Albspirit

Media/News/Publishing

Kërshëndellat arvanitase

Arben Llalla

Kërshëndellat janë këngë gëzimi, që u këndohen lindjes së Krishtit dhe ardhjes së Vitit të Ri, shpërndarjes së dhuratave nga Babadimri ose siç njihet në fenë Ortodokse, Shën Vasili. Këto këngë gëzimi, këndohen nga grup fëmijësh që trokasin derë më derë për të treguar ardhjen e Vitit të Ri. Mbas këndimit të këngës fëmijëve u dhurohet nga të zotët e shtëpisë nga një pare ose dhuratë tjetër simbolike.

Populli shqiptar, kishte dhe ka kërshëndellat e veta, që këndohen në prag të ardhjes së Vitit të Ri. Edhe pjesa e popullit shqiptar që jeton në territorin e Greqisë ka kërshëndellat e veta, të cilat në masën e gjerë të tyre njihen me emrin Kalanda. Me kalimin e viteve shumë pak kërshëndella mbetën në kujtesën e arvanitasve në fund të shekullit XX.

Të moshuarit e fundshekullit XX, kujtojnë që këndonin kërshëndella, kur vinin Krishtlindjet ose Vitit i Ri, por me kalimin e kohës këto këngë gëzimi kanë nisur të harrohen. Ata kujtojnë që kërshëndellat i këndonin në gjuhën shqipe. Disa nga këto këngë gëzimi arvanitase janë botuar në revistën “Besa”, organ i “Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë” në vitet 1983-1995.

Kështu, një pjesë e kërshëndellave që këndonte populli arvanitas me rastin e Krishtlindjeve, janë shpëtuar duke u shkruar nga mbledhës të ndryshëm arvanitas në faqet e revistës “Besa”, që tashmë nuk qarkullon më.

Sipas kërshëndellave, ndërrimi i moteve shoqërohej me kërkimin e fatit. Pra, Shën Vasili ose plaku i Vitit të Ri, thirret si pasues në kërkimin e fatit, i cili cilësohet “njeri” që vjen nga “toka e premtuar”, me shumë të mira dhe sjell mbarësi. Ditët e Krishtlindjeve janë ditë ndjeshmërie, pendese për mëkatarët, përzemërsie e mirësie.

Në kërshëndellat e zonës së Menidhit mbledhësi Dhimitër Jota shënon: “Me rëndësi në kërshëndellat e Menidhit është miti i njohur i lëshimit të bisqeve të reja nga druri i thatë”1. Por, këtë mit e ndeshim edhe në vise të ndryshme të Greqisë jugore nga Rumelia e deri në More, që njihen në histori e deri më sot si zona të banuara me popullsi shumicë arvanitase.

Nga arkivi i revistës arvanitase “Besa”, kam shkëputur disa kërshëndella që kanë vlera të larta gjuhësore, historike dhe folklorike.

Kërshëndella të zonës së Atikisë Veriore dhe Perëndimore

Këtë kërshëndellë e ka mbledhur Vangjelis Aganaqis nga Qurka e Atikisë2. Duhet thënë se këmbimit të vitit i ka mbijetuar edhe paragjykimi i pites ose byrekut me monedhë dhe të tjera zakone lidhur me fatin e mirë.

Mirë se na erdhi vit i riu – Mirë se na erdhi viti i ri,

mirë se të na pëlqenj. – mirë se të na pëlqejë.

Si sot-Thojnë të vjetrëtë – Si sot thoshin të vjetrit

jia të Ser-Vasilitë, – janë të Shën Vasilit,

njëri çjë vjen ga e mira, – që vjen nga e mira

çjë vjen ga kallomira. – që vjen nga fati i mirë.

Në derë t’ avlloportësë – Në derë të oborrit

du zojqë çjë këndoinë – dy zogj që këndojnë

çjë kanë sitë ga dhiamante – që kanë sytë si diamante

edhe për Krishtin u ndisën – edhe për Krishtin u ndezën

edhe për të kënduara – edhe për të kënduar.

një Dukim e u jipin. – Një dukim u jepnin.

Gjigjuni vllezër, gjigjuni – Dëgjoni, vëllezër, dëgjoni,

gjigjuni edhe gjitone: – dëgjoni edhe fqinjë:

Mos ja ndonjë i varfërë – Mos është ndonjë i varfër,

mos ja ndonjë i shkretë – mos është ndonjë i shkretë

mos ja ndonjë i shklepurë – mos është ndonjë ulok

çjë nuk mundon të vinjë; – që nuk mundet të vijë.

Mos ja ndonjë çjë sgjigjetë – Mos është ndonjë që nuk dëgjon,

mos ja ndonjë sëmurmë – mos është ndonjë i sëmurë,

mos ja ndonjë i vërbuar – mos është ndonjë i verbuar,

çjë nuk na sheh i ziu; – që nuk na sheh i ziu.

Trëgonj ndonjë pjatë fai – Dërgoni ndonjë pjatë gjellë,

tregonj gjë të ëmbla – dërgoni gjëra të ëmbla,

edhe Krishti do na vinj – edhe Krishti do na vijë

bashkë me vitin e ri. – bashkë me vitin e ri.

“Motë më shum” – “Nga mot më shumë”.

Kryetari i Shoqërisë historike dhe folklorike “Aharnon”, Dhimitër Jota, mblodhi kërshëndella nga Menidhi i Atikisë3. Për kërshëndellat e Menidhit Dhimitër Jota thotë: “Me rëndësi në kërshëndellat e Menidhit është miti i njohur i lëshimit të bisqeve nga druri i thatë”4.

Këtë mit e ndeshim në shekullin XIX edhe në vise të ndryshme të Greqisë jugore nga Rumelia e deri në More.

E’ se na erdhi viti i ri – Na erdhi viti i ri

mir se të na pelqenjë – mirë se të na pëlqejë

gjegjuni vllezër gjegjuni – dëgjoni vëllezër dëgjoni

po doni t’u ta themi – po doni, t’ua themi

Si sonte thonë moçmit – Si sonte thonë të moçmit

Tcëli të protovinjë – cili të vijë i pari

ndë derë t’ avlloportësë – në derë të oborrit

ga një dupie u jijpni – nga një dupje u jepni.

Dhespoti ish ksakusupë – Dhespoti ishte i dëgjuar

e tuti kosmi e thoin – dhe gjithë bota e thoshte

dhiakopulit e vesjenë – dhjakë të rinj e vishnin,

pse do stolisi dhe do vi – sepse do zbukurohet dhe do të vijë

të liturisndë klish – të mbajë meshë në kishë.

Tër popoli e priftërat – Tërë populli e priftërinjtë

vin dhe proskinisën – vijnë dhe përfaleshin

pse ish njëri me areti – sepse ishte njeri me vyrtyte

ish shjumë i glikomilit – ishte shumë gojëmbël

tërë ftohot i elis – tërë të varfërit i mëshironte

ë nëkë i perilipët – dhe nuk i brengoste.

të that dru baj për bastun – Të thatë dru mbante për bastun

e ki për t’akubisi – e kishte për t’u mbështetur

e sjoh e g’ ai i thati dru – dhe shoh nga ai i thati dru

vlastari njomë husi – bisqe të njomë të lëshojë

edhe vlastari bi palë – edhe bisqet e tija të njoma

zogjëzë qelidhisën – zogj me zë këndojnë,

kein sizët si diamant – kishte sytë si diamant

e të krisaf shtëpizën – dhe të florinjtë shtëpizën

u lëm kalinihtënë – u themi natën e mirë

e mot të jemi mir – dhe mot të jemi mirë

të thomi ser Vasilin – të thomi Shën Vasilin

me gojë edhe me lir. – me gojë edhe me lirë.

Mote sjum. – Mot më shumë.

Kërshëndella nga fshatrat e Atikisë jugore

Kërshëndellën në vazhdim e ka sjellë për revistën arvanitase “Besa” Jorgo Mel. Gjika nga Magula, ashtu si ia kishte mësuar halla e tij që banonte në Markopullo të Atikisë6.

Mirë se t’vini viti i ri – Mirë se të vini viti i ri,

mir se mir t’na plqeni – mirë se të na pëlqeni.

Si nestr, thon palia, – Si nesër thonë të vjetrit,

kuz do t protovini – kush do të vijë i pari
nd nder t’vllaports – në derë të oborrit

vi dukiume t jipni – një dukat t’i jepni,

pse nestr Klisha panigjiriz – sepse nesër Kisha feston

tahmt i shirvasilit – dhurata të Shën Vasilit,

ç ish njeri me areti – që ishte njeri me virtyte

e shum glikomolit. – dhe shumë gojëmbël.

T that dru kei pr bastun, – Të thatë dru kishte për bastun,

bastun pr t kumbisei. – bastun për t’u mbështetur.

Nd mali nde ai i that dru – Në majë të atij i thati dru

di zoqe qeladhisn – dy zogj këndonin

ç kin sit si dhiamant – që kishin sytë si diamant,

kriso si futuraka – të artë si flutura.

Vishuni vllezr vishuni – Vishuni, vëllezër, vishuni,

edhe nd Klish t veni, – edhe në Kishë të veni,

ga Klisha t mos lipseni – nga Kisha të mos mungoni

e nd shtpi t veni – dhe në shtëpi të veni

t shtroni edhe trapezin, – të shtroni edhe tryezën,

t hani edhe t pini. – të hani edhe të pini.

‘And isht edhe ndoni ftoho – Nëse është edhe ndonjë i varfër,

flisni atie t vini. – i flisni atij të vijë.

‘And isht ndoni i shkrepur – Nëse është ndonjë i sëmurë

e nuk borez t vini – dhe nuk mundet të vijë,

tia kialni fain atje. – t’ia shpini ushqimin atje.

Thoni t thomi tr – Thoni të thomi të tërë,

thoni t thomi me hare, – thoni të thomi me gëzim,

me grik edhe lir, – me gryk edhe lirë,

mot ga mot t jemi mir – mot nga mot të jemi mirë.

Kundurjotika Kërshëndella

Këtë kërshëndellë ia ka mësuar Melet Niko Poga nga Mandra gjyshi i tij7.

Mot e shum kazand i mir – Mot e shumë mbarësi i mirë.
ç na bn zot o, je mir; – Ç’na bënë zotëri, jeni mirë?

Mir jam si do zoti in – Mirë jam si do Zoti ynë.

Ia zot o, ia zoni – Eja zotëri, eja zonjë,

Ia ashtu si vjen ai fili – eja ashtu si vjen ai filli.

ashtu t t roni i biri – Kështu të rroftë biri

edhe spitonikoqiri – edhe i zoti i shtëpisë

Me sakulen t krisat – me trastën e florinjtë,

me gaitan t krisostaft – me gajtan të florinjtë.

Ni her nd mot nd mot – Një herë në vit, në vit,

t pagues rusoliot – të paguash flokëverdhë.

And t t z’ r dora shum – Në të zëntë dora shumë,

ni flori e ni dukat – një flori e një dukat,

jepua trimave – jepua trimoshave

me urat, me urat – me urime, me urime.

Kërshëndella nga qyteza e Lefktras

Kjo kërshëndellë është botuar për herë të parë në gazetën greke “TA ΛΕΥΚΤΡΑ”8 në faqen 9 të muajt nëntor-dhjetor të vitit 1991. Kërshëndella ka si autor të botimit një emër pseudonim “I Vjetri” dhe shkruan: “Kështu këndonte kërshëndellat Spiro Dhumanis më 7.1.1947”.

Kërshëndella në gazetën “ΤΑ ΛΕΥΚΤΡΑ” është botuar në gjuhën shqipe me shkronja greke dhe nuk është botuar në gjuhën greke9. Kjo tregon që banorët e Lefktras e flisni mirë gjuhën shqipe në vitin 1991, sipas gazetës lokale.

Mi’ se të vinjë vit’ i ri – Mirë se të vijë viti i ri,

mi’ se të na pëlqenjë. – Mirë se të na pëlqejë.

Si nestër thonjë i palei – Si nesër thonë të vjetrit

kush proto të na vinjë – kush i pari të vijë
nga dera e avlloportësë – nga dera e oborrit

një dokume të jimni – një dupje të jepni

Nestrë klisha panijiris – Nesër kisha feston

tamënë e ssër-Vasilit – blatimin e Shën Vasilit

çë ish një njeri me areti – që ishte një njeri me vyrtyte

ma shumë ghlikomil ish. – me shumë gojëmbël ishte.

E shihni këtë shkopinë – E shihni këtë shkop?

e kej për të kumbisej – E kishte për mbështetje.

E shihni këtë thatinë sskop – E shihni këtë thatin shkop?

vlastar të njomë hjusi – Bisqe të njoma dolën

edhe siprë në vlastarëzë – edhe sipër bisqeve

di zojgje qelajdhisin – dy zogj këndonin.

Vishuni vllezër, vissuni – Vishuni vëllezër, vishuni

bukur nester menate – bukur nesër me natë

nga klissa të mos lipseni – nga kisha të mos mungoni

në klissëzë të veni – në kishë të veni

nga klissa çë të ikënë – nga kisha kur të ikni

edhe në sstëpi të veni. – edhe në shtëpi të veni.

Efthis sofranë sstruarë – fill sofrën shtruar

edhe bukëzë të hani. – edhe bukë të hani.

An të artë nonjë njeri – Në të ardhtë ndonjë njeri

nonjë ftoho i sskretë – ndonjë i varfër i shkretë

një dokume të jipni – një dupje të jepni

tuaj të jetë – që e juaja të jetë

Mot nga mot më mirë. – Mot nga mot më mirë.

1 “BESA”, Athinë, mars 1989, fq. 497.

2 “BESA”, Athinë, mars 1989, fq. 494.

3 “BESA”, Athinë, mars 1989, fq. 496.

4 Po aty.

6 “BESA”, Athinë, janar 1984, fq. 108.

7 “BESA”, Athinë, janar 1984, fq. 107.

8 “BESA”, Athinë, dhjetor 1992, fq. 172.

9 Po aty.

Please follow and like us: