Melani Trump është presidentja jonë
Baton Haxhiu
Çfarë do të ndodh me Kosovën e vogël apo çka do të ndodh me shqiptarët pas fitores së Trump? Kjo nuk është pyetje gjithaq e rendësishme. E rëndësishme është se çfarë do të bëhet me Ballkanin pas fitores së Trump. Kjo, me gjasë, është interesi i Ljiljanës. Të dijë në mos kjo rokadë presidenaciale amerikane do ndikojë që Ballakni të bëhet ndryshe.
Përgjigjen mund ta jep me një fjali; atë ditë kur Ballkani do të mbetet vet i qeverisur nga të gjithë këta njerëz prepotentë do të ndodh historia shqiptare, që më humor thuhet se për dy mijë e sa vjet kemi mbetur me numër të njëjtë banorësh.
Para 2000 vjetësh të parët tanë, ilirët dhe epirët, bashkë më fqinjët tanë, maqedonët dhe trakët ishin sundimtarë të gjysmës së botës. Ata ishin ,mesiguri , disa milionë. U deshën 2000 vjetë që ta hanë njeritjetrin derisa erdhën në një numër që mezi mbijetuan.
Kur studion dhe sheh me paanësi historinë e vjetër dhe të re të Ballkanit, nuk mund të mos pranosh se banorët e gadishullit si rrallë kund tjetër humbin në çdo epokë historike nga vetëvrasja, respektivisht duke vrarë njëri tjetrin, duke përzënë njeri tjetrin dhe duke zbrazur e deformuar etnitë, kulturat e tyre me një vrazhdësi të paparë eutanazike.
Dhe duke shpresuar, që një ditë do të iluminohen duke bërë diçka për vete dhe jetën ta kthejnë një herë drejt një koekzistence në përputhje me humanësinë, e jo duke ëndrruar si sadomzohistë dhe duke pritur në ankth se kjo apo jo fuqi e re apo e vjetër do t’iu ndihmojë që përfundimisht ta shfarrosin tjetrin.
Dhe të shfarosemi plotësisht nuk mundet, por në këste po. Mjafton vetëm një Parti Socialiste(SPS) dhe një lider si Millosheviqi që, ashtu siç na ndihmoi të bëhemi të pavarur me politikën dhunuese, të vazhdoi me njëlider tjetër dhe me të njëjtën politikë, që t’na ndihmojnë me një luftë të re dhe rrota historike ashtu siç ka ecur përherë deri tash vazhdon drejt ferrit të vetëdëshiruar. Dhe këtu na duhet gjithmonë fitili, tjerat i bëjmë vetë. Vetëm na duhet që diku shtëna ndihmojë qoftë edhe retorikisht që ne armiqësinë ta shndërrojmë në vrasje me paramendim dhe plan. Se as këtë të fundit nuk dime ta bëjmë si duhet: planin e keq, kundër tjetrit, ngase në fund na zhbën edhe ne vetë.
Por e vërteta është disi ndryshe.
Duke u kthyer nga Beogradi, kur isha atje për të përcjellur vizitën e Ramës, kryemisnistrit të Shipërisë, në fshatin Kastrat (mbiemër ky bukur i njohur në Kosovë), ne disa shtëpi të fshatrave serbe afër kufirit me Kosovën kishte mbishkrime interesante; “shesim tokë dhe shtëpi vetëm për shqiptarët”. Me gjasë askush nga serbët nuk interesohej që të shiste varfërinë e tyre të katandisur në dhjetëra kilometra vetmi dhe zbrazëti, të shitej të një varfërie tjetër serbe. Fshatrat kishin një pamje të bukur, me shtëpi të vjetruara që koha i kishte kafshuar për faktin se nuk kishte jetesë.
Dhjetëra kilometra rrugë kishte vetëm pleq serbë të vetmuar, që dukeshin si zombie në shtëpi të boshatisura. Kishte kohë që nuk kisha parë diçka më të dhimbshme. Dhe rrugës, duke shikuar varfëri dhe pakujdesje të shtetit, kujtohesha se çfarë kërkojnë serbët e Mitrovicës dhe çfarë bën shteti serb për pak mijëra serbë përt’i krijuar iluzionin e kthimit të shtetit serb në Kosovë. Çfarë mashtrimi pervers, por do duket “normal” për mentalitetin e ballkanasit. Dhe ky mashtrim ndodhi në veri të Kosovës.
Qyteti, të mërkurën, pas zgjedhjeve amerikane, u gdhi me postera të presidentit të ri amerikan.
Në veri të Kosovës kishte ndodhur një ngjarje tjetër, serbët brenda Kosovës kishin dëshirën e çuditshme; të fitoi Trump që Kosova, ndoshta, me një “Millosheviq të ri”, t’i kthehej Serbisë. A ka më fatalitet të madh për një mendësi se shpëtimin ta kërkoj përtej oqeanit ngase është kastruar në frymë për tëmospranuar realitetin aty ku gjendet, të ndërtojë jetën aty ku jeton? Përmua jo!
Në të njëtën ditë kur fitoi Trump, që shqiptarët ishin deklaruar kundër tij, natyrisht, edhe unë, me plot zemër, kishin ndodh dy ngjarje:
Por, për veten time, arsyeja e dhimbjes për fitoren e TRUMP nuk ishte për faktin se serbët gëzoheshin për fitoren e tij, por për faktin se bota po hynte në paqartësinë e saj shekullore.
Në botën e vogël të njeriut të përditshëm, ku gjërat shihen bardhë e zi, kishte një ndarje të thjeshtë, Serbët festuan kurse shqiptarët u zemëruan dhe vuajtën. Dhe kjo është plotësisht e vërtetë.
Dhe po kthehemi të fillimi i shkrimit; pse po pakësohemi në këto dymijë vite?
Cili ishte, në të vërtetë thelbi i grindjes së këtyre viteve midis shqiptarëve dhe serbëve, dy popujve që për një shekull kanë qenë të armiqësuar? Kësaj pyetje iu përgjgija Ljiljanës në shkrimin e kaluar. Dhe nuk provoi as të kthej përgjigje. Sikur në një shekull s’kishte ndodh asgjë ndërmjet nesh.
Sipas saj jeta e re po na lind me ardhjen e Trumpit president. S’është çudi që edhe mund të ndodh?!
Por sot, ç’na shtyen të urrehemi dhe a duhet ta vazhdojmë urrejtjen. Me Trumpin apo pa të.
Dhe a di ku e pash rikthimin e urrejtjes; Në dëshirën e madhe serbe që Trump të fitoi dhe në dëshirën po ashtu të tyre që ta rikthejnë Kosovën. Pra u gëzuan për Trumpin se shpresojnë ta kthejnë diçka që jo se e kanë humbur, por që s’ka qenë kurrë e tyre ose vetëm në kushte të një pushtimi të egër mbi një tokë e njerëz të huaj. Vlen ajo thënja “dusha u stranom telo, që në përkthim do të thotë “shpirti në trup të huaj”. Kjo shprehje i dedikohet asaj fraze të madhe serbe, që e përdor çdo kishtar dhe çdo politikan serb, “Kosova je duso srpskom narodu”, Kosova është shpirti i popullit serb, që Matija Beçkoviq e nisi luftën me shkronja në ish Jugosllavi, me 1989.
Unë kthehem të pika e fillimit të humbjes së madhe. Në Cankarjev Dom. Në Lubjanë. Aty ku Milan Kuçan kishte thenë se në Trepçë dhe Kosovë mbrohet Jugosllavia. Dhe, rrëfimin, se ç’farë ndodhi, pastaj, e dime të gjithë.
Ivica Daçiç në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ishte po aq Trampist sa edhe Beçkoviç me fjalorin e tij. Ai tha që “Trepça është zemra e Serbëve”. Por këtë fjali e ka thenë edhe Millosheviqi në Gazimestan. Pse ky kthim i gjuhës dhe i vrasjes publike të një paqeje. Pse?!
Dëshira e madhe e serbëve të Kosovës për fitoren e madhe të dhëndërrit slloven, dhe vuajtjen e shqiptarëve për humbjen e klintonëve tregon një rrëfim tjetër për ne. Ne ende urrehemi. Në ende kërkojmë një ndihmë të madhe për ta shkatërruar tjetrin. Ky është lajm i keq.
Por unë shpresoi në mirësinë e Melany. Ajo është e bukur dhe është sllovene. Na duhet Melany. Ashtu siç na duhen njerez dhe aty prej ku vetëm sinjale të mos durimit marrim edhe sot, në shek. 21. Ka njerëz atje që mendojnë ndryshe nga politika?
Melany është presidentja jonë. Ajo mban peshën e mirësisë për botën tonë ballkanike por edhe pafuqinë e saj për të treguar se çfarë janë popujt tanë. Ajo mund të thotë edhe një të vërtetë për ne të gjithë: te popujt që ndahen nga emocionet e luftrave të shkuara mund të ndryshosh vërtetë shumë gjëra, por vetëm nëse u flet me gjuhën që ata kuptojnë dhe vepron me mjete që ata i njohin. A nuk jemi të tillë në Ballkan?