Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Ernest Koliqi dhe Kosova

Në përvjetorin e lindjes


Ernest Koliqi (20 Maj,1903-15 Janar,1975)

Me 20 maj, 2025 kujtojmë Prof. Ernest Koliqin në përvjetorin e lindjes. Shkrimtar, studiues, publicist dhe figurën poliedrike Ernest Koliqin, njërin nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha shekujve të kaluar. Ernest Koliqi dha një kontribut të shquar për letërsinë, arsimin e kulturën shqipe në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare kur shërbente si ministër arsimi, por edhe gjatë gjithë jetës së tij edhe në mërgim.

Sa për të kujtuar, me këtë rast, vetëm një aspekt të veprimtarisë së tij shumë dimensionale, gjatë vitit shkollor, 1941-42 në postin e ministrit të arsimit, ai dërgon në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavinë e asaj kohe qindra mësues e mësuese me qëllim përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe. Gjatë asaj kohe janë hapur, për herë të parë, një numër i madh shkollash fillore në shumë vende të botës shqiptare në Ballkan: në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare si në Mal të Zi e Maqedoni. Frank Shkreli: Mirënjohje për mësuesit e shkollës së parë në gjuhën amtare shqipe në rrethin e Ulqinit | Gazeta Telegraf

Ernest Koliqi me fjalën “shqiptar” nënkuptonte, “Njeriun bashkombëtar të Shqipnisë së vjetër dhe të Kosovës. E për të qenë krejtësisht të qartë, edhe atë të Malit të Zi e të Maqedonisë. Thërrasim, “Arbëresh”, vëllaznit fisnorë të Italisë, të Greqisë e të Zarës; përdorim skajin Arbnuer nga Arbri tue përfshi në të, mbarë gjinden e gjakut tonë, dmth, Arbreshë e Shqiptarë bashkë”, sipas tij, kudo që ata jetojnë.

Gjithashtu gjatë atyre viteve, shumë bursa iu shpërndanë studentëve shqiptarë duke mundësuar dërgimin e tyre në shkolla të Italisë e Austrisë. Sipas të dhënave historike, shkolla e parë u hap me 12 dhjetor, 1941. Siç dihet këto shkolla të hapura nga Ernest Koliqi me bashkpuntorët e tij, kanë vazhduar punën deri në vitin 1944, kur për fat të keq, qielli kombëtar u mbulua nga retë e zeza kur e mbuloi terri gjysëm shekullor i komunizmit anti-kombëtar ndërkombëtar.

Ato shkolla, siç dihet sot, janë bërë baza të rëndësishme të zhvillimit të arsimit, gjuhës dhe të kulturës shqiptare në trojet shqiptare nën-ish Jugosllavi. Ky është mendimi i shumë historianëve sot, por edhe i bashk-kohasve të Ernest Koliqit, disa prej të cilëve kanë qenë bashkpuntorë të ngushtë të Koliqit në këtë mision të shënjtë mbarëkombëtar; si Dr Rexhep Krasniqi, ndër të tjerë. Dr. Krasniqi ishte emëruar nga Koliqi si Drejtor i parë i gjimnazit të hapur në Prishtinë në vjeshtën e vitit 1941. Kjo veprimtari arsimore në atë kohë ishte dhe sot konsiderohet – sidomos në Kosovë si një kontribut vendimtar i Ernest Koliqit në arsimimin e brezave. Një akt ky i këtij burri të madh, fatlum, për Shqipërinë dhe Kosovën, por fatkeqësisht, një rol ende i mohuar, në qarqet kryesore politike, akademike e mediatike në Shqipëri. Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt | Gazeta Telegraf  Koliqi shprehej shpesh se e gjithë bota po ndryshon, por Shqipëria jonë nuk ndryshon. Kjo fatkeqësisht vlen edhe për ditët tona.

Sidoqoftë, thuhet se interesimi i Ernest Koliqit për Kosovën, që në rini, ishte influencuar nga miku i tij shkodran, Luigj Gurakuqi, i cili në atë kohë njihej me plakun e maleve, Bajram Currin, por edhe me patriotë të tjerë politikë dhe revolucionarë të Kosovës e që më vonë i ka njohur edhe vet Koliqi, që në hapat e para të rinisë e të veprimtarisë së tij letrare, atdhetare dhe politike. Një prej tyre, Tahir Zajmi është shprehur për Koliqin dhe trajtimin e tij nga të “pandërgjegjëshmit” dhe të “papërgjegjëshmit”: “Kape kah ta kapish del në shesh si drita e diellit se periudhën e heshtjes a të pushimit të vërtetë letrar prodhues të Koliqit gjatë luftës e karakterizon përkujdesi dhe përhapja e arsimit kombëtar, veçanërisht në Shqipninë Etnike. E kur shohim se Universiteti i Prishtinës sot (1963) me tetë fakultete, do të matet me atë të Tiranës, në një kohë të shkurtë, e se në atë universitet ka mjaft arsimtarë të emnuem nga Koliqi gjatë luftës me shërbye në Kosovë, po për gjuhën shqipe vetëm kjo duhet t’a qetësojë zemrën e Koliqit dhe t’a bajë me jetue ma gjatë për të mbarën e letrave shqipe. Ndërsa të pandërgjegjëshmit dhe të papërgjegjëshmit që nga Tirana lëshojnë lotë krokodili për Koliqin e për Kosovarë, le të shukusin e ta ulin kryet përpara atij që vepron me përgjegjësi kombëtare në momente historike”. Nga Shëzat, VII, 1963, 5678, maj-gusht, faqe 235-241, nënshkruar nga autori me pseudonimin: “Kosovari”.

Vërejtës të paanshëm pra, e kanë konsideruar rolin e Koliqit në arsimimin e brezave të shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare, si një rilindje e gjithanshme e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar në ato anë deri atëherë të shtypura, mizorisht, nga regjimi i ish-Jugosllavisë mbretërore. Deri atëherë Beligradi u kishte mohuar shqiptarëve të gjitha të drejtat kombëtare, përfshirë të drejtën për të mësuar gjuhën shqipe.

Për këtë arsye shqiptarët e Kosovës në kohën e Koliqit dhe më vonë e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë edhe sot si një fitore të madhe hapjen e shkollave shqipe në Kosovë nga Ernest Koliqi, në vitet 1941-44, “Të cilat qysh atëherë veprojnë e lulzojnë me një ritëm të shpejtë dhe të pandalshëm duke i falë Kombit pionerë të rinjë, që do të jenë garantia më e shëndoshë dhe uzdaja e s’ardhmes së Atdheut. E meritat kryesore të kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim, i përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe Profesor Ernest Koliqit, i cili me vullnetin dhe me shpirtin e tij prej idealisti nuk kurseu energjitë e tij dhe as mjetet shtetnore në dispozicion për ta pajisë sa më mirë aparatin arsimues në viset e lirueme me elementa të shëndoshë, që i dhanë hov e gjallëni shkollës shqipe. E sot pra, për fatin e bardhë të Kombit ashtë formua atje një rini dinamike, e cila në çdo fushë të aktivitetit kombëtar e shtetnor po përgatitet e po forcohet për t’a lumnue fatin e vendit, në të ardhëshmen.” (Tahir Zajmi, Kontributi i Ernest Koliqit për Kosovën në Shëjzat VII, 1963, nr. 5-8, faqe 221-222.

Tahir Zajmi ka shkruar gjithashtu se edhe në mërgim, Koliqi ka vazhduar të mbetej shumë i interesuar për veprimtarinë e tij të frutshme në zhvillimet e Kosovës, sidomos ka thenë ai, për zhvillimet në fushën e arsimit, përparimet në shkollat shqipe dhe të rinisë shqiptare në vise shqiptare nën ish-Jugosllavi, ashtuqë puna e tij në fillim të dyzetave të mos ndërpritej as të ndalej. Ky ishte interesimi i tij për Kosovën, sa ishte në mërgim në Romë. Prandaj sipas Zajmit janë të shumta arsyet që, “Ernest Koliqi zen një vend të naltë në zemrat e dashamirësve të Kosovës, e njëherazi edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të saj”.

Foto e Ernest Koliqit, circa 1938 -2-3 vjetë para se të bëhej Ministër i Arsimit dhe të merrte vendime strategjike kombëtare për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi, 1941-1944

Ndërsa një tjetër personalitet nga Kosova, poeti Nijazi Sulçoglu ka vlerësuar  kontributin e Ernest Koliqit për arsimin në Kosovë, duke e cilësuar poetin dhe shkrimtarin e madh shkodran, Ernest Koliqin si “dragoin kombëtar” që përhapi shkollat shqipe në trojet shqiptare, që punoi për Kosovë e për Atdhe e të cilit “i jemi borxhli” për kontributin e tij. Prandaj, para këtij “Vigani të madh kombëtar shqiptar… të përulemi”, është shprehur poeti nga Kosova duke shtuar se, “Ndër zemrat tona kosovare emni i Ernest Koliqit gjithmonë ka me qenë i gjallë, ndërmjet të gjallëve”, ka shkruar Nijazi Sulçoglu në revistën Koha Jonë nr.1,2,3, janar-shkurt-mars, 1975, faqe 50)

Ky shënim modest i imi në përkujtim të Ernest Koliqit në 122- vjetorin e Ernest Koliqit pasqyron në vazhdimësi amanetin e mbajtur: “mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…” Frank Shkreli: Amanetin e mban toka. Gëzuar ditëlindjen Prof. Ernest Koliqi | Gazeta Telegraf

Ernest Koliqi, për fat të keq të tij dhe të Vërtetës historike kombëtare, vazhdon (jo për faj të tij) të sulmohet rëndë, sidomos, nga pseudo-historianët e ish-regjimit komunist në Shqipëri, përfshirë apologjetët aktualë politikë e akademikë të regjimit të Enver Hoxhës. Siç thashë më lartë, duke qenë i vetëdijshëm se si trajtohej figura dhe vepra e tij nga regjimi enverist në Shqipëri, është shprehur me një rast se “kudo gjanat ndryshojnë, por jo në Shqipëninë tonë”. Por, për fat të mirë, falë vlerave dhe kontributit kombëtar të trashëgimisë së veprimtarisë së tij, në Republikën e Kosovës sot vihet re një interesim më i madh e më i sinqertë për punën dhe veprat e Ernest Koliqit.  Koliqi meriton ta ketë një përmendore në qendër të Prizrenit apo të Prishtinës”, ishte thirrja që bënte i ndjeri Profesor Ahmet Qeriqi, ish-drejtor i Radios Kosova e Lirë – Zëri i UÇK-ës gjatë luftës, për një përmendore në nder dhe në kujtim të Ernest Koliqit për “dhuratën e tij më të madhe që mund t’i jepej një kombi… Frank Shkreli: Thirrje për njohjen e rolit të Ernest Koliqit në përhapjen e arsimimit kombëtar (1941-1944) anë e mbanë trojeve të robëruara shqiptare | Gazeta Telegraf Sa vizionar që ishte! Sa i kënaqur do të ishte të shihte realizimin e ëndrrës së tij të një Shqipnie etnike – sot Kosovën e lirë, shtet të pavarur, fara e të cilës ishte hedhur prej tij me hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, Tetovë, Dibër dhe në krahinat bregdetare të Ulqinit.

Please follow and like us: