Pse Rama nuk ndahet dot nga Meta?
Armand Shkullaku
Ilir Meta i ka vënë një mur të madh përpara euforisë së Edi Ramës, për të hyrë në zgjedhje i vetëm. Kaq i fortë ka qenë ky mur, sa përplasjet e para me të, nxorrën në pah problemin e madh të kryeministrit, atë të pamundësisë për të menaxhuar pushtetin enorm që shqiptarët i dhanë katër vjet më parë. Krahu radikal pranë tij, nxitoi të propozonte ndarjen me LSI, shkuarjen vetëm në zgjedhje, ndërzimin e një opozite bastarde dhe marshimin e pandalshëm drejt fitoreve të reja.
Sigurisht që këto thirrje, vetëm sa ia lëvizin Ramës thikën e ngulur në plagën e shkaktuar nga pafuqia për të vepruar. Ai do t’i zhgënjejë përsëri skifterët e tij, sepse nuk do t’a rrezikonte asnjë ditë të vetme mandatin e tij duke nxjerrë Metën jashtë qeverisë dhe nuk do të guxonte asnjëherë të ndërmerrte aventurën e daljes në zgjedhje pa LSI. Edi Rama nuk është lloji i politikanit që riskon të gjithën për t’u ndjerë i lirë, por preferon t’a shesë lirinë për të mos riskuar pushtetin.
Kjo nuk lidhet vetëm me pasigurinë apo frikërat e tij personale. Më tepër se kaq, kjo ka të bëjë me kontradiktën e pazakontë që e ka dominuar vazhdimisht atë: ai e dëshiron dëshpërimisht pushtetin, por nuk e duron përgjegjësinë. Rama pëlqen të qeverisi, por jo të japë llogari. Ai do të jetë i pari, por nuk duron ta gjykojnë. Ai do të jetë suksesi, ndërsa dështimin t’a projektojë gjithnjë tek të tjerët.
Edi Rama erdhi në pushtet edhe me votat e LSI, por që në fillim e deri më sot, u kujdes të thurrë fabulën se aleati më i vogël ishte një dru i shtrembër në rrotën e tij të Rilindjes. Se projekti i tij i madh pengohej nga partia e vogël, e cila flirtonte me opozitën. Se çdo sukses ishte i tiji personal dhe çdo dështim ndodhte për shkak të tjerëve. LSI, indirekt, lidhej me Frontin e së Keqes, mediat, gazetarët, opozitën, etj, që po e pengonin misionarin të rilindte Shqipërinë.
Për të krijuar këtë percepsion u investua jo pak tek ndërkombëtarët e tek opinioni publik; u krijuan portale anonime, monologje në facebook dhe madje marka televizive si ERTV. Edi Rama duhej të ishte reformatori vigan dhe, kriminalizimi i politikës, vjedhja e votës, mbretëria e drogës, korrupsioni masiv, koncensionet klienteliste, përdorimi i banditëve, shpërdorimi i parasë publike dhe varfëria e shtuar, veçse sajesa nga balta e gatuar në kazanin e Frontit të së Keqes. Në këtë Front, opozita dhe media futen bashkë për të zhvlerësuar çdo akuzë, ndërsa LSI përdoret si alibi për vështirësitë që lideri suprem ndesh në misionin e tij të fanarit ndriçues. Armiku i jashtëm ka gjithnjë nevojë për një konspiracion të fshehtë me agjentët e infiltruar në Frontin e së Mirës.
Mirëpo sot, kur LSI mendon se lideri suprem nuk mund të bëjë zgjedhje pa opozitën dhe këtë e deklaron hapur, Edi Rama është i lirë të vazhdojë i vetëm rrugën e tij të Rilindjes. Ai beson se ka me vete të drejtën dhe ligjin, kështu që nuk ka më asnjë arsye apo detyrim politik ndaj aleatit më të vogël. “Konspiracioni” kundër tij është zbuluar dhe kështu kryeministri jo vetëm duhet të ndahet sot, por edhe të ndihet i çliruar për të hyrë në zgjedhje, kurdo që të jenë ato, pa LSI.
Hezitimi i tij për të hedhur këtë hap s’ka të bëjë me ndonjë detyrim moral ndaj Ilir Metës dhe as me nevojën e një mazhorance të konsoliduar për të bërë reforma. Edi Rama nuk ndahet dot nga LSI, sepse aleati i vogël i duhet për të shkarkuar përgjegjësinë e dëshmtimeve të tij të mëdha. Ai nuk e përballon dot i vetëm peshën e pushtetit, por kurorën e tij e do t’a ketë mbi krye.
Por Rama nuk ndahet dot nga LSI edhe nga pasiguria e numrave elektoralë. Ai nuk rrezikoi as në 2013, kur pasi nuk kishte lënë gjë pa thënë e pa bërë kundër Ilir Metës, i futi krahun për të siguruar plotësisht pushtetin. Mund të kishte fituar i vetëm, thonë ata që sot i kërkojnë përsëri të ndahet nga LSI, por Rama nuk e bëri. Si mund të provojë garën me risk një njeri që edhe pse kryeministër, edhe pse kryetar, shmangu votimin brenda partisë së tij?
Të mos kërkojmë nga Rama atë që nuk e ka bërë kurrë. Ai ka qenë gjithnjë numër 2, ka shijuar pushtetin e bashkisë duke ua lënë të tjerëve në derë kopilin e përgjegjësisë. Herë Ilir Metës e herë Fatos Nanos. E mori partinë duke sakrifikuar Gramoz Ruçin. U bë kryeministër duke u falur tek Ilir Meta. Atë e tremb ideja se bashkë me pushtetin duhet të mbajë edhe të gjithë përgjegjësinë. I duhet një i dytë për t’u ndjerë i parë. Prandaj, pavarësisht numrave dhe euforisë socialiste, Edi Rama nuk bën dot divorc.