Albspirit

Media/News/Publishing

Basha dhe ‘maskarenjtë’ e mëdhenj, Soros e Konfuc

Shpëtim Nazarko

Kam qenë shumë i vogël atëherë, ndoshta në klasën e dytë të fillores. Radioja buçiste nga mëngjesi në darkë thuajse vetëm me një lajm. Të gjithë të intervistuarit, fëmijë apo të rinj pleq apo plaka, mallkonin një rrezik të madh që i kanosej mikut tonë të dashur e të shtrenjtë, Kinës së madhe popullore. Ishte Konfuci që kishte thyer ideologjinë marksiste dhe  me tezat e tij të lejimit të njëqind luleve apo njëqind shkollave, po helmonte jo vetëm Kinën  e madhe, por edhe Shqipërinë e vogël. Se si e bënte këtë punë këtu në Shqipëri asnjëri nuk e dinte, por fjalët duheshin thënë dhe duhet t’i thoshe mirë për të mos përfunduar si i dënuar pastaj për agjitacion dhe propagandë.

Kohë më vonë e mësova, se Konfunci kishte rrojtur mijëra vjet  më parë dhe gjullurdia bëhesh në emër të Revolucionit kulturor kinez të cilin Maoja apo Timonieri i madh sapo kishte hedhur në skenë për të larë llogaritë me kundërshtarët e tij.

Shakara të tilla në Shqipërinë e gjorë kanë ngjarë realisht edhe pas rrëzimit të komunizmit… Në referendumin e njohur të ’94-ës, Berisha kërkoi të aprovonte Kushtetutën e re. Gazetari RTSH-së, pyeste një plakë rrotull të 100-tave, se a e kishte lexuar Kushtetutën e re dhe si i dukej ajo.

Më ka mbetur në mend përgjigjja legjendare e plakës… “Mirë shumë e kanë bërë,- tha. – dhe akoma më mirë do na e bëjnë..”

Megjithëse në fundin e jetës së saj, plaka kujdesesh me intuitë gjeniale që Balzaku do ta quante instikti i vetmbrojtes, apo siç e quajnë në shoqëritë tona evropiane interes personal.

Shakatë e mësipërme duket  se po përsëriten thuajse në mënyrë identike edhe tani që ka njëzet e pesë vjet që jemi shkëputur nga komunizmi. Armiku i madh që po kërcënon jo vetëm Kinën e madhe popullore e Timonierin e madh, po edhe Amerikën demokratike të Trampit nuk është Konfuci, por Sorosi..

Rreziku që vjen prej tij është aq i madh sa duhet lajmëruar jo vetëm Trampi, por gjithë Evropa. E keqja më e madhe është se ai po bashkëpunon në këtë komplot të madh edhe me Tiranën zyrtare.

Që një shaka e tillë banale, të vijë nëpërmjet gojës së doktor Berishës, kjo nuk ka asgjë të keqe.

Së pari, ai i përket vetë atij brezi që e njeh mirë politikën e kohës së atëhershme dhe si çdo njeri normal në këtë botë, u rrëfen të tjerëve eksperiencën personale, apo çfarë ka mësuar në jetën e gjatë të tij.

Së dyti .. këtë e thotë shpesh edhe vetë me shaka apo gjysmë shakaje, ai ashtu si Berluskoni, u flet atyre që kanë nevojë të dëgjojnë gjëra të tilla. Pra u flet thjesht militantëve.

Habia vjen kur këtë lloj propagande e dëgjon nga pasardhësi, i cili është edukuar në shkolla perëndimore dhe ku mund të të marrin për qesharak kur thua gjëra të tilla.

Shoqëria shqiptare, ajo e vjetra ashtu si dhe unë, e njeh mirë domethënien  e shprehjeve të tilla luftarake apo agjitative. Kjo veçanërisht kur vjen nga vendet komuniste. Veç Berishës në këtë lojë qenka dhe Orbani i Hungarisë, që një pjesë të ngritjes së tij në fushën e politikës ja atribuon ndihmës së vetë Sorosit.

Orbani ka vendosur të mbyllë një universitet që mban emrin e filantropit të madh.

Në emër të luftës kundër këtij rreziku janë përzierë të majtë e të djathtë, po gjithsesi ish-komunistë apo komunistë të konvertuar që Haveli i madh i quante më të këqinjtë e komunistëve…

Në këtë shaka është përzierë dhe udhëheqësi i opozitës shqiptare. Çfarë bën realisht? Përcjell direktivat e komitetit central që faktikisht duket se ka në krye ende doktor Berishën?
Tallet nga pak edhe me atë vetë duke bërë sikur bën të bindurin dhe të zellshmin për gjithçka ?

Më duket se Mero Baze, kishte shkruar sot a dje, se edhe vetë Basha, si edhe një pjesë e intelektualëve këtu kanë përfituar nga ndihmat e Sorosit. Ajo ka qenë realisht prezente në Tiranë këto njëzet e pesë vjet në periudha të caktuara.

Mos po bëj ndonjë shkrim pro Sorosit ?

Jo, ndoshta jam i vetmi nga shtypi i shkruar që nuk kam marrë asnjëherë ndihmë nga ai. Në 1995, kam shkruar dhe një shkrim me titullin ‘Banda e Sorosit në Tiranë’.

Për mendjen time, ndihma që dha atëherë ishte gjithsesi jo vetëm e çmuar, jo vetëm në ngritje shkollash apo ambientesh të tjera edukative, po bashkë me të solli dhe në Tiranë dhe një numër njerëzish që nën këtë ndihmë realisht nuk bënë asnjë për vendin. Praktikisht krijuan një elitë artificiale e cila jo vetëm nuk ishte në gjendje të përçonte idetë e Shoqërisë së hapur, por u bë mbështetja më e madhe për vetë pushtetin e Berishës, apo të Nanos që erdhi pastaj. Akoma më keq. Shërbyen për të informuar të huajt në mënyrën më të keqe të mundshme për situatën që të dukej sa më rozë që mundej..

Por, a shërben kjo histori për të mallkuar Sorosin siç mallkonim dikur Konfucin?

Filantropi i madh që ka dritëhijet e tija në këtë periudhë kolosale aktivitetit edhe për shkak të jetëgjatësisë fizike, dihet që është përkrahës i Karl Poperit apo një nga të fundmët e Rrethit të mëdhenjve të Vjenës që shoqëroi periudhën e viteve ’20 – ’30 në Evropë.

Nuk më përket mua të vlerësoj sa e madhe apo e vogël është filozofia e Poperit, apo realisht jam i vogël në ide a pikëpamje për të bërë kritikë mbi këtë filozofi.

Ajo që të ngjall ndjenjë neverie është ripërtëritja e filozofisë së vjetër enveriste që vazhdon të udhëheqë këtë shoqëri të mjerë edhe pas njëzetë e pesë vjetëve tranzicion.

Ajo vazhdon të përsëritet po siç thotë Hegeli, i kësaj radhe jo më si tragjedi, por si komedi.

Pak përpara se të zgjidhej Trampi, kryeministri i tanishëm u shpreh zyrtarisht kundër tij. Të gjithë në Tiranë heshtën, por sapo Trampi u zgjodh e gjithë mizëria e shkollës së vjetër që tani është konvertuar nga e majta në të djathtë, ju vërsul Ramës. Shpresa e madhe ashtu si dhe tani është që shoku Enver , më falni zoti Tramp, do t’i kërkonte llogari Ramës. Priteshin emisarë që si dikur,instruktorë të Komitetit central, do t’i shkulnin dhëmbët kryeministrit të Shqipërisë..

Në lidhje me këtë situatë ju referova time ti që tanimë në pleqërinë e thellë, siç e ka zakon  u përgjigj më shkurt se zakonisht kur e dëgjoi një histeri të tillë.

Vërtet mendon se do të merret Trampi me këtë punë ?

Kësaj i thonë që në fshatin Msickë që një zot e di se ku bie, e kanë sharë kryetarin e madh të dynjasë… kur ai lëftonte të bëhesh i tillë.

Në të vërtetë qoftë historia e Konfucit, apo e Trampit, duhet të kishte zënë vend në ndonjë fejton nga ato që shkruan Filip Çakuli e jo më shumë. Këtë mendon kur shikon Bashën që vazhdon ashtu si dhe Berisha me të njëjtin entuziazëm të luftojë poshtë e lart për të denoncuar këtë armik të ri e të madh që i kanoset Amerikës demokrate ..

Po nuk kemi çfarë të bëjmë. Jemi mbeturinat e një epoke që duhet ta paguajmë edhe këtë budallallëk. (Konica.al)

Please follow and like us: