Rikard Ljarja mbush 74 vjeç
Dje ishte ditëlindja e aktorit dhe regjisorit të mirënjohur Rikard Ljarjes, aktori i dashur i ekranit, një nga yjet e kinemasë shqiptare në vitet 60-70-të. . Rikardi u lind më 1 prill 1943. “Unë kam lindur në një ditë tëshnuar, më 1 prill, ditën e rrenave… Por nuk kam qenë rrencak. Këtë nuk e pranoj!”. Në këtë ditë të shënuar po rikthejmë në kujtesën e lexuesit romancën e bukur mes dy aktorëve të mirënjohur të skenës e ekranit, Marjeta e Rikad Llarjes. Një dashuri e bardhë, e bukur, që lindi në pastërtinë e borës së veriut, në fundin e viteve 70-të. Në kinematografinë tonë ka disa raste të tjera, kur dashuritë kanë lindur në sheshin e xhirimit, si p.sh dashuria e Dhimitër e Roza Anagnostit, në filmin “Detyrë e posaçme” (1963).
Rikardi dhe Marjeta u takuan në filmin e shkruar dhe drejtuar nga vetë Rikardi, “Në pyjet me dëborë ka jetë” (1978). Ai ishte një nga aktorët më të mirë, dominues në ekranin tonë, ndërsa Marjeta një vajzë e re, aktore në Estradën e Pogradecit, sapo kishte mbaruar studimet në ILA. Vetë Marjeta, në “Përballë”, tregon për këtë moment të rëndësishëm, që përcaktoi fatin dhe jetën e saj: “Kur isha në Estradën e Pogradecit, vjen Viktor Gjika për të bërë disa fotografi për filmin “Dollia e dasmës sime” (nuk e di pse Viktori). Më pas në Pogradec më vjen një telegram. Erdha në Tiranë për të bërë një kinoprovë për filmin. Regjisor ishte Mark Topallaj. Kur më panë, ata u hutuan, por sapo përgatitesha për kinoprovën, vjen Rikard Ljarja. Nuk i kisha folur kurrë. Megjithëse e njohja që student, unë isha në vitin e parë për aktore, ai vazhdonte për regji. Nuk e kapërceja atë natyrën time. Ndoshta të gjitha studentet e tjera flisnin me të, por unë as një përshëndetje nuk i kam dhënë. Kur më shikon, më thotë: “Po ti çfarë bën këtu? Telegramin e kam çuar unë. Ti do vish me mua!” Mbeta! Më merr te dhoma e grimit e më thotë: “Ty do të bëj një kinoprovë për filmin tim. E lexova skenarin, më pëlqeu, shumë njerëzor. Ishte thjesht për rolin e infermieres tek filmi “Në pyjet me dëborë ka jetë.” Grupi ka qenë shumë aktiv në këto kinoprovat. Ishte operatori Ilia Terpni ai që i thotë Rikardit: “Rikard, mere këtë për rolin kryesor, mos e lerë me ik!” Më jep edhe një dialog me të. Rikardi kishte këmbënguljen dhe bindjen e vet!” Nga ana tjetër edhe vetë Rikardi tregon versionin e tij: “Mbarova skenarin dhe po kërkoja për aktorë. Nuk po gjeja. Befas m’u kujtua një gocë që e kisha parë te Instituti i Arteve, në 1974. Ishte nga Pogradeci. I nisa një telegram dhe ajo erdhi. Bëra kinoprovën dhe gjithçka në rregull. Por duhej të merrje lej e. Shkona deri në Pogradec…”
“Ka ardhur deri në Pogradec për të marrë leje edhe te Komiteti i Partisë, “a është në rregull kjo vajzë me biografi”, thotë më tej Marjeta. Ishte gjithmonë i preokupuar që unë të merrja pjesë në atë film. Kështu ndodhi… filloi filmi!
Çuditërisht, ndjesia e Rikardit: Më merrte e më shoqëronte në korridoret e Kinostudios, për dore. Isha 22 vjeçe. Më kapte për dore e nuk më lëshonte… Ka qenë një marrëdhënie shumë e bukur, shumë e sinqertë… pa shumë fjalë.
Ndërkohë, me filmin, marrëdhënia jonë kishte avancuar, por nuk hapeshim, si në ditët e sotme. .. Unë e ndrojtur deri ku s’mban më. Shokët e tij që i thoshin “Rikard, mos e lerë të të ikë kjo vajzë!”
Isha dorëzuar para një ndjenje të sinqertë. Në Tiranë e kuptova se me kë kisha të bëja. Nuk ishte e lehtë, aq më tepër, me Rikardin që ka qenë në kulmin e suksesit të vet! Unë isha 22 vjeçe e ai 34 vjeç. Unë nga Pogradeci, nuk e kisha menduar kurrë të isha aktore, e jo më të lidhesha me një aktor!”.
“U krijua një marrëdhënie e ngrohtë. U krijua një miqësi me Marjetën… u trash një çikë, derisa u martuam… Ishte filmi që unë gjeta një grua…”, thotë Rikardi.
Koha tregoi se ajo ishte një dashuri e bukur dhe një marrëdhënie e vërtetë, e sinqertë, një dashuri që i rezistoi çdo sfide. Gjërat e mëdha bëhen me pasione e dashuri të mëdha. Sot janë gjyshër e jetojnë të lumtur, mes dashurisë së vajzës e djalit dhe gjithë miqve, kolegëve e familjarëve të tyre.