Helena Kadare: Festat e fshehta në bodrumin e Gramoz Pashkos
Ajo është një grua e bukur, por shfaqet rrallë në publik…përgjithësisht si shoqëruese e shkrimtarit të madh, me të cilin ra në dashuri që kur ishte vajzë e re. Helena Kadare mund të ishte bërë një shkrimtare e njohur, mund të kishte mësuar makinën e ndoshta do të kishte një jetë tjetër nëse nuk do të vendoste t’i shërbente me përkushtim procesit krijues të Ismail Kadaresë. Ajo është gruaja, ora e tij e zgjimit, sekretarja dhe daktilografistja e tij, duke ia rishkruar të gjitha veprat nga letra në kompjuter. Helena Kadare nuk para del shpesh në publik, por e pranoi ftesën e studentëve të Universitetit Europian të Tiranës për të biseduar me ta mbi librin e saj “Kohë e pamjaftueshme” dhe jetën me shkrimtarin me famë botërore. Ajo tregoi dhe për jetën e tyre në kohën e diktaturës, se si krijonin oaze gëzimi duke bërë festa të fshehta në bodrumin e shtëpisë së Gramoz Pashkos.
A gjeni kohë të mjaftueshme sot për të shkruar, redaktuar e përkthyer?
Studentëve do t’u thosha se asnjëherë nuk do të keni kohë për të bërë diçka që e lini sot, me idenë se do ta bëni kur të keni kohë të lirë. Kohë të lirë nuk ka asnjëherë. Edhe kur je fare i paangazhuar, asnjëherë mos mendoni se do të keni kohë të lirë. Nuk vjen kurrë ajo kohë. Ose do t’ia vini vetes detyrë që do ta bëj atë gjë, ashtu si më ndodhi mua me kujtimet, që më morën 15 vjet dhe isha shumë e lumtur kur i shkruaja. Jo se kisha kohë më shumë, por sepse vendosa që këtë punë do ta bëja patjetër. Gjërat duhen bërë, pavarësisht problemeve dhe vështirësive që ka jeta. Duhet të kini parasysh që jam edhe nënë, edhe grua shtëpie, edhe bashkëshorte… Asnjëherë nuk ka kohë të lirë…
Dikur Ismail Kadare tha se “Linda B” do të ishte romani i tij i fundit, por ja nxori një tjetër
I kam thënë se ti i mërzit lexuesit e tu, duke u thënë se nuk shkruaj. Edhe nëse e ke vendosur, të paktën mos ua thuaj. Në të gjitha takimet që kam bërë andej, një nga pyetjet është “Me të vërtetë nuk do të shkruajë Kadare”? Për fat të mirë, ai nuk e mbajti fjalën dhe kështu vazhdon: jo, jo, jo dhe pastaj: po, po, po…
A po shkruan ndërkohë?
Tani është një periudhë që ndihet i lodhur. Shkruan gjëra të vogla, por jo në ato orët e tij të zakonshme, siç e kam parë për 50 vjet nga ora 10:00-12:00. Ndoshta nuk duhet ta dekonspiroj, por po shkruan një libër për Pasternakun.
Do të kishit dashur të shkruanit më shumë?
Ndoshta do të kisha dashur të shkruaja më shumë…, por është në natyrën time që nuk e kam atë nervin, egoizmin e mjaftueshëm që të dal e të analizoj nëse kam shkruar më shumë, apo më pak… Dhe në një familje, kur janë dy veta që bëjnë të njëjtën punë, e kam parë se kush është më i rëndësishëm. Diferenca është shumë e madhe, ndaj dhe unë mendova që të isha ndihmë e tij. Ndihma është më shumë teknike, por edhe morale, konsultative. Meqë Ismaili nuk ulet kurrë në kompjuter, ai nuk e pëlqen teknologjinë dhe shkruan vetëm me dorë, jam unë që duhet t’ia hedh në kompjuter, që i njoh shkrimin, i njoh edhe kapriçot. Ka pasur raste që kur është kthyer në shtëpi, unë i kam hedhur ato që ka shkruar ai dhe më pyet: Si t’u duk, unë i them: E mirë, ose shumë e mirë, po pa këtë pjesën që s’mu duk ndonjë gjë…Ai fillon e nervozohet dhe më thotë: Kam faj unë që ta jap ta lexosh. Por kur ai bën ripunimet, ditë më vonë, e shikoj që e ka marrë parasysh vërejtjen time. Sigurisht, nuk i them kurrë: E pe që si të thashë… bëj sikur nuk e vë re dhe vazhdoj.
Unë kam punuar për 30 vjet si redaktore dhe punën e redaktores them se e bëj mirë. E bëj këtë gjë me kënaqësi. Të gjitha ato 25 volume që ka botuar “Onufri” kanë kaluar nëpër duart e mia edhe unë habitem dhe them si është e mundur.
Edhe një sekretare do të mund ta bënte, por asnjë sekretare nuk do të mund të duronte presionin e Ismailit kur punon. Është shumë kërkues, aq sa edhe e tepron, madje ka pasur raste që kam thënë nuk merrem më me këtë punë, do ta lë, por në momentin kur ulem të shkruaj atë që ka bërë, i gjithë inati më shuhet brenda disa minutave. Nuk më mbaron mrekullimi, duke lexuar atë që shkruan ai. Në këtë mënyrë më shpërblehet e gjithë puna ime. Tani kanë ndryshuar disi kushtet. Nëse i bëja ndonjë vërejtje në kohën e komunizmit, ai më thoshte mos e lexo me syrin e censores në shtëpinë botuese, lexoje për kënaqësi, shikoje artistikisht nëse të pëlqen ose jo. Redaktimit i dal vetë për zot. Siç ka ndodhur kur çoi për botim ciklin me poema dhe vjersha, ku ishte përfshirë edhe “Pashallarët e kuq” dhe u bë ajo që u bë. Unë për herë të parë e mësova që ai kishte çuar edhe atë poemë. Të tjerat i kisha lexuar, atë jo.
Ai shpesh e ka mohuar, por shpesh e kanë quajtur disident… Kohët e fundit, sikur nuk e kemi parë të angazhohet shumë politikisht…
Ai kurrë nuk e ka quajtur veten disident. Në kohën e komunizmit me veprat e spikatura të tij si “Pallati i ëndrrave”, këtë gjë e kapnin lexuesit shumë thjesht, sepse ishte shumë e dukshme. Vetë Spartak Ngjela ka thënë “Ne në burg e lexonim këtë libër dhe thoshim: ky ka për të përfunduar në burg”. Atë nuk e ka tërhequr kurrë politika. Kur i kërkuan që të pranonte postin e Presidentit të Republikës i kam thënë: “Pse nuk e pranon vetëm për dy vjet, që të ndryshosh ato që thua se nuk shkojnë”. Madje, një gazetar i huaj e ka pyetur për këtë gjë dhe Ismaili është përgjigjur kështu: “Puna e shkrimtarit është të punojë i vetmuar, jo të marrë mendimet e të tjerëve. Nëse unë do të bëhesha President dhe e di shumë mirë që ky ministër apo drejtor është hajdut do ta fusja direkt në burg. Nuk do të prisja të merrte avokatin e tij, do t’i fusja direkt në burg nëse do të kisha dyshime. Në këtë moment do të mbaronte demokracia, pasi do të isha një diktator”. Ishin shumë njerëz që e morën në telefon, nga pozita dhe opozita. E ka marrë Sali Berisha në telefon. Por më ka mbetur në mendje një bisedë me At Zef Pllumin, i cili me zërin e tij të shuar i ka thënë: Biri im, njeriu për vendin e tij pranon të bëhet kamerier, banakier, pastrues rrugësh e të gjitha, duhet ta bësh këtë gjë”, e pashë që u prek shumë, por nuk e ka diskutuar më.
Por do të donim që ai të reagonte më shumë…
Ai ka bërë një libër që quhet “Mosmarrëveshja”, që e quan si testamentin, dhe të gjitha pikëpamjet e tij për politikën dhe identitetin e popullit shqiptar i ka hedhur aty. Ndoshta ju e shihni me syrin e gazetarit, por ai nuk është gazetar. Ai ka reaguar për “21 janarin”, kur u vranë 4 veta para Kryeministrisë dhe thotë “Tani në skenë hyri vdekja”. Ai nuk ka marrë rolin e gazetarit. Tani nuk ka asnjë lloj angazhimi konkret për të gjitha problemet e ditës, nuk e bën dot.
Te “Koha” ju përmendni një periudhë që koincidon zakonisht të jetë tetori, i cili shndërrohet në një fushatë kundër figurës së Kadaresë. Si e përjetoni ju këtë periudhë? A mendoni se përgojime të tilla të vazhdueshme kanë potencialin të cenojnë trashëgiminë e tij kulturore dhe letrare?
Sigurisht. Në fakt, edhe termin që përdorët ju dhe që unë e kam në libër e kam marrë nga një artikull i Arben Kallamatës, i cili thotë “Erdhi tetori, u hap fushata anti- Kadare”. Pra ishte një gjë e dukshme, përderisa dhe ne e kemi vënë re. Nëse kemi parasysh në librin tim shpjegoj marrjen e çmimit “Booker Prize” në Edinburgh. Kam rrëfyer një situatë që e kam parë për herë të parë dhe jam tmerruar se mos vjen prapë ai momenti. Ishte hapur një sajt, ku jepnin mendimet e ndryshme dhe secili jepte preferencat e tij. Nga të gjithë bota jepnin mendime. Ndër ata që shanin dhe ulërinin që çmimi të mos i jepej atij, ¼ ishin nga vendi i tij. Ishte shumë e trishtueshme dhe e pashë që pësoi një thyerje të fortë, e cila i mbeti për një kohë të gjatë. Për fat të mirë, nuk i shkoi në thelb, por ndihej vërtet shumë keq. Ismaili kishte shkruar një ese për Eskilin, ku thotë “Në djall të vejë Greqia” kur ikën Eskili. Gjithnjë i është vërtitur kjo ide. Në një nga bisedat që bënim në Paris në këtë kohë, kur fillonte fushata e sharjes, e motra, Kakuja, më tha “I thuaj atij t’i lërë ata shqiptarët e tij që i ka ngritur aq shumë, i ka bërë me besa, me karaktere. Të heqë dorë nga ata shqiptarët e tij, të shikojë çfarë po bëjnë”. Kjo gjë, për fat të mirë, nuk e ka cenuar deri në thelb. Pasi mori këtë çmim mbaj mend që hëngrëm mëngjesin me jurinë në hotel. Ishin persona nga vende të ndryshme të botës, ku me dy prej tyre zyra miqësi dhe i pyeta: E patët të vështirë ta bënit këtë zgjedhje? “Jo,- tha,- ishte shumë e thjeshtë sepse ishim të gjithë dakord për t’ia dhënë Kadaresë”.
Krahas atij muajit “anti-Kadare”, jo pak debate ka hapur edhe botimi në dy vëllime nga UET i librit të Dashnor Kaloçit, “Kadare në Pallatin e ëndrrave”. A keni mësuar ju nga këto libra diçka që nuk e dinit për raportin tuaj me sistemin komunist, apo edhe me kolegët? Dhe cila do të ishte përgjigjja juaj për të gjitha ata që thonë se Kadare po rindërton të shkuarën e tij. Një ndër ta është edhe Fatos Lubonja…
Të them të drejtën, unë nuk i shoh dhe nuk dua t’i lexoj as këto debate, as këto dokumente që kanë dalë. Dhe, aq sa di, i kam dëgjuar nga Ismaili. Këto dokumente nuk i ka gjetur Ismaili për të plotësuar biografinë e tij. Është një gazetar i nderuar që ka bërë punën e tij, mirë ka bërë që i ka zbuluar dhe i ka botuar, por unë nuk kam dëshirë t’i lexoj dhe t’i di sepse, nëse i lexoj, mërzitem shumë. Por një gjë dua të them se Ismaili, nuk i ka ditur që ekzistonin këto dëshmi, këto dokumente. I vetmi dokument për të cilin kemi dijeni është ai i ish-ministrit i Shëndetësisë të asaj kohe, Llambi Ziçishti, i cili pa dyshim ka qenë i shtrënguar në hetuesi dhe ka pranuar për grupe armiqësore, ndërsa për të tjerat nuk e kemi ditur. Ismaili as ka nevojë dhe as i duhet të ndryshojë të shkuarën. Është gazetari që i ka mbledhur për arsyet e veta dhe mirë bën, sepse publiku duhet t’i dijë. Por s’e kuptoj se pse Lubonja i drejtohet Ismailit, kur tjetërkush i ka mbledhur dhe i ka botuar këto gjëra. I vetmi referent i Lubonjës është një zv.ministër, i cili thotë se “Ismaili ka qenë agjent i Sigurimit”. Këtë e thotë një zv.ministër, Zylyftar Ramizi, të cilin Ismaili, në kohën e diktaturës, para se ajo të binte, e ka kritikuar se ka torturuar njerëz. Kanë dalë këto. A mund të merret ai për bazë si referencë? Më mirë se sa mund ta thosha unë, vetë Ismaili e ka thënë: Edhe një mijë arkiva të kërkojnë, kurrë s’kanë për të gjetur një rresht që të denoncoj dikë.
Cilat ishin gëzimet tuaja para viteve ’90?
Gëzimet ishin të shumta. Ishin miqësitë shumë të mira. Miq shumë të mirë që s’na kanë tradhtuar kurrë. Në të kundërt, nuk do të ishim këtu. Të gëzueshme ishin ato mbrëmje që mblidheshim me miq dhe ajo që Ismaili e quan “llapja” ishte gratis, pa frikë. Një tjetër gëzim ishte botimi i librave me probleme. Një gëzim i ri ishte botimi i “Gjeneralit”, i cili numëron përkthime në 45 gjuhë të botës. Një tjetër gëzim ishte gjetja e librave që i merrnim te biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Disidenca ruse ishte diçka e mrekullueshme.
Pas 25 vjetësh demokraci, mendoni është folur mjaft për komunizmin, është heshtur…
Dita atje fillon me lajmet, edhe pse nuk duam të kalojmë shumë kohë, prapë mendja të mbetet në ndonjë lajm. Në fillim patën përshtypjen që pati një heshtje që janë marrë me spiunime dhe gjëra të tjera të shëmtuara që të gjithë i dimë. Kurse tani më duket se ka një ringjallje të tyre. Nuk e di, ka një ringritje të asaj fryme.
Cilët ishin miqtë tuaj më të mirë asokohe?
Fatkeqësisht, miqtë tanë më të mirë kanë vdekur. Njëri prej tyre ishte Agim Myftiu, i biri i Manush Myftiut, nga i cili mësonim të gjitha lajmet. Ai ishte vërtet disident. Ai thoshte gjërat më të frikshme që mund të thuheshin. Kalonim gjithë natën duke “llapur”, Ismaili shkonte flinte, ndërsa ne shkonim në punë. Ishte e imagjinueshme, ai kishte dhe një humor shumë të bukur. Të dy shihnin lart në tavan për përgjuesit dhe pasi flisnim në shtëpi dilnim në bulevardin e Tiranës për të folur ato më të “rëndat”. Pastaj ktheheshim në shtëpi e kërkonin të bëja diçka për të ngrënë, por nuk ishte edhe aq e thjeshtë ato vite të sajoje ndonjë gjë. I fundit ka qenë Gramoz Pashko, në bodrumet e të cilit kemi bërë mbrëmje aq të bukura. Dhe në mëngjes të gjithë dilnim prej andej me nga një shishe qumështi bosh, që njerëzit të mos dyshonim se çfarë kishim bërë e nga po dilnim.
7 dhjetor 2016