Albspirit

Media/News/Publishing

MIHAIL MOISEJEVIÇ BOTVINIK

Semi Numani

Mjeshtri i Madh Sovjetik dhe Ndërkombëtar, Mihail Botvinik është lindur më 17 gusht 1911 në Shën Petërburg dhe ka qenë  kampion i botës në periudhat 1948-57, 1958-60 dhe 1961-63.

Biografia

Babai i tij ishte teknik dentar dhe pas pune këndonte në sinagogën lokale. E ëma ishte dentiste, gjë që i dha mundësi familjes të jetonte jashtë zonës së marrëveshjes (një rajon perëndimor i Rusisë Perandorake, me kufij të ndryshueshëm nga viti 1791 deri më 1917, ku lejohej dhe përtej të cilit ishte përgjithësisht i ndaluar qëndrimi i përhershëm i shumicës së hebrenjve). Pra, Botviniku u rrit jashtë asaj zone, në Nevskij Prospekt të Shën Petërburgut.

Gjithsesi, babai ua kishte ndaluar përdorimin e gjuhës amtare në shtëpi dhe Mihaili e vëllai i tij i madh, Isi (Isak), ndoqën shkollat sovjetike. Më vonë,  vetë Botviniku do të thoshte “Unë jam me gjak hebre, me kulturë ruse dhe edukim sovjetik”.

Në vitin 1920, nëna e tij u sëmur dhe babai u largua nga familja, por mbajti kontakte me fëmijët, madje edhe pas martesës së tij të dytë, me një grua ruse. Është kjo koha kur Mihaili filloi të lexonte gazetat, për t`u bërë më vonë një komunist i përkushtuar.

Lidhja me shahun

Në vjeshtën e vitit 1923, djaloshi 12-vjeçar mësoi shah nga një shok shkolle i vëllait të tij më të madh, duke përdorur një set gurësh të bërë në shtëpi, dhe menjëherë u dashurua me këtë lojë.

Pas diplomimit në inxhinierinë elektronike, i ndërthurri kërkimet në këtë sektor me karrierën shahistike, pa iu kushtuar kurrë lojës me kohë të plotë. Sipas disa admiruesve të tij, kjo mungesë kalimi në profesionizëm mund të justifikojë (të paktën pjesërisht)  rendimentin e tij të luhatshëm në majën e shahut botëror. Vetë Botviniku, nga ana tjetër, e shpjegonte këtë me rritjen e forcës mesatare të kampionëve që e rrethonin, dhe i pëlqente ta quanin Primus inter pares (i pari ndër të barabartët).

Fillimet e karrierës

Për të testuar fuqinë e mjeshtrave sovjetikë, më 1925 u organizua një turne shahu  në Moskë. Në një ditë pushimi gjatë turneut, kampioni i botës, Hoze Raul Kapablanka dha një simultane në Leningrad. Ndërsa kalonte shpejt nga një tavolinë në tjetrën, papritur, para një djali të imët me syze, ai qëndroi më gjatë. Figurat e kundërshtarit kishin rrethuar nga të gjitha anët mbretin e kampionit të botës. “Të lumtë! Do të bëhesh mjeshtër”, tha legjenda dhe përmbysi mbretin e tij në shenjë kapitullimi.

Në vitin 1928 Botviniku u pranua në Departamentin e Matematikës të Universitetit të Leningradit. Në janar 1929, ai luajti për Leningradin në kampionatin ekipor të studentëve kundër Moskës. Leningradi fitoi dhe përgjegjësi i ekipit e kaloi kampionin e ardhshëm në Departamentin Elektroteknik të Politeknikut.

Ecuria e tij e hershme ishte mjaft e shpejtë. Ai fitoi Turneun e Mjeshtrave të Leningradit në vitin 1930 me 6½ / 8, kurse vitin e ardhshëm fitoi Kampionatin e Leningradit me 2½ pikë më shumë sesa ish-kampioni sovjetik Petër Romanovskij.

 

Kampion i Bashkimit Sovjetik

Më 1931, në moshën 20-vjeçare, Botviniku fiton  kampionatin e tij të parë sovjetik, me 13,5 pikë në 17 ndeshje. Në fund të verës, diplomohet si inxhinier elektrik. Më 1933, përsërit fitoren në kampionatin sovjetik, në qytetin e tij të Leningradit, me 14/19.

Menjëherë pas kësaj, Ilin-Zhenevskij, një nga mësuesit më të vjetër dhe anëtar i ambasadës sovjetike në Pragë, organizoi një ndeshje midis Salo Flor-it dhe Botvinik-ut. Botviniku mbeti  dy pikë prapa deri në fund të gjashtëshes së parë, luajtur në Moskë. Megjithatë, me ndihmën e mikut të tij të vjetër Viaçeslav Ragozin dhe trajnerit Abram Model, ai e balancoi rezultatin në Leningrad dhe matçi u mbyll në barazim.

Në turneun e tij të parë jashtë Bashkimit Sovjetik (Hastings, 1934-35), Botviniku nuk shkoi më tej se në vendet 5-6. Lidhur me këtë rezultat, ai  kujtonte se pas turneut, në Londër, Emanuel Lasker i kishte thënë se ardhja e tij vetëm dy orë para fillimit të turit të parë ishte një gabim serioz dhe se ai duhet të kishte shkuar të paktën dhjetë ditë përpara për aklimatizim. Botviniku shkruante se ai nuk e përsëriti më kurrë këtë gabim.

Në turneun e dytë ndërkombëtar të Moskës, më 1935 Botviniku doli i pari, bashkë me Florin, me ½ pikë përpara Laskerit dhe 1 pikë më shumë sesa Kapablanka.

Pas konsultimit me Kapablankën dhe Laskerin, përgjegjësi i shahut sovjetik, Krilenko propozoi që t`i jepej titulli “Mjeshtër i Madh” Botvinikut, por ky i fundit kundërshtoi, duke thënë se “titujt nuk ishin pikë”. Megjithatë, ai pranoi një makinë të lirë dhe një rritje prej 67% të grantit të studimeve pasuniversitare, siguruar të dyja prej Komisariatit të Popullit për Industrinë e Rëndë.

Një turne më i fortë me nga dy takime u zhvillua në Moskë në qershor 1936, dhe Botviniku përfundoi i dyti, një pikë pas Kapablankës dhe 2½ përpara Florit.

Botvinik – Lasker, 1936

Në fillim të dimrit, 1936, u ftua të luante në një turne në Notingem, Angli. Krilenko autorizoi pjesëmarrjen e tij dhe, edhe pse rivalët e tij sovjetikë parashikonin një disfatë për `të, Botviniku përfundoi në krye pa humbje (+6 = 8), bashkë me Kapablankën, ½ pikë përpara kampionit të atëhershëm botëror Maks Ëve dhe yjeve amerikanë në rritje, Ruben Fajn dhe Samuel Reshevskij dhe 1 pikë përpara ish-kampionit Aleksandër Aljehin. Ky ishte turneu i parë i fituar nga një mjeshtër sovjetik jashtë vendit të tij. Kur lajmi mbërriti në Rusi, Krilenko përpiloi një letër që do t`i dërgohej Botvinikut me emrin e Stalinit. Kur u kthye, Botviniku zbuloi se kishte fituar “Medaljen e Nderit”.

Më vonë, në vitin 1937, ai barazoi një matç me trembëdhjetë lojëra ndaj Levenfishit.

Levenfish (m) – Botvinik, nga matçi i vitit

Botviniku fitoi tituj të tjerë në kampionatin sovjetik më 1939, 1944, 1945 dhe 1952, duke e çuar totalin e tij në gjashtë – një rekord tashmë i pathyeshëm ky, që ai e ndan vetëm me Mihail Talin. Në vitin 1945, ai e dominoi turneun me shifrat e rralla 15/17; kurse më 1952 fitoi pas matçit shtesë me Taimanovin. Në Rusinë pas-sovjetike kampionati është disi më pak i fortë, pasi mungojnë pjesëmarrësit nga vendet jo-ruse. Gjithsesi, është ende kampionati më i fortë kombëtar në botë, dhe Peter Svidler e ka fituar atë gjashtë herë.

Kampion i Botës

Në vitin 1948, pas largimit nga jeta të kampionit në fuqi, Aleksandër Aljehin, FIDE vendosi që të organizojë një turne me gjashtë lojtarë, për t`u luajtur gjysma në Holandë dhe gjysma tjetër në Bashkimin Sovjtetik; pjesëmarrësit ishin shahistët më të fortë të kohës: holandezi Maks Ëve, kampion bote në “mes” të sundimit të Aljehinit, amerikanët Samuel Reshevskij e Ruben Fajn (ky i fundit nuk mori pjesë, për arsye pune) dhe sovjetikët Paul Keres e Vasilij Smisllov, natyrisht, përveç Botvinikut.

Turneu qe organizuar me sistem rrethi, me nga pesë takime: pra, çdo shahist luante pesë lojëra me secilin prej kundërshtarëve, me ndërrim të njëpasnjëshëm ngjyrash të gurëve. Botviniku, në formë të shkëlqyer, doli i pari me 14 pikë (10 fitore, 8 barazime dhe vetëm 2 humbje, njërën prej të cilave, kur e kishte siguruar matematikisht titullin), duke u shkëputur me 3 pikë nga Smisllovi, që u rendit i dyti.

Ai nuk luajti asnjë ndeshje zyrtare pasi fitoi turneun e vitit 1948, derisa mbrojti titullin e tij. Në vitin 1951, barazoi me David Bronshteinin në Moskë (+5 = 14 -5), duke ruajtur fronin botëror, pas një dyluftimi të vështirë.

Interesant është fakti se Botviniku nuk ishte në ekipin sovjetik që fitoi olimpiadën e shahut të vitit 1952 në Helsinki:  formacioni u bë sipas votimit të lojtarëve, që e kishin vendosur kampionin në tavolinën e dytë, me Keresin në të parën. Kampioni  protestoi dhe refuzoi të luante. Në të vërtetë, edhe Keresi kishte qenë bindës, me rezultatet e viteve 1950-1952.

Në vitin 1954, Botviniku luajti 24 ndeshje me Vasilij Smisllovin në Moskë (+7 = 10 -7), duke ruajtur sërish titullin. Më 1957, e humbi titullin, pas matçit të Moskës me Smisllovin (9½-12½), por rregullat në fuqi, i lejonin atij një matç “kthimi”, pa kaluar nëpër Turneun e Kandidatëve, dhe në vitin 1958 fitoi matçin e zhvilluar në Moskë. Smisllovi tha se kishte pasur probleme me shëndetin gjatë atij matçi.

Në vitin 1960, Botviniku pësoi një humbje të thellë (8½-12½) në Moskë me Talin, vetëm 23 vjeç, por përsëri ushtroi të drejtën e tij për ritakim pas një viti  dhe fitoi 13-8 në Moskë. Tashmë, loja e Botvinikut ishte më e mirë sesa në matçin e vitit 1960, kryesisht për shkak të përgatitjes më të plotë. Ai ndryshoi stilin e tij këtë herë, duke shmangur ndërlikimet taktike, në të cilat Tali shkëlqente dhe duke synuar pozicionet e mbyllura dhe finalet, ku teknika e kundërshtarit nuk ishte në nivelin e kombinacioneve të tij. Gjithashtu, shëndeti i Talit ishte vërtet i paqëndrueshëm.

Më në fund, në vitin 1963, Botviniku humbi matçin ndaj Tigran Petrosianit, në takimin e zhvilluar në Moskë,  9½-12½. Tashmë FIDE i kishte ndryshuar rregullat dhe matç kthimi nuk kishte më.  Rregulli i rikthimit u quajt “rregulli Botvinik”, pasi ai kishte përfituar dy herë prej tij.

Sabo – Botvinik (d), Oberhauzen 1961

Pasi humbi titullin botëror për herë të fundit, ndaj Tigran Petrosianit, në Moskë më 1963, Botviniku u tërhoq nga cikli i Kampionatit Botëror, për të mbetur gjithsesi në shahun konkurrues, duke u shfaqur disa herë me rezultate të larta dhe duke vazhduar të prodhonte lojëra të paharrueshme.

Ai u tërhoq nga shahu aktiv në vitin 1970, në moshën 59-vjeçare, duke parapëlqyer tashmë të merrej me zhvillimin e programeve kompjuterike të shahut dhe të ndihmonte në stërvitjen e lojtarëve të rinj sovjetikë.

Bindjet,  dritë-hije

Bashkimi Sovjetik e konsideronte shahun si një simbol të superioritetit komunist dhe kështu bota sovjetike e shahut ishte jashtëzakonisht e politizuar.

Botviniku ishte i pari lojtar i klasit botëror i formuar brenda Bashkimit Sovjetik, gjë që e vinte atë nën presion politik, por duke i dhënë, njëkohësisht dhe një ndikim të konsiderueshëm brenda shahut sovjetik. Herë pas here, ai u akuzua se e përdori atë ndikim në favor të tij, por provat nuk janë aq të qarta. Ai u qëndroi përpjekjeve të zyrtarëve sovjetikë për të frikësuar e dëmtuar disa nga rivalët e tij.

* David Bronshtein kujton se Boris Verlinskij kishte fituar Kampionatin Sovjetik të vitit 1929 dhe ishte propozuar për t`u nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, por më vonë titulli u “zhvendos”, pasi mendohej se ishte më mirë politikisht që të nderohej Botviniku.

* Vetë Botviniku shkruante se para turit të fundit të turneut të Moskës 1935, komisari sovjetik i drejtësisë Nikolai Krilenko, i cili ishte gjithashtu përgjegjës për shahun sovjetik, propozoi që Ilia Rabinoviç të humbiste me qëllim me Botvinikun, në mënyrë që ky të zinte vendin e parë. Botviniku refuzoi, duke thënë “… atëherë unë do ta bëj copë çmimin dhe do të jap dorëheqjen“. Loja u mbyll në barazim dhe Botviniku ndau vendin e parë me Salo Flor-in.

* Në vitin 1976, figurave kryesore të shahut  sovjetik iu kërkua të nënshkruajnë një letër që  dënonte Viktor Korçnoin si “tradhtar” pas arratisjes së tij. Botviniku e shmangu këtë “kërkesë” duke thënë se donte ta shkruante vetë letrën e tij. Në këtë kohë, sidoqoftë, rëndësia e ish-kampionit ishte zbehur dhe zyrtarët nuk do t’ia jepnin atij këtë “privilegj”, kështu që emri i Botvinikut nuk u shfaq në letrën e grupit – një përfundim që edhe vetë ai mund ta ketë parashikuar. Ndërkohë, Bronshteini dhe Spaskij e refuzuan haptazi nënshkrimin e letrës.

Jeta e vonë, kontribute

Duke punuar si inxhinier elektrik dhe shkencëtar kompjuteri në të njëjtën kohë, ai ishte një nga shumë pak lojtarë profesionistë të shahut që arritën të shquhen edhe në një tjetër fushë, duke luajtur shah në nivele të larta. Ai ishte gjithashtu pionier i shahut kompjuterik.

Në vitet tetëdhjetë, Botviniku propozoi një program kompjuterik për të menaxhuar ekonominë sovjetike. Megjithatë, propozimet e tij nuk morën vëmendjen e pritshme nga qeveria sovjetike.

Gjatë viteve të fundit të jetës së tij, ai vazhdoi të merrej me projektin e tij ekonomik kompjuterik, pasi shpresonte se do të përdorej për të menaxhuar ekonominë ruse. Punoi në mënyrë aktive me këtë program deri në fund, duke e financuar punën me paratë që fitonte nga ligjëratat dhe seminaret që ndiqte, pavarësisht nga gjendja e rënduar shëndetësore.

Programi i kompjuterik PIONEER përmbante një metodë të përgjithësuar të vendimmarrjes që, me disa rregullime, i mundësoi atij të planifikonte mirëmbajtjen e centraleve energjitike në të gjithë Bashkimin Sovjetik.

Për punën e tij në shahun kompjuterik, më 7.09.1991, Botvinikut iu dha një diplomë nderi në matematikë nga Universiteti i Ferrarës (Itali).

Botviniku qe martuar me një armene, Gayane (Ganna) Davidovna, që ishte vajza e mësuesit të tij të algjebrës e gjeometrisë. Ajo ishte studente në Akademinë e Baletit Rus dhe më vonë balerinë e “Bolshoi Teatër”. Nga kjo martesë erdhi në jetë vajza e tyre Olia, lindur më 1942.

Botviniku vdiq nga kanceri i pankreasit në maj 1995. Sipas Olias, ai mbeti aktiv deri në muajt e fundit të jetës dhe vazhdoi të punonte deri në mars 1995, pavarësisht – përveç të tjerave  –  edhe një verbimi të shkallës së rëndë.

Pasi u nda nga shahu aktiv, Botviniku themeloi shkollën e vet brenda sistemit të stërvitjes sovjetike. Ç`është e vërteta, ai nuk ishte një vëzhgues i pagabueshëm i talentit të shahut: megjithëse për 11-vjeçarin Kasparov, pat deklaruar “E ardhmja e shahut qëndron në duart e këtij të riu”, nuk u shpreh kështu në fillim për Karpovin, duke thënë shumë a pak:  “Djali nuk ka të ardhme në shah”.

Sidoqoftë, ai mund të mburret me të “diplomuarit” e tij, ku bëjnë pjesë kampionët botërorë Anatolij Karpov, Gari Kasparov dhe Vladimir Kramnik, si dhe lojtarë të tjerë të klasit të lartë, si Aleksei Shirov, Vladimir Akopian dhe Jan Elvest, për ç`arsye u mbiquajt “Patriarku i  Shkollës  Sovjetike të Shahut”.

Karpov i kujton me dashuri çastet rinore në shkollën e Botvinikut, trajnimet e tij, veçanërisht detyrat e shtëpisë, që çuan në një përmirësim të dukshëm të lojës së tij.

Për Kasparovin, Botviniku është pothuajse si një figurë atërore, duke shkuar në këtë mënyrë drejt balancimit të përceptimit të përbashkët publik të Botvinikut si të ashpër dhe të largët.  Kasparov trashëgoi theksin që Botviniku vinte mbi përgatitjen, kërkimin dhe inovacionin. Botviniku ishte ende duke luajtur një rol të madh mësimdhënës në vitet `70, kur Kramnik hyri në shkollë, duke i lënë mbresa të veçanta   nxënësit të tij.

Ndër cilësitë e mëdha shahistike botërisht të njohura të Botvinikut shquajnë saktësia, strategjia e thellë, aftësia analitike dhe zotësia për të njohur në detaje stilin e lojës së kundërshtarëve.  Ai i përket rrymës së ashtuquajtur shkencore të shahut, ravijëzuar, nga Vilhelm Shtainici dhe Hoze Raul Kapablanka, por kontribuoi për evoluimin e filozofisë së lojës, duke i shtuar përgatitjen e fortë fizike, të denjë për një njeri që e konceptonte shahun si një sport të vërtetë.

Vladimir Kramnik ka thënë: “Karriera e shahut e Botvinikut ishte si e një gjeniu, edhe pse ai nuk ishte një gjeni“, duke dashur të nënvizojë se Botviniku ishte i shkëlqyer në shfrytëzimin maksimal të talentit të tij.

 Mihail Botvinik – Lajosh PortishMontekarlo, 1968 1.c4 e5 2.Kc3 Kf6 3.g3 d5 4.cxd5 Kxd5 5.Fg2 Fe6 6.Kf3 Kc6 7.O-O Kb6 8.d3 Fe7 9.a3 a5 10.Fe3 O-O 11.Ka4 Kxa4 12.Qxa4 Fd5 13.Rfc1 Re8 14.Rc2 Ff8 15.Tac1 Kb8 16.Txc7 Fc6

17.T1xc6 bxc6 18.Txf7  h6 19.Tb7 Dc8 20.Dc4+ Mh8 21.Kh4 Dxb7 22.Kg6+ Mh7 23.Fe4 Fd6 24.Kxe5 g6 25.Fxg6+ Mg7 26.Fxh6+ 1-0

Please follow and like us: