“Valle çamçe, valle beratçe, këngë matjane, Gjethia dhe Bilbilo o i mijeri bilbil”, shkrimi i gazetës franceze më 1939 mbi vlerën kulturore folklorike të disqeve shqiptare
Nga Aurenc Bebja*, Francë.
“La Dépêche” ka botuar, të martën e 11 prillit 1939, në faqen n°6, një shkrim të gazetarit, shkrimtarit dhe folkloristit francez Roger Dévigne, tepër interesant për kohën, në lidhje me vlerën kulturore folklorike të disqeve shqiptare dhe mungesën e tyre në mjediset franceze, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Muzeu i tingullit
Disqet shqiptare
Roger Dévigne
“Edhe një herë, thashethemet e tmerrshme të lajmeve na kujtojnë se një koleksion disqesh nuk ka vetëm vlerë muzikologjike dhe rekreative, por edhe vlerë kulturore. Edhe një herë disku, duke evokuar zërat, këngët, lojërat, ëndrrat e popujve të largët dhe pak të njohur mund të na ndihmojë t’i kuptojmë më mirë ato. Do të shtoja: për t’i kuptuar më mirë me hidhërimet e tyre, kur bëhet fjalë, si sot, për shqiptarët.
Francezi, për të cilin thuhet se ka shumë pak njohuri në lëndën e gjeografisë, ende nuk ka shumë reputacion si një dashamirës i folklorit. Sidomos kur bëhet fjalë për folklorin fonografik. Për sa i përket Shqipërisë, në veçanti, pak francezë dinë për muzikën e saj popullore dhe këngët e saj. Megjithatë, shqiptarët kanë një folklor tingujsh shumë piktoresk, nga i cili janë regjistruar një numër i caktuar melodish. (Kryesisht nga firmat angleze dhe gjermane).
Nëse shqiptarët janë pak si malësorët (highlanders) e Ballkanit (skocezët e lashtë, gjë kurioze, për më tepër, quheshin “Albains” para pushtimit nga Scots e Irlandës) mund të pranojmë, nga ana tjetër, se kënga popullore shqiptare nuk posedon as melankolinë harmonike dhe as madhështinë e egër të këngëve të vjetra skoceze.
Por ajo ka një aspekt shumë të theksuar territori që e bën atë mjaft karakteristike. Meloditë shqiptare tradhtojnë ndikimin islam shumë më tepër sesa ndikimin sllav. Përjashtojmë këtu meloditë specifike sllave të Shqipërisë, prej të cilave profesori Mazon, i Collège de France, ka bërë disa regjistrime të cilat gjenden në Muzeun e Fjalës. Por nëse ndikimi turk dhe mysliman është real në meloditë shqiptare, ato ende kanë personalitetin e tyre të përafërt, shijen e tyre të ashpër dhe origjinale.
Në fakt – sipas dijenisë tonë të paktën – ende nuk është bërë ndonjë studim i madh fonografik sistematik i folklorit shqiptar. Dhe kjo është edhe më shumë për të ardhur keq për “diskologjinë” dhe për shkencën, pasi ngjarjet aktuale nuk do të lehtësojnë, për një kohë të gjatë, kërkimet folklorike të këtij lloji. Në Francë, përveç tre disqeve të Muzeut të Fjalës, nuk ekziston, në asnjë katalog të firmave franceze asnjë disk nga Shqipëria. Sidoqoftë, mund t’i gjeni në Londër ose Berlin. Tek His Master’s Voice do të citoj : diskun n° A. M. 3000. Dy këngë të njohura nga Shqipëria e Jugut, të kënduara në duet, në një regjistër që shkon nga tingulli më i lartë tek ai më i ulëti i hundës, të cilët japin një efekt trimërie mjaft piktoresk.
Disku n° A. M. 2978, i cili përmban dy këngë të vjetra, përfshirë atë të Ali Tepelenës, pashait të famshëm të Janinës, i cili, siç e dimë, ishte shqiptar. Tjetra është një këngë nga Shqipëria Veriore, e kënduar nga një anëtar i një fisi prej Mati, dhe e shoqëruar nga një treshe violine, klarinete dhe mandoline.
Disku n° A. M. 2991. Ai përmban dy valle kombëtare shprehëse : Vallen Çamçe dhe Vallen Beratçe, të luajtura nga një orkestër nën tingujt mahnitës të klarinetës.
Shënoni gjithashtu, akoma tek His Master’s Voice, një disk me origjinë më pak folklorike, n° A. M. 3017. Është një kor vajzash të reja, që këndojnë në grup dhe që të kujton majft stilin e përgjithshëm të këngëve sllave.
Kujtojmë, tek Polydor, nga orkestra e Selim Efendiut, disqet n° 51107 dhe 51109. Pa i përkatur specifikisht folklorit, këta disqe janë shumë të larmishëm (shumëngjyrësh) dhe domethënës.
Tek Odéon, nga një orkestër e mirë popullore nga Tirana, vallja “Shkiptare” dhe vallja “Beratçe” (n° A. 237151). Le të përmendim gjithashtu : Gjethia (n° A. 237213); dhe sidomos “Bilbilo i mijeri bilbil” (n° A. 237011).
Nëse do të mund ta gjenit tashmë këtë përzgjedhje të vogël të disqeve shqiptare, do të kishit një pamje (ide) shumë mbresëlënëse të folklorit të këtij populli fatkeq. Marr guximin t’i sugjeroj Odéon-it, i cili po bën, në këtë moment në Paris, një përpjekje kaq interesante dhe të guximshme në interes që do të kishte, nëse kjo është e mundur, për të sjellë një ose dy disqe karakteristike në katalogun e tij shqip”.