KLSH zbulon kaosin financiar në Policinë e Shtetit, dëmi 1.5 milionë euro!
Ja në ç’gjendje e katandisi Saimir Tahiri institucionin e ruajtjes së rendit: shkelje të ligjeve, urdhërave, normativave, vjedhje e shpërdorime në tendera
Ervin Kaduku
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një skandal të vërtetë financiar në veprimtarinë e prapavijës së Policisë së Shtetit, me abuzime dhe shpërdorime të fondeve publike, çka kriminalizon “de facto” institucionin, që duhet të jetë rojtari i interesave të taksapaguesve ndaj veprimtarisë kriminale.
Auditimi është ushtruar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit “Mbi zbatimin e përputhshmërisë dhe rregullshmërisë financiare”mbi aktivitetin e institucionit për periudhën 01.01.2014 deri 30.8.2016.
Çfarë rezulton? Ja shkeljet kryesore:
– Janë kryer 43 prokurime me procedurë “Me negocim pa shpallje paraprake …” dhe nga 10 prokurimet e audituara, në 3 prej tyre ose në mbi 78 për qind e vlerës së prokuruar, procedura e kryer ka qenë e gabuar
– Në një prokurim të vetëm, dëmi ekonomik i shkaktuar Buxhetit të Shtetit është rreth 208 milionë lekë ose mbi 1.48 milionë euro
– Edhe pse ndryshimet në Ligjin organik të Policisë së Shtetit, Neni 61 “Përcaktimi i Funksioneve për Gradë” kanë hyrë në fuqi në mars 2015, ende nuk kishte dalë Vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e funksioneve korresponduese për çdo gradë, deri në përfundimin e auditimit datë 31.12.2016
Më hollësisht:
Prokurimet
Në prokurimin e mallrave dhe shërbimeve, KLSH konstatoi se kryesisht është prokuruar në kushte emergjence duke anashkaluar procedurat e një konkurrence të hapur për realizimin e këtyre shërbimeve/mallrave, me efektivitetin dhe ekonomicitetin e kërkuar nga legjislacioni në fuqi. Si pasojë, niveli i kursimit nga fondi i hedhur në prokurim është i papërfillshëm. Gjatë periudhës objekt auditimi janë zhvilluar 43 prokurime me procedurë “Me negocim pa shpallje paraprake …” me fond limit 848,7 milionë lekë, me një vlerë të realizuar 837.6 milionë lekë, ose me një kursim në nivelin 1% të vlerës së fondit të prokuruar. Procedura e zgjedhur nga Autoriteti Kontraktor në tre tendera me fond limit 654,9 milionë lekë (rreth 78 për qind të vlerës së prokuruar në këtë periudhë) ishte në kundërshtim me nenin 33 të Ligjit nr. 9643 “Për Prokurimin Publik” datë 20.11.2006, i ndryshuar, pasi autoriteti kontraktor, në asnjë rast nuk gjendej në situatat e përcaktuara nga këto dispozita. Normalisht duhet të zhvillohej procedurë prokurimi “E Hapur”.
Kamerat e policëve
Në procedurën e tenderit me objekt “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit” me vlerë rreth 541 milionë lekë, u konstatua se procedura ishte klasifikuar “sekret” në nivel sigurie “I kufizuar”, në kundërshtim me kërkesat e Urdhrit të Ministrit të Punëve të Brendshme nr.459, datë 26.8.2015 dhe Ligjin 6943, datë 20.11.2016 i ndryshuar. Arsyetimi i përdorur për këtë klasifikim, për shkak se “Materiali filmik (Audio/video) është produkt që realizohet pas përfundimit të procedurës së tenderit dhe gjykohet se ka shërbyer si një artificë për të shmangur konkurrencën e hapur dhe për të diskriminuar pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të tjerë në këtë prokurim. Në realizimin e kësaj procedure u konstatuan parregullsi dhe mangësi të shoqëruara me efekte negative financiare për Buxhetin e Shtetit të cilat arrijnë minimalisht në nivelin 189 milionë lekë. Ky efekt negativ rezulton në përllogaritjen e fondit limit, nga krahasimi i çmimeve të ofruara nga operatorët ekonomikë vendas dhe të çmimeve të ofruara/kombinuara nga operatorët ekonomikë vendas me çmimet ndërkombëtarë të publikuara.
Grupi i punës i ngritur nga Autoriteti Kontraktor, nuk ka dokumentuar referencat që kanë shërbyer për llogaritjen e vlerës së plotë të projektit (përfshirë fondin limit), shkaqet e ndryshimit, nga vlera 838,005,339 lekë, deri në vlerën përfundimtare të projektit prej 540,533,139 lekë, në kundërshtim me nenin 59/2 “Përllogaritja e vlerës limit të kontratës” të Vendimit të Këshillit të Ministarve Nr. 914, datë 29.12.2014 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar, dhe specifikisht me kërkesat dhe kriteret e përcaktuara për aplikim me projekte në Komitetin e Zhvillimit të Rajoneve. Nga një testim i çmimeve ndërkombëtare të publikuara si dhe i ofertave të marra nga operatorë të njohur të tregut vendas për komponentë të caktuar të këtij sistemi, u konstatua se çmimet e përdorura nga Autoriteti Kontraktor kanë rezultuar deri 7 herë më të larta se çmimet ndërkombëtare të botuara, duke reflektuar rritje të fondit limit në shumën 189,155,670 lekë. Autoriteti Kontraktor nuk ka reflektuar sugjerimet që Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit i ka dërguar zyrtarisht “Për miratim për projektin “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit”. Ndër 25 sugjerimet e dhëna, është sugjerimi me përmbajtje “… Për UPS 30 KVA, të përgjithësohen specifikimet teknike pasi të çojnë në një produkt APC dhe të jepen specifikime minimumi për tre produkte”. KLSH konstatuam se nuk janë ndryshuar specifikimet teknike, duke e adresuar këtë produkt, në kundërshtim me sugjerimet/kushte e AKSHI dhe përcaktimet e pikës II/3 të Udhëzimit të MPB nr. 364, datë 1.7.2015, pasi në përfundim të procedurës rezulton të jetë blerë UPS, produkt i APC.
Mbasi përfundimet e raportit të auditimit u shqyrtuan nga Drejtoria Juridike e KLSH, u përcoll kallëzim penal pranë Prokurorit të Përgjithshëm me shkresën nr. 871/13 datë 10.01.2017.
Në preventivin e tenderit “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit” është parashikuar edhe zëri “Mirëmbajtje” me vlerë rreth 38,000 mijë lekë në vit. Ndërkohë që u konstatua se Operatori ekonomik fitues, nuk ka mundësi të kryejë zërin “Mirëmbajtje”, pasi në dokumentacionin e paraqitur prej tij, nuk ka marrëveshje bashkëpunimi, autorizim prodhuesi, ose/dhe kualifikime e trajnime me subjektin “S.. I…”, nga i cili ka blerë “Kamerat multifuksionale”. Mbështetur në këtë fakt, vlerës së lartë të shërbimit të “mirëmbajtjes”, vijimësisë së kryerjes së këtij shërbimi, faktit që Autoriteti Kontraktor ka në strukturën organike rreth 90 punonjës të TI, transferimi i shërbimit të mirëmbajtjes jashtë institucionit për tre vjet me pagesë në vlerën 114 milionë lekë reflekton inefiçiencë në përdorimin e burimeve njerëzore dhe financiare.
Gjyqet
Lidhur me ekzekutimet e vendimeve gjyqësore, për periudhën e auditimit, janë kryer shpenzime për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna të punonjësve të Policisë së Shtetit, për 529 raste gjithsej, në shumën 338 milion lekë, si detyrime të trashëguara dhe të krijuar rishtazi, kryesisht për largime nga puna të punonjësve të Policisë së Shtetit. Këto detyrime do të rriten dhe gjatë vitit aktual, pasi janë në proces edhe rreth 37 milion lekë detyrime, për të cilat akoma nuk ka dalë vendimi i formës së prerë. Ndërkohë, kryerja e këtyre pagesave përmes shërbimeve përmbarimore ka sjellë një kosto të shtuar me rreth 18.6 milion lekë, shumë e cila përbën përdorim pa efektivitet dhe efiçiencë të fondeve buxhetore dhe që ka rënduar padrejtësisht buxhetin e institucionit dhe atë të shtetit, pasi për një pjesë të vendimeve gjyqësore, urdhrat për largimet e punonjësve nga puna janë nxjerrë në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Gradat
Edhe pse ndryshimet në Ligjin organik të Policisë së Shtetit, Neni 61 “Përcaktimi i Funksioneve për Gradë” kanë hyrë në fuqi në mars 2015, ende nuk ka dalë Vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e funksioneve korresponduese për çdo gradë, çka do të rregullonte edhe problematikën e trajtimit të plotë të punonjësve me vjetërsinë në punë, e cila deri tani është e pazgjidhur dhe me efekte negative për këta punonjës. Miratimi i funksioneve korresponduese për çdo gradë është kërkesë e Pikës 1 të Nenit 61 të Ligjit organik “Për Policinë e Shtetit, i ndryshuar, ku shprehet:”Tabela e funksioneve korresponduese për çdo gradë dhe kategorizimi i tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”
Punonjësit
Nga auditimi u konstatuan edhe shkelje të tjera, si në procedurat për punësimin e punonjësve, në lëvizjet e personelit, në shpenzimet e konsiderueshme për udhëtime jashtë shtetit, në regjistrimet kontabël, etj. Për parregullsitë e konstatuara në procedurën e tenderit me objekt “Sistemi multifunksional i kamerave të trupit për patrullat e Policisë së Shtetit”, Kontrolli i Lartë i Shtetit me shkresën nr. 871/13 datë 10.01.2017, ka paraqitur pranë Prokurorit të Përgjithshëm kallëzim penal për 7 punonjës të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, nga të cilët 4 punonjës A. M. S. R., D. GJ. dhe F. Sh., në cilësinë e grupit për hartimin e termave të referencës, llogaritjen e fondit limit dhe njëkohësisht anëtarë të njësisë së prokurimit, kurse 3 punonjës E. D., E. K. dhe S. H., në cilësinë e anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave, për konsumim të figurës së veprës penale “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publikë” parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Pagesat
Nga auditimi u konstatua se për vitet 2015 dhe 2016 janë kryer pagesa për kompensimin në vlerë të pushimeve të pakryera vjetore, të cilat në total arrijnë në shumën 7,928,669 lekë. Duke pasur parasysh faktin që moskryerja e pushimeve vjetore nga ana e punonjësve të policisë së shtetit lidhet ngushtësisht me ngarkesën në punë të punonjësve të policisë dhe njëkohësisht çdo punë e punonjësve të policisë (të çdo niveli) lidhet ngushtësisht me misionin kryesor të Policisë së Shtetit që është ai i ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, Kontrolli i Lartë i Shtetit e konsideron si tepër të rëndësishëm mos diskriminimin financiar të çdo punonjësi policie pavarësisht nivelit, gradave, apo statusit të tij në strukturën organike të Policisë së Shtetit.
Investimet
Gjatë auditimit të zbatimit të buxhetit dhe ndryshimeve gjatë vitit për shpenzimet e investimeve, rezultoi se këto shpenzime janë rritur në vlera të konsiderueshme, duke vënë në diskutim hartimin e Projekt Buxheteve Afatmesme të miratuara për këtë Institucion, kështu konstatohet se për vitin 2014 investimet me financim nga buxheti i shtetit janë shtuar për 463,041 mijë lekë kundrejt 527,000 mijë lekë që ishte plani fillestar, ose janë rritur duke reflektuar një rritje në masën 88% të programimit fillestar, ndërsa investimet me financim të huaj janë pakësuar për 273,004 mijë lekë ndaj planit fillestar, ose në masën 56.5% të tij. Deviacion akoma më të madh tregojnë të dhënat e vitit 2015, ku rezulton se investimet me financim nga buxheti i shtetit janë shtuar për shumën 716,985 mijë lekë kundrejt 500,000 mijë lekë që ishte plani fillestar, me një rritje në masën 143%, ndërsa investimet me financim të huaj janë pakësuar për 230,000 mijë lekë ndaj planit fillestar, ose në masën 50% të tij. Vetëm për 8/mujorin e vitit 2016, konstatohet se investimet me financim nga buxheti i shtetit janë shtuar për shumën 112,018 mijë lekë kundrejt 533,704 mijë lekë që ishte plani fillestar, ose janë rritur në masën 21% të tij, por theksojmë se shifrat nuk janë përfundimtare dhe ndryshimet do të vazhdojnë dhe në periudhën në vazhdim
Armët
Nga auditimi i pasqyrave financiare konstatohet se, vlera e armatimit që përdor Policia e Shtetit, blerë me fonde buxhetore apo donacione, nuk pasqyrohet në evidencën kontabile të njësisë, ndërsa për evidentimin në sasi të armatimit në institucion gjatë vitit 2014 është ndërtuar sistemi SIMA, i cili mbahet nga Sektori i Armatimit, ku janë pasqyruar armatimet në sasi dhe përdoruesit e tyre, por edhe armatimi që disponohet nga subjektet tregtare private. Rezulton se armatimi i vjetër mbahet vetëm në sasi pa vlerën përkatëse, duke bërë që të mos kemi një vlerë reale të armatimit në administrim të Policisë së Shtetit, veprime këto në kundërshtim me kërkesat e ligjit
Mbivendosja
Nga auditimi rezultoi që në strukturën e Drejtorisë së Policisë së Shtetit përveç njësisë buxhetore të Aparatit ekzistojnë edhe dy njësi të tjera buxhetore të të njëjtës natyrë, përkatësisht në Drejtorinë e Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda dhe në Drejtorinë e Përgjithshme për Kufirin dhe Emigracionin. Në kushtet kur funksionet dhe detyrat e këtyre njësive buxhetore janë të njëjta për nga natyra shtrohet si domosdoshmëri eliminimi i çdo funksioni të dubluar dhe paralel me qëllimin e mirëmenaxhimit dhe efektivitetit në përdorimin e fondeve publike
Nga auditimi mbi strukturën dhe organikën e Policisë së Shtetit konstatohet se, deri në momentin e auditimit për 69 punonjës aktualë, të cilët referuar strukturës së miratuar kanë status “nëpunës civil”, për të cilët nuk janë zhvilluar procedura konkurrimi dhe nuk është marrë konfirmimi nga Departamenti i Administratës Publike, e për rrjedhojë këta punonjës akoma nuk janë përfshirë në regjistrin e këtij të fundit . Nga auditimi për periudhën 01.01.2014 deri më 31.08.2016, konstatohet se për lëvizjet e personelit, si emërime, largime apo lëvizje paralele nuk është hartuar në kohë dokumentacioni e për rrjedhojë nuk është bërë deklarimi i punonjësve në organet tatimore konform kërkesave të ligjit.
Dëmi
Dëmi ekonomik i shkaktuar është 207.807.109 lekë gjithsej, ose 1.5 miliionë euro. Dëmi ekonomik i arkëtueshëm përllogaritet në 18,807,109 lekë për të cilin kërkohet të kontabilizohet dhe të ndiqet në rrugë ligjore arkëtimi i tij.