Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: DESTAN MUSA NORA, BURRI QË NUK E PËRKULI RREZIKU
(Me rastin e 125 vjetorit të lindjes dhe 75 vjetorit të rënies në Fushëbardhë, të dëshmorit dhe heroit të heshtur, birit të Fushëbardhës Destan Nora (24.3.1895 – 23.11.1950), dhe 80 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin. Destan Nora është i shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Gjirokastër si dhe është njohur sipas legjislacionit zyrtar pranë Komisionit Qendror të statusit “Dëshmor i Atdheut” pranë Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve të Atdheut të qytetit të Gjirokastrës)
Lavdia e një një fisi që ka shkruar lavdinë nëpër lufta për liri
Destan Nora është një ndër figurat patriote dhe atdhetare e njohur jo vetëm në fshatin e tij të lindjes në Fushëbardhë, por edhe më gjerë, në krahinën e Kardhiqit dhe përtej qafës së Skërficës në krahinën e Rrëzomës. Destan Nora ishte lindur më 24.3.1895 në Fushëbardhë dhe ka rënë më 23.11.1950 në Piks/Fushëbardhë, në moshën 55 vjeçare. Fushëbardha është fshati ku bijtë e saj shkruan lavdinë, trimërinë e mbështetjen e fuqishme për formacionet partizane, që luftuan pa kompromos nazifashizmin. Destani lindi në një vatër të prushtë patriotike, vatër që kultivone vetitë më të mira atdhetare si dhe ato të trashëgimisë më të mirë të fshatit, krahinës e më gjerë. Destani ishte bërë krah familjes që i vogël në fushë e në mal me blegtori dhe bujqësi duke punuar tokat në Piks pranë Fushëbardhës, bashkë me të vëllanë Doko Norën dhe Çete Norën. Duke punuar shumë dhe me respekt ndaj vëllazërisë e miqësisë ja kishin dalë që të ishte një oxhak që kishte respekt fshati dhe më gjerë edhe në krahinë. Detani dhe Zabitja kishin tre vajza dhe një djalë, Musain që kishte marrë emrin e gjyshit të tij. Tre vajzat ishin martuar në Mustafaraj në Kaparjel, në Çarçanaj një fis i njohur ky i Fushëbardhës si dhe në Gjokolaj të Zhulatit. Të parët e oxhakut “Nora” i kanë dhënë më dritë fshatit, fisit, krahinës dhe më tej mbarë Labërisë, sikurse gjithë fiset e tjera të Fushëbardhës. Tokat e këtij fisi ishin në Piks, fare pranë Fushëbardhës sapo kalon Qafën e Priftëre, (ku aktualisht përbri piksit kalon dhe autostrada Ura e Kardhiqit-tuneli i Skërficës-Sarandë). Fisi Nora ka qenë gjithmonë pjesë e çetave luftarake të fshatit sa herë e ka kërkuar novoja për mbrojtje e vetmbrojtje fshaçe, që në luftrat e njohura për mbrojtjen e Vilajetit të Janinës e deri në luftrat lokale për mbrojtjen e fshatit, krahinës së Kardhiqit e Rëzomës, Delvinës, pjesëmarrës në luftën e Bradhomës, të Peshkëpisë, të fushës së Delvinës, të Koqinovës, të luftës në Palavli, në qafë Gjashtë e deri në luftën e famshme në qafë të Skërficës ose sikurse i thonë në Portën e parë të Labërisë. Lavdinë fisi i oxhakut “Nora” e shtuan përgjatë luftës së madhe antifashiste me pjesëmarrje masive dhe që nga ky fis kanë dhënë jetën Latife Nora, Baxhul Nora dhe më 1950 dhe Destan Nora dhe që janë shpallur dëshmorë me titull të lartë nderi më 2.10.1971, 54 vite më parë. Destani, Latifreja dhe Baxhuli ja lartësuan nderin dhe krenarinë fisuit dhe fshatit, pasi janë të përfshirë bashkë me dëshmorët e tjerë të fshatit Fushëbardhë sikurse janë edhe: Karafil Bello, Sami Sejdi Golemi, Tahir Xhuvani, Alem Shehu, Zijadin Çarçani, Kutbi Gjeçi, Neshat Kondi, Gazi Kondi, Xhezo Proda, Cirok Cama; Tajar Shemsho Proda dhe Mato Serjan Mato. Tre bijtë dhe bijat e oxhakut “Nora”: Latife Veli Nora, Baxhul Duro Nora dhe Destan Musa Nora janë vendosr në altarin e lirisë në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës, si krenari krahinore e kombëtare, që janë nderuar, nderohen dhe do të nderohen në përjetësi. Ndërkohë fshati ka edhe të tjerë të rënë që nuk janë shpallur ende dëshmor edhe pse meritojnë nderimin dhe respektin pasi kanë rënë për Atdhe si Zeman Xhafer Xhuvani e Nuhe Bejdash Kondi. Fushëbardha e Destanit u përfshi masivisht në luftë për mbrojtjen e atdheut nga mortaja fashiste që kishte pllakosur botën messhekullin e kaluar. Djemtë e vajzat e fshatit rrokën armët e lirisë dhe ajka e djalërisë fushëbardhase derdhi gjakun për lirinë, dhe mbrojtjen e truallit arbëror ashtu sikurse kishin vepruar edhe më parë baballarët, gjyshërit e stërgjyshërit të e tyre. Ata ishin dhe mbetën brezi i nderit që ja zbardhi faqen Shqipërisë në kohët më të errëta të pushtimit si dhe janë kontribues realë në çimentosjen e themeleve të shtetit. Vlerësimin për të rënët dhe dëshmorët e bën edhe vjershëtori ynë i madh Naim Frashëri: “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes, aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë” dhe kjo nënkupton që prehja e dëshmorëve në atarin e përjetësisë së lavdisë së kombit është pjesë vitale e ndërgjegjes kombëtare, e shqiptarizmës, e atdhetarisë dhe ardhmërisë së kombit arbëror. Në këtë kuadër kur themi dëshmor, themi amanet lirinë e trojeve të të parëve si gjënë më të shtrenjtë dhe më të shenjtëruar të të gjitha kohrave.
*
E shkruara zyrtare e përjetshme për dëshmorin fushëbardhas
“Verba volant, Scripta manent”, një shprehje e gjuhës latine, që do të thotë “fjalët flutorojnë, e shkruara mbetet”. Edhe për dëshmorët, kjo e shkruar është pjesë e dokumenteve arkivore e zyrtare. Kështu skedat e Dëshmorëve në Departamentin e Dëshmorëve në Ministrinë e Mbrojtjes, në Organizatën e Dëshmorëve të LANÇ-it dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut, në Tiranë e Gjirokastër dokumentohen të shkruara. E shkruara në institucionet zyrtare të shtetit, përjetësohen edhe për dëshmorin fushëbardhas Destan Nora. Ja çfarë shkruhet e dokumentuar për dëshmorin e Atdheut Destan Nora: “Destan Musa Nora ishtelindur më 24.3.1895 në Fushëbardhë të Gjirokastrës. Destani ka marrë pjesë në lëvizjen antifashiste Nacionalçlirimtare në vitin 1943-1944 në terren në njësitet guerrile të Fushëbardhës dhe të krahinës së Kardhiqit. Destani ka mbështetur çetën partizane dhe batalionin partizan territorial ku ka marrë pjesë me armë në dorë në luftë kundër fashizmit Italian e gjerman. Ka kryer detyra luftarake në interest ë Komandës së Vendit në Fushëbardhë dhe të Këshillit Krahinor të krahinës së Karfdhiqit e deri edhe në krahinën e Rrëzomës. Destan Nora ka rënë dëshmor në përballje me forcat e errëta që kundërshtonin pushtetin popullor në fshat e krahinë por dhe më gjerë. Ai është vrarë nga një bandë e armatosur që vepronte në vitin ’50-të të shekullit të kaluar në krahinat e Kardhiqit dhe të Rrëzomës. Vrasja e Destan Norës është bërë më datën 23.11.1950 në Piks të Fushëbardhës, në moshën 55vjeçare…”. Ai është vrarë në të njëjtën datë në ngjarjen në shtëpitë e Nore në Piks, ku u vra edhe Alush Muharrem Alikua (1913-1950) nga Zhulati. Gojëdhëna e trashëguar brez pas brezi në Fushëbardhë dhe krahinën e Kardhiqit flet se në atë ngjarje të asaj dite nëntori të vitit 1950 u vranë Destani gjatë kohës që po merrte armën që ishte varuar në mur sipas zakonit për vetëmbrojtje dhe ekzekutimi i dytë është bërë ndaj Alush Alikos direkt në vatrën e zjarrit, të kapur në befasi dhe pa pasur mundësi të përdornin armët. Prezent në këtë ngjarja kanë qenë: Dino Meçani si kryetar këshilli, vëllezërit e Destanit: Doko Nora me bashkëshorten Farijen dhe Çetja me bashkëshorten Feruzen. Në ngjarje ishte Zabitja (bashkëshortja e Destanit), dhe si dhe fëmijët e tjerë të kësaj familjeje, që përjetuar një traumë që i shoqëroi përgjatë gjithë jetës. Gojëdhëna vijon të flaës se banda e ardhur nga përtej kufirit kishte udhërrëfyes nga zona e kësaj krahine port ë papërcaktuar me emra. Edhe pse ka kaluar 75 vite nga ngjarja e vrasjes së nëntorit 1950, enigma e vrasjes së dy luftëtarëve antifashistë e dy patriotëve dhe për më tepër vrasje në prezencë të grave dhe fëmijëve ngelet një mister, që me kalimin e kohës mund të zbulohen në arkivat brenda apo jashtë vendit dhe që ndoshta edhe në kohën kur do t’ju vijë radha deklasifikimit të dokumenteve, që “flenë” në arkiva dhe presin radhën e deklasifikimit dhe të çbunkerizimit të arkivave kudoqofshin ato. Skeda arkivore mban datën 26.7.1984 dhe është përgatitur nga ish-kryetari i Komitetit të Veteranëve të rrethit Gjirokastër Skënder Musta. Le të hedhim pak dritë mbi veprimet e të dy palëve 70-80 vite më parë menjëherë pas LANC-it në Shqipëri: Janë të njohura disa nga bandat që vepronin në Shqipëri, sikurse njihen: banda e Hamit Matjanit, Zenel Shehut, Et’hem Çakos, si dhe “Kompania 4000” në Gjermani, u krijua në vitin 1950 nga Shërbimi i Fshehtë Amerikan në bashkëpunim me Komitetin “Shqipëria e lirë”, për stërvitjen e emigrantëve dhe të arratisurve shqiptarë dhe nisjen e tyre në Shqipëri me veprimtari kundër regjimit të vendosur në Shqipëri pas 29 nëntorit 1944, shërbimet e tjera të huaja si UDB-ja jugosllave, MI-6 britanike, SIM-i italian, shërbimi i fshëhtë i zbulimit grek etj. Fakt ka qenë se përballja e tyre ka qenë fillimisht me forcat e kufirit dhe më në thellësi të përshkallëzuara. Është fakt se të dokumentuara janë mbi gjashtëmijë provokime nga toka dhe rreth nënëqind nga deti në gati gjysëmshekulli në një hapësirë të shtrirjes lineare të “Shqipërisë londineze” ka pasur 353 piramida. Mbrojtja kufitare shqiptare garantohej nga batalionet e para speciale në varësi të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit që drejtoheshin nga Gjeli Argjiri. Ndërkohë për t’ju kundërvënë gjithë kësaj makinerie zbulimi në Shqipëri u krijuan “Brigada Kufitare” dhe batalione kufitare në gjithë shtrirjen tokësore e detare shqiptare, ku edhe u dislokuan batalionet kufitare me struktura e organe të posaçme. Megjithatë në vitet ’50-të të shek XX, depërtimi i të arratisurve ishte i mundshëm, sikurse ndodhi edhe në rastin kur depërtimi shkonte edhe deri në Piks të Fushëbardhës, ku u goditën bijtë patriotë dhe atdhetarë të krahinës, Destan Nora dhe Alush Aliko. Destan Nora që nuk i trembej syri para sanjë rreziku dhe nuk trembej as para grypës së zjarrit të armëve të banditëve është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit Gjirokastër, ndërsa eshtrat e tij prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Gjirokastrës. Destan Nora në librin zyrtar “Dëshmorët e Atdheut” të publikuar nga Ministria e Mbrojtjes bën pjesë në kategorizimin e dëshmorëve të fshatit Fushëbardhë që kanë rënë pas LANÇ-it. (Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Libri zyrtar në Republikën e Shqipërisë “Dëshmorët e Atdheut, Tiranë, 2012, ku flitet edhe për Destan Norën dhe Alush Alikon, faqe 100).
*
Patriot i madh, zemërzjarrtë dhe shpirtmadhësia e shpirtbardhësia e Destan Norës
Duke hulumtuar në serinë e librave të njohur për dëshmorët e Shqipërisë, gjejmë skicën e shkruar nga bashkëfshatari dhe bashkëluftëtari i shkrimtarit dhe luftëtarit të rreshtave partizane Resul Bedo, Yje të pashuar, Vëll. XII, Tiranë, 2004, f. 24-27, nën titullin “Shtëpia e të gjithëve”: “Një herë e dha besën Destani se për lirinë e Atdheut nuk do të kursente asgjë, as jetën. Dhe këtë besë e mbajti gjer në çastin e fundit të jetës së tij. Shokët nga Gjirokastra dërgonin njerëz për në dyqanin e Destan Norës, për në shtëpinë e Destanit, atje në Fushëbardhë, mes maleve. “Klienti” pyeste: “Më gjete nga ajo rakia e fortë, Destan”? Meqë erdhe, nuk të kthej pa të! -përgjigjej i zoti i dyqanit. Disa nga “klientët” ai i përcillte për në shtëpinë e tij. Por kujdesej që të mos binte në sytë e ndonjërit, që s’e shihte të udhës të mateshin me “goxha Itali” dhe që thoshte “Mos të nxitohemi. Të shohim e të bëjmë!”. Në shtëpinë e Destan Norës, në shtëpinë e fshatarit patriot, bëheshin takime të shokëve ilegalë, shkëmbeheshin letra e dokumente, ngarkoheshin materiale për luftën Antifashiste nacionalçlirimtare. Kështu e nisi dhe kështu e mbaroi Destani. Shokët i thoshin: Destan, kujdes se të gjurmojnë. Dhe “klientët” nuk dukeshin më andej. Shkonin mbrëmjeve në shtëpi. Destani furnizonte shokët e lëvizjes. Një ditë prej ditësh, Destani vendosi të linte dyqanin për t’iu kushtuar “tufës së dhive”. Hapi llafin se nuk kishte ndonjë interes puna e dyqanit, prandaj e la “tregtinë”. Ishte fundi i vitit 1942. Ai e la punën, për t’iu kushtuar i tëri Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare, çështjes së Atdheut dhe të popullit. Një ditë në befasi hynë edhe në shtëpinë e Destanit dhe iu kërcënuan: – Dëgjon, Destan! Nxirri ata partizanët, se i kanë parë mbrëmë kur kanë hyrë në fshat! – I kanë parë…? Kush? Pse nuk i kapën?! -ngrinte supet Destani. – Hajdeni “trima”, kontrolloni, gjejini. Ishin ditë të vështira e të rënda ato. Operacioni i Dimrit kishte filluar. Partizanët qëndronin maleve me dëborë e tufan pa veshje e pa këpucë. Destani me shokë u vinte në ndihmë. Në një betejë, ndonëse partizanët fituan, patën shokë të plagosur. Partizanin Xhelal Sejdo e mbarti si vëllanë e vet. E ndihmoi për të kapërcyer gjithë atë rrugë gjer në malin e Skotinisë. Aty ishte një strehë e mirë, larg rrezikut. Stani i Destanit u bë strehë për partizanët. Në ato ditë e netë të ftohta nuk vinte njeri. Të plagosurve u bënte roje Destani me shokë. Ndërsa gruaja e Destan Norës, Zabitja (nga Kazajt e Fushëbardhës, e bija e Bajo Kazos), u shërbente, gatuante bukë e ushqime, u jepte qumësht, gjalpë! Plot 30 ditë e net qëndruan shokët e plagosur. Partizani Xhelal Sejdo nuk mundi të mposhtte vdekjen Aty në stan, pranë e në krahët e shokëve vdiq, (por Xhelal Sejdo Ziaj nga Kardhiqi u shua vetëm shpirtërisht pasi ngeli dëshmor i përjetshëm i Atdheut me Vendim nr.65 datë 2.10.1971). Pas gjithë kësaj pune Destani nuk mund të kthehej në fshat. Bashkëpunëtorët e fashizmit e kishin dhënë edhe emrin e tij te gjermanët. I armatosur u rreshtua në repartet partizane. Mori pjesë në përleshje, në beteja, në luftime që u zhvilluan në krahinën e Kardhiqit etj. U ndesh ballë për ballë, grykë për grykë, me armikun. Destani dha prova se ishte i denjë edhe për betejat ku jeta nuk vihet në kandar. Mposhti vështirësi e nuk e bëri veten as ndaj të ftohtit, as ndaj ngricës, as ndaj urisë, se i kishte vënë vetes detyrë të luftonte për lirinë e Atdheut, për lirinë e popullit. Në ato ditë të rënda, kur nazistët gjermanë, së bashku me tradhtarët u lëshuan me tërë egërsinë e vrullin e tyre me urë e me zjarr në dorë për të “larë hesapet” me partizanët, Destani mësoi se: Në Fushëbardhë u dyndën gjermanët. Së bashku me ta ishin edhe bashkëpunëtorët e tyre. Të gjithë qenë të egërsuar, tamam si ajo bisha në çastin e vdekjes, kur ka mbledhur tërë energjitë para se të japë shpirt. Dhe filluan të digjnin me radhë shtëpitë e fshatit. Dogjën edhe shtëpinë e tij. Destani e dëgjoi këtë lajm qetë-qetë, pa ia hequr sytë cigares që po e dridhte. – E po… Le të bëjnë, do t’u vijë dhe fundi dhe…! -Kaq foli Destani. Një partizan e pyeti: – Si nuk t’u dhimbs shtëpia, o Destan Nora! Ai e shikoi drejt në sy: – Nuk them se jo, por e kisha menduar edhe atë punë. Pushkën s’e lëshoi nga duart Destani. Shtëpia e tij në Fushëbardhë përsëri ishte bazë e njerëzve të luftës antifashiste. Aty shkonin shokët e terrenit. Shpesh i zoti i shtëpisë dilte së bashku me miqtë për të kryer një detyrë, për të zgjidhur një problem. Një natë nëntori të vitit 1950, era frynte me thëllim. Të ftohtit kishte ardhur para kohe. Asgjë nuk lëvizte jashtë shtëpive të fshatit. Qentë lehnin rrallë. Një bandë e ardhur që tej kufirit me mision kishte mundur të hynte në fshat. Natën trokitën në portën e shtëpisë. Banditët u përpoqën ta mashtronin, duke u paraqitur sikur kërkonin ta takonin. Destani nuk ra në kurthin e armiqve dhe ata u detyruan të qëllojnë me armë”. U shua jeta e një fushëbardhasi të mirë e patriotit besnik Destan Nora, por u lartësua emri i tij në piedestalin e lirisë me dhënien e titullit të lartë të nderit “Dëshmor i Atdheut”. Ndërkohë duke hulumtuar në publikimet shqiptare të tetë dekadave gjejmë edhe jetën e veprën e Destan Norës në librin “Heronj të Heshtur”, Vëllimi V, Përgatitur nga MPB, Tiranë, 1978, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, faqe 335 deri 341, pjesa “Destan Musa Nora 1895-1950, “Pabesia e armiqve” gjejmë dhe vijueshmërinë e mëtejshme të publimimit të plotë, që ishte nisur në librin “Yje të pashuar”.
*
Shtëpia e Destan Musa Norës, “Shtëpia e të gjithëve”
Ndërkohë që tregimi për Destan Norën vijon: “Shqipëria nisi të marrë frymë lirisht. Në Komandën e repartit e thirrën edhe partizan Destanin: Si mendon Destan? Shqipëria u çlirua. Detyrën tënde e kreve me nder! Është mirë të kthehesh në fshat. Punë e madhe na pret edhe atje, bile një luftë tjetër, se armiqtë ende përpiqen dhe do të përpiqen me shpresë se do ta sjellin së prapthi rrotën e historisë.. Jam dakord! Dhe partizani Destan Nora u nda nga shokët e luftës, nga ata me të cilët kishte ndarë edhe kafshatën e fundit të bukës së misrit, edhe cigaren, edhe një gllënkë ujë në ditët me zheg të madh.. U ndanë ata për të qenë përsëri së bashku në luftën tjetër të gjatë për rindërtimin e Atdheut, për mbrojtjen e fitoreve. Pushkën s’e lëshoi nga duart Destani. Shtëpia e tij në Fushëbardhë përsëri ishte bazë e njerëzve të Pushtetit. Aty shkonin shokët e terrenit, shkonin shokët e organeve të Sigurimit. Shpesh i zoti i shtëpisë dilte së bashku me miqtë për të kryer një detyrë, për të zgjidhur një problem. Ai u vu në gjurmët e banditëve hap pas hapi me shokët e organeve të ndjekjes. Disa prej atyre ballistëve dhe të tjerë tradhtarë, që kishin marrë arratinë përtej kufirit, hynin e dilnin në shërbim të një ustai tjetër. Hynin në tokën tonë ata për të djegur e për të vrarë. I kishin bërë llogaritë gabim. Se burra si Destani, njerëz të thjeshtë, që ditën punonin në arë dhe natën merrnin pushkën e zinin shtigjet, i gjurmonin dhe nuk i linin të hidhnin një hap të qetë. Destani, ai aktivist shoqëror, ai anëtar i këshillit popullor të fshatit Fushëbardhë binte më në kontakt me armikun e klasës, në format më të ndryshme. Ai nuk u bënte lëshim atyre njerëzve, që si pa gjë të keq hidhnin ndonjë parullë që vinte erë tradhtarësh. Ua thoshte ndër sy. Dhe dinte të bënte dallimin midis atij që e thoshte se aq ia priste mendja dhe atij që ia thoshte këngës së ujqve! …Një çoban i dha një informacion Destanit: “Ne atë faqe kodre pashë tre njerëz të armatosur”. Ishin të veshur si kufitarë. Kërkuan ujë. U tregova burimin. Dyshoj”. Bariu e njihte Destanin si njeri të pushtetit, prandaj të parit atij ia tha ato që mendonte për grupin prej tre vetësh. Destani e dëgjoi me vëmendje. E pyeti nëse kishin trasta ose pajime të tjera. Në fund e porositi bariun të heshtte. Destani menjëherë u vu për udhë. I ra në një drejtim tjetër për të mos rënë në sy, se edhe banda e diversantëve ndiqte lëvizjen e njerëzve të pushtetit dhe të organeve të ndjekjes. Takimin me njësitin e bëri larg fshatit. Komanda e ngarkoi Destanin me detyrë që të patrullonte në një grykë, së bashku me një fshatar tjetër të armatosur. Atyre iu dha parulla dhe iu përcaktua qartë varianti taktik në rast përpjekjeje. Destani me shokun e tij nuk u kthye fare në shtëpi. Njerëzit e shtëpisë ishin mësuar me të. Tërë natën qëndruan, por diversantët nuk u dukën. Mos i kanë zënë të gjallë në ndonjë drejtim tjetër? pyeti shoku. Jo, se do të jepej sinjali! Nuk luajtën vendit edhe tërë ditën. U maskuan për të mos rënë në sy të diversantëve. Në mbrëmje, kur fshati kishte rënë në gjumë, banda e diversantëve deshi të lëvizte. Një batare pushkësh u dëgjuan pak poshtë pritës që kishte zënë Destani me shokun e tij. Të dy zunë pozicionet. Por pas pesë minutash u dha sinjali, banda ishte asgjësuar: një i vrarë, një i plagosur dhe një tjetër i zënë rob. Destani i pa me sytë e tij. Komanda e falënderoi Destan Norën. Sa herë u vu në ndjekje të kriminelëve e banditëve patrioti Destan Nora. Sa herë e kreu me nder detyrën e tij. Këtë e nuhatën armiqtë. Prandaj diku jashtë kufijve të Atdheut morën vendim për ta asgjësuar. Një natë nëntori të vitit 1950, kur të ftohtit kishte ardhur para kohe. Asgjë nuk lëvizte jashtë shtëpive ndërkohë që qentë lehnin rrallë. Një bandë e ardhur që tej kufirit me mision kishte mundur të hynte në fshat. Natën trokitën në portën e shtëpisë. Banditët u përpoqën ta mashtronin, duke u paraqitur sikur ishin njerëz të Organeve të MPB dhe kërkonin ta takonin Destanin si anëtar të këshillit popullor të fshatit për një “punë urgjente”. Destani nuk ra në kurthin e armiqve dhe ata u detyruan të qëllojnë me armë. I rrethuar Destani diti të mbrohet dhe të luftojë si u ka hije trimave. Shtëpia u shndërrua në pozicion. Fshati u ngrit në këmbë për t’i ardhur në ndihmë trimit. Diversantët arritën ta vrasin, por edhe prej tyre u plagosën disa. Dhe pas disa ditësh ata një e nga një ranë në duart e sigurisë shtetërore. Armiqtë mendonin se po të vrisnin Destanin do të bënin që edhe shokët e tij të tërhiqeshin, por gabuan, pasi shokët e Destanit vijuan të luftojnë… armët i mbetën supeve shqiptarëve ashtu sikurse kishte ndodhur shekuj me radhë, pasi armiku ka qenë dhe ka ngelur i pabesë”. (Heronj të Heshtur, Vëllimi V, përgatitur nga MPB, Tiranë, 1978, Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, faqe 335 deri 341).
Burimet e studimit:
Dosja historike të përgatitur nga Departamenti i Historisë i AFA-së, Dokumente të ndryshe të MHK, të Muzeut të luftës në Gjirokastër, të ish-Muzeut të luftës të fshatit Fushëbardhë; të muzeut të Forcave të Armatosura në Bërzhitë, Tiranë; Resul Bedo, Yje të Pashuar, seria e vëllimeve, Tiranë, (Pjesa e skicës për Destan Musa Nora, të shkruar nga Resul Bedo në serinë e librave “Yje të pashuar”, Vëllimi XII, Tiranë, 2004, faqe 24-27); Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015.; Gojëdhëna për luftën e luftëtarëve të Fushëbardhës; AQSH, Fondi dokumentar i Brigadës së Tetë Sulmuese, viti 1944; Irakli Koçollari: “Operacionet Sekrete-Shqipëria nën Luftën e Ftohtë”, Tiranë, 2022; AQSH, Fondi i BrVIIIS, viti 1944; Të dhëna nga bashkëluftëtarë ish-partizanë fushëbardhas që janë shkruar në gati gjysëm shekulli si Dilaver Poçi, Resul Bedo, Zeqir Cama, Islam Poçi, Prof.As. Bernard Zotaj, Prof.As. Zaho Golemi, Dëshmorët e Fushëbardhës nder dhe krenari shqiptare, shkrime për dëshmorët e Fushëbardhës në Telegraf, Labëria, Ushtria, Mbrojtja, Revista Pavdekësia, Dielli në SHBA, në shumë portale si në Balkanëeb, Albspirit, dhe shumë të tjerë brenda dhe jashtë vendit.; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Libri zyrtar në Republikën e Shqipërisë “Dëshmorët e Atdheut”, publikuar në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Tiranë, 2012, faqe 100; Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, 2004-2014; Periodiku i gazetës “Për Mëmëdhenë”, organ i Shoqatës Atdhetare për të Rënët e Kombit Shqiptar; Periodikë revistash e gazetash të Bibliotekës Kombëtare.
-&-