Europa ime: 306 të rinjtë
Bota ideale në qytetet gjermane dhe zhurma për refugjatët: Duhen prishur kufijtë për të ndihmuar refugjatët, mendon Beqë Cufaj.
Të kërkosh vetevten d.m.th. para së gjithash të ballafaqohesh me kujtime. Me hartat e memorjes së kufijve të Europës nga qyteti i lindjes në jugperëndimi të Kosovës, trazirat politike me të cilat ke kaluar një rini të tërë, luftën shkatërruese që pushtoi tërë hapësirën e ish-Jugosllavisë ku kanë lindur shtatë shtete të reja.
Dhe pastaj hapet kapitulli i kontinentit të kujtimeve e udhëtimeve në kontinent: me Hagën pranë detit të ftohtë apo Brukselin me kaos e burokraci, Parisin me Ismail Kadarenë dhe terroristët e çmendur, Spanjën sa gjermane aq edhe katalonjase, Vjenën e elektrizuar apo Pragën e Kafkës e Sllovakinë pa romë, Varshavën katolike apo Portugalinë Melankolike… Harta dhe kufij që disi më s’don t’i shohësh por vetëm t’i kujtosh. Në imazhe apo forma shkronjash, shkronjash, shkronjash.
Të kërkosh vetveten do të thotë t’u ikësh njerëzve dhe të kërkosh largësitë e maleve të lagjes ku jeton: Dergerloch-ut përgjatë Kullës së Televizorit në Stutgart; të lëshohesh fushave që çojnë drejt Qendrës së Daimlerit; të lëshohesh rrugës së Waldau-t drejt Kryeqytetit të Republikës së vetme në Europë, ku ekologjistët kanë pushtetin- në nivel lokal dhe në nivel qendror. Që idili të jetë perfekt, kryeqyteti i Republikës që prodhon më së shumti automjete në botë, kryeqyteti i Republikës në të cilën po vazhdon të ndërtohet një prej stacioneve më moderne të trenave në Europë, kryeqyteti i cili me vetëm 600.000 banorë nuk mund të quhet ndryshe pos botë e shëndoshë deri në pafundësi!
Kryeqyteti i një landi ekologjist
Rruga kryesore e lagjes në Degerloch quhet Epplestraße. Në 400 metrat e para të kësaj rruge, e cila shtrihet 3 kilometra në gjatësi ka 4 barnatore, 8 furra, 8 dyqane ushqimore (shumica prej të cilave janë me produkte bio), 3 kioske, 4 imbisë “të lira” dhe 4 restorante shumë të shtrenjta, 2 dyqane këpucësh ortopedike, 2 dyqane akustike me aparate dëgjimi, 10 ordinanca mjekësie, 4 stomatologë, një librari dhe një bibliotekë qyteti, një bashki të bukur dhe të bardhë, një kishë evangjeliste, një kishe ortodokse, një kishë apostolike, shkollat Alb dhe Filder, gjimnazin, dy tregje javore me prodhime të freskëta, dy pompa benzine, dhe, dhe, dhe… njerëz nga tërë kontinenti! Mbi pjesën e sipërme të Degerloch-ut bashkangjitur me vargmalet janë edhe fushat me ofertat e rekreacionit me dhjetra stadiume; futboll, tenis, atletikë, gjimnastikë. Dhe ngjitur me to janë edhe shtëpitë e të moshuarve, numri i të cilave në dhjetë vitet e fundit shtohet dhe shtohe. Aq sa njeriu e ka të vështirë t’i numërojë.
Bota ideale në Degerloch
Kjo është bota e shëndoshë e Degerloch-ut në të cilën jetoj tash më shumë se dhjetë vite dhe në të cilën sidomos në tre vitetet e fundit lëviz pothuajse çdo ditë- pa ikur aspak prej saj- pos ndonjë pushimi në Itali apo udhëtimi brenda në Gjermani. Kjo është bota e shëndoshë në pothuajse çdo lagje të jugut gjerman, por edhe veriut, perëndimit e edhe lindjes. Edhe ashtu Gjermania njihet gjithandej si një shtet me shtrirje të barabartë të standardit jetësor.
Botës së shëndoshë të Degerloch-ut me 16.351 banorë, të cilëve prej disa muajve u janë shtuar edhe 306 të porsardhur, që kanë mbërritur para disa muajsh janë pothuajse të padukshëm, sepse janë akomoduar në malet e rrethinave të kësaj lagjeje. Refugjatët. Për disa të mirëseardhur e për disa tjerë jo edhe aq.
Apo duhet përmendur përqindjen e ndarjes së votës së Degerloch-asve në zgjedhjet e fundit për lokale?
Një mrekulli do të ndodhë
Apo duhet që kjo gnadenlosigkeit (pa) mëshirë ndaj njerëzëve, që kanë nevojë për ndihmë, të përkthehet në frikë të shprehur në furra buke, barnatore, supermarkete, rrugë, kuti votimi? Apo të jetë politika, manipulimi me të, lufta kundër terrorit dhe ismalistëve të çmendur ajo që një popull dhe shoqëri ta hedhë në krahët e populistëve që duan vetëm racën e pastër? E tmerrshme ndarja e hartave të lagjeve, të qyteteve e fshatrave, shteteve e kontinenteve në “raca”. E padurueshme frika. Dhe i pafalshëm konfuzioni.
Duhen rrëzuar këto kufij lagjesh për këta njerëz që tashmë janë vendosur në këtë vend. Në periferitë e lagjeve tona në kontejnerë, shtëpi të moçme apo lagje të braktisura.
Nuk do të jetë e lehtë. Por më e lehtë është të fillohet të punohet. Do të ndodhë një çudi e madhe: ata do të ndjehen pjesë e kësaj shoqërie ashtu si secili prej nesh që ka ardhur në këtë vend pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë rindërtimit të Gjermanisë, gjatë mrekullisë së “Made in Germany”, gjatë punës së bashkimit të Gjermanisë e rënies së perdes komuniste, gjatë luftërave të tmerrshme të ish-Jugosllavisë…Dhe tani gjatë pranverës së përgjakshme arabe dhe luftës së tmerrshme të Sirisë. Efektin e së cilës e ndien edhe Degerloch-u me 306 banorët e rinj në të!
Beqë Cufaj (1970), i lindur në Kosovë jeton prej 20 vite në Gjermani. Ai shkruan libra si dhe artikuj për Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) dhe Neue Zürcher Zeitung (NZZ) Së fundmi në gjermanisht është botuar romani i tij projekt@party (Shtëpia Botuese Secession).