Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Mirela Oktrova: “Shfrimi” si arsye politike

Përsëri një mision ndërmjetësimi nën hije mosbesimi… Përsëri zell për të folur shumë dhe mundësi për t’u marrë vesh pak… Përsëri konflikt këndvështrimesh dhe nakatosje perceptimesh … Sërish përplasje interesash politikë pa përfillje të interesave nga politika… Pafundësisht përçapje diplomatike dhe pak diplomaci… Një tjetër dështim i “demokracisë kështjellare” në sytë e rrethbotës së qytetëruar… Një tjetër shuplakë paaftësie fyese për elektoratin, që zgjedh pa zgjidhur dhe duke mos ditur si të zgjidhë, s’gjen se kë të zgjedhë… Mungesë dijeje këtej nga zgjedhësit – mungesë arsyeje andej nga të zgjedhurit… . Protagonistët dhe spektatorët heqës të ngjarjeve duket se i ndajnë jo thjesht dhe vetëm rolet, që ata luajnë në absurdin e përsëritur, por edhe të vërtetat e ndryshme…, pashmangshmërisht të krahasueshme me personazhet shumëshekullorë të Alegorisë së Shpellës së Platonit…

“Një tufë njerëzish jetojnë të lidhur në një shpellë. Zjarri i ndezur pas shpine iu mundëson të shohin në murin përballë hijet e sendeve që transportohen nga jashtë brenda në guvë. Për banorët e lidhur të shpellës – jeta fillon dhe mbaron te loja e hijeve në mur. E vërteta gjithashtu. Dikur njërin prej tyre e zgjidhin dhe e nxjerrin jashtë. Rruga drejt dritës është e mundimshme – ai pengohet te sendet e shpellës dhe i shmanget zjarrit, po me të dalë jashtë, verbohet: fillimisht nuk sheh asgjë, më pas zë të shohë vetëm në errësirë, ndërsa ditën dallon veç konture dhe vetëm pasi i janë mësuar sytë me dritën, ai arrin të dallojë edhe diellin – diellin si dritë, si burim të jetës, por edhe si parakusht të dijes, si ngrohtësi, por edhe si simbol të së mirës, krijimit dhe lulëzimit. Po historia nuk mbaron këtu. Kur njeriu rikthehet në shpellë dhe takon sërish të lidhurit e tjerë, ai s’rri dot pa ndarë me ta ato që di… Kështu përpiqet t’u shpjegojë atyre, se ç’janë hijet që ata shohin, duke ndeshur në moskuptimin e deri në keqkuptimin e tyre…”.

Ndonëse e vjetër afro 24 shekuj, paraqitja alegorike që Platoni i bënte interesit të politikës dhe të të lidhurve të saj për dijen dhe  arsyen, mbetet aktuale deri sot. Arsyeja politike do duhej të ishte vullneti i përbashkët i të gjithë të angazhuarve në emër të një të shkuare dhe një të ardhmeje të përbashkët. Krahas së vërtetës shkencore, trashëgimisë historike, kujtesës kulturore, aleancave dhe armiqësive të paanashkalueshme, mendimi politik – si një hapësirë autonome vendimesh me karakter komunitar – do duhej të ishte pjesë e thelbit të arsyes politike. Si premisë nxitëse do të duhej të shërbente interesi kombëtar, opinioni publik kritik dhe aftësia analitike e bazuar në standardet e përparimit dhe përvojës historike. Po pikërisht kjo lloj arsyeje politike është ajo, që del e humbur në aktualitetin e riciklimit të të njëjtave figura, objektiva dhe parulla. Kjo është arsyeja politike, që dështon në çdo interes pasuror a motivim klanor, në çdo veprim të çartur a strategji dritëshkurtër.  Mungesa e alternativave nuk mbyt thjesht debatin e shëndoshë dhe analizën logjike. Ajo vendos në rastin më të mirë diktaturën e njëtrajtshmërisë dhe në rastin më të keq, diktaturën e gënjeshtrës. Mashtrimi permanent shtyp të vërtetën dhe shfuqizon opinionin publik, duke i marrë krahët shtetit ligjor, sovranitetit apo vetë lirisë.

Demokracia jonë e re s’ka gjë të përbashkët me arsyen. Sikurse në çastet e para të lindjes së saj, ajo vijon te jetojë populizmin e vet si “demokracia e britmës”. Alternativat qeverisëse, kombinimet koaluese dhe variacionet programatike vijojnë të mbajnë vulën e “shfrimit dhe justifikimit”. I trashëguar si mendësi dhe propagandë e diktaturës, shfrimi i drejtuar fillimisht kundër ish-institucioneve dhe ish-përfaqësuesve të saj, u shndërrua shumë shpejt në modus të komunikimit mbarëshoqëror dhe terren mbarështrues të mendimit dhe veprimit politik. Shfrimi dikton edhe sot komunikimin mes kundërshtarëve politikë dhe fraksioneve, klaneve e brezave, mediave dhe administratës, të privuarve dhe të suksesshmëve, të aftëve dhe të paskrupullve. Ai përcakton tonin e fushatave elektorale dhe dikton marrëdhëniet midis individëve, rivlerëson të tashmen dhe historinë, vë në lojë institucionet, vë në pikëpyetje ligjet dhe konfronton koniunkturën me kulturën. E drejta e kritikës – arritja e vetme e pakundërshtueshme e demokracisë shqiptare –  ka mbetur e vetmja mënyrë unike e reagimit mbarëshoqëror, ndonëse gjithnjë e më shumë vetëm në rrjetet sociale dhe gjithnjë e më me pak efekt.

Arsyeja jonë politike është e verbër – ne revoltohemi duke injoruar, shprehim pakënaqësi pa dëgjuar, shkatërrojmë pa ndërtuar, kërkojmë llogari pa ndjerë përgjegjësi. Ne na hutojnë  hollësitë dhe harrojmë kryesoren: na pllakos histeria e të drejtave dhe harrojmë detyrimet. U mësuam të anatemojmë të fuqishmit dhe të mëshirojmë vetveten, të sfidojmë dhimbje të vjetra duke shkaktuar të reja, të sfidojmë dinjitetin me kriminalitet, të mposhtim varfërinë me korrupsion. Idhuj të dyshimtë na bindën, se jeta që bëjmë, është mbase e pakuptimtë, po të paktën demokratike. Po a mund të jetë demokracia e pakuptimtë?

Demokracia vetë jo, po modeli dhe roli ynë në të po. Realiteti nuk zhduket nëse mbyll sytë, ndikimi i tij nuk zvogëlohet, nëse vendos ta durosh. Symbyllja e papërgjegjësia nuk janë as logjike dhe as demokratike. Ato janë modele të izolimit dhe diktaturës, mekanizma të paalternativës, përqendrimit të pushtetit dhe paralizimit të angazhimit. Nëse demokracia shqiptare dergjet përkundër të gjitha ligjeve të arsyes politike dhe mekanizmat e saj tërhiqen rrëshqanthi zgjedhje më zgjedhje, përgjegjësia na takon të gjithëve – nëse politikanët dinë të gënjejnë, dimë dhe ne të gënjehemi, nëse atyre s’iu vjen rëndë të dështojnë,  s’na vjen rëndë as neve të na injorojnë. Nëse politika ia del të na manipulojë sistematikisht, shkaku do kërkuar te naiviteti dhe mungesa e arsyes sonë. Zhgënjimet nuk i takojnë demokracisë, por papërgjegjësisë – papërgjegjësisë së ushtruesve po aq sa papërgjegjësisë së kontrolluesve. Shpenzuar nuk na janë alternativat, por vullneti ynë kërkues. Tëharrja dhe rifreskimi i arsyes dhe vendimmarrjes sonë si votues është në përgjegjësinë tonë – aftësia dhe paaftësia e tyre reflekton pjekurinë dhe vetëdijen tonë. Neve nuk na takon të jemi indiferentë – shtigjet e pashkelura nuk na e lejojnë as luksin e bojkotimit dhe as atë të abstenimit.  Distanca që na ndan me popujt dhe demokracitë e tjera është shumë e madhe për të na lënë të humbim kohë, koha e humbur shumë e gjatë për të na lënë të çlodhemi.

Nga vitet, që ka në kockë, demokracia shqiptare e ka kaluar adoleshencën e vet. Në jetën e njeriut kjo është mosha e pjekjes së arsyes dhe afirmimit të personalitetit, njohjes së përgjegjësive dhe përcaktimit të sfidave të së ardhmes. Jo i grindjeve, që kërkojnë gjyqtar!

Ndaj na qoftë ndërmjetësimi i fundit! Dhe na daltë për mirë!

Herë të tjera u pjekshim me mend e me arsye!

Larg mentalitetit të shpellës që s’do t’ia dijë për dritën!

Please follow and like us: