NJË SUBJEKT ELASTIK NË QYTETIN E NGURTËSUAR
(Vëzhgime mbi romanin “Një vend burrash” të Rifat Ismailit, Amfioni&Zeti, Tiranë, 2002)
“Kërkoj në këtë qytet skajor,
Në këtë qytet robot,
Që më flet me kode e pasuord,
E më shikon si alien të humbur,
Në këtë qytet prej xhami,
Memec e të ftohtë,
Ku në muzg reflektojnë fytyra që perëndojnë.
Kërkoj…”
Kujtim Hajdari
Të shkruash për prozën e Rifat Ismailit veç kënaqësisë intelektuale që ajo reflekton, ndjehesh disi i hutuar. Pse vallë? Ky shkrimtar të befason me gjetjen e temës dhe me trajtimin allasoj të ngjarjeve që tema e një romani përmbledh në veten e saj sepse ato janë në vartësi të njëra- tjetrës. Ky do ishte dhe shkaku i atij hutimi të sinqertë që shfaqet sa herë lexon romanet e Rifat Ismailit.
Edhe subjekti i romanit të hershëm, “Një vend burrash”, botuar në Tiranë në 2002, sjell një temë sa të zakonshme aq dhe të çuditshme.
Plaku Bes, i moshuar kthehet në qytetin e tij të lindjes mbas emigrimit në Australinë e stërmadhe. Qyteti i tij ku ai kaloi një jetë të gjatë është relativisht i vogël, e lexuesi me lehtësi do të kujtoj pikërisht Shijakun, ose dhe një të ngjashëm me të.
Por plaku Bes befasohet që në takimin e parë me shtëpinë e tij e më pastaj me rrugët dhe godinat e qytetit, me vetë qytetin aty buzë lumit ku nuk ka më varreza dhe pak njerëz, vetëm burra. Në shtëpinë e tij ka akuariume xhami ku ndodhen në pluskim trupat e prindërve tashmë të vdekur e mes tyre fletë libri të shkëputura por ҫuditësisht transparente, si të ishin dhe ato prej xhami tejet të hollë. Në rrugët e qytetit ҫdo gjë është ngurtësuar dhe gra nuk ka, ato janë kthyer në skulptura anës rrugëve e ku mes tyre plaku Bes njohu dashnoren e hershme, Inën e bukur.
Rifat Ismaili me një elasticitet në narracion na sjell skena të gjalla nëpërmes alegorive të shumta në skena ku plaku Bes rigjallëron një pjesë të së kaluarës së pashlyeshme…gjithmonë me bustin e ngurtë të dashnores….
Ai ndodhet në një alarm nervor dhe kujton një thënie -dialog të librit të një shkrimtari që e kish blerë në një holl tranziti, tek kthehej nga Australia që quhej Paulo Coelho:
“E në momentet e vështira ҫ’të bëj?
Thjeshtë -iu përgjegj Mjeshtri – shtrëngo dhëmbët e ec përpara”.
Pra plakun Bes, autori e vendos në kufijtë misteriozë ku bëhen takimet mes reales dhe jo reales dhe kjo është magjia e të treguarit, të këtij narracioni sa magjik, sa elastik po dhe aq të rrezikshëm për ta krijuar.
Një qytet ku ka bilardo dhe ka vetëm burra që janë të pagojë që autori e shpjegon bukur kur thotë se ata janë të krehur dhe veshur bukur, por që nuk flasin.
Gjatë leximit të këtij romani lind pyetja: A skadojnë qytetet? Dikush tha se siç skadojnë njerëzit ashtu skadojnë dhe qytetet. Dhe pyetja vazhdon: Po ku janë të shënuara këto data të skadencës?
Po! Ja na e tregon autori Rifat Ismaili me këtë subjekt surreal kur njerëzit ai i quan “të pagojë”, domethënë njerëz që pas ndryshimit të sistemit u transformuan, humbën vlerat njerëzore dhe “u dënuan” duke iu ndaluar e folura e kështu ata humbasin dhe sensin e gjuhës së tyre amtare, pra skadencë e plotë.
Në këtë roman edhe pse vuajtjet jepen vetëm në një personazh i cili duket i huaj në qytetin e tij, ato jepen me fantazmagori, ҫka është më afër me pamjet e qytetit të ngurtësuar. Në roman nuk mungojnë intersektimet e ngjarjeve më të bujshme në botë si 11 shtatori, tangentet e globalizmit, luftrat e sotme, etj. Këto vuajtje kalojnë më tej me habinë e zhdukjes së grave në këtë qytet, një metaforë që lidhet me zhdukjen e jetës…se një epidemi mërzie enigmatike i zhduku ato dhe i ktheu në statuja herë prej druri, herë prej qelqi, qeramike, bronxi etj.
Thonë se këto statuja u ndërtuan nga të “pagojët”, po ndërtesat prej qelqi dhe hekuri transparent mos vallë janë paralelet me kullat e lindura vitet e fundit në qytete që akoma nuk u ka ardhur afati i skadencës… mbase kur të lindin edhe aty “të pagojët”!?
Romani “Një vend burrash” sjell paralele me statujën e Inës ish të dashurës së plakut Bes në rini të tij. Thyerja dhe ngjitja e pjesëve të statujës së saj që u thye misteriozisht për Besin është një tendencë e dëshpëruar për të rikthyer të kaluarën. Por është e pa mundur se e kaluara tashmë është kaq e ngjashme me të sotmen. Plaku Bes vdes në botën e re prej qelqi dhe në fund të romanit sheh në ëndërr sikur ai nuk kishte vdekur. Po, ai nuk kishte vdekur si bashkëqytetarët e tij. Ai nuk kishte skaduar.
Ky roman mund të ishte më i zgjeruar në përshkrimin e disa personazheve të tjerë përveҫ plakut Habib të Domëve, ndoshta një “i pagojë” mund të konvertonte irealen e qytetit në një reale të mundshme. Po kështu mund të kishte një personazh nga bota e madhe e metropolit i cili mund të justifikonte ngurtësimin real në atë qytet që ishte kthyer në irealitet. Ky do ishte një operacion në mendjen e Besit për t’ia mbushur mendjen atij që po ҫuditej me këtë transformim. Ndoshta dhe një ҫip mund t’ia ofrojë i dërguari i metropolit për ta “sjellë në vete” të ҫuditurin, plakun e sinqertë e njerëzor Bes.
Eshtë vetë subjekti i këtij romani që ka shumë valenca për të shtuar. Aty flitet për transformime jo vetëm ireale te qyteteve tona shqiptare por flitet për “njeriun e ri” të transformuar nën hijen e kullave të qelta. Ndoshta nuk ka nevojë për aplikim montimi çipash, vetë jeta e sotme e metropolit me media & company është një megaҫip.
Vlen të sjell përcaktimin që studjuesi italian Luciano Zampini ka shkruar për krijimtarinë e Rifat Ismailit: “Ka vepra që lindin nga nevoja urgjente për t’i dhënë zë një bote të brendshme të tejmbushur me përvoja, kujtime dhe vizione.”
Këtë bën Rifat Ismaili me romanin “Nje vend burrash”! Shpresojmë që të mos përhapet epidemia e qyteteve te ngurta!
Durrës, maj 2025.