Kur Athina firmoste varrezën e partizanëve çamë në Greqi
Deri në vitin 1995 Çështja Çame ka qenë në një shtrat “normal” diplomatik mes dy vendeve, për t’u fshehur më pas për pothuaj një 10-vjeçar nga agjenda. Kryeministri grek Micotaqis në vizitën e tij në Tiranë, më maj ’92 deklaronte se “ekziston mundësia për njohjen e pronave dhe pasurive të tyre”
“…Mbas një debati të gjatë pala greke u vu përpara një alternative, ose të pranonte reciprocitetin e ngjarjeve dhe respektimin e barabartë te tyre ose te hiqej dorë nga parashtrimi i tyre për varrezat e Këlcyrës në këtë dokument”
Ish-diplomati, Petrit Kasemi në shkrimin e mëposhtëm hedh dritë mbi bisedimet shqiptaro-greke të qershorit të vitit 1995, ku pala greke duke kërkuar ngritjen e memorialit në Këlcyrë për të përkujtuar të vrarët gjatë luftës italo-greke, u detyrua që të pranonte dhe të firmoste procesverbalin, ku angazhohej që të grumbullonte eshtrat e partizanëve çamë brenda tokës greke dhe ngritjen e një varreze të përbashkët në Greqi. Por, këto bisedime nuk u zyrtarizuan me miratimin në parlamentin grek. Me ngjarjet e ‘97-ës dhe kalimin e viteve, bisedimet mes dy vendeve morën rrjedhë të njëanshme në favor të grekëve, të cilët procesverbalin e ’95-ës e zbatuan vetëm në favor të tyre për ngritjen e varrezave e Këlcyrës. Shënimet e diplomatit Petrit Kasemi, ish-drejtor i Diasporës në Ministrinë e Jashtme vlejnë në debatin e sotëm për Çështja Çame, pasi rrëzojnë tezën kryesore të Athinës për bashkëpunimin e shqiptarëve të Çamërisë me gjermanët.
***
Nga Petrit Kasemi
Pa u zhveshur kostumi i vizitës së kryeparlamentarit shqiptar në Athinë, vizitë të cilën si vizitorët dhe mikpritësit e vlerësuan me “qetësi dhe me dashuri”, shoqëruar madje dhe me dekorime, papritur koha u trubullua përsëri. Athina zyrtare me be dhe rrufe turfulloi si asnjëherë më parë këto 25 vjet, duke harruar se u fol për miqësi dhe jo për rivalitet dhe se kush është më i fuqishëm. Nuk po ndalem në këtë shkrim mbi deklarimin dhe ultimatumet e fundit të ministrit të Jashtëm grek Kotzias, se ato dëshmojnë disekuilibër patologjik e diplomatik dhe si të tilla janë të papranueshme. Kërkoj të tërheq vëmendjen dhe të denoncoj tendencën që po shfaqet e përsëritur për të demonizuar një tragjedi që ka ndodhur në territorin grek dhe ndaj shtetasve të tyre, çamëve tragjikë. Ashtu siç karakterizohen marrëdhëniet shqiptaro-greke me zigzage me ulje dhe ngritje, herë me puthje dhe herë me skërmitje dhëmbësh, ashtu dhe qasja në trajtimin e Çështjes Çame ka momentet e saj të dhimbshme. Përpjekjet diku të kamufluara, diku tepër agresive të shfaqura tentojnë që t`i shmangen detyrimit që të afrojnë zgjidhjen përfundimtare, e cila do të sillte marrëdhëniet midis dy vendeve e dy popujve në shtratin normal e të nevojshëm. Të demonizosh tragjedinë çame duke e etiketuar herë si jo ekzistente apo që tensionon marrëdhëniet s’është aspak reale dhe njerëzore. Zgjidhja e drejtë e Çështjes Çame është ajo që do të sheshojë çfarëdo tensioni në marrëdhëniet historike shqiptaro-greke. Mohimi dhe shmangia e përgjegjësive është demonizim dhe shkelje brutale e të drejtave të njeriut. Si një ish-diplomat që kam mbuluar marrëdhëniet shqiptaro-greke në periudhën nga më të vështirat si ato në vitet 1992-1996, kam patur fatin të përballem dhe të përfaqësoj edhe në bisedimet dypalëshe shqiptaro-greke çështje shumë të rëndësishme dhe delikate të hapura deri më sot si ajo e eshtrave të ushtarëve greke gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Çështjen Çame. Po sjell për opinionin publik si dhe atë zyrtar të dy vendeve disa shënime te mbajtura qe hedhin dritë në errësirën ku kërkojnë të futin sot Çështjen Çame në marrëdhëniet dypalëshe.
Mbi çështjen e eshtrave të ushtarëve grekë.
Gjatë takimit të parë të Nënkomisionit për çështjet e Kufirit dhe të Mbrojtjes, mbajtur në Tiranë më 6-7 qershor 1995 në fund të bisedimeve pala greke parashtroi një kërkesë të papritur në kuadër të këtij nënkomisioni. Ajo ringriti çështjen e varreve të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës me italianët brenda territorit shqiptar më 1941. U pretendua për 7800 të vrarë për “çlirimin e tokave shqiptare”, siç u theksua dhe me këtë rast u kërkua vetëm ngritja e një memoriali përkujtimor ne Këlcyrë, duke kërkuar gjithashtu ndihmesën e palës shqiptare për të lehtësuar dhe nderuar kujtimin e tyre. Edhe pala shqiptare menjëherë formuloi kërkesën e vet te ngjashme duke i kërkuar palës greke të ndihmojë palën shqiptare për ndërtimin e një varreze dhe një përmendoreje në kujtim të partizanëve shqiptarë të Çamërisë në kuadër të EAM-ELAS-it, rënë për çlirimin e Greqisë kundër një armiku të përbashkët. Ekspertët grekë reaguan dhe nuk donin ta pranonin këtë. Ngulën këmbë se nuk njihnin një rast të tillë dhe nuk pranonin të firmosnin që kjo kërkesë të përfshihej në procesverbalin e bisedimeve. Me këmbëngulje dhe me fakte u argumentua se kërkesa shqiptare nuk bënte fjalë për individ apo rast sporadik, siç tentuan ta minimizonin çështjen ekspertët ushtarakë grekë, por për pjesëmarrje aktive dhe në formacione të rregullta luftarake greke të pranuara dhe të respektuara si formacione të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit grek. U bë e ditur se është fakt historik se vetëm ne Komandën e Divizionit të 8-të, Regjimenti i 15-të i ELAS-it si në rastin e Batalionit i quajtur “miks” (shqiptaro-grek), në radhët e të cilit kanë luftuar mbi 500 partizanë çamë, mbi gjakun e të cilëve qëndrimi zyrtar grek ka hedhur dhe vazhdon të hedhë baltë dhe akuza fyese. Mbas një debati të gjatë pala greke u vu përpara një alternative, ose të pranonte reciprocitetin e ngjarjeve dhe respektimin e barabartë të tyre ose të hiqej dorë nga parashtrimi i tyre në këtë dokument. Procesverbali u firmos dhe pala greke angazhohet që në rast të miratimit zyrtar të një aksioni të tillë dypalësh do t’iu krijojë lehtësirat e duhura edhe ekspertëve ushtarakë shqiptarë që të grumbullojnë eshtrat e partizanëve çamë brenda tokës greke dhe ngritjen e një varreze të përbashkët në trojet e tyre në Greqi, ashtu si dhe pala shqiptare do të jepte një kontribut të kërkuar nga ushtarakët grekë brenda tokës shqiptare.
Pas 10 vjetësh u bë e ditur se nga qeveria shqiptare e mëparshme është nënshkruar dhe hapur rruga e një marrëveshjeje të re për ndërtimin e 2 apo 3 varrezave për ushtarët grekë të rënë në Shqipëri dhe asnjë fjalë për një varrezë për çamët në tokën e tyre. Madje, pala greke është në ofensivë dhe këmbëngul në hapjen e varrezave të tjera në krejt territorin e jugut shqiptar duke krijuar shqetësime të pajustifikuara. Çka dëshmon se është ecur në drejtim të kundërt. Por, çfarë ka ndodhur që është hequr dorë nga kërkesat e formuluara dhe të nënshkruara nga të dyja palët më 7 qershor të 1995-s? Përse nuk flitet për detyrimin grek të nënshkruar prej saj për të lejuar mbledhjen e eshtrave të partizanëve çamë dhe ndërtimin e një memoriali në kujtim të tyre që edhe familjet çame si ato greke të përkujtojnë këtë gjak të përbashkët të derdhur. Pa folur këtu për të rënët gjatë gjenocidit si dhe varrezat e shkatërruara civile që shteti grek mban përgjegjësi të rëndë!!!
Për Çështjen Çame:
Nisur nga fakti se Çështja Çame po riformulohej për herë të parë mbas përmbysjes së regjimit komunist në Shqipëri u vendos në atë kohë që për ecurinë dhe hapat drejt një zgjidhjeje të pranueshme, u ra dakord që si taktikë të përqendrohej fillimisht në diskutim në çështjen e pronave, si një e drejtë universale e njeriut e mbrojtur nga konventat ndërkombëtare, mbasi këtu grekët kishin dhënë dhe sinjale se mund të bisedohet. Kjo taktike e ndjekur solli që problemi pak e nga pak të dëshmohej jo ashtu siç deklaronin greket, por ashtu siç vetë ata në njëfarë mënyre po dëshmonin si një problem ekzistues.
- Kryeministri grek Micotaqis deklaron se: “ekziston mundësia për njohjen e pronave dhe pasurive të tyre” (Konferenca e shtypit Meksi – Micotaqis, Tiranë, maj 1992).
- Çështja Çame zyrtarisht është pranuar nga Ministria e Jashtme greke si ekzistente në marrëdhëniet dypalëshe. Me kërkesë të Ambasadës greke në Tiranë është thirrur në takim zyrtarisht, Shoqëria Politike Atdhetare “Çamëria” më 1992, pak pas vizitës së kryeministrit grek Micotaqis në Tiranë, ku janë shkëmbyer pikëpamje që donte të dinte qeveria greke siç u tha në takimin e realizuar. Për hir të vazhdimësisë së dialogut që u nis me këtë takim të parë, përfaqësia e çamëve nuk e publikoi duke plotësuar një kërkesë zyrtare të MJ greke të përcjellë nga zëvendësambasadori Kanellos. Pritja zyrtare dëshmon njohjen dhe ekzistencën e çështjes për shtetin grek.
- Ministri i Jashtëm grek Papulias gjatë vizitës zyrtare në Tiranë në mars 1995 pranoi si diskutim vetëm aspektin e pronave. Megjithatë e rëndësishme ishte se me këtë rast të dy ministrat e Jashtëm udhëzuan ngritjen e Komisionit të Përbashkët dhe Nënkomisioneve përbërëse në nivel ekspertësh, për të shqyrtuar problemet midis dy vendeve, ndonëse për rastin e Çamërisë këtu nuk kishim të bënim thjesht vetëm me një çështje teknike.
- Në 23-24 maj 1995, mbahet takimi i parë i Nënkomisionit për çështjet Konsullore dhe Juridike me agjendë bisedimi “Pretendimet Pasurore nga të dyja vendet dhe Regjimin e Vizave”. Në këtë takim në nivel ekspertësh me fakte dhe dokumente (greke) u rrëzua akuza greke ndaj çamëve. Juridikisht u provua se nuk ka asnjë akuzë ndaj çamëve në bazë të kodit penal grek në fuqi, por kemi një akuzë politike që mbahet me qëllim nga MJ dhe shteti grek. Drejtësia greke nëpërmjet Gjykatës së Diktimit të Janinës me Nr. Prot. 1837 dt. 27.9.1976 e ka dhënë drejtësinë dhe pafajësinë kolektive e individuale të shqiptarëve të Çamërisë.
Kolegjiumi i Ministrisë sonë të Jashtme të nesërmen në analizën ditore vlerësoi rezultatet e bisedimeve të fazës së parë të këtij Nënkomisioni duke evidentuar në veçanti si sukses për Çështjen e Çamërisë dhe duke vënë theksin gjithashtu që më së fundi kemi të bëjmë me rrëzimin juridikisht të akuzave greke, duke u hapur politikisht dhe ligjërisht drita jeshile për ecurinë e mëtejshme të bisedimeve për zgjidhjen e problemit. Për fat të keq ngjarjet dhe qëndrimet e mëvonshme u lanë në harresë këta hapa dhe rezultate diplomatike të zgjidhjes së çështjes dhe u braktisën po nga vazhduesit e asaj qeverie dhe diplomacia e saj. Mbas këtyre bisedimeve, ku diplomacia greke has në qëndrim dinjitoz, përdor taktikën e saj të suksesshme ndaj diplomacisë shqiptare, zvarritje dhe heshtje për një kohë të gjatë dhe kërkesa të menjëhershme në momente kur shteti dhe diplomacia shqiptare ndodhet përpara një hapi të rëndësishëm në procesin e integrimit të saj ndërkombëtar. Në këtë moment grekët lozin kartën e tyre, presionin për të arritur qëllimet duke e detyruar palën shqiptare të bëjë lëshime të mëdha dhe me pasoja për problemet e saj, madje dhe të heshtin si në rastin e ecurisë së zgjidhjes së Çështjes Çame mbas 1996-s. Vërej me keqardhje se ka 21 vjet që nuk është bërë takimi i dytë i Nënkomisionit për Çështjet Pasurore që do të mbahej në Athinë sipas radhës e ku do të diskutohej çdo pretendim pasuror i ngritur nga të dyja palët e t`u jepej zgjidhje përfshirë dhe pronat e çamëve. Kjo është me pasoja të rënda dhe e pafalshme për diplomacinë e të dyja vendeve që sa herë forcat politike vijnë në fuqi nisin diskutimet nga zero sikur nuk janë trajtuar më parë, ndërkohë që rezulton se hapi i parë serioz për të zgjidhur këtë çështje është i hedhur zyrtarisht dhe i evidentuar në dosjen dypalëshe. Nuk mund të fshihet koka si struci në shkretëtirë, siç veproi zoti Kotzias në vizitën e tij në Tiranë, duke dëshmuar një qëndrim që nuk përputhej me dialektikën e bisedimeve të mëparshme dhe me realitetin e trajtimit të Çështjes Çame nga ekspertët e të dyja palëve. Ky është një persekutim i hapur politik që bën shteti dhe diplomacia greke ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Por, është po kaq e papranueshme që shteti shqiptar me “qetësi dhe dashuri” lejon palën greke të bëjë spekulime të tilla diplomatike.
Dy fjalë për qeverinë aktuale të zotit Cipras
Është një fakt i rëndësishëm që qeveria aktuale greke, është përfaqësuese e të majtës greke, e majtë e cila njeh dhe respekton të majtën e saj EAM-in e Luftës së Dytë Botërore. Kjo duhet të bëjë më të lehtë dhe më të detyrueshme palën greke të ofrojë zgjidhjen e kërkuar në interes të komunitetit tragjik dhe të shumë vuajtur çam. E majta greke e Luftën e Dytë Botërore e ka dhe obligim zyrtar, jo vetëm për kontributin e çamëve për çlirimin e përbashkët, por se ka nënshkruar me Partinë Komuniste të Shqipërisë një marrëveshje historike dypalëshe, një dokument, për mbrojtjen e minoritetit shqiptar të Çamërisë në Greqi “për sot dhe të ardhmen si pasuri e të dyja vendeve” thuhet në këtë dokument. (Dokumenti i ribotuar në Athinë më 1989 ka emrin “Marrëveshja e Konispolit”, ku më 10 gusht 1944 u zhvillua takimi i përbashkët mes përfaqësuesit të Frontit të Çlirimit të Çamërisë dhe përfaqësuesit të Frontit Çlirimtar të Greqisë (EAM), si dhe të delegacionit të Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH) për Gjirokastrën (Shqipëri) për të shqyrtuar problemet e minoritetit shqiptar në Greqi dhe të minoritetit grek në Shqipëri). Këto janë detyrime historike në marrëdhëniet dypalëshe që janë neglizhuar ose injoruar dhe jo demonizimi i dhimbjes që rënkon në shpirtrat e çamëve.