Dritan Shano: Çadra, purgatori i politikës shqiptare
Dante tek Komedia Hyjnore, në udhëtimin e tij nga Ferri, përmes Purgatorit, për në Parajsë, e përshkruan Purgatorin si vendin ku mundësohet pendesa. Për mëkatet që ke kryer më parë. Në këtë udhëtimin, Dante sheh njerëz që hyjnë në Purgator dhe dalin prej andej të penduar, sikundër sheh njerëz që hyjnë dhe nuk dalin kurrë nga spiralja e Purgatorit pasi janë të pazot të pendohen për mëkatet e kryera.
Çadra që opozita ngriti në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në datën 18 shkurt është në fakt Purgatori i politikës shqiptare të derisotshme. Purgatori i kujtdo që e ka mbështetur dhe ka mëkatuar për atë me mend, shpirt dhe votë. Pse purgatori dhe jo ferri apo parajsa. Sepse për të çuar ndonjë në ferr apo parajsë duhet të jemi të gjithë dakord. Për aq kohë sa votojmë si për njërën palë ashtu dhe për tjetrën, të gjithë kanë të drejtën e purgatorit. Thënë këtë, në atë çadër në 18 shkurt u futën të gjithë pa përjashtim, të vjetër e të rinj. Fizikisht, apo mendërisht. Ajo çadër, përveçse Lulzim Bashën dhe opozitën që e ngriti, përfshiu papritmas brenda me detyrim, pa dëshirën, vullnetin planin apo strategjinë e tyre edhe Edi Rama, edhe Ilir Meta, edhe … të gjithë.
Shumë shqiptare kane arritur të dalin prej andej sepse duan Shqipërinë më shumë se partinë, se duan shtetin më shumë se pushtetin. Vetë Lulzim Basha doli nga çadra, po atë ditë që e ngriti e ngriti atë në bulevard. Ai u kërkoi falje të gjithë shqiptarëve për gjithçka i takon të mbajë në kurriz si Kryetar i Partisë Demokratike. E bëri këtë me kurajo në mes të sheshit, në këmbë, përballë të gjithëve. Kërkoi një qeveri teknike, pa Edi Ramën, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, dhe kërkoi mbështetjen e gjithë shqiptarëve duke nënshkruar para tyre kontratën për themelimin e Republikës së Re, në themel të së cilës është barazia para ligjit, konkurrenca e lirë, dhe mundësitë e barabarta për këdo. Me këto fjalë Lulzim Basha la veten, vizionin, besimin dhe gatishmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike peng tek të gjithë shqiptarët, dhe doli nga çadra.
Në çadër, që nga data 18 shkurt e deri tani pas 50 ditësh, ka mbetur Edi Rama, Ilir Meta e të tjerë. Ata kanë mbetur aty, dhe nuk dalin sepse kanë frikë nga dorëzimi i çelësave të pushtetit të tyre tek një qeveri teknike e gjithë shqiptarëve, që opozita e kërkon si kusht të bashkëjetesës të helmuar nga droga e krimi, si kusht për zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk dalin nga çadra, sepse nuk imagjinojnë dot të hyjnë në garë elektorale pa mëkatet e krimit, drogës, dhe koncensioneve dhe tenderave korruptivë. Ata kanë mbetur aty dhe nuk dalin, pasi e dine se spërdredhjet e tyre retorike dhe përbetimet për ligj, shtet, kushtetute, legjitimet mund të marrin besim vetëm përmes qeverisë teknike që kërkon opozita. Kanë mbetur në çadër sepse janë te pazot të pendohen për mëkatet e kryera.
Prandaj, kur kaloni nga çadra dhe shihni aty brenda Lulzim Bashën që flet, intelektualë, artistë, njerëz të thjeshtë, sipërmarrës, qytetarë, të rinj e të reja që flasin për Republikën e Re, dijeni se ne të gjithë, që gdhihemi e ngrysemi atje, në fakt kemi kohë që kemi dalë nga çadra. Çadra për ne është tashmë vetëm një dorë e shtrirë për të ndërtuar Republikën e Re. Flasim aty brenda që të inkurajojmë dhe ata që kanë mbetur aty si politikë e vjetër, si Republikë e Vjetër, që të dalin nga çadra edhe ata. Aty kanë mbetur Edi Rama, Ilir Meta, dhe treni i tyre i mbushur plotë e perplotë me drogë, kriminelë dhe spërdredhje retoriko-strategjike për të mos humbur pushtetin e krimit. Nëse nga Lulzim Basha shqiptarët, edhe ata që nuk e pëlqejnë, mund vetëm të presin që ai të mbajë fjalën, nga Edi Rama dhe te tijtë presin që këta të dalin nga çadra. Ata sot kërkojnë: Edi, dil nga çadra! Por a do arrijnë këta që të dalin vullnetarisht nga çadra, nga purgatori i politikës së derisotme? Të shohim.