Rrëfehet kompozitori Lalo: Njohja ime me Francesk Radin dhe thashethemet që e çuan në Fushë-Arrëz
Dy ditë më parë, kompozitori Aleksandër Lalo ishte përzgjedhur të ishte në rrethin e afërt të njerëzve që do të thoshin fjalët e fundit përcjellëse për kantautorin Françesk Radi. Ai u veçua prej të tjerëve edhe për shkak të një revolte që nuk arriti ta përmbajë, ndaj politikës që është gjithnjë e pavëmendshme ndaj artit.
“Gjithnjë njësoj ka qenë, ata na kanë nxirë jetën, ndërsa ne ua kemi zbukuruar njerëzve jetën”, thotë Lalo, tek kujton ngjarjet e një dite më parë, kur e takojmë të nesërmen, në shtëpinë e tij. Françesk Radi nuk ishte natyrë e papërmbajtshme, thuajse asnjëherë nuk e ka ngritur zërin të ankohet për problemet e tij, institucionit apo vendit. Mirëpo, e bënte këtë gjë në rrethin e ngushtë të miqve, sepse ishte i drejtë.
Në këtë pikë janë takuar ata të dy, që në kohën kur ishin studentë e deri pak ditë më parë, kur Franko “nuk lajmëroi” asnjë përpara se të zinte shtratin e fundit prej një hemorragjie cerebrale. Përveç koncepteve për jetën e profesionin, dy kompozitorët i bëri bashkë edhe rruga që u mori jeta.
Në të njëjtën kohë, pas së njëjtës ngjarje të madhe të Festivalit të 11-të, i larguan nga Tirana për t’i emëruar njërin në Kukës (Lalon) e tjetrin në Fushë-Arrëz. As këto vite nuk i ndanë. Sa herë vinte në Tiranë e kthehej sërish në Kukës, Lalo ndalej në Fushë-Arrëz të hante drekën e të takonte mikun e shkollës. Ishin pikërisht vitet kur Radi po njihej me vajzën që më pas u bë bashkëshortja e tij, Teftën.
Edhe në Tiranë u rikthyen po në të njëjtën kohë, për ta vijuar punën atje ku e kishin lënë pas Festivalit të Studentëve. Aleksandër Lalo ishte përpjekur ta largonte zhurmën e ngritur nga një kitarë se Radi imitonte Adriano Çelentanon. “Në të vërtetë, kompozimet e tij nuk kishin asnjë pikë takimi me këngët e Çelentanos, po ja që u krijua ky thashethem dhe ishte e vështirë ta zhbëje”.
Nga ana tjetër, vajtja e Frankos në Fushë-Arrëz ishte një “dënim” prej të cilit edhe mund të përfitoje, siç ai, në të vërtetë, bëri. Arriti që të përvetësojë elemente të shumta nga folklori i zonave ku e caktuan, përfshi edhe Pukën, për t’i përdorur në muzikë. Vitet ’90 nuk ishin dhe aq larg, prandaj bashkë me këto elemente të reja që do t’i shtonte muzikës së tij, Françesk Radi u bë kantautori më origjinal, që la gjurmë në muzikën shqiptare. Sesi nisi rruga e tij, na e tregon sot miku e kolegu i të gjitha kohërave, kompozitori Aleksandër Lalo.
Si jeni njohur me Frankon?Ashtu si ai në Fushë-Arrëz, edhe ju për disa vite keni qenë i qarkulluar në Kukës…
Në fakt, ne jemi njohur më parë, por duhet saktësuar që asnjëri prej nesh apo shumë të tjerëve nuk kemi qenë të internuar, por të qarkulluar. Ashtu siç ishin edhe Çesk Zadeja, Tonin Arapi, Aleksandër Peçi… Të gjithë ne mbaruam shkollën në një moment të caktuar që, sigurisht, nuk ishte më i miri dhe ata na gjetën punën.
Frankon unë e kam njohur 40 vite përpara, në vitin 1968, kur ishim ende studentë. Franko binte në sy atë kohë, për shumë arsye. Nga ana vizive, së pari, binte në sy pamja e tij. I mbante flokët pak të gjatë edhe për shkak të problemit që kishte me veshin dhe që gjithashtu do t’i krijonte ca fjalë, të ngjashme me ato imitimet që thoshin se i bënte Çelentanos, por që nuk ishin të vërteta.
Vishej modern për kohën, sipas mundësive që ishin atëherë, por rrobat e tij ishin ndryshe nga shumë të tjerëve. Unë atë kohë kam qenë drejtues i cirkut amator, pastaj krijova formacionin tim muzikor pranë RTSH.
Franko në atë kohë nisi të shkruante këngët e para dhe u bë një festival i famshëm shumë. Quhej Festivali i Studentëve dhe shkonin këngëtarë që ishin në fakultete të ndryshme, që mund të kishin qenë për flaut, violinë apo një tjetër instrument, e që për shumë arsye kishin ndërruar degë. Bëhej tek Akademia e Arteve festivali dhe unë kam drejtuar Festivalin e dytë të Studentëve. Morëm dhe një kompleks vajzash nga gjuhët e huaja, sepse sapo kishte dalë filmi “12 vajza dhe një djalë”. Franko në këtë festival bëri këngën “Adresa”, të cilën e orkestrova unë. Na përkrahën në fillim, sepse kishim mjaft krijime të guximshme.
Festivali i Studentëve ka qenë paraprijës i Festivalit të 11-të dhe bënte po aq bujë në radhët e rinisë sa edhe ai. Pastaj Franko bëri këngën “Biçikleta”. Këto ishin dy këngët përpara Festivalit të 11-të, ku Franko doli pastaj me këngën e Vietnamit. Festivali i 11-të përkoi edhe me mbarimin e shkollës e pas kësaj ne na qarkulluan. Sigurisht që mund të na kishin vendosur më afër, jo aq larg, në Kukës, për shembull, ku shkova unë. I gjithë kursi, edhe ata që nuk ishin pjesëmarrës në Festivalin e 11-të, u shpërndanë.
Pra, ju po thoni që nuk kishin konkretisht gjë me ju, se nuk po e qarkullonin Frankon për shkak të shfaqjeve të tij të huaja, por vetëm se ishte momenti i tillë? Apo duhej të trembeshin të gjithë?
Ishte edhe kjo, fjalët për njëfarë modernizimi të Frankos kishin qarkulluar, por edhe në përgjithësi kështu u caktuan gjërat, pavarësisht se dy apo tre njerëz ishin pak më larg se të tjerët. Mua më dërguan shef muzike në Kukës, ndërsa Frankon në Fushë-Arrëz dhe Pukë. Atje ai, po t’i referohemi Biblës që thotë se çdo e keqe e ka edhe një të mirë, u përshtat dhe arriti të marrë prej motiveve të zonës. Madje, ne edhe jemi edukuar kështu. Im atë më thoshte gjithnjë: “Sandër, nuk mund të bëhesh kompozitor në qytet. Duhet të dalësh, të shkosh të njohësh motivet popullore”, kështu ka qenë koha atëherë, kështu jemi rritur ne. Po flas edhe për vete, sepse kemi qenë bashkëkohës dhe duhet kuptuar fryma e përgjithshme. Franko njohu atje motivet popullore, nisi të bëjë këngë të reja, tashmë, të ndryshme nga ato që kishte bërë në Tiranë.
Në të vërtetë, muzika e tij u ndikua prej atyre motiveve. Ndihet edhe në kompozimet e mëvonshme…
Po, shumë. Edhe pas viteve ’90 ka shumë këngë që i ka bërë me frymën e Veriut. Jo vetëm prej pranisë së çiftelisë, por është e gjithë fryma e tillë, sepse njeriu, sido që të jetë, kur jeton në një ambient të caktuar, do ndikohet. Edhe në mënyrë intuitive do përdorësh elemente të folklorit apo gjuhës. Ndoshta ndenjëm atje më shumë sesa duhet, por në një mënyrë edhe na shërbeu ajo përvojë. Pas kohës së Fushë-Arrëzit, Franko erdhi në Tiranë ku punoi si instrumentist, pas viteve ’80, në Cirk dhe më vonë në RTSH. Ai kishte qejf edhe të këndonte, që prej fillimit të punës së tij, por u krijua një thashethem i çuditshëm në atë kohë që nuk kishte të bënte me instancat politike. Thuhej se imitonte Adriano Çelentanon. Unë mendoj që një pjesë të budallallëqeve tona ne ia kemi bërë njëri-tjetrit. Krijohen thashetheme nga poshtë prej egove e xhelozirave, herë të fshehura e herë të bëra haptazi dhe krijohet një thashethem që është i vështirë të largohet. Në të vërtetë, Franko nuk kishte lidhje fare me Çelentanon, sigurisht që e pëlqente, kjo është një gjë tjetër, por jo ta imitonte apo të përpiqej t’i ngjante. Franko dilte edhe me kitare.
Kush i ngrinte këto thashetheme?
Ata që i ngrenë gjithmonë, në çdo kohë. Edhe sot, atje te puna juaj, a nuk ka të tillë? Gjithandej ka! Është e njëjta xhaketë, por e veshur mbrapsht. Sikurse ka e kishte edhe njerëz që nuk donin të përziheshin me asgjë dhe njëri prej tyre ka qenë gjithmonë Françesk Radi. Po ta analizojmë atë situatë absurde, kemi dy pista: atë të thashethemet të ngritur prej atyre që e donin e që, pa kuptuar, i nxirrnin këto fjalë në shenjë vlerësimi, pra ata që ishin dashamirës dhe të tjerët, që i shpërndanin këto fjalë pa menduar se si do të interpretoheshin e çfarë pasojash do të kishin. Sidoqoftë, e vërteta është një dhe e vetme: krijimet e tij nuk kanë asnjë pikë takimi me ato të Çelentanos. Megjithatë, e theksoj, njësoj si sot edhe atëherë, thashetheme krijohen, pavarësisht realitetit. Njësoj si sot edhe atëherë.
Meqenëse ju emëruan në vende të ndryshme, a u shkëput marrëdhënia juaj?
Jo, aspak. Kemi qenë miq dhe kështu vazhdoi të ishte gjithmonë. Ne takoheshim gjithnjë, sepse unë kur shkoja në Kukës, autobusi ndalonte në Fushë-Arrëz dhe hanim drekën aty. E takoja gjithnjë, në atë kohë ai sapo ishte njohur edhe me Teftën. Këtu u bë luftë e madhe në fakt, edhe kur u rikthyem. Unë jam përpjekur gjithmonë që ta ripërfshij dhe ta zhbëj atë idenë e krijuar. Në fakt nuk e kam bërë për të, por për natyrën time, ndihmova bindjet e mia e brezin tim, duke argumentuar atë që ishte e drejtë, se ai as kishte të bënte me Çelentanon. Gjeta argumentin që gjëra të ndryshme ngjajnë edhe rastësisht, ka shumë frekuenca zërash të njëjtë. Tematika s’kishte të bënte fare. Pastaj, siç të gjithë e njohim, pas viteve ’90, Franko shpërtheu me stilin e muzikës së tij.
Gjithmonë njësoj…
Po, ka qenë një djalë me kolonë vertebrore, ka ruajtur gjithmonë stilin e tij, qoftë nga pikëpamja profesionale, qoftë nga ajo njerëzore. Është i papërsëritshëm në mënyrën se si ka shkruar këngët, sepse në zanatin tonë nuk ka nevojë të bësh çudi të madhe: nëse ajo që bën nuk ngjan me të tjerët, ka të bëjë me vlerat, me origjinalitetin. Sot kanë ndryshuar kohët, muzika nuk ka të bëjë me vlerën, por me modën. Ndodh që të dyja gjërat të përkojnë dhe ajo që është në modë të ketë edhe vlerë, por është shumë e rrallë. Franko ndoqi stilin e tij edhe në tematikën e këngëve. Ai ka shprehur edhe dufet e tij në mënyrë artistike. Temat e tij nuk janë kalimtare, por rrahin probleme, pothuajse të gjitha. Ai ngeli ai që ishte në të gjitha kohët. Ishte model i artistit dhe njeriut. Hallet e tij nuk u përfolën kurrë as në intervista, as publikisht. Mbajti personalitetin e tij, çka është shumë e vështirë të ruhet në këtë vend, sepse të sillesh sipas kohës duhet të bësh shumë kompromise. Për të gjitha këto që thashë, Françesk Radi ngelet një njeri tepër i respektuar. Deri në fund punoi në redaksinë e muzikës, në RTSH. Ka bërë mjaft kompozime e orkestrime, ka dhënë një kontribut të mirë e të saktë. Artisti nuk duhet parë te sasia! Franko ka këngë të veçanta dhe këtë nuk e them si mik i tij, por si analist. Dallojnë këngët e tij!
Ju vazhduat të ishit miq edhe në këto kohët, që ishin ca më të vështira në një pikëpamje tjetër…
Po, kemi qenë gjithmonë miq, rrëfeheshim te njëri-tjetri. Franko ka qenë natyrë e mbyllur, nuk i pëlqenin servilizmat, zhurmat e mëdha. Ka qenë njeri shumë i drejtë! Mua nuk më pëlqejnë as këto fjalët e mëdha që dëgjoj në televizion e gazeta që flasin për madhështira e për shkëlqësira. Bëra një koncert dhome ca kohë më parë dhe u çua të fliste një miku im poet. –Dëgjoni, tha, -ka një inflacion fjalësh, si të bëjmë kur me të vërtetë një njeri është i madh, si t’i themi atij se janë konsumuar fjalët? Më kuptoni se çfarë dua të them?! Tani nuk dimë më as si t’i quajmë njerëzit për t’i vlerësuar, sepse janë bërë të gjithë madhështorë e të shkëlqyer! /Pan/