Durrës, zbulohet mozaiku i rrallë mbi 2.000-vjeçar
Në ditën ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, në Durrës është zbuluar për publikun një mozaik i rrallë, i cili për një kohë të gjatë ka qenë i fshehur poshtë një pallati, mes ujërave të zeza e plehrave. Bëhet fjalë për Mozaikun e Meandrit me svastika ( simboli i fatit të mirë, ose kryqi i thyer), i cili është destinacioni më i ri arkeologjik i qytetit të Durrësit. Për kthimin e dinjitetit të këtij monumenti u deshën plot dy vite punë, ndërsa në vitin 2015 “Rrënojat e Ndërtesës me Mozaik” u shpall monument kulture i kategorisë së parë në një bashkëpunim mes DRKK Durrës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Rrënojat e kësaj banese të Dyrrachiumit antik janë zbuluar gjatë gërmimeve të emergjencës në vitet 2005-2006. Plani i përgjithshëm i mbetjeve, i përbërë nga 12 ambiente të përmasave të ndryshme lidhet me disa ndërhyrje konstruktive realizuar nga tri periudha suksesive kohore. Periudhës së parë të ndërtimit i përkasin pesë ambiente ndërtuar në blloqe gurësh të madhësive të ndryshme të lidhura me argjile. Teknika e ndërtimit dhe material arkeologjik që bashkëshoqëron këtë ndërtim kanë përcaktuar periudhën midis shek.IVIII para Krishtit, si në kohën e instalimit të kësaj strukture. Kësaj periudhe të funksionimit të kësaj banese i përket gjetja e një numri kallëpesh për prodhimin e figurinave prej argjileje.
Në periudhën e dytë banesa pëson disa ndërhyrje. Ambientet e kësaj periudhe rezultojnë të jenë punuar në afreske murale dekoruar me motive floreale. Njëri prej ambjenteve gjithashtu pajiset me mozaik, punuar me një emblemë me meandër, svatika dhe kuadrate në qendër të secilit. Kjo periudhë vendoset kronologjikisht në harkun kohor, nga shek.II para Krishtit deri në mesin e shek.II pas Krishtit, kur dëshmohen gjurmë të shkatërrimit të banesës. Modifikimet e fundit të kësaj banese, instalohen në shekullin II pas Krishtit dhe vazhdojnë funksionin ndoshta deri në vitin 459 pas Krishtit kur dokumentohen gjurmët e shkatërrimit përfundimtar.