INVICTUS: I PAMPOSHTUR MES MPOSHTJEVE TË FATIT
Një nga poezitë më të njohura në botë, konsideruar si vargjet më të dashura, deri te presidentët, me një histori misterioze si hyri në burgjet e Shqipërisë së diktaturës. “Invictus” e përkthyer në burg nga Visar Zhiti, vjen për herë të parë në një rrëfim për memorien, jo vetëm atë letrare. Vargjet që kaluan dorë më dorë, në gjuhën e ndaluar, pa e njohur autorin, dhe as njeriun që e filtroi fshehurazi duke u ruajtur në kashtën e dyshekut… Origjinali i të Pamposhturit, latinisht, ishte shndërruar
Visar Zhiti
Ka ca poezi që lidhen fort me fate njerëzish dhe një besnikëri e ndërsjelltë i ndjek gjithë jetën ashtu si na ndodh me kuajt apo qentë apo relikte që janë të çmuara për kumtin që mbartin, me një copë shkëmb a pemë, e di kujtesa pse…
“Invictus” është titulli i një poezie, që më shumë njihet ajo se sa autori i saj, kështu më duket, me shumë ndikim në botë dhe ku nuk përmendet, sa shumë e kanë dashur, deri edhe presidentë. Ka diçka presidenciale kjo poezi dhe s’di nga ta filloj, ç’të kujtoj më parë dhe pse? Përse më rierdhi?
PRESIDENTË DHE TË BURGOSUR
Nga antologjitë, poezia, e di, ka kaluar dhe nëpër filma ashtu siç shkohet dhe në ëndrra. Kjo poezi ka qenë futur dhe në burg, jo si dënim, por si kundërdënim dhe është interesante të tregohen endjet e saj. Nga që i kam përjetuar vetë.
Por si fillim dua të tregoj, p.sh, se në një film, ku luan dhe Ronald Regani, i cili do të bëhej president i SHBA-së, recitohen dy strofat e para të poezisë. Po edhe Presidenti Franklin D. Roosevelt thoshte se ishte një nga poezitë që donte më shumë… në një film të hershëm, të kohës së luftës, Casablanca, citoheshin dy vargjet e fundit të saj,
Po edhe grupe muzikore amerikane, Heavy Metal Virgin Steele e të tjerë e kanë bërë këngë “Invictus”, ka dhe albume… kanë filluar nga viti 2000 e më pas. Pra as mijëvjeçari i ri nuk e harroi… Kanadezi Leonard Cohen, këngëtar, poet, kompozitor e ka si hyrje në veprën e tij “Darkness”, ka patur një turne nëpër botë në 2010, edhe në Kremlin shkoi…
Del dhe në filma të tjera kjo poezi, në libra po se po… e ka në roman dhe Jeffrey Archer. Edhe birmanezja Aung San Suu Kyi, ka marrë çmimin Nobel për paqe ajo, thotë se kjo poezi ka frymëzuar të atin e saj dhe gjithë brezin që luftoi për pavarësinë e vendit.
“Invictus” e kanë dashur dhe përdorur si terapi shpirtërore mësues, sportistë, të sëmurë rëndë, organizata, edhe në Greqi, në Britaninë e Madhe e kanë stamposur në etiketa pijesh të forta energjike, etj.
Mandela ua recitonte bashkëvuajtësve të tij në burgun Robben Island. Po ndal tek Mandela, si bashkëvuajtës dhe yni. Që dhe kur u bë më pas President i vendit të tij, Afrikës së Jugut, merrte forcë dhe guxim prej asaj poezie dhe i pëlqente të fliste për të me ritmin e saj, gjithë madhështi të brendshme.
Dhe kur ndërroi jetë Mandela, në ato ditë e gjithë bota kujtoi dhe atë poezi. Shkruajta dhe unë me këtë rast në revistën “Poeteka” të vendit tim dhe s’e di pse po e rimarr ndër duar këtë poezi, po rishoh fjalët e mia të dikurshme e dua të rithem prapë diçka, ose dhe po ato, që gjithsesi janë tjetër gjë në kohë tjetër dhe në rrethana të tjera…
Dhe rikthehem tek filmi po këtë titull, “Invictus”, që i kushtohet një pjese të jetës së Mandelës, rolin e të cilit e interpretoi aktori amerikan Morgan Freeman dhe ata që e kanë parë filmin, e mbajnë mend, besoj, dhe poezinë, që sikur vinte nga nëntoka, nga terret dhe zjarret e saj, prej atij zëri të thellë, negër: I am the master of my fate/ I am the captain of my soul.
Madje në film Mandela-president ia mësoi vargjet dhe kapitenin të skudrës së rugby së Afrikës së Jugut, e cila del kampione e botës dhe nga shkaku i poezisë, etj, etj.
Më vjen të pyes, po presidentët shqiptarë a e dinë këtë poezi? Ky i tanishmi, duke qenë koleg i oficerëve, pra dhe i atyre të burgut, s’di ç’të them, po ta kishte të lexuar poezinë “Invictus”, s’duhej të kishte atë qendrim persekutues, qoftë dhe vetëm ndaj njërit që ka arritur të shkruajë dhe në burg, por përkundrazi. Asnjë dekoratë nuk i tejkalon dot plagët…
Por po kthehem prapë tek Mandela, se të largëtit ndonjëherë janë më të afërt. Kur ai mbylli sytë përgjithmonë dhe njerëzia u përul para veprës së tij, misionit të lartë, të përmbushur, duke kujtuar ndërkaq dhe burgun e tij të gjatë, luftën kundër apartejdit, porositë për mirëkuptim e vëllazërim, kur qytetarët e atdheut të tij, në 12 ditët e zisë kombëtare, bashkë me personalitete nga e gjithë bota, Papa Françesku, udhëheqësi moral i botës sot, Dalai Lama, udhëheqës i Budizmit, Obama, Merkel, Cameron, Hollonde, Napolitano, George Bush, Mihail Gorbaçov, Jimmy Carter, Xi Jingping, Dilma Rousseff, etj, Ban Ki-moon (OKB), Herman Van Rompuy dhe Manuel Barroso (BE), Christine Lagard (FMN) etj, etj, etj, shprehën hidhërimin më të thellë, nëpërmëndej dhe poezia “Invictus”, si të ishte pjesë e testamentit të Mandelës a personazh i ndjeshëm.
Po ç’është ajo poezi ashtu, lutje, himn i shenjtë a himn shtetëror, marsh, liturgji, elegji kolektive, kushtrim i brendshëm, betim, fantazmë tufani, shiu të beftë? Dhe kush e ka shkruar, kur, pse, nga ishte?
MISTERI I ARRATISË:
Është intriguese, madje më duket sikur ka dhe një si mister, po të them se kjo poezi kishte hyrë dhe në burgjet shqiptare. Dhe kur, në kohën e diktaturës, kur Shqipëria vërtet bënte pjesë në perandorinë komuniste, por ishte e vetmuar, e izoluar nga bota. Dhe poezia u fut në burg në gjuhën e ndaluar, në anglisht, që shihej si gjuhë e imperializmit më agresiv. As diktatori ynë, – i ynë, po them, ne e nxorëm dhe s’ditëm ta shkulim, as tani madhe, – nuk dinte anglisht. Kryeministri i atëhershëm po. Dhe do të vritej a vetëvritej, njëlloj ishte, ndoshta dhe nga shkaku i asaj anglishteje…
Por unë dua të flas për Poezinë “Invictus”, ishte në burg me ne dhe ia kalonim njëri-tjetrit, dorë më dorë, ja ashtu siç jepnim cigaret, një kafe a një copë bukë thatë a kazmën shokut, në turnin tjetër në minierë… Anglisht, në origjinal. Poezinë kështu se kazma nuk ka gjuhë…
Nuk dihej si dhe qysh, kur, cili e solli dhe nga ku atë poezi. Sigurisht që ishte futur fshehurazi, në lloj arratie mbrapsht, jo për të dalë, por për t’u futur në burg. E kush e ka shkruar? Ai, që kisha afër shtratit, e kishte fshehur në kashtën e dyshekut… Jo, jo, po pyes për autorin?… Aha, amerikan duhet të jetë. S’kishte emër… E sollën ata që erdhën së fundmi nga burgu i Burrelit… U lumtë atyre, kanë kohë për këto!… Ne ngordhëm në punë, ditën, natën, as të dielën s’ka pushim. Pse thua ngordhëm dhe jo vdiqëm?… Por si kafshë na mbajnë këtu, kafshë fare… Shiko, shiko poezinë “Invictus”?… E ç’domethënë?… ‘’I pamposhtur’’, latinisht. Kam shumë fjalë që s’i di, s’i ka fjalori anglisht… Ai që ke kopjuar ti, që të është nxirë nga piriti… ohu, sa duar e kanë prekur…
Poezinë “Invictus” mbaj mend që e kopjuan, nga shokët e mi, dhe Maks Rakipaj, ish kapiten vapori, e ngazëllente fjala captanin në vargun e fundit, ai pas burgut do të bëhej përkthyes i shkëlqyer i qindra poezive, por dhe miku im çam, H. Bajo, e pëlqente për esklamacionin, po kështu dhe Ron Ç., që donte anglishten e saj oratorike, dhe të të dy këta kanë ikur në SHBA e migrantë, minoritari Jorgo M. e kopjoi prapë, ndoshta për ndonjë shok. “Invictus” na ngjante si poezi jona, e burgut tonë.
Teksa shtyja vagonat me Nure S. poezinë e mësova anglisht përmëndësh, fletën e fusja në leckat e trupit, te pecet e pista të këmbëve dhe pastaj brenda në minierë, në frontin e punës, e ngulja te ndonjë gozhdë në trupat e drunjtë që mbanin galerinë, i afroja në terr kandilin me karbit, shikoja një varg, i ktheheshim punës, shtynim vagona dhe thosha me zë vargun e parë: Out of the night that covers me, të dytin, i përsërisja bashkë, të tretin, harroja të parin… u bë strofa e parë… e dyta, harroja të parën… djersë në fytyrë e në trup, djersë e zezë, nga që përzihej me pluhur piriti, bëheshim pis, vagoni binte, dilte nga shinat, s’e ngrinim dot dy veta, prisnim ndonjë tjetër skllav, i vinim hurin në parakolpin e hekurt, i vinim kurrizin… si Zhan Valzhani… vazhdonte puna, ikte dhe polici me shpurën në fronte të tjera për kontroll… vargu i parë i strofës së tretë, mjaft sot, nuk mundem, u lodha, nesër… po ma thuaj, ma thuaj edhe një herë, më thoshte Nurja… I pamposhtur!…
Dhe nuk e dinim se diku në një burg larg, në një tjetër kontinent, në Afrikën e Jugut, një tjetër i burgosur, me emrin Nelson Mandela donte pikërisht këtë poezi, e kishte credon e vet dhe mbase edhe ai po e recitonte po në ato çaste që po e bërtisnim dhe ne në terr, fshehurazi.
Poezia bashkon, edhe pa e ditur, jep atë emocion që i duhet jetës, mbijetesës, krijon një si përbetim të fshehtë, komplot kundër errësirës, braktisjes, rrënimit, – kisha shkruar në artikullin tim për Mandelën. – Poezia është fillim lirie, mëkat i ndaluar kundër mëkatarëve, kështu më dukej, aq më tepër mua që isha dënuar me burg vetëm për poezitë e mia. Jo janë pesimiste, më thanë në gjyq, kundër realizmit socialist, dekadente, etj. Po do isha i lumtur, një lumturi e zezë, vetëm po të ishin poezi.
ETHET E PËRKTHIMIT NË BURG
Invictus. Në shqip. Invictus prapë, është latinisht. Përkthimit i jepnim nga fati ynë, nga ai mjedis infernal, pa ditur se kush ishte autori, a mbase ishte anonim, i përndjekur, etj. Donim ta ndjenim në shqip, në shqipen e burgut, ta bënim tonën…
Në vargun e dytë, fjalët black as the pit (e zezë si gropa) i përshtatnim si të na pëlqente, secili sipas jo shijes, jo, por sipas goditjes që kishte marrë dikur nga jeta, nga antijeta, thuaj, e zezë si pusi e vinte ndokush, ndoshta kishte mall për pusin në fshat a i kishte ndodhur diçka në pus, si varri – një tjetër, kurse unë në fillim e bëra: e zezë si miniera a galeria, H. Bajos nuk i pëlqeu, e donte të tejme, si humnera, i zi si burgu, si dimri, si e tashmja, si plaga, si…
Fletores sime ku kisha shkruar poezitë anglisht, klasike, të padëmshme, ca sonete të Shekspirit… kush përkthen ato, di anglisht, na thoshte këngëtari Sherif Merdani… Alfred Tennyson, Christina Rosseti, Shelley… pra asaj fletoreje i kisha ngjitur në ballinë pamjen e shtëpisë ku qe themeluar PKSH-ja, e kisha hequr nga një revistë, që po të ma gjenin në kontrolle, të mos ma merrnin a grisnin. E zezë si partia… mund të thuhet?
Secilit nga ne i dukej se kishte bërë përkthimin më të arrirë, eh, më të mirin e kam bërë vetë, jam i bindur. Po ti e ke pa rima. Më mirë pa to se sa rima me folje a fjalë të rëndomta… si policët… Po ku t’i gjesh rimat e tjera, se mos i lënë të futen në burg…
Pata fat që fletoret e mia ia dola t’i nxjerr nga burgu, edhe sot i kam, edhe këtë me poezi anglisht e shqip…Po kush e kishte shkruar “Invictus”-in? Nga erdhi? Të thashë, nga burgu i Burrelit do ketë ardhur. Atje mundej… Ndonjëri nga ata që i shpërngulën prej andej, në thesin e tij, mes ndërresave të pakta e ndonjë ushqimi, mes fletoreve a ndonjë libri pis, do të ketë fshehur dhe poezinë. Shpesh shkrimet tona shpëtonin prej kthetrave të policëve nga që nuk u dukeshin gjë, copa letre koti, zhgarravina nga ca të shkalur, që s’do të dalin kurrë prej këtej. Dhe ne zakonisht nuk e tregonim zanafillën e shumë gjërave të këtij lloji, përkthime, dorëshkrime poezish, dorëshkrime nga duar me pranga, tregime, pjesë romanesh, shpesh të shkruara dhe në copa thasësh çimentoje dhe as donim që të dinim nga vinin, se, s’i do që të ndodhte, në rast ridënimesh, në hetuesi a tortura, të mos kishim mundësi ta tregonim, as përçart, të mbrojtur nga mosdija, në fund të fund që të mos dyshoheshim nga bashkëvuajtësit.
Në Burrel gjen libra e dorëshkrime, prej andej do ketë ardhur… Aty janë Mandelat e Shqipërisë, në Burrel kanë qënë Et’hem Haxhiademi, tragjediani i parë shqiptar, Mirash Ivanaj, ministri i arsimit më i kulturuari në Ballkan, ay kanë vdekur, i kanë helmuar, thuaj… Eh, mandelat shqiptarë, Gjon Shllaku, Filipeu, Kudret Kokoshi, Lazër Radi, Kolgjini, Petrit Velaj, Spartak Ngjela, etj, etj… Trebeshina, që ngërthen rebelimin e të gjithëve… Fatos Lubonja… e kishim të tmerrshëm burgun ne, kurse Mandelës i thoshin: ndërro idetë, hiq dorë nga ideali yt, nga lufta jote që të të lirojmë dhe ai nuk pranonte. Invictus. Dhoma e burgut të tij ishte më e mirë se shtëpitë tona, më komode, kurse Haveli kishte makinë shkrimi në burg. Tek ne vetëm shkrimtarëve profesionistë u lejohej, ua jepte shteti, partia, por të regjistruara në Sigurim… Profesor Arshi Pipa doli nga burgu dhe u arratis, ky është fat, ç’mrekulli! Edhe profesor Sami Repishti, edhe… Pjetër Arbnori roanet e tij i shkrujti në burg dhe u vinte emër të huaj mbi fletore, mundësisht me një “Ë” si të ishin përkthime… po u afrohen të 30-ve ata, jo si moshë, jo, por afërsisht 30 vjet burg… po dhe Adem Demçi mandelë shqiptar është atje në burgjet e Jugosllavisë…
Invictus. Si do ta kenë përkthyer miqtë e mi, se sigurisht të gjithë jemi rrekur? S’e di pse na dukej si detyrë. Zyd Morava do të ketë thënë: e zezë si seksi, kurse Dine Dinia: e zezë si pabesia, Gëzim Medolli: e zezë si zia… po ç’bëni, ej, është e zezë si gropa, nxehej Ron Ç, të paktën mos i bini ju më qafë origjinalit… si ferr, ej.
Në dy vargjet e fundit, të famshmit: I am the master of my fate; /I am the captain of may soul. – nuk po më bëhej që foljen ta vija në kohën e tashme, por në të ardhmen: Do jem unë zot i fatit tim,/ Do jem unë kapiten i shpirtit tim.
A t’i vë një “?”. Por ndill mirë, i thosha vetes.
Them se mund të bëhet një antologji me to, simotërzimet tona ose të përzgjidheshin fjalë e vargje prej tyre, më të mirat e të derdheshin veç tek njëra. Të caktohej njëri… Po ç‘thua, s’bëhet. Po rimat që s’janë gjetur njëlloj, janë të ndryshme, pavarësisht se u ngjajnë telave me gjëmba, nyjeve të tyre… ju jeni të çmendur, lërini këto se do ju ridënojnë, shikoni burgun tani, të çmendur… jo, invictus…
* * *
Invictus! Më dukej si e gdhëndur në mermer. Bardhësia e përfytyruar e mermerit, shkëlqimi i tij i kalonte ajrit dhe poezia tretej kështu në ditë, në dritën e saj… Nuk e harruam as pas burgut dhe pas rënies së diktaturës dhe gjithë perandorisë komuniste.
Doja autorin, t’i shprehnim mirënjohjen tonë, le të ishte veç emër a shpirt në qiell.
Duke folur dhe pyetur për këtë poezi, ndodhte të mos dinin gjë, as ata që kishin qenë të lirë, dua të them jo në burg, a e kishin dëgjuar?
Po a ka autor? Cili është? Anonim, kolektiv, biblik? Tamam si në një skenë teatri po më dukej, që bie perdja dhe mes duatrokitjeve të shumta kërkohet të dalë autori e ai vonon.
FANTAZMA E AUTORIT:
E gjeta, ishte ngazëllim, por kisha dhe një si ndjenjë mbarimi që ta jep mbërritja, zgjidhja e enigmës. Për mua e ata si unë, se bota e dinte. Në fillim, kur isha i mbyllur në burg, ai ishte si i përhapur gjithandej, kudo, por kur unë dola, u burgos ai në një emër, në një CV.
Quhet William Ernest Henley, anglez, poet, kritik, edhe botues, më duket… Gjej se ka lindur në 23 gusht 1849 në Gloucester, ishte më i madhi i gjashtë fëmijëve në familje, 5 djem dhe një vajzë, ku babai i tij, Ëilliam dhe ai, ishte librashitës, ndërsa nëna, Maria, ishte bijë poeti.
Qysh fëmijë vuante nga tuberkulozi në kocka, kreu dhe një amputim në këmbën e majtë, nën gju.
Shkrimtari Stevenson e përshkruan kështu Henley-n si “…i madh… masiv, shpatullgjerë e me mjekërr të kuqerremtë, i qeshur… i zgjuar, vital…”, sëmurej shpesh, i detyruar të ndërpriste shkollën ndonjëherë, por dhe nga biznesi i babait, që veç shtonte borxhlinjtë.
Henley kalon në Londër në vitin 1867, në Oxford, i pëlqen të bëjë gazetarin, prapë tuberkulozi, amputim prapë në këmbën tjetër. 3 vjet në spital, një lloj burgu paqsor, i bardhë, i dhëmbshëm, shkruan dhe boton poezi…Ja, “Invictus”… Patjetër nga që i është dashur t’i përgjigjej prerjes në këmbë. Shpiku flatrat kështu. Në vitin 1878 ai u martua me Anna Johnson Boyle. Në moshën 5 vjeçare u vdes vajza.
Henley bëhet redaktor në revistën e artit “Scots Observer” të Edinburgut, me ndikim në jetën kulturore, ku grumbulloheshin shumë shkrimtarë e kishte mjaft lexues. Autori i Invictus-it po merrte famë. Më 1890 boton vëllim me kritika, që mirëpritet. Mbas poezive të spitalit nxjerr librin e dytë me poezi, “Kënga e Shpatës”, entuziazmon lexuesit. Boton tre drama, bashkautor me Stevenson, etj, etj. Por turbekulozi do t’i merrte jetën. Henley mbylli sytë në vitin 1903, në kulmin e burrërisë, kur ishte 53 vjeç. Hiri i tij u vendos në varrin e bijës së tij…
I.N.V.I.C.T.U.S. Kjo poemë e shkurtër viktoriane u botua për herë të parë në vitin 1875 në “Libri i Vargjeve” të Henley-t, tek cikli “Jeta dhe Vdekja”. S’kishte titull, vetëm një përkushtimin: To RTHB, shkronjat nistore të emrit të një tregtari të suksesshëm, mecenat i letërsisë dhe i autorëve. Titullin latinisht “Invictus” e shtoi botuesi Arthur Quiller-Couch, kur poezia u përfshi në “Librin e Oksfordit të vargjeve anglisht”. Dhe ashtu mbeti.
“Invictus” shihet si një nga poezitë më frymëzuese të shkruara në gjuhën angleze të të gjitha kohërave, për të cilën komentet dhe interpretimet nuk rreshtin as sot e kësaj dite. Dhe, edhe pa qënë në burg, janë të shumtë nëpër botë ata që i dinë vargjet e saj dhe që nuk e dinë autorin.
Ja tregova tim biri poezinë dhe historinë e saj me mua. Më shikonte, qeshte zëshëm, por me një trishtim engjëllor në buzë. Ky imazh u bë shkak që të rimerrja këtë poezi, që sikur fërgëllon si një flakadan që porsa ndizet…Ndërkaq më vjen ta harroj shpesh emrin e autorit të poezisë “Invictus”, kështu sikur e kujtoj më mirë. Nuk paskësh qënë në burg ai, thashë me vete dhe pata një si keqardhje lehtësuese, më mirë. As president nuk ka qenë. Aq më mirë, thashë prapë me vete.
Është krijuar një korale e madhe në botë që këndon stuhishëm këtë poezi, Invictus, ku përzihen dhe zërat e plagosur shqiptarë. Se në burg, po vazhdoja të flisja me vete, mund të jesh dhe pa qënë dhe edhe e kundërta, që duke qënë në burg, mund të jesh dhe i lirë, invictus, desha të thosha. Se edhe president mund të jesh, pa qenë vërtet si i tillë. Falë poezisë, ka më shumë qëndresë për të qënë sa më vetvete. Jo dhe aq shumë hero, por jo dhe aq pak shenjt. Njeri… se Invictus na duhet përditë.
INVICTUS
Out of the night that covers me,
Black as the pit from pole to pole,
I thank whatever gods may be
For my unconquerable soul.
In dhe fell clutch of circumstance
I have not winced nor cried aloud.
Under the bludgeoning of chance
My head is bloody, but unbowe’d.
Beyond this place of wrash and tears
Looms but the Horror of the shade,
And yet the menace of the years
Finds, and shall find, me unafraid.
It matters not how straight the gate,
How charged with punishments the scroll,
I am the master of my fate;
I am the captain of may soul.
INVICTUS
(përkthimi im në burg)
Jashtë natës që më mbulon mua
E zezë si ferri deri në polet,
Zotat, cilëndo, t’i falenderoj dua
Për shpirtin tim që nuk lodhet.
Nën kthetrat-tmerr të rrethanave
S’u drodha dhe nuk klitha, oh!
Fati me rënie të çomangave
M’i përgjaku kryet, s’i ula, jo.
Kudo na ndjek ankth’ i hijeve
Në baltë lotësh, ashtu të shëmbur.
Por mua kërcënim i viteve
Gjithnjë më gjen të pa trëmbur.
I rëndë qoftë çdo dënim
Dhe le t’mos hapet porta dot,
Zotërues jam i fatit tim,
I shpirtit tim jam unë Zot.