Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: Gjyshërit në art dhe në letërsinë për fëmijë

Poeti i njohur Elmas Qerreti vjen përsëri me një libër për fëmijë me titull “Pishina e hënës”. Ndonëse nuk janë shumë poezi, 40 gjithsej, libri “rëndon” nga vlerat dhe nga mesazhet që përcjell. Ajo që shquhet mbi të tjerat është komunikimi i heshtur dhe pa bujë midis brezave, kemi një gjysh që rri pranë nipave, ndjek çdo çast lojërat e tyre, kujdeset për ta, u mëson shumë gjëra të çmuara për jetën dhe i këshillon për të ecur me kēmbët e tyre në jetë, të sigurtë dhe krenarë.

“Gjyshi im, Leka,

është gjysh i rrallë.

S’blihet as me euro,

s’blihet me dollarë”.

Të vegjlit e ndjejnë këtë prezencë dhe e shprehin dashurinë e tyre dhe mirënjohjen edhe përmes fjalëve, në këtë rast përmes poezisë:

“S’mund ta blesh me ar,

s’mundesh me flori.

As me një monedhë,

veç me dashuri”.

Sa fat është të kesh një gjysh të tillë, sidomos kur gjyshit poezia i lind vetvetiu si karafil mbi buzë që stolis shpirtrat njerëzorë. Një gjysh i maturuar si një pemë shumëvjeçare që e kanë rrahur shumë erëra dhe stuhi, që se ka mposhtur as dimri e as nata, që ka mbledhur aq shumë njohuri ashtu sikurse bletët mjaltin në hojet e tyre, dhe të gjitha këto dituri nuk do ti ndrydhë brenda vetes por t’ua dhurojë më të rinjve, fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve. Një gjysh i përkorë që di të jetë edhe magjistar e të joshë, por di të jetë edhe një varkë e të shëtisë përkrah hënës në detin kaltërosh.

Por kjo prezencë bëhet e dyfishtë kur përmendet edhe gjyshja;

“Gjyshja ime qe traget,

por tani u lodh, u plak.

Qe traget me vrull shqiponje,

tani erdhi u bë varkë”.

Në një farë mënyre kemi një gjyshe që nuk mund të fshehë rrudhat dhe vitet e jetës, por është në gjendje të dhurojë akoma përkujdesje dhe dashuri.

“Gjyshja ime, qe traget,

mbushur plot me dashuri.

Nuk e trembi kurrë dallga 

as dhe deti me stuhi”.

Dy njerëz të mrekullueshëm që gjenden në mes të poezive, gjyshi dhe gjyshja, krijojnë atë lidhjen e domosdoshme midis brezave, që kanë aq shumë nevojë për njëri- tjetrin.

Gjyshi poet  është i kudo ndodhur, fshihet pas një reje, fshihet pas një luleje, është tek një çadër plazhi, është brenda shtëpisë, dhe kudo ku ai ndodhet ai nuk ndodhet atje rastësisht, është ku janë nipërit e tij që me zërat e tyre, me gjallërinë fëmijërore, e rinojnë, e motivojnë e i japin jetë.

“Ti ke gjyshin, sa një mal,

mos u tremb fare nga era.

E kap gjyshi, i merr shpirtin

e hedh poshtë nga humnera”.

Ja si i jep kurajo e guxim ai nipit të tij që ndërsa luan era i rrëmben flokët dhe lodrat. Gjyshi është atje pranë tij si shkëmb që të përballet me guxim me erën që don ti bëjë sfidë.

Ky libër ka mjaft tematika të tjera, por unë u përqëndrova veçse tek ky raport midis gjyshërve dhe nipërve, që dikur ka qenë shumë i thellë e ndërsa sot është duke u zbehur dita – ditës. Në ditët e sotme shumë familje jetojnë pa gjyshërit duke i lënë ata në vetmi dhe të harruar dhe duke ia mohuar rritjen e nipërve. Edhe fëmijët nga ana e tyre janë të cunguar, nuk i kanë pranë gjyshërit që të luajnë, dhe përqëndrohen më shumë tek celularet apo lodrat e pavlefshme. 

Ndaj ky libër përveç rolit edukativ, shërben edhe si sensibilizues në një shoqëri ku është bjerrur dashuria dhe dinjiteti.

Përtej të gjithë këtyre që përmenda, libri është plot me vargje të bukura që i këndojnë të përditshmes, luleve, zogjve, qiellit, gjithçka që lidhet me fëmijët dhe ka prekur vëmendjen e poetit. Dhe është me fat ai lexues, kushdoqoftë, i madh e i vogël, tek mban një libër të tillë në dorë, sepse si me magji përpara tij do shtrihen imazhe të pafundme dashurie dhe dlirësie. Ky libër është një vlerë e shtuar në krijimtarinë e pasur të poetit fisnik Elmaz Qerreti!

Savona 11- 04- 2025.

Please follow and like us: