Albspirit

Media/News/Publishing

Brikena Bogdo: Në mundç

 

Si popull kemi humbur, orë, muaj, vite, por edhe shekuj. Tejkaluam të gjitha afatet drejt shtetformimit, për 500 vjet, pushtim otoman. Humbëm shancet, drejt shtetit demokratik, për 50 vjet regjim diktatorial. Po vazhdojmë të humbim rrugëtimin atlantiko-europianeist, në një çalëzim prej 25 vitesh. Mbas 575 vitesh, vetëm humbje, në mundçim të tejkalojmë këtë disfatizëm dhe të tentojmë, qoftë duke sakrifikuar, format demokratike, për të arrritur përmbajtjen demokratike, standardet normale zgjedhore. Ne mundçim,  te humbasim edhe disa muaj, në një përpjekje, për të kthyer rrotën e zgjedhjeve, historikisht të vjedhura, packa se ligji, dhe afatet, po na qëndrojnë mbi qafë, ngurtësisht. “Koha demokratike”, është pa limit. Është krejt qesharak, reagimi për të mos shtyrë zgjedhjet, për katër, qoftë edhe gjashtë muaj, kur si shtet, si komb, kemi  humbur pafundësisht kohë. Le të humbasim edhe disa muaj,  në një mjedis, ku qytetari trajtohet si kavje, për arrivizëm politik, duke  e margjinalizuar nga vendimmarrja.

Teknicizmi? Në një botë që po forcon autoritarizmin e establishmenteve politike, detyrimisht do tentohet teknicizmi. Në mundçim, le të përfshijmë teknicizmin, si koncpet, shumë më tepër në administratën shtetërore, larg ndikimeve, urdhërave, shantazhimeve politike.

Vërtet, në vende demokratike, zgjedhjet i organizon shteti, por në një ndryshim rrënjësor, në Shqipëri, dominon triniteti parti-qeveri-shtet politik, ku qytetarët janë, të varur nga politika. Triniteti politik përgatit zgjedhjet dhe pashmangshmërisht, në hierarki, të gjitha  strukturat e ndërvarura, janë politike. Në vende demokratike, shteti dhe qeveria nuk janë një e vetme. Në Shqipëri, qeveria politike, politizon  shtetin në të gjitha qelizat.

Në mundçim të shndërrojmë “teknicizmin”, në domosdoshmëri, jo vetëm për katër, apo gjashtë muaj, por për një periudhë shumë më të gjatë. Oazi i teknicienëve, në zgjedhje dhe në qeverisje, janë garanti, në shtete të zhvilluara si Amerikë e Europë. Zgjedhjen e komisionerëve jo politikë, në procesin zgjedhor dhe e teknicienëve në qeveri, e konsiderojnë si determinuese në depolitizimin e zgjedhjeve dhe jetës së vendit. Struktura e teknicienëve,  për të përgatitur zgjedhjet, jo vetëm nuk është herezi, por edhe një domosdoshmëri për zgjedhjet në përgjithësi.

Me shtyrjen disa muaj, për mbajtjen e zgjedhjeve do të shkatërrohen standardet? Po, kur i kemi arritur vallë, ndonjëherë, standardet? Çfarë do të humbasim si komb? Do të humbasim reformat, që nuk kanë patur impakt dhe nuk kanë dhënë efekte pozitive për ekonominë dhe shtetin, kurrë?

Reforma, nuk është tentativa për të vendosur rregull. Më është dashur të qëndroj me orë në AKP (Agjensia e Kthimit të Pronave), pasi tërhoqa numrin, që punonjësja të më sqaronte, se emri i dalë në lista për kompensim monetar ishte pa vleftë monetare, që do të thotë, se nuk do merja asnjë kokërr leku. Nxirren emra për kompensim, fiktivisht, digjen fondet deri në 40%, të këtyre kompensimeve për pronarët, përflitet rëndom, që duhet të paguash ndën dorë 20%, rrushfet korruptiv, për të marrë atë që vodhi regjimi komunist për 50 vjet dhe regjimi i brishtë, për 25 vjet. Në mundçim, të mos i konsiderojmë këto reforma.  Nuk mund të quhet e shkatërruar diçka që nuk është arritur, kurrë. Në mundçim të fillojmë tentativat, që ti arrijmë, qoftë edhe një herë, këto standarde.

Do humbasë karrigen një kryeministër? Kjo është një arsye e fortë e establishmenteve politike, për të cilët, pushteti është qëllim final. Në mundçim, të fillojmë ta shikojmë pushtetin, si detyrë, jo si privilegj, apo post, që i dihet fillimi dhe jo fundi. Në Amerikë, presidentët e zgjedhur direkt nga populli, nga maja e pushtetit politik, spostohen në “hiçin politik”, paçka se mund të jenë miliarderë.

Në mundçim, të gjithë së bashku, të mos e shikojmë realizimin e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira, si një kërkesë, të një force politike, por si një domosdoshmëri, për të cilën duhej të ishte luftuar, prej shumë kohësh. Fatkeqësisht, këto përpjekje serioze ndodhin, vetëm kur një forcë politike e ndjen veten, seriozisht të rrezikuar. Kështu luftoi fort LSI, në vitin 2004, për të mos ndryshuar kushtetutën, në mënyrë që të mos eliminoheshin partitë e vogla. Kështu po lufton sot PD, që e ndjen veten seriozisht, të rrezikuar nga vjedhja masive e votës. Në mundçim, ta shohim këtë luftë, për standarde zgjedhore, si një luftë të vazhdueshme, pa ekuivoke, jashtë interesave politikë, partiakë.

Pas shumë zhgënjimeve si komb, në mundçim, le të shpresojmë, që është një reflektim shumë serioz, apo një tentativë vërtet serioze, për të ndryshuar rrënjësisht sistemin zgjedhor, jashtë strukturave partiake, politike. Do të jetë një rrugëtim tepër i gjatë, pasi shtet, qeveri, parti, janë ngerthyer keqazi. Nuk jam për bojkot institucionesh, pasi i besoj fort fuqisë së ideve dhe argumentit. Me forcën e ideve, kryetari i M5S në Itali, Grillo, arriti të fitonte 24% të elektoratit, në shfaqjen e tij të parë zgjedhore. Por, të mos harrojmë shtratin demokratik të zgjedhjeve në Itali, ku askush nuk konteston zgjedhjet, përveç disa kritikave për parregullsi.

Në mundçim, le të fillojmë të besojmë tek forca e argumentit, por pasi të kemi zgjidhur çështjen e zgjedhjeve. Me trinitetin parti, qeveri, shtet, në një pushtet absolut, dëështimi nuk është i paralajmëruar, por i lajmëruar dhe i sigurtë. Nuk e gjeti asnjë e keqe Italinë, e cila u drejtua, për tre vjet nga qeveria teknike e kryeministrit Dini, në vitin e largët 1994.

Në mundçim, për të ruajtur konceptin themelor demokratik, alternativë dhe alternim, të sakrifikojmë afatet dhe disa forma demokratike, sado të drejta që të jenë. Sikur një nga këto dy parime, të shkelet, ke shkatërruar në themel demokracinë, duke mohuar si alternimin edhe alternativën. A mund të prevalojnë afatet, mbi demokracinë?

Luftë në emër të qytetarit? Në mundçim, të zgjedhim presidenti,, direkt nga populli, të zgjedhim parlamentarët, me sistemin maxhoritar, direkt nga sovrani, drejtorët e policive (si sherifët ne Amerikë), direkt nga populli.

Vetingu? Ne mundçim, për të arritur pavarësinë e gjyqësorit, le të zgjedhim gjyqtarët direkt nga populli. Në mundçim, ti kontrollojmë rreptësisht vendimet e këtyre gjyqtarëve miliarderë, si në vendet e zhvilluara demokratike. Në mundçim, të mos i kosiderojmë vendimet e këtyre gjyqtarëve, të padiskutueshme por, për çdo vendim të padrejtë, të largohet nga sistemi gjyqësor, si p.sh në Gjermani. Në mundçim, të krijojmë edhe jurinë popullore, si në Amerikë, ku të gjithë qytetarëve aktivë dhe pjesmarrës, iu vjen një thirrje nga gjyqësori, që të jenë pjesë e jurisë, e cila mbahet e izoluar për 24 orë, në mënyrë që të mos korruptohet nga askush. Në Shqipëri, pengesë është sistemi dhe mentaliteti, jo emri. Në ambjente korruptive, emrat janë thjesht një rrokadë. Në mundçim, ta zgjidhim problemin korruptiv të gjyqësorit, me sistem, jo me rrokadë emrash, për të fituar betejën, me gjyqësorin.

Në mundçim, të qartësojmë kodet, civile, penale, zgjedhore, të cilat, në mënyrë të qëllimshme, janë hartuar krejt në terr, që tu lihet vend interpretimeve abuzive dhe korruptive.

Në mundçim, të jemi më tolerant, kur egërsia e luftës politike është më e lartë se kurrë. Kështu kemi fituar statusin për të hapur negocimin me demokracinë, sigurisht më pas me Europën.

Shteti demokratik përcakton politikat. Nuk është politika që përcakton shtetin, për ta përdorur, si mjet për forcimin e pushteteve, sa më afatgjata. Në mundçim, të realizojmë zgjedhjet demokratike, të lira dhe të ndershme, për të fituar mbi disfatizmin, si komb dhe rrumpallën, si shtet.

P.s: kam përdorur një formë të vjetër të gjuhës shqipe, “Në mundç”, pasi mu duk i përshtatshëm për këtë shkrim.

Please follow and like us: