Albspirit

Media/News/Publishing

Letër e hapur për Akademinë e Shkencave


Profesor Aleksandër Dhima ndonëse është antropologu i parë shqiptar nuk ka mundur në mënyrë të habitshme të zgjidhet në Akademinë e Shkencave. Në një letër të hapur ai shprehet se ky akt nuk është çështje që ka të bëjë me të personalisht, por me degradimin e  mënyrës se si funksionon Akademia

Nga Prof. Dr. Aleksandër Dhima

 

 

 

Ndodhi ajo që pritej: antropologu i parë shqiptar nuk mund të bëhet akademik! Dhe fusha e kandidimit në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (shkurt 2017) u përcaktua në Antropologji. Rezultati pëfundimtar i votimit në Asamble tregoi që unë, si krijuesi i antropologjisë shqiptare, mora vetëm 1/3 e votave!

Në rekomandimin e dhënë për profilin tim antropologjik nga prof. dr. Adrian Civici (President i Universitetit Europian të Tiranës, ku unë aderoj aktualisht si titullar i lëndëve të Antropologjisë Social-Kulturore dhe Antropologjisë së Zbatuar prej 7 vitesh)  theksohet se “puna shkencore dhe mësimdhënëse e profesor Dhimës do të vlerësohet në disa plane: si pionieri Antropologjisë shqiptare, si qytetar me ndjenja të larta atdhetare, si studiues i palodhur e konseguent dhe si mik i urtë dhe kërkues për brezat e rinj të studiuesve”. Po ashtu, prof. dr. Horst Schmidt (një nga mentorët gjermanë të tezës time pasdoktorale në Universitetin e Ulmit/ Gjermani) thekson në rekomandimin e tij: “Falë tij, Shqipëria, me kontributet shkencore përkatëse, është pranuar dhe vlerësuar në Gjermani si vend partner. Për ne, Dr. Dhima përbën një burim të besueshëm dhe një person kontakti të rëndësishëm lidhur për informacion mbi gjendjen e shkencës antropologjike në atë vend”. Edhe një citim nga prof. dr. Romeo Gurakuqi, botuar te gazeta MAPO në dt. 25-26 shkurt 2017: “MonografiaAntropologjia etnike e shqiptarëve’, është ’vepra e jetëssë Prof. Aleksandër Dhima, një vepër e karakterit të mirëfilltë albanologjik ku, përmes trajtimit të disa prej aspekteve më të rëndësishme tëprerjesetno-kulturore të shqiptarëve, ka synuar të nxjerrë në pah bashkëlidhjen e tipareve të natyrave të ndryshme në sintezën antropologjike të shqiptarëve.Kjo vepër sendërton një gjykim realist mbitrasenëe kërkimeve të mëtejshme në fushat e zbatuara të Antropologjisë në Shqipëri. Kam bindjen se kjo vepër do të ketë jehonë të gjerë, jo vetëm në mjedisin shkencor të vendit, por edhe përtej kufijve, sidomos tek intelektualët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë, shpresoj edhe më gjerë në qarqet shkencore ndërkombëtare”.

Si mendoni, a mund të quhen këto ndërhyrje për të “lavdëruar” punën time, apo duhet t’u besoni konsideratave të këtyre profesorëve me emër? Nuk mendoj se mund të  dyshojë Kryesia e Akademisë së Shkencave në vërtetësinë e thënieve të tyre… Nga ana tjetër, nuk mendoj se ka konsiderata të kësaj natyre nga rekomanduesit e kandidaturës së konkurrentit tjetër, prof. Shaban Sinanit, posaçërisht për arritjet e tij në fushën e antropologjisë shqiptare.

Atëhere, duhet të jesh i cunguar nga pikëpamja intelektuale, etike dhe profesionale duke u përpjekur të mashtrosh apo “t’u hedhësh hi syve” antarëve të Seksionit apo të Asamblesë, me shpresë se këta mund të mos kenë plotësisht njohuri të mjaftueshme në fushat përkatëse, duke i detyruar ata (nëpërmjet lobimit të pandershëm) që të votojnë kuturù, pa e ditur se çfarë është një shkencë dhe çfarë një tjetër, p.sh. nëse një poet mund të jetë akademik jo në letërsi, por në shkencat albanologjike, apo- siç e thotë Artan Fuga- “për të ngatërruar me qëllim etnografinë me folklorin, folklorin me historinë e letërsisë, studimet letrare me antropologjinë, antropologjinë me nuk dihet se çfarë gjëje tjetërNë fund të fundit, pse duhet të japim kaq turpshëm tituj të tillë kur ata mund të bëhen akademikë me më shumë dinjitet në fushën që ata vërtet lëvrojnë, d.m.th. nëse meritat e tyre janë vërtet konkurruese përballë kandidatëve të tjerë brenda fushës së tyre përkatëse

Në fakt, mbi çfarë baze logjike dhe akademike Seksionet apo Kryesia vendosi që një letrar duhet pranuar të konkurrojë për t’u zgjedhur si akademik jo në fushën e letërsisë, por në fushën eantropologjisë? A nuk duket marrëzi nga pikëpamja e logjikës akademike që të vendoset me votim që, fjala vjen, një studies letrar, sado i dëgjuar, të bëhet akademik në antropologji? Sinqerisht, një sipërmarrje e tillë nga ana e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Kryesisëështë e pakuptimtë dhe e papranueshme. Kandidati tjetër, prof. Shaban Sinani, s’ka rekorde antropologjike, por ai ka një “përparësi” tjetër: ai është sekretar shkencor i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike. Kaq mjafton që ai, ose mecenatët e tij në Kryesinë e Akademisë së Shkencave, t’u imponojnë “të tjerëve” (më ndjeni, por pa autoritet shkencor) të votojnë për ’të…

Për të qënë më konkret: në rastin e dy kandidaturave në fjalë, a u mbajtën parasysh kritere të tilla të rëndësishme përzgjedhëse, si: specializime (jashtë vendit, se këtu s’ka pasur mundësi të tilla kualifikimi në fushën e antropologjisë), monografi dhe studime në fushën e antropologjisë, pjesëmarrje në kongrese ndërkombëtare të antropologjisë, antarësime në organizata ndërkombëtare të antropologjisë, projekte lokale/ ndërkombëtare me tematikë antropologjike, mësimdhënie në fushën e antropologjisë etnike, social-kulturore apo të zbatuar etj? Mbaj përgjegjësi të plotë për të pohuar që asnjë prej këtyre kritereve nuk u mbajt parasysh në përzgjedhjen e kandidaturës për pozicionin e antropologut në dhënien e titullit “Akademik i asociuar” pikërisht në këtë fushë. A mund të ndodhte një situatë e tillë në kohën kur Akademia e Shkencave të Shqipërisë drejtohej nga prof. Aleks Buda? O tempora, o mores.

Ku vajti puna ime mbi dyzet-vjeçare në fushën e antropologjisë, kur unë sakrifikova karrierën time në mjekësi, duke iu përgjigjur thirrjes së prof. Aleks Budës, për të iniciuar studimet në sqarimin me mjete antropologjike të etnogjenezës shqiptare? Shpresoja që këtë kontribut të ma “njihte” Akademia e Shkencave me dhënien e titullit në fjalë, por ky kontribut nuk u mor parasysh, mu për shkak të interesave pragmatiste që karakterizojnë Akademinë, ashtu si gjithë shoqërinë e sotme shqiptare (“më jep/ të të jap”).

Pse bën sikur s’e ka kuptuar këtë kontribut timin kryetari aktual i Akademisë së Shkencave, prof. Muzafer Korkuti, kur me ’të kemi ndarë sakrifica të panumërta për ekspeditat në terren për dokumentimin e elementit ilir në gjetjet skeletike të epokave (para)ilire, apo për punën time në ekzigjencën shkencore të artikujve të revistës “Iliria”, ku ai ishte kryeredaktor, e cila- në saje të kësaj pune- u nderua me Medaljen e artë të Akademisë së Lytesës (Paris), apo për rekomandimin që ai dha (si drejtor i Institutit Arkeologjik) që unë të përfitoja bursën e fondacionit “Alexander von Humboldt” për studime të thelluara në fushën e antropologjisë etnike të shqiptarëve (1990), apo për praninë e tij si pjesëmarrës në promovimin e botimit tim “Qasje në realitetin kulturor shqiptar” (dhjetor 2013)? [Ndoshta se s’më ka kërkuar t’i shkruaj ndonjë artikull festiv]. Po nënkryetari aktual i Akademisë së Shkencave, prof. Gudar Beqiraj, i cili e di shumë mirë (kur ishte Drejtor i INIMAs) se si më motivoi për përpunimin matematikor të rezultateve të analizës së të dhënave të Mesjetës në materialin skeletor nga Shqipëria, pse vendos të “ndërsejë” akademikët e tjerë?

Ekspeditat në terren (jo pak, por 37 ekspedita!) më krijuan ndjesinë se ia vlente të ndërmerreshin studime antropologjike për këtë popull që ruan vlera të paçmuara kulturore dhe shoqërore, në sajë të të cilave ai ka mundur të mbijetojë dhe të gjallojë në aspektin biogjenetik. Krahas inventarizimit dhe studimit të gjetjeve eshtrore të epokave të ndryshme (para)historike, u intensifikuan në vazhdim ekspeditat në terren për ndjekjen e profilit antropologjik të popullsisë së sotme të vendit, çka u bë e mundur falë kërkimit antropologjik sipas zonave të mëdha etno-kulturore të vendit.

Në saje të arritjeve të këtyre ekspeditave, unë kam shkruar 3 monografi mbi antropologjinë e shqiptarëve dhe për zgjidhjen e problemit të ndërlikuar të etnogjenezës shqiptare me mjete tëantropologjisë, 55 studime në revista shkencore të vendit dhe në ato ndërkombëtare të specialitetit (me faktor impakti), ese, research papers, projekte ndërkombëtare dhe lokale, në bashkëpunim me doktorë të shkencave në Shqipëri dhe jashtë kufijve të vendit mbi probleme tëantropologjisë së zbatuar; unë jam gjithashtu autor i teksteve (pas)universitare mbi antropologjinë; bursist i fondacionit të mirënjohur gjerman “Alexander von Humboldt”, që më dha mundësinë për t’u thelluar në rindërtimin e morfobiologjisë së popullatave të vjetra dhe në përvijimin e elementëve evolutivë të karakterit antropologjik deri në popullatën e sotme të vendit. Me këtë rast, u bë e mundur të qartësoheshin disa prej hipotezave të hedhura kohë pas kohe nga albanologët (shqiptarë dhe të huaj) mbi prejardhjen ilire dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare. Rezultatet e kësaj pune u pasqyruan në punimin pasdoktoral “Beitrag zur ethnischen Anthropologie der Albaner” [Ndihmesë për antropologjinë etnike të shqiptarëve], që u mbrojt në Departamentin e Antropologjisë dhe Gjenetikës Humane në Universitetin “Johannes Gutenberg” të Majncit.

A nuk janë të mjaftueshëm argumentet e mësipërme për vëmendjen e akademikëve mbi kandidaturën për titullin “Akademik i asociuar” për antropologun e parë shqiptar? Nuk e di nëse konkurrenti tjetër plotësonte së paku njerin prej kushteve të mësipërme, për ta ndjerë veten antropolog, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Ç’është e vërteta, mbas votimit në Seksion, ku ndodhi “përmbysja” e rezultatit në favor të kandidatit tjetër, disa miq të mij më rekomanduan të heq dorë nga kandidimi im i mëtejshëm dhe të dal në shtyp me një protestë qytetare, për moszbatimin e kritereve të përzgjedhjes së kandidatëve në konkurrim dhe për mënyrën e votimit. Unë nuk e pranova këtë ofertë, sepse vazhdoj të jem i bindur se titulli “Akademik” u takon profesorëve që kanë një kontribut të shquar në fushën përkatëse.

Por, “çudia” ndodhi mbas votimit në Seksion, kur m’u tha qartë se “duhej të bëja lobim për të fituar”! Me sa jam në dijeni, lobimi ka kuptim në fusha të tjera, si në politikë, ekonomi etj, por kurrësesi në dhënien e titujve shkencorë. Aq më keq, kur kjo qënka një praktikë e zakonshme, e zbatuar prej disa kohësh në konkurrimet për titull në Akademinë e Shkencave! Megjithatë, e pranova “sfidën” me keqardhje dhe çfarë ndodhi? Disa nga akademikët u shprehën se “ia kemi dhënë fjalën konkurrentit tjetër” [prof. Shaban Sinanit], por- jam i bindur- pa u konsultuar me dosjet përkatëse! Pa dyshim,  ky është, para së gjithash, një problem i logjikës dhe i etikës akademike e pastaj është një problem ligjor e administrativ. Dhe me këtë- më ndjeni që po e them- duket sikur kërkohet “me qëllim” të fshihen manipulimet dhe shkeljet e etikës dhe logjikës akademike prapa justifikimeve ligjore dhe rregulloreve formale.

Madje, unë do të thoja se kjo përballje logjike dhe akademike bëhet e dosmosdoshme, sidomos në kushtet e sotme të jetës shkencore shqiptare ku- për fat të keq- sikurse ka ndodhur më herët pothuajse në të gjitha vendet e tjera të Europës Lindore, vetë emërtimi “antropologji” është bërë “i modës” edhe në Shqipëri. Tek ne ka sidomos disa studiues të letërsisë, por edhe filozofë, historianë, kritikë letrarë dhe kalemxhinj me formime dhe shkollime të ndryshme, të cilët, kur bëhen personalitete publike apo të dëgjuar në media, gjithnjë e më shpesh pëmendin antropologjinë në shkrimet e tyre. Shumë prej tyre shtyhen ta paraqesin veten si “antropologë” apo “kulturologë” vetëm duke u përpjekur të manipulojnë ndonjë njohuri të përgjithshme mbi natyrën njerëzore, kulturën dhe shoqërinë. Në të tilla raste, shfaqja e shpeshtë e “antropologëve” në periudhën paskomuniste është dëshmi elokuente e përdorimit të një emërtimi disiplinor si një instrument “dallueshmërie” në një fushë ende të brishtë  të rishpërndarjes së sferave të reja akademike, siantropologjia.

Megjithatë, qëkurse antropologjisë filloi t’i dëgjohej emri edhe në Shqipëri (dhe unë jam i pari që u mora me këtë fushë), këtyre “me nder me thanë” antropologëve u duket sikur kanë bërëantropologji prej kohësh, madje pa e ditur mirë kuptimin e saj. Thjesht, ata kujtojnë se, nëse do t’i vënë vetes apo shkrimeve të tyre letrare e folkloristike mbiemrin “antropologjike”, do të mund të konsiderohen si antropologë, apo që puna e tyre do të konsiderohet si antropologji. Megjithatë, “faji” kryesor nuk është i tyre, por i drejtuesve të Akademisë së Shkencave, të cilët, kur hapën vendin për “Akademik i asociuar” në fushën e Antropologjisë injoruan arritjet shumëvjeçare të antropologëve shqiptarë.

Le të bëhet një ballafaqim intelektual në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ku të marrin pjesë të gjithë antropologët e mirëfilltë shqiptarë (dhe ne kemi të tillë, madje me renomé ndërkombëtare) dhe prof. Sinani të na referojë për arritjet e tij “të shquara” në këtë fushë.

* * *

Nga sa mësipër, mendoj se votimi i 6 marsit ishte i pamoralshëm, i palogjikshëm, madje edhe i paligjshëm në përzgjedhjen e “Akademikëve të asociuar”, meqenëse- me sa duket- akademikët që vlerësojnë logjikën dhe figurën akademike duhet të kenë mbetur në “minorancë” dhe ata nuk ka pse të quhen “palë” e përgjegjësive që rrjedhin prej këtij manipulimi të ri.

Dikur- shpresoj që kjo kohë do të vijë shpejt- “bomba” do të pëlcasë dhe aradha e “gjenive” të shkencës së re shqiptare, bashkë me ithtarët e tyre në Kryesinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, do të shkërmoqet. Atëhere do të kujtohemi: ku ishim që s’e parandaluam “zhytjen” e këtij institucioni elitar në batakun e “sokakut të të marrëve”!

Please follow and like us: