Me Dritëroin ishim shokë. Flisnim kundër regjimit që në fund të viteve 50
Kadare flet për letërsinë e realizmit socialist. Ne shkrimtarët kemi patur komunikim të lirë me njeri tjetrin. Dhe kemi prodhuar vepra të mira.
Në reflektimet e bëra publike gjatë qëndrimit në Kosovë, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare thotë se letërsia shqipe është me siguri një letërsi shumë e mirë. Brenda një sipërfaqe të vogël ka patur 5 ose 6 shkrimtarë të mëdhenj të cilët mjerisht nuk kanë patur rastin të bëhen publikë në perëndim, ose janë bërë gabim, duke përmendur këtu rastin e Mitrush Kutelit, Lasgush Poradecit, etj.
Ismail Kadare mendon se letërsia e krijuar në periudhën e komunizmit ishte më e lirë, jashtë klisheve, presionit të propagandës dhe kontrollit të saj se kinematografia. Për këtë sjell shembullin e librit të tij « Kamarja e turpit », që është krijuar në vitin 1972, dhe që konkuron sërish për çmimin e famshëm britanik » Man Booker prize ». Kjo është një dëshmi e mbijetesës së vlerave, pavarësisht se ka kaluar kohë e madhe dhe është krijuar në një kohë shtypje. Veprat e mia më të mira, janë të asaj periudhe, thotë shkrimtari i madh Ismail Kadare.
Ismail Kadare mendon se letërsia shqipe e gjeti hapësirën të krijonte vepra të mira megjithë izolimin, megjithë luftën e klasave, e cila e dehumanizonte shoqërinë, sipas dogmës marksiste se komunizmi nuk ka atdhe. Në fakt kjo ishte një përpjekje për të luftuar ndjenjat njerëzore në shoqëri. Marksi i cili mjerisht mbahet si klasik, në gjithë reflektimin e vet, nuk pati një qëndrim sado të shkurtër, tek pasojat dehumanizuese që mund të sillte përmbysja që ai projektoi. « Si nuk tha njëherë : po cilat mund të jenë pasojat shkatërruese të veprës sime ? A ishte ai një sociolog gjithashtu » ?
Unë kam biseduar kundër komunizmit me Dritëroin me të cilin kemi qenë shokë shumë të mirë në fund të viteve 50. Madje dhe më vonë kur marrëdhëniet tona u ftohën ne kemi folur me të edhe pse jo me të njëjtin intensitet. Në njerën nga librat e tij, Kadare flet për një bisedë të zhvilluar gjatë një qëndrimi në Paris me Dritëroin, kundër regjimit dhe më saktësisht kundër Enver Hoxhës. Madje thotë ai një fakt shumë interesant, Një pjesë e mirë e figurave të përdorura në një libër timin, janë pikërisht nga bisedat me të.
Kadare foli dhe për gjuhën shqipe, duke e quajtur si një gjuhë të rëndësishme, e cila ka një alfabet shumë të qëndrueshëm, që nuk është ndryshuar dhe çka tregon për stabilitet në kulturë. Alfabeti rus është vetëm 8vjet më i ri sesa ai shqip, tha Kadare.
Ismail Kadare u përfshi dhe në debatin për identitetin kombëtar në periudhën mesjetës.Dikush thotë se shqiptarët nuk quheshin shqiptarë në mesjetë. Por mos vallë gjermanët quheshin gjermanë atëherë, tha ai duke shfryrë me lehtësi një dogëm që përdoret shpesh nga fqinjët tanë, sipas të cilës shqiptarët në mesjetë nuk e kanë patur ndjenjën e përkatësisë kombëtare.