Rrëfimi i rezidentit të Sigurimit të Shtetit/ Në Televizion, si lidheshin me gazetarët, skema e spiunimit
Nafiz Bezhani
Ishte e kotë të kundërshtoje apo të kërkojë të drejtën. Në një shtet të tillë, kur gjyqin ta bëjnë spiunët, nuk mund të kërkohet drejtësi. Dhe qysh nga ajo kohë kaluan vite, shumë vite, por nuk u shua dot nga kujtesa ime ajo padrejtësi aq e rëndë që më bëri Stefan Gjika. Po, po Stefan Gjika! Isha i sigurt për këtë. Ndërsa tani, që emrin e tij e kam përpara syve, më duket sikur ai emër më kruan plagët e zemrës, më zgjon kujtesën e një drame me aktorë të pafajshëm, viktimë të një regjimi që vazhdonte të mbijetonte me dhunën e ushtrisë të agjentëve të vet, të një regjimi ku njeriu pa vlerë e kërkonte lumturinë e tij mbi fatkeqësitë e të tjerëve, me vepra të pamoralshme e çnjerëzore.
Vendosa ta thërras në takim Stefan Gjikën, natyrisht jo për ta pyetur për punimin tim “Nomadët e Ballkanit”, por për veprimtarinë e tij si resident i Sigurimit të Shtetit, natyrisht edhe për 6 bashkëpuntorët që ai mbante në lidhje në Radio-Tirana. Të drejtën për të thirrur persona të interesuar për hetime, ma jepte ligji nr. 8043, dt. 30/11/1995 dhe për Stefanin kishte dy raste: njëri për aktivitetin e tij në shërbim të Sigurimit të Shtetit në Radio Tirana dhe rasti tjetër është kërkesa që ka bërë Ministria e Kulturës për kontrollin e figurës së tij, prandaj pregatita shkresën dhe ja përcolla duke i caktuar paraqitjen e tij para Komisionit më datë 12/01/1998, ora 10, para dite. Meqenëse kisha të bëja me një spiun të regjur, vendosa të mbaja me të qëndrim parimor dhe shumë të kujdesshëm, për të mos i lënë asnjë shkak që të shpërthente kundër meje, ashtu siç e kanë zakon spiunet, që mbrohen duke sulmuar, që kërkojnë qoftë edhe një fjalë të vetme të lëshuar pa kontroll, për të ngritur me gjithë forcën e tyre akuzat për gjoja qëllime hakmarrëse në shpërdorim të pozitës zyrtare. Jo, nuk do t’i jepja asnjë shans të tillë.
Do të pyesja vetëm për aktivitetin e tij si resident i Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpuntorëve që kishte ai në grup.
Ditën e takimit po prisja me padurim orën 10, me dyshimin nëse do të vijë apo nuk do të vijë. Por, pak më parë se të vinte ora e takimit, oficeri i rojës më njoftoi në telefon se z. Stefan Gjika po priste tek dera. Ndërsa i thashë të shoqërohej në zyrën time, ndjeva një shqetësim të përgjithshëm, më dukej sikur isha unë ai që shkoja në takim, sikur isha unë ai që kisha kryer veprimtari penalizuese dhe do të jepja llogari para tij, natyrisht sepse ishte e para herë që thërrisja në zyrë një person, me të cilin kisha patur edhe problem personale. Por isha i vendosur që të gjatë bisedimeve t’i shmangesha çdo interpretimi të karakterit personal.
Tek po prisja të hynte në derë, përpiqesha të rikujtoja fytyrën e tij. Kisha shumë vite pa u parë me të dhe natyrisht këto vite duhet të kenë bërë edhe punën e tyre. Porn ë fakt nuk kishte ndryshuar fare. Ishte po ai Stefan i disa dekadave, me atë “surrat-dhelpre” që e kisha njohur atëherë dhe me atë meskinitet njerëzor që e bën të neveritshëm, në mos më keq. Kur oficeri që e shoqëronte hapi derën, pas tij e pashë fytyrën e tij dhe m’u duk si një qenie njerëzore e pashpirt, si një qenie njerëzore e shpërfytyruar, i pa moral, i pander, i padinjtet. U pendova që e kisha thirrë në takim. Oficeri i lëshoi rrugë për të hyrë në zyrën time, ndërsa ai u turr me shpejtësi drejt tavolinës time, me një gëzim imagjinar e duke ngritur përpjetë të dy duart, u shpreh me zë të lartë.
-O Zot, sa jam gëzuar për ty! Urime, zoti Nafiz, urimet e mia më të përzemërta!
Ai më zgjati dorën dhe desh të afrohej për të më përqafuar, por unë u distancova.
-Ulu – i thashë duke i treguar karriken.
Ai tërhoqi paksa nga vetja e tij karriken, u ul dhe vazhdoi të flasë:
-Oh, sa kohë kam pa të parë, sa herë kam pyetur për ty, sa merak kam qenë për shëndetin tënd. Kur mora vesh që u emrove këtu, oh sa u gëzova, ja, më plaçin këta të dy sy që m’u bë zemra mal! E kisha ndër mend të vija vetë për t’ju uruar, por doja të përfundoja së daktilografuar atë materialin tënd dhe t’jua sillja edhe atë.
-Materialin tim?- pyeta i habitur.
As unë nuk e kuptova si hyra pa dashur në këtë hulli, për shkak se e kisha vendosur që jo vetëm të mos e pyesja, por as ta lejoja të më justifikohej kot. Ishte një histori e mbyllur për mua, aq më tepër tani që isha në një funksion të tillë. Por fajtorin e ndjek frika e fajit dhe i shkon pas si hije për gjithë jetën. I tillë ishte edhe faji i Stefan Gjikës për denoncimin e emrit tim, dhe vjedhjen e punimit tim “Nomadët e Ballkanit”, që e persekuton dhe nuk gjen dot rrugën e shpëtimit, veç të mëshirës.
-Po, po! – u përgjigj Stefani, punimi juaj “Nomadët e Ballkanit”. Arrita ta shpëtoj dhe ta ruaj. Desha ta hedh edhe në kompjuter dhe t’jua sjell të pastër. Do ta bëj shpejt, do të punoj me orë të zgjatura!
-Mos u mundo me atë!- ja prita unë. Sille ashtu siç e ke se e punoj vetë.
-Unë mos ta bëj kaq për ty, do të bëj me kënaqësi të madhe!- shtoi ai.
Mu duk aq i neveritshëm sa nuk mund ta duroja më dhe i thashë:
-Dëgjo Stefan! Atë kënaqësi që ke për mua, ruaje për ndonjë tjetër, ndërsa për mua do të bësh mirë të më sjellës nesër materialet e mia ashtu siç t’i dorëzova. Dakord?
Përgjigja ime, paksa e ashpër, i preu vrullin entuziazmit të shtyrë dhe të fjalëve të bukura të tij, që më dukeshin si arra të krimbura. Prandaj desha t’i jepja fund sa më parë edhe këtij takimi, duke u future menjëherë në temë:
-Të kam thirrur për një problem tjetër që nuk më duket më serioz.
-E mora me mend, zoti Bezhani, por sektorin tim nuk e përfshin ligji, e kam parë vetë dhe kam folur edhe me kompetentët!- më ndërpreu ai.
-Mos u nxitoni në përgjigjet!- qortova unë. Nuk të kam thirrur për postin që ke aktualisht, për shkak se akoma nuk e kemi bërë kontrollin e dikasterit tuaj. Ju kam thirrë për të më dhënë disa sqarime për aktivitetin tuaj si resident i Sigurimit të Shtetit në Radio Tirana. Tani po shqyrtojmë listën e dërguar nga ky institucion, ku kini punuar edhe ju për një kohë të gjatë dhe ju ka dalë emri nga ish bashkëpuntorët që kini patur në lidhje.
Prandaj, veç sqarimeve që kërkojmë të bëni për disa problem të dosjes tuaj, kërkojmë që të na përcaktoni edhe marrëdhëniet që kini patur me bashkëpuntorët tuaj që aktualisht punojnë në Radio Tirana dhe me të tjerët, kërkojmë emrat e tyre dhe detyrat kryesore që u ke ngarkuar. Dakord?
Atij i iku nuri i buzëqeshjes dhe si një kufomë pa shpirt filloi të numurojë një për një bashkëpuntorët që kishte patur. Kur përmendte emrat e tyre jepte dhe ndonjë karakteristikë, të cilat nuk të besoheshin. Tregoi për detyrat që kryente secili dhe për format e ndërlidhjes. Nuk harroi te thoshte se në një rast kishte marrë edhe vërejtje serioze nga operative, duke e quajtur si pasojë e përplasjes të qëndrimit të tij “njerëzor e demokratik”, me orientimet antiligjore që jepte operative.
E dëgjova apollogjinë e tij me rezervat e fundit të durimit tim dhe në fund i thash:
-Dakord, zoti Stefan, e quaj të përfunduar këtë takim.
U çuam të dy. Ai më zgjati dorën dhe u nis për të dalë, por para derës u pendua dhe u kthye përsëri për të thënë edhe dy fjalë të “zemrës”.
-Të faleminderit shumë, shumë. Nesër, po në këtë orë më ke këtu.
Do të sjell materialin!
Kur të nesërmen Stefan Gjika u paraqit në zyrën time me një dosje të bukur në duar, me krenarinë e njeriut që e mban fjalën, e kisha të vështirë ta duroja apo të shkëmbeja biseda të tjera me të. Ai u nxitua të më përshëndeste dhe lëshoi dosjen mbi tavolinën time, duke më thënë:
-Ja, pra, këto janë materialet e tuaja. I kam ruajtur si sytë e ballit, vetëm për respektin e madh që kam patur për ju.
Një njeri kaq të pacipë as Sigurimi i Shtetit nuk e ka duruar dot. Ai ishte shkarkuar nga detyra e rezidentit për paaftësi dhe mungesë korrektësie në detyrë. Kishte mbetur agjent i thjeshtë. Natyrshëm, e kisha të vështirë ta dëgjoja më gjatë dhe thosha me vete: paska patur të drejtë Sigurimi, por duhet të shtonte edhe disa karakteristika të tjera, se është gënjeshtar, i pacipë, i paarsye, i palogjikë, i paturp, i pamoral, hajdut, fundërrinë! Si mund të vlerësosh ndryshe një njeri si Stefani, që ka vjedhur materialet para një çerek shekulli dhe vjen me krenari dhe lëvdohet se i paska ruajtur për respektin e madh që ka patur për mua. Po ku ke qenë për 25 vjet, zoti Stefan?
E mora dosjen e mbyllur dhe as unë s’e di se çfarë dyshimi më shtyri për ta hapur e për ta parë. Por ç’të shoh? Materiali ishte përgjysmuar. Kishte sjellë vetëm një pjesë të punimit, mbi vllehtë, ndërsa pjesën më interesante, që kishte të bënte mbi jevgët dhe gabelët në Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit, nuk e kishte sjellë.
-Ku është materiali, more Stefan? Këtu nuk është as gjysma?- u çudita unë.
Por ai nuk u turpërua. Bëri sikur kontrolloi dosjen dhe mu përgjigj pa të keq:
-Mos u mërzit, Zoti Nafiz, e kam lënë gabimisht në shtëpi, por nesër e ke këtu. Mos u mërzit të lutem.
E prita të nesërmen, por nuk erdhi. Vazhdova ta pres për pesë vjet të tjera po nuk më erdhi. Do të vazhdoj ta pres i bindur se vjedhja e atij materiali do t’i rëndojë gjithnjë e më shumë jo ndërgjegjes së tij, sepse ai nuk mund të ketë ndërgjegje, por psikës së tij, i bindur se këto ngarkesa do ta bëjnë dikur të ulërasë e të kërkojë shpëtim në panik dhe terror shpirtëror. Ky është fundi i ligjshëm i një mëkatari.