Enton Abilekaj: Vetmia e opozitës dhe historia e Venezuelës
Opozita ka mbetur vetëm. Pas asaj që ndodhi dje, Lulzim Basha nuk mundi ta fshehë më se nuk ka aleatë në Europë as tek e djathta. Zhozef Dol pas videokonferencës me grupin parlamentar të PD, nxitoi të publikonte një njoftim për t’ja bërë edhe më të vështirë Bashës daljen nga situata. Një njoftim ku përmendej konstruktiviteti, stabiliteti dhe distancimi nga dhuna. Për shqetësimet e PD, sipas Dol, do mjaftojnë patrullimet nga ajri. Ata nuk e kanë kuptuar çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Ngjajnë me misionin e Interfocës italiane, që doli në konferencë shtypi për të thënë që ishin shkatërruar 99.98 për qind e parcelave, ndërsa mijëra tonë drogë udhëtonin, lundronin apo fluturonin për në Itali apo gjithkund në Europë.
Opozita është vetëm. Ky dukej sikur ishte edhe mesazhi i Fatmir Mediut. I sapokthyer nga SHBA, pasi takoi figura të rëndësishme të administratës së Tramp, Fatmir Mediu foli vetëm për dialog dhe gjetjen e një zgjidhjeje. Nuk e mori mikrofonin në çadër si dikur, për të sjellë lajmet e mira të përtej oqeanit. Heshtje, presion për dialog, SHBA dhe BE do t’i njohin zgjedhjet pa opozitën. Fytyra e lodhur e Bashës pas mbledhjes së grupit, brenga e zhgënjimit që thithte shkëlqimin e dritave të selisë së PD-së, flisnin më shumë se fjalët e tij. E vetmja gjë që kishte pas mbledhjes, ishte një vendim që i mungonte, një vendim që ia kishin kërkuar, shumica e grupit parlamentar të PD ishte pro betejës kundër gjithë Botës. Kështu do të nisin negociatat, Basha me mbështetjen e grupit, Rama me mbështetjen e gjithë Botës.
Ka një arsye që ndërkombëtarët mbështesin Qeverinë. Mund të jetë edhe strategjia e gabuar e opozitës, ndërsa Rama është më bindës, mund të jenë lobingjet miliona-dollarëshe që përmendi Basha në zhgënjim e sipër mbrëmjen e djeshme, por ka një arsye tjetër. Një avantazh të tillë e kishte Berisha ndaj Ramës në katër vitet e mandatit të dytë. Rama, jo vetëm që nuk i hapi dot kutitë, por edhe pas 21 janarit, nuk mori asnjë bonus në këmbim të tërheqjes. Eksponentë të PS dhe disa media të opozitës, sulmonin ambasadorin amerikan, madje edhe politikën amerikane në Shqipëri, aq sa ambasadori Arvizu u detyrua të flasë për një celulë anti-amerikane në PS. Dukej sikur nuk do të ndryshonte kurrë asgjë. Situata ndryshoi vetëm në emra, jo në qëndrime. Ata mbështesin përsëri qeverinë, por Kryeministri ka ndryshuar. Nuk është përmirësuar sjellja ndaj demokracisë, ndaj votës së lirë, por është rritur frika e destabilizimit të rajonit. Qindra raporte dhe paralajmërime nga politikanë dhe analizat ndërkombëtarë për mundësinë e destabilizimit të Ballkanit, por vërshojnë në zyrat e qeverive perëndimore. Maqedonia është në kulmin e një krize, në Malin e Zi forcat pro dhe kundër NATO-s po përplasen, ndikimi rus po destabilizon atje dhe kërcënon të përhapet. Për të shmangur përhapjen e destabilizimit, janë gati të mbështesin çdo formë stabiliteti politik, edhe atë formë ku cenohen zgjedhjet.
Zgjedhjet e 4 dhjetorit 2005 në Venezuelë u zhvilluan pa pjesëmarrjen e 5 partive kryesore opozitare. Pak ditë para zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendosi që të anulonte identifikimin elektronik të zgjedhësve, për shkak të defekteve në makinat elektronike. Identifikimi elektronik ishte pjesë e marrëveshjes që opozita bëri me Çavez, me ndërmjetësinë e Organizatës së Shteteve Amerikane. Tërheqja e opozitës vetëm pak ditë para zgjedhjeve u dënua nga kjo Organizatë, por edhe nga Bashkimi Europian. Ata çuan vëzhgues dhe deklaruan se do ta njihnin rezultatin e zgjedhjeve. Nju Jork Tajms shkruajti: Vendimi i opozitës duket se po tenton te apelojë një mbështetje ndërkombëtare dhe të diskretitojë qeverinë e Venezuelës, që ka mbështetje të fortë”. Në fakt opozita parashikohej të fitonte pak më shumë se një të tretën e vendeve në parlament, aq sa të pengonte Cavez të bënte ndryshime të Kushtetutës. Disa parti të vogla opozitare, nuk u tërhoqën nga procesi me shpresën se do të merrnin vendet e partive të mëdha që u larguan dhe do të kondicionin ndryshimet kushtetuese. Rezultati ishte totalisht zhgënjyes. Partia e Cavezit mori 114 vende nga 167 që ka Parlamenti, 53 vendet e tjera i fituan parti pro-Çavezit dhe disa organizata të vogla politike që mbështesnin atë. Asnjë vend i vetëm nuk shkoi për opozitën. Çavez e ndryshoi Kushtetutën e vendit. Komuniteti ndërkombëtar që e mbështeti në këtë aventurë, nuk mund të fajësonte më opozitën. Rezultati dihet.
Ndoshta nuk janë vetëm shqiptarët që nuk mësojnë nga historia, por e sigurtë është që shqiptarët, liderët politikë, kanë shumë më tepër nevojë të mësojnë se sa Perëndimi. Në fund pasojat mbeten këtu.