Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e Krishtërimit dhe figurat e mëdha shqiptare

Profesor Xhevat Lloshi, është një nga personalitetet dhe studiuesit më të shquar historisë së fesë, së personaliteteve të shquara shqiptare dhe të zhvillimeve të këtyre besimeve në Shqipëri dhe në botë. Në kuadrin e një iniciative që ka marrë Konica.al, për të pasqyruar besimet fetare në Shqipëri, kemi kryer një bisedë me profesorin, në lidhje me tezat e tij në lidhje me Krishtërimin. Jemi ndalur në etapat më të rëndësishme për të kuptuar historinë tonë shqiptare dhe atë të Krishtërimit,  por kemi ndarë me të dhe disa pyetje, të cilat kuriozojnë lexuesit në lidhje me besimet fetare.

Keni disa pikëpamje të ndryshme për sa i përket Krishtërimit. Cilat janë?

-I kam të ndryshme dhe të dokumentuara. Flasin shumë përralla. Unë flas për ato gjëra që dëshmohen me dokumente dhe janë bindëse. Në lidhje me krishtërimin, pika e parë që duhet theksuar është se kjo është një besim monoteist, që besohet tek një perëndi, tek një fuqi e mbinatyrshme. Përpara kemi patur besimet politeiste, ku besohej në shumë zota. Më i njohuri është Zeusi, nga koha e Greqisë së vjetër.

Kur shfaqet ideja për besimin monoteist?

-Është dokumentuar që 3400 vjet më parë. Një faraon  i njohur Akenatoni,  vendosi të hidhte poshtë besimet pagane që kishin shumë perëndi, dhe adhuronin idhuj të ndryshëm. Dhe vendosi të krijonte një kulturë të re monoteiste. Sa kohë qe gjallë ai pati një luftë të ashpër me klerikët e mëparshëm, që nuk e pranonin këtë besim të ri. Dhe sapo vdiq ai, ata shkatërruan në mënyrë të jashtëzakonshme çdo gjë që lidhej me besimin monoheist. Trashëgimtari i i tij ka qenë Tutankamani, për të cilin janë bërë zbulime të jashtëzakonshme. Në këtë kohë në  Egjipt kishte një numër jo të vogël çifutësh që përbënin një popullsi të veçantë. Vinin nga zona më malore, kundrejt egjiptianëve të lashtë. Ishin vendosur në buzë të Nilit dhe rronin me blegtori. Është vërtetuar që egjiptianët e lashtë nuk kishin dëshirë të uleshin në një sofër me çifutët, sepse i quanin jo të pastër.

Pra këtu siç tregon dhe historia krijohet një konflikt?

-Po, e vërtetë. Çifutët u detyruan në një kohë të caktuar të largoheshin prej Egjiptit, dhe kjo gjë përshkruhet në mënyrë të hollësishme në Bibël. Egjiptianët ishin politeistë. Madje dhe çifutët që ishin vazhdues të Akenatonit, ishin në konflikt dhe midis tyre. Jo të gjithë ata u bënë monoteistë. Brenda në Bibël përshkruhen hollësisht mosmarrëveshjet e mëdha. I vëllai i Mojsiut, në një moment të caktuar u mori grave të gjithë floririn dhe i ktheu përsëri në politeistë dhe me floririn, prodhoi përsëri idhuj. Ky konflikt midis monoteizmit dhe politeizmit ka vazhduar për shumë shumë kohë, deri në ditët tona.

Dhe si u zgjidh konflikti?

– Çifutët duke qenë ithtarë të Akenatonit mendonin se ishin popull I zgjedhur i perëndisë monoteiste. Ky besim ka mbi 3 mijë vjet. Ata shtegtuan drejt Veriut dhe u vendosën në Izrael dhe në Palestinë. Në këtë zonë  që është në bregun lindor të Mesdheut, pas shumë kohësh ndodhi një fakt tjetër i jashtëzakonshëm. I pushtoi Roma. Roma ishte jo vetëm perandoria më e fuqishme në fund të shekullit 1 p.e. s, po kishte dhe një veçori të jashtëzakonshme. Roma filloi të ndërtonte rrugë. Dhe kjo ndodhi dhe në Iliri. Me këtë shpjegohet dhe ndërtimi I rrugës Egnantia që në shekullin e dytë që niste nga bregdeti ynë dhe shkonte deri në  Sirinë e sotme. Duke ndërtuar këto rrugë, të cilat u duheshin romakëve për nevoja ushtarake, administrative dhe nevoja ekonomike, ata arritën të bënin diçka të jashtëzakonshme. Kudo ku shkonin, ndërtonin kudo sipas modelit romak. Roma kudo shpërndante latinitetin e saj. Në këtë mënyrë me ushtrinë dhe forcën tregtare, Roma u bë fuqia e madhe asimiluese. Në shekullin e parë bashkësia çifute u ndodh para një krize të madhe. Çdo bënte më tej?Sepse rrezikoheshin të zhdukeshin plotësisht prej fuqisë romake. Në vitin 79-të të erës së re romakët e shkatërruan tempullin e çifutëve. Pra ishte një rrezik real, kërcënues që solli përçarje në bashkësinë çifute.

Dhe si u zgjidh ky konflikt ideologjik?

-Pikërisht në këtë kohë pati dy drejtime, siç ndodh rëndom në ditët e sotme ku partitë përçahen. Njëri drejtim konservator që thoshte të ruajmë idenë e popullit të zgjedhur me perëndinë e vet, dhe tjetri që thoshte se do e përhapnin besimin fetar tek të gjithë. Dhe që aty lindi fjala katolik, që në fakt do të thotë universal. KY konflikt u zhvilluan në mënyrë shumë interesante dhe në mënyrë të ngjashme me të gjitha konfliktet ideologjike që ndodhin sot. Një grup, pasues i fesë hebraike vajti nëpër të gjitha sinagogat ku kishin mundësi ,dhe u zhvillua po ajo përleshje që zhvillohet sot. Konflikti vazhdoi gjithë shekullin e parë deri sa u zhvillua një koncil, dhe përfundimisht u ndanë në dy grupe.

Dhe cili ishte koncepti i ri?

-Koncepti i ri u lidh me idenë e Krishtit. Ka qenë apo ska qenë Krishti si person, nuk është e dokumentuar, por një gjë është e sigurt që lindi një rrymë e re. Që në fillim kjo rrymë u vu në kundërvënie të ashpër me Romën. Roma pushtonte dhe sundonte. Roma asimilonte. Pushteti i perandorit ishte pushteti epror. Duke dashur ta bëjnë fenë e rë, të pranueshme dhe për të tjerët, përveç çifutëve, apostujt,  do ti kundërviheshin sundimit epror të perandorit. Dhe është krijuar legjenda që Krishti vetë, kur e pyetën e pranoi që ka një fuqi mbi perandorin, që ishte perëndia. Perëndia ishte mbi perandorin. Ky qe një konflikt i ashpër për sundimtarët romakë. Ndaj ata i ndoqën këta të krishterë që donin një perëndi dhe pranonin që ai ishte mbi perandorin. Ndaj në tre shekujt e parë perandorët i kanë përndjekur të krishterët. Dhe janë vite të martirizimit të tyre.

Në shekullin 4 mori formë sulmi i ashpër i barbarëve kundër Romës. Roma u rrezikua. Dhe Kostandini, perandor i asaj kohe, iku nga Roma dhe vajti në Bizant. Në këtë mënyrë Stambolli i sotëm u bë Roma e dytë. Mirëpo Kostandini në këtë Romë të dytë nuk kishte si të mos sundonte, pa u mbështetur te Krishtërimi. Larg Romës, tashmë krishtërimi kishte hedhur rrënjë dhe ai kishte nevojë për mbështetjen e tyre. Ndaj vendosi në mes të shekullit 4 të lejonte krishtërimin dhe të mos e përndiqte më.

Si ishte situata në trevat shqiptare?

-Terminologjia e vjetër e krishtërimit në trojet shqiptare erdhi në latinisht. Pra Krishtërimi ka ardhur nga Roma. Ka ardhur në kohën e Kostandinit. Kjo do të thotë që Krishtërimi në vendin tonë ka ardhur në shekullin 4.

Kur filluan të ndërtoheshin kishat në Shqipëri?

-Pas shekullit 4. Meqënëse erdhi nga Roma,  prelatët e kishës së krishterë në Shqipëri caktoheshin nga Roma. Dhe kjo ka ndodhur për shumë shekuj. Në shekujt e parë pas erës së re pak nga pak në Shqipëri u përhap Krishtërimi. Flitet nga historianët që në Shqipëri ka ardhur Shën Pali. Kjo është një gënjeshtër. Shën Pali nuk ka ardhur kurrë në Shqipëri.

Qarkullojnë zëra që shumë personalitete shqiptare bën karrierë eklestike në Romë. A janë të vërteta?

-Shqiptarë në atë kohë dhe më pas nuk ka patur. Nuk ka figura shqiptare. Nuk ka patur kurrë shqiptarë papë.

Si rrodhi historia më pas?

-Kur trojet tona ranë nën pushtimin bizantin  Kisha e Lindjes dhe ajo e Perëndimit u shkëputën. Dolën ortodoksët dhe katolikët.

Kur ndodhi kjo në Shqipëri?

-Kjo ndodhi dhe në trojet tona. Në shekullin e 11-të në Shqipëri krishtërimi nuk ishte i qartë se çfarë ishte. Vetëm pas shkëputjes ndodhi ndarja dhe tek ne. Gjatë kohës së Skënderbeut feudalët e mëdhenj të asaj kohe nisën të kalojnë në katolicizëm sepse e panë që mund të mbroheshin nga pushtimi Osman. Dhe me këtë shpjegohet se pak nga pak katolicizmi erdhi deri në lumin Mat. Edhe Skënderbeu iu drejtua Papës dhe sekteve katolike për tu mbrojtur nga sundimi Osman. Ndaj kjo bëri që katolicizmi të shtrihej në Veri të Shqipërisë. Ndërsa ortodoksia në zonat jugore.

Gjatë kohës së perandorisë osmane në Shqipëri një pjesë e të krishterëve u kthyen në muslimanë. Pse ndodhi?

-Kjo ka ndodhur pas shekullit 16-të. Në shekullin 15-të kemi luftërat e Skënderbeut. Me rënien e tij u vendos sistemi administrativ, ushtarak, ekonomik, kulturor i osmanëve. Presioni i këtij sistemi ishte i madh dhe në forma të tërthorta. Ato pushtonin një zonë të një princi shqiptar. Nuk donin që në këtë zonë të vendosnin turq. Ata bënin vasalë këtë princ dhe kërkonin prej tij një haraç të caktuar dhe një numër të caktuar ushtarësh. Pra i vendoste sanksione. Në shekullin 17-të dhe në shekullin 18-të, kur njerëzit nuk shihnin dritë në fund të tunelit, vendosën të ndërronin fenë. Sepse kishin përfitime. Edhe Perëndimi nuk i mbështeti më, që nga koha e Skënderbeut.

Cila ka qenë lidhja që kanë patur klerikët me Atdheun dhe ç’kontribute kanë dhënë ata për Shqipërinë?

-Nocioni i atdheut është një nocion i vonë. Koncepti i kombit lindi në dy shekujt e fundit.

Kush kanë qenë klerikët që ndikuan në jetën e kombit shqiptar?

-Janë autorët e vjetër shqiptarë që janë shumë të rëndësishëm. Njëri prej tyre ishte Buzuku. Ai ka qenë një prift katolik shqiptar, një njeri gjenial. Ai jetonte në afërsi të Venedikut dhe kishte një kishë ku predikonte shqip. Dhe jo vetëm predikonte shqip, por ishte në gjendje të konceptonte që kishte dhe priftërinj të tjerë shqiptarë që duan të komunikojnë me grigjën e tyre, shqip. Buzuku bëri një libër për ta patur në duar priftërinjtë. Kemi dhe Frang Bardhin që është leksikografi i parë shqiptar. Ai shkroi fjalorin latinisht-shqip dhe ai e shkroi nga endja për gjuhën shqipe. Ai donte që dhe të huajt që vinin në Shqipëri të mund të komunikonin shqip me shqiptarët. Gjithashtu ai shkroi dhe librin e Skënderbeut. Këtu janë zanafillat e etnisë shqiptare, të shfaqur në mënyrë të hapur. Kemi Budin, Bogdanin. Janë figura të shquara të nocionit shqiptar dhe të nocionit fetar. Këta janë gurët e themelit të kulturës shqiptare.

Në shekujt e fundit Shqipëria i përkiste disa feve. A kanë patur këto fe kontradikta sipas jush?

-Nuk ka asnjë diskutim që mes feve ka patur kontradikta. Por mes tyre nuk kanë marrë asnjëherë formën e ndeshjes së përgjakshme siç ndodh në Siri dhe Irak. Është një karakteristikë e trevave tona, që asnjë nga fetë e mëdha nuk i patën rrënjët në Shqipëri, por erdhën nga jashtë dhe vazhduan të udhëhiqeshin nga jashtë. Katolicizmi lidhej me Romën, ortodoksia me Greqinë, myslimanizmi me Stambollin. Kjo gjendje perceptohej në mënyrë konkrete nga shqiptarët.

Profesor pse lindi kontradikta e madhe mes fesë dhe komunizmit?

-Pushteti dhe feja kanë patur gjithnjë kontradikta mes tyre. Që te nocioni i fillimit të krishtërimit, ishte feja kundër perandorit. Dhe vazhdoi me përndjekje në shekuj. Edhe Hitleri kishte mendimin që Krishti ishte çifut, dhe i dogji në furra gazi. Kjo është çështje diktatorësh.

Pas viteve 90-të, çfarë karakteristike pati feja në Shqipëri?

-Pas viteve 90-të ndodhi një katrahurë. Shtypja që iu bë institucioneve fetare gjatë diktaturës ushtarake, të Enver Hoxhës, solli një shpërndarje besimesh fetare në vend. U krijua ideja se feja ishte shpëtimi. Por erdhën dhe disa rryma, disa prej të cilave janë forma agresive fetare. Edhe pse kanë kryqin në dorë, janë forma të rrezikshme.

Kush janë profesor?

-Janë Dëshmitarët e Jehovait. Është një sekt agresiv. Disa prej tyre shkojnë deri në vetëvrasje masive. Ashtu siç është dhe vehabizmi. Në Shqipëri duhet të ngulim këmbë që të zhvillohen fetë tradicioanle. Ato që kanë një histori në kulturën shqiptare . Dhe këto janë katolikët, ortodoksët, muslimanët, bektashinjtë dhe protestantët. Kanë një traditë të gjatë, dhe kanë dhënë një kontribut të veçantë për gjuhën për luftën për Pavarësi etj.  Besimi është  një çështje e lirë e ndërgjegjes së njeriut, por duhet të bëjmë edukim kulturor. Ka shumë figura të mëdha të këtyre feve që duhen propaganduar.

Futja e edukimit fetar nëpër shkolla, si ju duket?

-Një nocion krejt i gabuar. Nuk duhet të ketë edukim fetar nëpër shkolla. Historia fetare po. Historia fetare është pjesë e historisë shqiptare. Po nuk mund të detyrohet një fëmi që i beson i ati dhe ai duhet të besojë se s’bën. Kjo është kundër të drejtës së njeriut. Është kundër Kushtetutës.

Kush e shkroi Biblën profesor, sipas jush?

-Bibla është një nga librat më të vjetër të botës. Përveç aspektit fetar ka brenda aspekte të historisë së njerëzimit. Përkthimi i Biblës në shumë gjuhë të botës ka bërë që këto gjuhë për herë të parë të dokumentohen. Biblën e kanë shkruajtur shumë autorë. Librat e saj të parë i përkasin 3000 viteve më parë. Autorësia është e ndryshme. Kur u ndanë dy llojet e çifutëve, atëherë lindi nocioni i Krishtit dhe u shkruan ungjijtë. Me shkrimin e ungjijve që në greqisht do të thotë Bibla. Këta libra u mblodhën dhe u quajtën Dhiata e re. Bibla ka shumë autorë.

Sa e ndihmon feja njeriun në ditët e sotme?

-Ata që  janë besmtarë të vërtetë duhen respektuar. Por ka dhe besimtarë që shkojnë në kisha e xhami, ku falen, e më pas vrasin. Këta janë hipokritë. Besimtari i vërtetë është ai njeri që ka frikë nga vdekja. I gjithë besimi në botë lidhet me nocionin e vdekjes. Besimtari i vërtetë ka gjetur një besim psikologjik për të përballuar ekzistencën absurde drejt vdekjes. Kjo e bën atë që të ketë qëndrueshmëri psikologjike. Feja ndihmon në qëndrueshmërinë psikologjike dhe në qëndrueshmërinë sociale në shoqëri. Ndaj feja përbën pjesë të kulturës në shoqëri.

Profesor, politikanët shqiptar a janë besimtarë?

-Absolutisht jo. Janë hipokritë. Sepse ata shfrytëzojnë këtë ndjenjë të njerëzve, për të gjetur ekuilibrin e tyre në jetë, dhe këtë e përdorin për qëllimet e tyre. Shkojnë kur ka festa fetare dhe i përdorin për propagandë.

Please follow and like us: