Britani, surpriza pas votës për largim nga BE
Që nga koha e votimit tronditës në Britani për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, kanë ndodhur një numër surprizash. Pavarësisht parashikimeve, disa vende – kryesisht ato të Komonuelthit Britanik në Afrikë dhe në Paqësor – kanë shprehur interes për të nënshkruar marrëveshje tregtare me Britaninë dhe ekonomistët parashikojnë një marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian mund të arrihet brenda dy viteve. Në të njëjtën kohë, në Londër është rritur numri i turistëve për shkak të rënies së vlerës së paundit. Njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës për Evropën, Luis Ramirez.
Një paund i dobët për shumë njerëz përfaqëson mundësinë për të parë Londrën për herë të parë.
“Është lirë. Mendoj se është shumë shumë mirë” thotë një turiste kineze.
Një nga anët e mira të paparashikuara të votës për largim: një rritje 18 për qind të turistëve. Hotelet, kompanitë ajrore, dhe pikat turistike në Londër raportojnë një rritje të ndjeshme të shitjeve dhe vizitorëve, shumë prej tyre nga Azia, të pa shkurajuar nga frika e terrorizmit në Evropë.
“Terrorizmin, po, e kuptojmë, por ngaqë paundi është shumë i ulët për tani, është koha e përshtatshme për të vizituar Londrën” thotë Joy, turiste nga Tajvani.
“Ngaqë vlera e paundit ka rënë, i bie më lirë për ne të blejmë ose të udhëtojmë kudo. Është kohë e mirë për të ardhur”.
Tregjet e bursave vazhdojnë të shohin paqëndrushmëri pas votës për largim, gjë që pritej. Por e papritura është se njoftimet thonë se 27 vende po shprehin interes për të siguruar marrëveshje tregtare me Britaninë.
Shumë prej tyre janë vende të Komonuelthit, si Gana, një ish-koloni britanike. Ekonomistët e shohin mundësinë për marrëveshje të reja tregtare si një rast për të rregulluar marrëdhëniet me ish-kolonitë Afrikane, meqë fermerët afrikanë vetëm shesin lëndët bazë në Evropë, dhe i importojnë ato si artikuj të përfunduar.
“Prodhuesit ganianë të kakaos nuk janë në gjendje të prodhojnë edhe çokollatë për shkak të mënyrës se si punon sistemi i tarifave me Evropën. E gjithë kjo mund të zgjidhet në një farë mase nëpërmjet një marrëdhënieje të përmirësuar me Mbretërinë e Bashkuar”.
Britania nuk ka negociuar një marrëveshje tregtare vetë që nga viti 1973. Qeveria britanike po nxiton për të përfituar nga interesi i vendeve të tjera, duke formuar grupe negociatorësh, me shpresën se parashikimi për rënien ekonomike pas votës për largim do të jetë i gabuar.