë e disa antologjive të ndryshme. Poezia e saj “Të iki apo të vij” mori pjesë në Festivalin e Këngës për Fëmijë, 2023 në sajë të muzikës së kompozitorit të njohur Elvis Peçi. Pret dritën e botimit libri për fëmijë “Dy vëllezërit e adoptuar”.

Zamira është poete e fjalës së lirë sa që shpesh herë na duket si një zog i lirë që fluturon hapësirave për tek të bukurit yje me fjalën e saj të bukur: “Fjeta me yjet, o i dashuri im sonte/ Po ti jo! Aspak mos u bëj xheloz!/ Zhvesha këmishën e errësirës së qiellit/ Mes reve të bardha nisa të vallëzoj e loz”. Ajo është një grimcë e ndritshme në Galaktikën e Dashurisë, me mesazhe drite të dashurisë për njeriun, për jetën, për librin, për Atdheun, për qytetarinë. Veçori e saj është se shkruan shkurt, shpesh herë tepër shkurt; shkruan pastër, me gjuhë të ngrohtë, me figura letrare të befta, të kuptueshme e që mbahen mend: “Fjala e lirë/ ecte lakuriq/ në këmbë/ elegante/ hijerëndë/ e mirë/ e bukur/ e dëlirë./ Shkuan të lënduarit/ i hodhën peshqirë”. Ajo e ka njohur mirë mërgimin (në Itali) dhe ky fakt ka ndikuar më shumë tek autorja, që si poete e ndjenjës dhe e filozofisë së jetës ta shikojë realitetin në sy dhe motivet shoqërore janë fjala e autores e ngritur në art, është vetë përditsmëria shqiptare, ndaj dhe vjershat me tema sociale apo sociopsikologjike të jenë më të mirëpriturat nga lexuesi i kohës. Ajo shfaqet siç është dhe në krijimtari, poete e imazhit filozofik dhe e moralit të shëndetshëm qytetar.

Poetja Zamira Hysenaj Agalliu ka një stil dhe figurshmëri të qëndrueshme, apo stabile, siç e vlerëson shkrimtari kosovar Murteza Osdautaj. Makrostrukturat e tekstit të përpunuara në atë mënyrë që poezinë e kësaj poeteje e bëjnë të funksionojë lirshëm, me harmoni dhe ritëm tejet të veçantë dhe të arrirë. Vargu i saj ka një stil të kujdesshëm e me një fjalor të përzgjedhur, me një diskurs autorial të dallueshëm dhe me një angazhim të veçantë filozofik. Poezia e Zamira Hysenaj Agalliu qëndron mbi katër shtylla themelore tematike dhe stilistike: Dashuria njerëzore qaset në shumëdimensionalitetin e kësaj ndjenje shpirtërore dhe psikologjike të njeriut “heroit lirik”. Atdheu është aspekti tjetër ku Zamira si rrallëkush ka arritur që të krijojë disa krijime poetike të bukura dhe moderne vështruar nga mënyra e këndvështrimit të saj poetik e atdhedashës. Në librat e kësaj krijuese gjejmë një mjeshtëri artistike të admirueshme, një pjekuri shkrimore që vihet re posa ta fillosh leximin, me një sistem simbolesh dhe makrostrukturash, të cilat shënojnë pikën kulminante në pjekurinë artistike të autores. Ndër poezitë më të spikatura të autores mund të veçojmë ato me titull “Ëndrra”, “Libri”, “Atdheu”, “Nën shi”, “Po kthehen dallëndyshet”, “Kënga e bardhë (Babait)” etj., ku ndjenjat njerëzore harmonike dhe përjetësisht të pandara nga njëra-tjetra: dashuria me dhembjen ngrihen me fjalë shpirti e dritëzim artistik në lartësi të dukshme poetike, larg patetizmit të mërzitshëm, figurave bombastike të madhërishme, që të pickojnë si pickonja (mbesa ime  evogël, Amaris pickonja u thotë mushkonjave)…

Zamira më ka futur në “sherr” me mbesat…

Ai poet që pëlqehet nga fëmijët është më fatlumi. Nuk kam përse të kërkoj në sëndukun e fjalëve të zgjedhura për Zamirën, sepse mjafton të rrëfej shkurt ç’më ngjau me mbesat.  Këto dy muaj që isha në shtëpi (mars – prill), të katër librat e Zamirës i vura tek tavolina e punës para kompjuterit në bibliotekën time. Ngaqë i kam shpirt, më bëjnë shpesh vizita dy mbesat e mia aq të mira që i dua sa bota! Perla, mbesa ime e madhe (në klasë të tretë) e pëlqeu shumë librin “Eni Çamarroku” me humoristika aq të këndshme, ëmbëlsuar shijshëm me alegori, krahasime, metafora, hiperbota e litota, sikur të ishin një shportë me luleshtrydhe të freskta të kopshtit të shtëpisë. Perla ma kërkoi librin. Ia dhashë menjëherë dhe ajo e lexoi vetë. Dhe u kënaq. E vogla, Ami çamarokja, vetëm 3 vjeçe, që rrinte në prehërin tim si milingonë, më kërkoi që t’ja lexoja. “Këndomi le mua Eni çamalokun” – këmbëngulte me besim te “xhushi”. Dhe unë ia lexova me dëshirë dhe intonacion, për ta bërë më zbavitës dhe tërheqës. Mbaroi shpejt, se aq është – libër xhepi. Libri është ndërtuar shumë bukur dhe në formë, në përshtatje të natyrës së fëmijëve të vegjël. Në fakt ëdo lexues mbund ta mbajë fare bukur në xhepin e xhaketës apo në çantën e vogël. Po sa qeshte Ami kur ia lexoja, sidomos kur i këndova (se ashtu thotë ajo) këto 4  vjershëza vogëlushe, që vijnë herë si sheqerka për të qeshur apo akullore që të shkrijnë në gojë, herë si fjalë të urta të mprehta, me thumb kurues e moral fabule në tekst: 1. “Kaposhi: Oh, ndihem kaq i lodhur sot!/ Pula: I gjori, po të bëj shpejt/ Një vezë!…”, 2. “Mësuesja: – Eni, çfarë gjëra të bukura/ Pe në Venedik?/ – Shtëpi që bënin banjë/ mësuese…”, 3. “- Këtë herë nuk po të/ vendos gjobë /- i thotë polici mësueses/ së tij që nuk ka respektuar/ semaforin./ Duhet të shkruash 100/ herë në fletore: “Nuk kalohet me të kuqe”…, 4. “Një automobilist nuk ka/ Lexuar kartelën:/ – “Lejohet kalimi vetëm në/ Ditët e festave”/. Kur e ndalon polici, ai i/ Përgjigjet:/ Sot është festa e ditëlindjes sime zotni polic!…” etj.

Deri këtu jemi shumë mirë, por pas këtij çasti Zamira më ke hapur punë se librin me arush, pra “Eni Çamarrokun” e donte dhe Ami, motra e vogël e Perlës…e donte dhe ma mori. Pa të drejtë kthimi! “Është imi. E ka shkruar për mua teta Zamira – i thotë kompetente motrës së saj dhe se lëshon nga dora, se aq është sa ai libërth simpatik. Po ç’më bëre, moj Zamira Agalliu! Zamira më ka futur në “sherr” me mbesat…

Hë pra, a nuk është i lumtur ai poet/ poete që një vogëlushe apo vogëlush i thotë me entuziazëm të padjallëzuar dhe të drejtpërdrejtë  fëminor: “Është imi!” Dhe e shtërngon fort në gjoksin e tij të njomë e të vockë sa të dallëndyshes…

***

Në studimin që kam mbi Letërsinë femërore në Vlorë, patjetër që janë shkruar disa mbresa më shumë për mirësitë e bukura letrare dhe njerëzore që shkruan, jeton, tregon e vepron me devotshmërinë e saj bujare autorja Zamire Agalliu, kjo fisnike e sotme e Kaninës dhe Vlorës, që e ka ndërtuar profiln e saj letrar e kulturor dhe vijon udhëtimin drejt mjeshtërsisë artistike.

Ujë i Ftohtë, Vlorë, e mërkurë, 14 Maj 2025.

Please follow and like us: