Alfred Uçi, eseisti i fundit
Kur mësova lajmin se profesor Alfred Uçi ishte shuar, si një nga studentët e tij, saora doja të jepja një mbresën time mbi përmasën e personalitetit të tij si pedagog, studiues, akademik dhe intelektual thuajse i pakonkurrueshëm për nga përmasa e diturisë dhe sipëria shkencore… Një burrë krenar. I vetëmjaftueshëm. Autoritar. Por i drejtë. Nga më të përzgjedhurit e sektit të dijes ndër shqiptarët, një “kështjellar” i estetikës, kështu e kam quajtur, madje, në një studimin tim të dikurshëm figurën e tij. E di se nuk i shkojnë atij lulet dhe aureolat, sepse ishte njeri i punës, por e përdora këtë epitet të fundit, pasi në mendjen time ai ka fjetur përherë në dimensionin më të madh të mundshëm, pa mëdyshje ndër “ikonat” e pakta meritore të asaj çka kanë krijuar me punë akademikët e vërtetë shqiptarë. Akademikët që maten me libra, me kontribute të vyera e jo me kopshtari influencash selitur, jo rrallë nga impakte “masonike”, të vjetra a të reja qofshin. Në 60 vjet punë të pareshtur, asnjëherë “barka” e tij prej dijetari nuk lundroi mbi vetëkënaqësitë e mediokritetit, mburrjeve, zhurmës, farfurive dhe gjësendeve të rëndomta, përkundrazi…
I shkolluar për filozofi, përpos saj, mendja e tij gjithnjë e më shumë u epua nga ajo disiplinë, në dukje e brishtë, efemere, por tejet nazike: Estetika. Kishte shkruar De Rada, Fishta e të tjerë të stekës së tyre diç për këtë disiplinë filozofike, por është e padyshimtë se prof. Uçi u bë me meritë “kardinali” i padekretuar dhe i njëmendtë i saj. Ai i grahu atij plugut në arat e filozofisë së artit tërë jetën, duke e shndërruar në identitetin e vet kulturologjik, në profil shkencor dhe personalitet akademik.
Nga traktati i parë (“Estetika, jeta, arti”, 1969), në vitin 1976 ai do të botonte librin e dytë “Probleme të estetikës”, ku argument u bënë çështje të mprehta që lidheshin më fort me raportin kapilar të artit me shoqërinë dhe e këtyre të fundit me idealin estetik. Hapi i tretë, shumë më serioz, ishte libri tre vëllimësh “Estetika” (1986-1988), ku tanimë lënda përshfaqej ku e ku më e pasur, optria ku e ku më e gjerë, sikurse edhe prania domethënëse e referencave nga letërsia dhe artet shqiptare e botërore. Ortodoksia e mendimit estetik “doktrinor”, në mendjen e tij tanimë i kishte humbur të “vërtetat e tij absolute” me të cilat kreshpërohej dikur. Dinosauri po rrëzohej, paçka se retorika shkencore mbushte ende vakumin e frikshëm që lindte nga dyshimi dhe pikëpyetjet e pashmangshme. Po ta vësh re, ka mbetur vetëm një cipëz, sa për ngjyrë e ujdi me klishetë imponuese, pasi thelbi i mendimit të tij ishte tjetërfarë.
I thashë këto jo më kot, sepse duke e ndjekur krejt korpusin e veprave të profesor Uçit para vitit 1990 dhe gjer te botimi i librit të tij të fundit “Estetika metateorike mbi artin” (2008), sipas meje “libër jete” me rreth 1000 faqe, lexuesi shquan një rrugëtim të vështirë por dinjitoz, ku nuk ka tradhti ndaj vetvetes, nuk ka vdjerrje e pacipësi mendimesh e qëndrimesh, përkundrazi vëren një evoluim të natyrshëm, një grykë tuneli që veç “hapet” e hapet. Vrapi drejt kohës së re dhe të vërtetave të mohuara shenjohet te rishikimet serioze që i janë bërë ligjësorive të estetikës. Ndonëse zëri më imponues i kësaj dijeje para e pas viteve ‘90, ai nuk mori pozat e ndoca rojeve a ithtarëve të Janusit dyfytyrësh, të cilët rrëmbyen pishtarin e kohës së re jo për të lëshuar dritë në muret e lagësht të kështjellës së vjetër, por për të djegur pergamenat e veta kompromentuese. Ai s’u ngjante as rishtarëve të mohimit in-extremis dhe as kompiluesve të paskrupull, kur liritë e shprehjes u hapën dhe burgjet e mendimit u zhdukën. Doemos “Estetika metateorike mbi artin” është një katedër e vërtetë refleksionesh 20 vjeçare pas përmbysjes së zhdanovizmit shqiptar. Dua të kujtoj sakaq librin pararendës me tre vëllime “Universi estetik”, ku idetë estetike lëvizin qysh nga antikiteti greko-romak, mesjeta, rilindja, ilumizmi, romantizmi, realizmi. Do t’i krahasoja këto proto-libra si ai lumi i madh që gëlltit në shtratin e vet gjer edhe proskat e “zhurmshme”. Teksa thashë proskat e “zhurmshme”, unë kujtoj saora një nga librat fort të bujshëm të autorit të fundviteve ‘70, “Labirinthet e modernizmit”. Paçka se aty kishte një mbivendosje të thukët nihiliste e ironike mbi artin avanguardist të shekullit XX, ashtu sikurse edhe pikëpamje puritane, ortodokse e përjashtuese, gjithsesi të bënte përshtypje begatia e informacionit, njohja e prirjeve, e formave, e kërkimeve, e eksperimentimeve që kryheshin nga “çudanët” e artit modernist e postmodernistë që thyenin lehtësisht tabu dhe rregulla shumëshekullore. Ky libër është anatemuar sa asnjë tjetër pas viteve ‘90, një sakrilegj, mëkat i rëndë, “puthadorje”, mirëpo edhe sot jam i mendjes se në shkretinë e artit të socrealizmit, posaçërisht në gjëmbaçët teorikë të asaj kohe ku zhegu zhdanovist digjte gjithçka, disa hije a “fantoma” nocionesh, përvojash, trendesh, madje edhe shëmbëlltyrash sugjestive të artit modern e postmodern evropian, neve, mendjengujuarve të atyre viteve mbushur me zbore, sikur na hynin tinëz nëpër poret e trurit aq të etur, për të ditur se ç’dreqin bëhej vallë andej matanë “klonit”?! Ç’ishin vallë këta tempullarë kokëkrisur të tipit të Pikasosë, Dalisë, Rembosë, Xhoisit, Prustit, Beketit, Shënbergut, pasuar nga një kavaleri inatçorësh, shpesh edhe ekstravagantësh, që suleshin plot dufe e hare drejt Jeruzalemit të artit për ta çliruar atë nga myku, vdekja, plakja, përdhosja, lagështia? Dhe kjo ishte, sipas meje, një nga format e njohura të “dhelpërive” se si mund t’i ofrohej bashkësisë së artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, në formë diversioni, gjella e ndaluar.
“Miti, Folklori, Letërsia” (1982) ishte një shestim tjetërfarë për kohën, duke e shpëtuar artin dhe letërsinë nga keqkuptimet dramatike folklorizante, nga anakronitë mbytëse, tek ofrohej një ndërsjelltësi sa e çuditshme aq dhe e arsyetuar midis zanafillave mitike origjinare dhe teknologjive të sofistikuara të riprodhimit e risemantizimit nëpërmjet trillit, sikurse ngjet te letërsia dhe artet. Në shtratin e zbulesave të Uçit raportet e mitit me artin vijnë si një kuvendim për oralet e mëdha shqiptare, këto lavdi e vetjakësi psikofilologjike e antropologjike të pamorta të shpirtit etnik kombëtar.
Përballë çështjesh të reja, mendja e profesor Uçit derdhej librave të tjerë si “Estetika e groteskut” në katër vëllime. Nuk e teproj po të them se për herë të parë në studimet tona vjen i plotë e i dritësuar teorikiksht koncepti mbi groteskun. Mëpastaj librat “Estetika në letërsinë shqipe”, “Shekspiri në botën shqiptare”, “Dostojevski në kohën tonë”, “Ferr- Parajsa Danteske”, “Prometeu dhe Hamleti”, “Grotesku kadarean”, “Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe”, trajtesa të thelluara, mbushur me patose intelektuale, shestime racionale, flukse simpatie e zbulesa të tharmit universal të letërisë, artit, lidhur me historinë, filozofinë, ontologjinë, kulturën, pjesë e qënies së riciklueshme që ata autorë, personazhe apo paradigma krijimtarie kanë sjellë në realitetet e reja estetike. Nuk do të lija jashtë vëmendjes edhe librat “Çështje teorike të kulturës”, “Parime të estetikës e Jeronim De Radës”, sidomos librin tejet të vështirë, elitar e të thelluar, “Filozofia e Kavaliotit”, ku autori i bën më të vërtetë nder mendimit shqiptar, një kualitet evropian për ligjërime në katedrat universitare.
Vertikalja: sintezë, argument, informacion, shqyrtimi i objektit nga lart (teza-antiteza) dhe nga poshtë (argumenti-shfaqja-eksperienca), janë gjithëkah alfa dhe omega e mendjes ndërvepruese të profesorit, ku spikat plotëria dhe saktësia e hartës së çështjeve, si refuzues i klisheve, duke e shndërruar natyrshëm objektin herë në argument, herë në polemikë, herë në dëshmi e pohim, herë në kritikë dhe mohim. Një “përmbysje” e vërtetë vërehet pas vitit 1990 në trajtimin e kategorive estetike, sidomos tek kategoria e të shëmtuarës dhe e groteskes. Një nga çështjet delikate ku prof. Uçi ka pasur qejf e ashk për të debatuar ka qenë ngasja dhe mbarsja subjektive e artit, duke e sjellë tek lexuesi siç e sjell ai zbutësi i tigrit në arenë bishën e egërsuar e të rrezikshme.
Në raportet e ndërlikuara e tejet të diskutueshme midis artit klasik tradicional dhe atij modern e postmodern esteti A. Uçi ngjan sikur gjendet mbi atë “urën” mitologjike sa të dëshiruar aq dhe të mallkuar, e cila ndërtohej natën dhe prishej ditën, për të lidhur dy brigjet e prapësëprapë të veçuara se të veçuara ato rrinin. Shajnitë, fatamorganat, shtrigat dhe djajtë, dikur edhe vetë dijetarin tonë e kishin “mallkuar”, si të gjithëve neve. Ai dhe ne, së toku e si në rresht, ngrinim muret ndarës midis “klasikes” dhe “nonklasikes”. Duhej një kurban që ura të ngrihej dhe brigjet të lidheshin. Flija duhet të ishte e pastër. A kishte gjë më të pastër se ndërgjegja përballë vetes? Prof. Uçi e ka kryer këtë akt shëlbimi e përhirimi për veten dhe lexuesin e tij: aktin e tij teorik “katarsik”.
Akademiku ynë është autori i mbi 20 librave të botuar, disa syresh në dy e tre vëllime, duke e shpërfaqur personalitetin e tij në përmasat më të e njohura: si estet, si filozof, si kulturolog, si antropolog, si publicist e gjerësisht si mendimtar e intelektual i rrallë. Janë së paku edhe 6 libra të tjerë që “flenë” në sirtarët e tij në pritje të botimit. Dhe s’janë vrapacakë eseistikë e moskokçarës, por asish që marrin përsipër shoshjen e një lënde të bollshme, të mundimshme, shpesh rraskapitëse. Kujtoni me mua, ju lutem një hop, librin e tij kushtuar “Don Kishotit” të Servantesit dhe donkishotizmin, kundruar përtej rrëfimit madhështor të spanjollit mendjeshkrepës (shkrimtar e luftëtar), pra si mënyrë të menduari e vepruari, kontradiktë e përjetshme e vetë qenies. Sepse jemi të gjithë nga pak Don Kishotë, fytyrëvrerosurit e aventurës që i bien murit me kokë për të drejtën. Po s’qemë, s’jemi dot as “njerëz”. Sikundër pohon vetë akademiku ynë i shquar, në skedarët e pafund të mendimit të tij, ai “pranon karakterin pluralist, të larmishëm dhe proteik, të lëvizshëm, që ka shprehur jo vetëm frymën konfliktuale sociale, por dhe mobilitetin social historik, të përshpejtimit të ritmeve të zhvillimit të jetës shpirtërore e kulturore, të proceseve globalizuese, universale, kulturore e artistike, komunikative dhe tjetërsuese”. Ndoshta kjo është bash dhe “metateza” e tij, ajo çka fekondon kohët, prirjet, kundërshtitë, diversitetet, zanafillat, traditat dhe risitë në një megashenjë: horizontin dhe dialektikën e të menduarit shkencor…
Teksa pija para do kohësh një kafe me profesor Uçin, ashtu i lodhur nga mosha, e megjithatë me ëndrra librash nën sqetull, papritur më tha: “S’më kanë mbetur shumë vite, s’di a do të arrijë t’i realizoj këto që të thashë…” Dhe sytë e tij sikur i mbuloi cipa e trishtimit. Heshti cazë, gjë e pazakonte për të. Veç një çast, pastaj sytë i ndritën rishtazi. Sepse natyra e tij tejet krenare, sfiduese, polemike, autoritare, edhe inatin e ardhur nga pesha e viteve dinte që ta kthente në punë pa fund, në vullnet të hekurt, në dëshirë të panginjur, në të tjerë libra. Në këtë përshpirtje unë them se ëndrra e tij zgjat… Ai është tash rrugës së frymës, por në se do të më lejoni të përdor një metaforë, profesor Uçi ka bartur me vete një valixhe me libra, dije, ide, mendime, kontribute. Me to ecën e ngjit shkallët e qiejve. Ato janë aty, në ajri’, në “frymë”, nën sqetullën e tij, por edhe midis nesh, një përndritje që do ta kemi përherë pranë… I shtrenjti profesor e mësues, i shtrenjti koleg e mik, lamtumirë! Të qoftë dheu i lehtë!…