Kë frymëzon Donald Trump në Shqipëri
Nga Kristi Pinderi
http://historia-ime.com/2016/11/09/editorialke-frymezon-donald-trump-ne-shqiperi/
Ndërsa amerikanët do marrin kohën e tyre të analizojnë arsyet e asaj që David Remnick e quante “Një tragjedi amerikane” në një shkrim në “The New Yorker”, ne shqiptarët ia vlen të ndalemi pak tek disa nga personazhet tona publike që sot ekzaltohen nga fitorja e Donald Trump.
Ajo që të bën përshtypje më shumë është reagimi i tre biznesmenëve shqiptarë që vitet e fundit kanë flirtuar me politikën, pavarësisht se, ndryshe nga zgjedhjet në Amerikë, këta të tre nuk i voton njeri në Shqipëri.
Nikollaq Neranxi shprehej se “Amerikanët zgjedhin një njeri të punës në krye të punëve” dhe dukej njeriu më i lehtësuar kur shtonte se “tani ka shpresë edhe për Shqipërinë! Më në fund!”.
Agron Duka, një tjetër nga këta pasanikët tanë, të cilët pavarësisht pasurisë që pak kush e di si e kanë vënë, nuk priren për ndonjë vlerë intelektuale, e shikonte gjithashtu fitoren e Trump si “një ogur të mirë për erën e ndryshimit që ka nevojë sot Shqipëria”.
Personazhi tjetër, me një akses të jashtëzakonshëm në media, Kokëdhima shkruante me një frymë triumfi si në mbledhjet e rinisë në partinë e dikurshme. “Kjo fitore”, shprehej Koço në Facebook, “tejçon anembanë planetit mesazhin e madh popullor për nevojën absolute të përtëritjes së klasave politike”. “Me Donald Trumpin”, vazhdonte më tej ky megaloman shqiptar, “hynë në Shtëpinë e Bardhë të gjithë ata amerikanë që, janë ndjerë të zhgënjyer dhe të përbuzur nga sistemi aktual politik, mediatik e financiar”.
Po çfarë i bashkon këta personazhe me Trump dhe pse ata sot ndihen njerëzit më të lumtur nga fitorja e tij?
Së pari, që të tre këta janë pjesë e të njëjtit sistem financiar, mediatik (madje themelues e pastaj shkatërrimtarë të medias në këtë vend) e së fundmi aspirojnë të marrin nga brenda edhe pushtetin politik. Njësoj si Donald Trump: një biznesmen që ka flirtuar më të gjithë politikanët në vendin e vet, pasi, siç është shprehur vetë: “kështu mund t’i përdorësh ata sa herë ke nevojë”.
Së dyti, të tre këta personazhë shqiptarë, ashtu si dhe një numër frikshëm i madh njerëzish që frymëzohen nga Trump, i bashkon me Presidentin e zgjedhur jo vetëm mungesa flagrante e ideve për të ndihmuar njerëzit e thjeshtë, por edhe mungesa e ndjeshmërisë ndaj më të dobtëve, apo dhe ndaj punonjësve dhe vartësve të tyre. Kujtoni për shembull që, ndërsa të nënkontraktuarit e Trump mund të mos paguheshin nga ai e zor se mund t’ia dilnin përballë armatës së avokatëve që Trump kishte në dispozicion, në Shqipëri gazetarët e Koços mund të përfundonin në rrugë pa patur asnjë mbrojtje ligjore e pa marrë as rrogat e tyre të prapambetura 3, 4, 5 e deri 12 mujore!
Së treti, këta të tre, njësoj si Donald Trump janë njerëz që mund të bëjnë gjithçka për interesat e tyre pa patur asnjëherë një bosht moral që t;i udhëheqë. Sigurisht në miniaturë, por a nuk janë këta të tre njerëz që nuk e kanë për gjë të ndërrojnë parti, apo të blejnë parti apo të ndërrojnë brenda natës idetë e tyre, njësoj si Trump flirtonte njëherë me demokratët, pastaj me të pavarurit e pastaj me republikanët?
Së katërti, dhe kjo është ndoshta më seriozja ndaj së cilës duhet të reflektojmë si shoqëri, është admirimi që njerëz të tillë ndjejnë për një njeri egoist që ngjall te ta instinkte të fshehura për pushtet, jo për të ndihmuar të varfrit apo vendet e tyre por për të kënaqur egon e tyre. Me përjashtimin që sot historia e Donald Trump i frymëzon aq shumë sa nuk e kanë më për turp ti kenë të gjitha njeherë e përgjithmonë: paranë, pushtetin politik, atë mediatik dhe mbi të gjitha kontrollin që sjellin këto tre pushtete ndaj gjithë të tjerëve nën veten e tyre.
Këta tre personazhe shqiptare janë, në fakt, karikatura të Donald Trump. Ata janë vetëm nje pakicë që e shfaqin publikisht ekzaltimin e triumfit të gjithçka që përfaqëson sot Donald Trump, ndaj njerëzillëkut që, fjala vjen, përfaqëson një njeri si Barack Obama. Kokëdhima, në ekzaltimin e tij shkonte deri aty sa të dukej se ai jo vetëm që e admiron Trump por është përpjekur edhe ta imitojë. “E kam ndjekur z. Trump që para shumë vitesh”, shkruante Kokëdhima, “si njeri biznesi dhe isha shumë i sigurtë për fitoren e tij gjatë gjithë fushatës së zgjedhjeve. Jam përpjekur përpara 10-12 vitesh ta bëj të njohur në Shqipëri Z. Trump dhe temperamentin e tij të pamposhtur duke përkthyer dhe botuar dy libra të tij në gjuhën shqipe në 2005 dhe 2007 me botimet Max”.
Presidenti i ri amerikan, seksit, narcizist dhe racist, e ka ndryshuar që tani Amerikën, edhe pa hyrë akoma në Shtëpinë e Bardhë. Retorika e tij është e lidhur drejtpërdrejt me mbi 80 përqind të krimeve të urrejtjes ndaj popullsisë myslimane në vitin e fundit në ShBA dhe ndaj minoriteteve të tjera. Ka frymëzuar ndjesitë e fshehura të “supremacistëve të bardhë” ndaj kujtdo tjetër që nuk është si ta. Mësuesit në Amerikë thonë se ai ka frymëzuar raste të bullizmit nëpër shkolla dhe qindra terapistë shprehen se ai ka ndikuar në shëndetin mendor të mijëra grave, njerëzve LGBTI, emigrantëve e minoriteteve të tjera.
Eshtë e vështirë të parashikosh një nga këta bufonët shqiptarë të marrin pushtetin në Shqipëri si Donald Trump, por do ishte mendjelehtësi nëse të gjithë ne nuk mësojmë nga historia. Brumi i populizmit është aty, mes nesh. Dhe tashmë është e legjitimuar si histori suksesi të diskriminosh minoritetet, të përtallësh njerëzit me aftësi të kufizuara, të jesh racist, të kërcënosh me burg këdo që nuk mendon si ti, të kërkosh të triumfosh mbi këdo që është në pozita vulnerabël e deri te fakti që mund të të adhurojnë kur i trajton gratë e vajzat si objekte seksuale.
Sa herë do të dëgjoni këto ditë e këto katër vitet e ardhshme, njerëz që adhurojnë këtë model të të bërit politikë, sepse besojnë se vetëm ky model mund të rrënjosë të këqijat në jetën e tyre kujtoni vetëm diçka: tashmë asgjë nuk është e pamundur dhe shikoni me vëmendje rreth jush. Do kuptoni që janë të shumtë njerëzit që kërkojnë të triumfojnë duke përjashtuar gjithë të tjerët që nuk janë apo nuk mendojnë apo nuk aspirojnë të njëjtat gjëra. Kjo është e frikshme dhe alarm për këdo që ka besuar deri më sot se në fund, triumfon njerëzillëku…