Maj 1972/ Bekim Femiu në Tiranë: Si do ta interpretoja unë Skënderbeun
Kur “Odisea” vizitonte Shqipërinë komuniste, aktori shqiptar me famë botërore, në një intervistë në revistën Ylli
Bekim Femiu ishte aktori më i madh i botës komuniste në Evropë. Kishte kapur majat e konematografisë botërore por pati një peng në jetën e tij artistike. Ishte mosrealizimi i filmit të Skënderbeut. Bekim Femiu erdhi në Tiranë në prill të vitit 1972, në kohën e diktaturës komuniste. Vizitoi disa qytete të Shqipërisë komuniste dhe padyshim Kinostrudion Shqipëria e re, ku u njoh me artistët shqiptarë. Vizita e tij në Shqipëri zgjati deri më 4 maj dhe ndërkohë në bulevardin “dëshmorët e Kombit” diktatori Enver Hoxha u shfaq në paradën e përvistshme përballë turmës që lëshohej, si çdo vit, me lule dhe admirim ndaj diktatorit, artisti me famë botërore e kundroi në distancë skenën e dhimshme të Shqipërisë komuniste.
Gjatë vizitës në Shqipëri, Bekim Femiu u survejua në çdo sekondë nga agjentë të sigurimit të Shtetit. Për këtë janë publikuar dokumente pak kohë më parë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Bekim Femiu dha një intervistë në revistën “Ylli” ku foli për veten, jetën e tij artistike dhe familjare. Në atë intervistë foli edhe për pengun e tij, rolin e munguar të heroit tonë kombëtarë Gjergj kastriot Skënderbeu. Ishte një rol që diktatura ia kishte ndaluar si shënjë hakmarrje për qëndrimet e tij kundër diktaturës komuniste. Më poshtë botojmë intervistën e dhënë në prill 1972 në revistën Ylli, pjesë e propagandës komuniste.
Artdashësit shqiptarë kanë ndjekur veprimtarinë tuaj, kanë dëgjuar dhe kanë lexuar për ju. Pra, kënaqësia që ata ndjejnë tani që jeni mes tyre, nuk është aspak e rastit. Përsa u përket lexuesve tanë ata do të ishin të kënaqur të lidheshin direkt me ju dhe këtë, mendojmë se do ta bënin si jo më mire fjalët tuaja të thëna posaçërisht për ta. Prandaj edhe po ju kërkojmë këtë intervistë. Si mendoni?
Me gjithë qejf, për çka kërkoni. Jam edhe unë i kënaqur të them diçka për ta.
Besojmë se është hera e pare që vini në Shqipëri. A është kjo një dëshirë e vjetër?
Eshtë hera e parë. Natyrisht si shqiptar që jam me origjinë nga Kosova kam patur dëshirë dhe kureshtje të njoh vëIlezërit e mij dhe realizimet që ata kanë arritur dhe që po arrijnë në këta 30 vjet.
Diçka për fillimet tuaja në artin skenik. Hapat e para në art qenë një rastësi, apo u përcaktuan nga interesimi i ndonjë pjestari të familjes; nga ndonjë rrethanë e caktuar, apo nga predispozitat tuaja shpirtërore?
Mund të them se isha unë që mendova për këtë, që ndjeva se mund t’i vihesha rrugës së artit. Nana nuk kishte fort dëshirë. Mendonte se do të ishte një lloj çirkusi pa shumë përfitime. Sigurisht nana tash është e kënaqur.Nga baba, i cili më ka vdekur, ruaj gjithnji kujdesin e madh që ai kish për ne që të ishim nxënës nga më të mirët, që të lexonim mirë e bukur. Për këtë na mësonte edhe vjersha. Ç’është e drejta recitoja mirë. Prej t’im vëllai, Bashkimit, i cili është një arqitekt i zoti, pata një ndikim të konsiderueshëm. Ai më shpjegonte ç’është arti. Mësimet e tij për artin influencuan shumë në përcaktimin e asaj së cilës do t’i kushtohesha. Kështu vendosa që pas marrjes së matures të qëndronja në Teatrin e Prishtinës. Pas kësaj konkurova në Akademinë e Beogradit. Pregatita për konkurs monoloqun e Henanit nga ANTIGONI e Sofokliut, vjershën NJERIU KENDON PAS LUFTE- etj.
Ishit shumë konkurues?
Ishim 520 vetë. U pranuan 12 prej tyre, njeri prej të cilëve isha edhe unë.
A mund të na thoni diçka për teatrin e Prishtinës, për kinematografinë?
Në fillim teatri i Prishtinës kishte vetëm 10 aktore, kurse tani vetëm të rinj janë tridhjetë. Kinematografia në Kosovë filloi andej nga viti 1967-68. Vetëm si vjet u bë i mundur xhirimi i filmit të pare artistik me forcat tona aktoreske.
Ç’ka për subjekt ky film?
Dëshmorët kosovarë të luftës Nacional Çlirimtare.
Duam t’ju përmendim artistin shqiptar me fame botnore Aleksandër Moisiun. A jeni njohur në ndonjë mënyrë me krijimet e tij, me jetën e tij? Ç’gjë u tërheq tek figura e këtij artisti shqiptar?
Dëgjovo për të parën here për Moisiun nga Stanislav Boiç që na jep te historinë e letërsisë botrore dhe të teatrit. Pastaj lexova për të ikur shtëpia botuese «RILINDJA» botoi një libër të B. Kosovës kushtuar atij dhe shkrime të ndryshme. A të kohë frekuentoja vitin e tretë të akademisë, kur pak a shumë isha formuar si aktor.
Duke u nisur nga “Odiseja” mendojmë se ju tërheqin figurat historike. Në qoftë se po, ç’figurë madhore historike do t’ju pëlqente të interpretonit dhe ç’motive do t’ju shtynin për ta bërë këtë
Po të më lejoni të bëja një sqarim do të thosha që nuk kam një preference të veçantë për figurat historike. Më pëlqejnë ata figura që zbulojnë psikologjinë dhe filozofinë e kohës. Në këtë vështrim pëlqeja ta figura historike që marrin edhe një kuptim aktual, me karakteristika që mund të trajtohen në aspektin e sotëm dhe me filozofinë e sotme. Më tërheqin dhe kam qejf të trajtojnë këto figura jo anët idealiste të tyre se sa anët e vërteta njerëzore. Kështu, mendoj unë, Odisea nuk është idealizuar. Këto figura mund të kenë edhe dobësitë e tyre njerzore. Odisea u dashurua me Kolipson, Kirken etj, kthehet përsëri te Penelopa. Si do ta interpretonja unë Skënderbeun? Ju do ta shihni po të kem fatin ta interpretoj. Për mua Skënderbeu është një enigmë. Si ka mujtë ai të jetojë në oborrin e sulltanit për kaq vjet dhe pastaj, si gjen mundësinë dhe mjeshtrinë të kthehet në Shqipëri, të bashkojë, për të parën here principatat e përçara feudale dhe për njëzet e pesë vjet me radhë t’u bëjë ballë hordhive osmane, forces më të madhe të kohës?!
Kontaktet tuaja me artin shqiptar. Ç’mendim keni për filmin dhe teatrin tonë?
Kam përshtypje të bukura dhe mendime të bukura. Në kinematogrofi keni rezultate të bukura. Kamera dhe fotografia janë shumë mirë, por duhet t’i largoheni patetikës, karakteristikë për disa filma shqiptarë. Unë kam parë shtatë filma. Në Gjirokastër pashë edhe pjesën “SHTEPIA NË BULEVARD”. Një çfaqje teatrale e mirë, ndonse nga një ansambël i ri. Tema ishte interesante dhe mendoj se mund të realizohej edhe në film.Artistët i keni shumë të mirë.Fort të pjekur për film.
Kureshtja na shtyn të mësojmë edhe diçka nga jeta tuaj personale. A do të na e lejonit këtë?
Megjithëqejf, me kënaqësi.
A jeni i martuar? Ç’fëmijë keni? Ç’edukim artistik do të dëshironit t’u jepni atyre?
Po, jam i martuar. Me një kolegen t’ime. E kam fjalën se edhe ajo është aktore. Kemi një fëmij, një djalë dhe ja kemi vënë emrin Uliks. Do të thoni, pse? Për kujtim. Kujtim nga koha kur xhirohej ODISEA. Përsa i përket pyetjes së fundit që bëni, unë dëshiroj që ai ta formojë vetë personalitetin e tij. Dua që të jetë i pavarur. Profesioni që do të marrë është çështje e tij, e jetës së tij.
Në intervistën e dhënë disa javë më pare gazetës “DRITA” ju kishit thënë se do të interpretonit me kënaqësi në ndonjë film shqiptar. A mbeteni në atë mendim?
Mbetem në atë mendim. Tash që pata kontaktin e parë me shokët e Kinostudios “SHQIPERIA E RE” do të shohim edhe mundësitë e realizimit.
Jemi të sigurt që lexonjësit e YLLIT do t’ju falënderojnë për këto që thatë. Tani, ne dëshirojmë që mbylljen e kësaj interviste ta bënit ju, me fjalët tuaja. A jeni dakord?
Plotësisht dakord. Përshëndetjet e mia më të përzemërta lexonjësve të YLLIT. Jam i sigurt se në një rast tjetër, do të shoh përparime edhe më të mëdha, sidomos në arësim e kulturë, sepse prej andej vijnë shumë të mira. Këtë e them se jam djalë mësuesi, se arsimin e kam në gjak. Më kanë lënë përshtypje shumë të mira takimet me artistët e veçanërisht me artistët e Shkodrës. Nuk do të harroj.